Nëse besojmë se Zoti ekziston, pse duhet të zgjedhim pikërisht Islamin?

Nëse besojmë në ekzistencën e Zotit, pse duhet të zgjedhim pikërisht fenë islame për ta besuar, në vend të të gjitha feve të tjera?!
Ekziston një grup kushtesh që domosdoshmërisht duhet të plotësohen në fenë që besojmë se vjen nga Zoti i Lartësuar, si dhe te të dërguarit që pretendojnë se janë të dërguar prej Tij. Ndër më të rëndësishmet nga këto kushte janë:
  1. Përputhshmëria e konceptit për Zotin: Koncepti dhe cilësitë e Zotit – te të cilat arrijmë përmes vështrimit të pastër logjik – duhet të përputhen plotësisht me konceptin për Zotin që paraqet kjo apo ajo fe. Sepse Krijuesi i arsyes dhe Dërguesi i fesë është Një i Vetëm, pa asnjë ortak. Ndaj nuk mund të imagjinohet ndonjë kundërshtim mes tyre, pasi burimi i të dyjave është Dija Absolute dhe Urtësia Absolute. Kësisoj, nuk mund të paramendohet përplasje mes tekstit të saktë shpallës dhe arsyes së shëndoshë. Dhe kjo nuk është diçka e çuditshme, sepse Zoti që krijoi gjithësinë dhe e bëri atë argument për ekzistencën e Tij, është Ai që zbriti Librin për të vërtetuar dëshminë e gjithësisë dhe për ta detajuar atë.
  2. Koherenca e brendshme (konsistenca): Përbërësit e fesë duhet të jenë harmonikë, ashtu që të mos bien në kundërshtim tekstet e saj, të mos përplasen me njëra-tjetrën rregullat e saj, të mos hidhet poshtë njoftimi i saj e të mos ndryshojë shpallja e saj.
  3. Argumentet e Profetësisë: Profeti i dërguar nga Zoti i Lartësuar duhet të sjellë shenja dhe mrekullitë e nevojshme që dëshmojnë vërtetësinë e mesazhit të tij dhe sinqeritetin e thirrjes së tij, përveç lartësisë morale e cilësore të vetë të dërguarve.
  4. Vazhdimësia e ruajtjes: Feja dhe rregullat e saj duhet të shfaqen e të ruhen vazhdimisht. Ideja se feja e vërtetë mund të jetë zhdukur apo humbur është një ide e pamundur nga ana logjike, pasi Zoti i Lartësuar nuk na krijoi kot e as nuk na la pas dore. Rrjedhimisht, ishte e domosdoshme që Zoti ta ruante fenë e Tij për aq kohë sa ekzistojnë njerëzit.
  5. Origjina Hyjnore: Feja duhet të jetë hyjnore (qiellore), domethënë e dërguar nga Zoti i Lartësuar, e jo fe tokësore e shpikur nga mendja e njerëzve, apo e deformuar prej tyre.
Mbështetur në të gjitha sa u përmendën më sipër, zgjedhjet tona kufizohen në tri fetë e mëdha qiellore: Islami, Krishterimi dhe Judaizmi. A përputhen vallë Krishterimi dhe Judaizmi me kushtet e mësipërme?!

Një vështrim mbi Krishterimin dhe Judaizmin

Nëse hedhim një vështrim të shpejtë mbi besimet e Krishterimit dhe Judaizmit, do të gjejmë gjëra të çuditshme.
Zoti – sipas Krishterimit – përbëhet nga pjesë të thjeshta dhe është përbërë pasi nuk ka qenë i përbërë; domethënë Zoti cilësohet me cilësi dhe bashkohet me qenie të krijuara të cilat demostrohen te koncepti i trinitetit. Kjo bie tërësisht ndesh me atë që kemi mësuar vetvetiu mbi Zotin, pasi kemi përcaktuar se koncepti i transcendencës kërkon lartësimin e Atij që është Absolut nga çdo gjë relative.
Ndërsa Zoti te judenjtë nuk ndryshon në realitetin e Tij nga çdo qenie njerëzore që ka përfitimet dhe dobësitë e veta!
Koncepti i Zotit te të krishterët dhe judenjtë është tërësisht i deformuar. Zoti tek ata është si qenia njerëzore në lëndën, mangësinë dhe relativitetin e Tij, madje edhe në gabimin, padijen dhe epshin e Tij! Për këtë arsye, gjejmë në tekstet e shenjta të të dyja këtyre feve se Zoti tek ata:
– Mban një kupë me verë (Jeremia 25:15–17),
– Ka të përbrendshme (Jeremia 31:20),
– Ulërin e psherëtin si një grua në lindje (Isaia 42:14),
– Pendohet, brengoset dhe ndien keqardhje (Zanafillja 6:5–7),
– Mashtron (Jeremia 4:10),
– Lodhet e ka nevojë për pushim (Eksodi 31:17),
– Përleshet me njerëzit e madje mposhtet prej tyre (Zanafillja 32:22–32),
– Viziton njerëzit në shtëpinë e tyre e ha nga ushqimi i tyre (Zanafillja 18:1–8)!
Ndërsa mveshja e birit për Zotin, kryqëzimi i Zotit e përçartje të tjera si këto, janë më të njohura se sa të jetë e nevojshme të sjellim argumente për to.
E gjitha kjo është vetëm një pikë uji në oqean. Siç e shohim, ky konceptim njerëzor nuk posedon asnjë argument për asnjë nga idetë e tij. Përkundrazi, të gjitha idetë e tij e fyejnë Zotin në mënyrë të skajshme dhe nuk e bëjnë Atë të denjë për asnjë lloj shenjtërimi.
Kështu, ishte e vështirë për Judaizmin që të ruante pastërtinë e tij abstrakte e cila e lartëson Zotin nga materializimi, krahasimi e trupëzimi, pasi judenjtë nuk kishin aftësi të çliroheshin nga prirja materiale që ishte rrënjosur tek ta. Ndërsa sa i përket Krishterimit, ishin pikërisht judenjtë ata që e futën rrymën materiale në të, përmes kalimit të Shën Palit nga Judaizmi në Krishterim me të gjithë barrën e besimit të tij të mëparshëm dhe kulturës së tij të gjerë e cila ishte grumbulluar nga fetë pagane e materializuese.
Mbështetur në sa më sipër, të dyja fetë – Krishterimi dhe Judaizmi – në realitetin aktual nuk mund të konsiderohen si fe hyjnore, pasi cilësitë e përmendura bien ndesh me të vërtetat themelore që njihen domosdoshmërisht për Qenien Hyjnore. Si mund, vallë, të shenjtërojmë një Zot që ulërin e harron, si mund të adhurojmë një Zot që ulërin e lodhet, dhe si mund t’i lutemi një Zoti që ha me ne e përleshet me ne e pastaj ne e mposhtim atë?!
Kjo është një lloj çmendurie, dhe as që mund të konceptohet kurrsesi që ky të jetë një Zot që me të vërtetë meriton të shenjtërohet, e aq më pak të jetë i Adhuruari të Cilit i drejtohemi me namaz, lutje dhe përgjërim!
Për rrjedhojë, dy fetë – Judaizmi dhe Krishterimi, në format e tyre të tanishme – nuk është e saktë t’i mvishen Zotit. Përkundrazi, kjo hyn në llojin e shpifjes dhe gënjeshtrës ndaj Zotit, e kjo është forma më e keqe e padrejtësisë, siç thotë Zoti i Lartësuar në Kuran:
“Dhe ata thënë: ‘I Gjithëmëshirshmi ka marrë një bir!’ Vërtet keni sjellë një gjë të tmerrshme! Nga kjo pothuajse qiejt copëtohen, toka çahet dhe malet rrëzohen të shkatërruara!” (Merjem: 88–90).

Përputhshmëria e Islamit me Arsyen dhe Cilësitë Hyjnore

Nuk ka mbi sipërfaqen e të gjithë tokës fe më të përputhshme me arsyen se sa feja Islame. Përmes një analize të thjeshtë, bëhet e qartë se Islami e sqaron besimin hyjnor në tekstet e ligjit të tij në mënyrën më të qartë të mundshme, me shprehje të lehta dhe fjalë ku nuk ka asnjë ekuivok e asnjë mjegullnajë. Përkundrazi, tërë mesazhi Kuranor nga fillimi deri në fund konfirmon konceptin e Monoteizmit dhe rrjedhojat e tij.
Doktrina e besimit islam përputhet plotësisht me cilësitë e Zotit te të cilat arrijmë përmes arsyes, dhe detajimi i kësaj është si vijon:
Cilësia e Qenies së Tij: Krijuesi i gjithësisë nga asgjëja ose është një Qenie, ose diçka abstrakte si numrat, kuptimet dhe idetë. Por është e pamundur që Krijuesi i gjithësisë të jetë diçka abstrakte, pasi gjërat abstrakte nuk posedojnë vullnet, as dëshirë, as aftësi për të krijuar, as vetëdije e as dije. Ndërsa Kurani përcakton gjithmonë se Zoti dërgoi të dërguarit, zbriti ligjet hyjnore, caktoi fatet dhe ndau furnizimet; është pikërisht Ai që jep, ndalon, fal, mëshiron e të tjera si këto.
Cilësia e Njëshmërisë: Thirrja në monoteizëm është mesazhi qendror i Kuranit, madje pohon se ai është mesazhi i të gjithë profetëve:
“Ne nuk kemi dërguar asnjë të dërguar para teje, e të mos i kemi shpallur atij se: ‘Nuk ka zot tjetër përveç Meje, ndaj më adhuroni Mua!’” (El-Enbija: 25).
Cilësia e Krijimit: Domethënë veprimi i krijimit, siç thotë Zoti i Lartësuar:
“Allahu është Krijuesi i çdo gjëje.” (Ez-Zumer: 62).
Cilësia e Vullnetit ose Dëshirës: Siç thotë Zoti i Lartësuar:
“Vërtet, Allahu bën atë që dëshiron.” (El-Haxh: 14).
Cilësia e Dijes: Krijuesi është Ai që përfshin me dijen e Tij çdo gjë: të dukshmen e të padukshmen, të imtën e të madhen, fillimin dhe fundin, pikënisjen dhe përfundimin. Ai di dhe shpalos çdo gjë, Atij nuk fshihet asnjë fshehtësi e nuk i shpëton dijes së Tij asgjë e largët apo e afërt, siç thotë Zoti i Lartësuar në Kuran:
“Dhe Ai është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.” (El-Bekare: 29).
Cilësia e Urtësisë: Zoti gëzon përsosmërinë e dijes dhe përsosmërinë e kryerjes e precizitetit të veprës. Ai i njeh të gjitha gjërat me diturinë më të përsosur. Dija e Tij është e amshuar dhe e përhershme; është e pamundur që ajo të zhduket, e nuk i afrohet asnjë fshehtësi e asnjë dyshim. Ai është gjithmonë i saktë në caktimin e Tij dhe i përsosur në administrimin e çështjeve. Ai nuk vepron për ndonjë interes personal dhe ndaj veprimit të Tij nuk ka vend për kundërshtim. Cilësia e urtësisë është përmendur gjithashtu në Kuran:
“Ata thanë: ‘I lartësuar qofsh Ti! Ne nuk kemi dije tjetër përveç asaj që na ke mësuar Ti. Vërtet, Ti je i Gjithëdijshmi, i Urti!’” (El-Bekare: 32).
Cilësia e Vetëqëndrueshmërisë (Mbajtjes në ekzistencë): Zoti është Shkaktari i shkaqeve, dhe të gjitha qeniet varen në ekzistencën e tyre prej Tij. Nuk mund të imagjinohet qëndrueshmëria e qenieve pa u mbështetur plotësisht te Shkaktari i shkaqeve — as në fillimin e ekzistencës së tyre, as në vazhdimësinë e tyre — ashtu siç na ka shpallur Zoti në Kuran:
“Allahu, nuk ka të adhuar tjetër përveç Tij, i Gjalli, Mbajtësi i çdo gjëje.” (El-Bekare: 255).
Cilësia e Fuqisë: Siç thotë i Lartësuari:
“Allahu ka fuqi mbi çdo gjë.” (El-Maide: 40).
Cilësia e Amshueshmërisë dhe Përjetësisë: Siç thotë i Lartësuari në Kuran:
“Ai është i Pari dhe i Fundit.” (El-Hadid: 3).
Cilësia e Lartësimit mbi materien, kohën dhe hapësirën: Siç thotë i Lartësuari:
“Asgjë nuk i shëmbëllen Atij.” (Esh-Shura: 11).
Nuk ka asnjë fe në mbarë botën që paraqet një besim që përputhet me këto cilësi përveç fesë së pastër islame. Madje edhe cilësitë e njoftuara, të cilat nuk mund të njihen përveçse përmes shpalljes, nuk kundërshtojnë as arsyen, as logjikën.
Kjo është një provë se Islami është feja e vetme e vërtetë ekzistuese në faqe të kësaj toke. Sigurisht, kjo nuk është prova e vetme për vërtetësinë e fesë, por ka edhe shumë prova të tjera, ndër to:
Dëshmia e bashkëkohësve: Dëshmia e njerëzve të kohës së Profetit Muhamed, përfshirë armiqtë e tij më të ashpër, për sinqeritetin dhe besnikërinë e tij të plotë, si dhe pamundësinë e gënjeshtrës prej tij — as ndaj njerëzve, as ndaj Zotit.
Sfida e gjuhës dhe elokuentësisë: Dëshmia e kryemjeshtërve të gjuhës dhe njerëzve më të ditur në poezi e elokuencë nga arabët, se Kurani që solli Muhamedi ﷺ nuk ishte nga lloji i fjalëve të krijesave.
Analfabetizmi i Profetit: Fakti që Profeti nuk diti shkrim e lexim dhe nuk kishte studiuar asnjë libër apo mësuar nga ndonjë mësues.
Lajmet e së fshehtës: Njoftimi i Profetit për çështje të fshehta që ndodhën gjatë jetës së tij dhe pas saj, e të tjera prova që është vështirë të numërohen.

Parimi i Dorëzimit dhe Bindjes

Besimi ynë në Zotin e Lartësuar, në Librin (Kuranin) dhe në profetësinë e Muhamedit ﷺ, i bazuar në prova bindëse dhe argumente vendimtare, kërkon domosdoshmërish angazhimin ndaj parimeve mbi të cilat mbështetet ky besim, ndër më të rëndësishmit prej të cilëve është parimi i dorëzimit.
Evzaiu një ndër dijetarët Islam thotë:
“Prej Zotit të Lartësuar është zbritja (Shpallja), detyrë e të Dërguarit të Tij është përcjellja, ndërsa detyra jonë është dorëzimi (pranimi).”
Kuptimi i kësaj është se ne besojmë se rregulli themelor në caktimin e Zotit të Lartësuar është urtësia, sepse njëri prej emrave të Tij është i Urti. Nëse supozojmë se hasim një ngjarje, arsyen e së cillës nuk e njohim dhe qëllimin e së cilës nuk e kuptojmë menjëherë, ne nuk e mohojmë atë derisa të zbulojmë urtësinë pas saj, e as nuk themi se urtësia mungon aty — kjo do të ishte devijim i qartë dhe ndjekje e epshit, jo pranim i ligjit hyjnor.
Përkundrazi, ne i kthejmë çështjet e panjohura, degët dhe rastet e veçanta tek parimet themelore mbi të cilat qëndron besimi ynë që në fillim. Kështu themi: këtë ngjarje e ka krijuar Zoti, dhe Zoti është i Urti i Cili ka vendosur urtësi pas çdo gjëje; pra kjo ngjarje ka një urtësi finale, por ne ende nuk e kemi kuptuar atë.
E njëjta gjë vlen edhe për ngjarjet e fshehta, qofshin të kaluara apo të ardhshme. Nëse vërtetohet me siguri absolute një tekst që përmban lajmin për ndodhjen e një ngjarjeje, ne nuk i lëmë anash këto lajme derisa të verifikojmë ekzistencën e tyre historikisht, por e pranojmë lajmin duke besuar te Zoti i Lartësuar, të Cilit nuk i afrohet e pavërteta nga asnjë anë. Përndryshe, besimi ynë do të ishte besim ndaj epshit tonë dhe ndjekje e gjykimit të kufizuar, e jo besim në Zotin dhe dorëzim ndaj mesazhit të Tij.
Prandaj, kur Kurejshët (Fis arab në Meke) e pyetën Ebu Bekër Sidikun – Allahu qoftë i kënaqur me të – duke i thënë:
“A e beson atë (Muhamedin) se shkoi brenda natës në Jerusalem dhe u kthye para se të agonte?”
Ai u përgjigj:
“Po, unë e besoj atë edhe në gjëra më të largëta se kjo; e besoj atë për lajmin e qiellit që i vjen mëngjes e mbrëmje.”
Pastaj tha fjalën e tij të madhe:
“Nëse ai e ka thënë këtë, atëherë ka thënë të vërtetën.”
Kjo shprehje e Ebu Bekrit është një qëndrim metodologjik i rëndësishëm që tregon thellësinë e kuptimit të tij për thelbin e fesë dhe fetarizmit. Rrënjosja e kësaj cilësie e bëri bindjen dhe nënshtrimin ndaj shpalljes një aftësi të natyrshme tek ai, që nuk kërkonte përpjekje apo përballje të vështirë me veten, por i vinte vetvetiu. Sepse kur njeriu përsos në shpirtin e tij pozitën e dorëzimit, i hapet dera e çlirimit ndaj shpalljes — me bindje, nënshtrim dhe pranim — dhe realizon kënaqësinë e plotë me urdhrin e Zotit të Lartësuar.

Në përfundim

Pra, pyetja “Nëse besoj në Zot, pse duhet të jem musliman?” nuk merr përgjigje vetëm duke thënë: “Sepse Islami është feja e vërtetë.”

Ajo kërkon një zinxhir të plotë arsyetimi:

Ekziston një Krijues; Krijuesi është i Përsosur dhe i Urtë;  është e arsyeshme që Ai t’u japë krijesave të Tij udhëzim; feja e vërtetë duhet të përputhet me të vërtetat themelore që arsyeja njeh për Zotin; duhet të jetë koherente dhe e ruajtur; i Dërguari i saj duhet të sjellë prova të vërtetësisë së tij; kur shqyrtojmë këto kritere, Islami paraqet një koncept të pastër, koherent dhe të qartë për Zotin, ndërsa vërtetësia e Muhamedit ﷺ dhe e Kuranit mbështetet nga një varg tjetër argumentesh.

Dhe kur këto prova bashkohen, besimi nuk mbështetet më thjesht mbi një trashëgimi familjare, një ndjenjë personale apo një zgjedhje arbitrare. Përkundrazi ai shndërrohet në një bindje të mbështetur mbi argument.

0 Shares:
Postime të ngjashme