A ka kontradiktë për lirinë e besimit sipas Kuranit?

Përmbajtja e dyshimit:

Disa njerëz pretendojnë se në Kuran ka kontradiktë midis ajeteve: “Nuk ka dhunë në fe” (el-Bekareh: 256) Kush të dojë le të besojë e kush të dojë le të mohojë” (Al-Kehf: 29), dhe ajetit: Luftojini ata që nuk besojnë në Allahun e as në Ditën e Kiametit, që nuk e marrin për të ndaluar atë që e ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe ata, midis atyre që u është dhënë Libri, që nuk e pranojnë fenë e vërtetë, derisa të japin xhizjen (taksën) me dorën e tyre, duke qenë të përulur.” (et-Teube: 29).

Ata pyesin: Si mundet që Kurani në ajetin e parë dhe të dytë të sanksionojë lirinë e besimit dhe të pohojë se nuk ka detyrim në fe, e pastaj në ajetin e tretë të urdhërojë detyrimin e njerëzve për të hyrë në fe dhe të urdhërojë luftën ndaj atyre që nuk besojnë në të?!

 

Rrëzimi i dyshimit:

  1. Ajeti i parë ka zbritur posaçërisht për ensarët (medinasit), mirëpo gjykimi i tij është gjithëpërfshirës; pasi rregulli bazohet në aspektin e përgjithshëm të tekstit dhe jo në specifikën e zbritjes.
  2. Islami nuk detyron askënd të besojë në të, për disa arsye fisnike.
  3. Islami e ka lejuar luftën për qëllime legjitime, por e ka ndaluar agresionin pa të drejtë ndaj të tjerëve.

 

Shtjellim:

Së pari: Ajeti i parë ka zbritur posaçërisht për ensarët, mirëpo gjykimi që nxirret prej tij është gjithëpërfshirës; nisur nga rregulli se aspekti i përgjithshëm i tekstit prevalon mbi specifikën e shkakut.

Është transmetuar nga Seid ibn Xhubejri dhe të tjerë, në shpjegimin e ajetit: “Nuk ka dhunë në fe” (el-Bekareh: 256), ku ai ka thënë:

“Ky ajet ka zbritur për ensarët. Kur një gruaje prej tyre, kur nuk i jetonin fëmijët, ajo betohej se nëse do t’i lindte një fëmijë, do ta konvertonte atë në jude, me qëllim që  ai të jetonte sa më gjatë. Pasi erdhi Islami, disa nga këta fëmijë u përkisnin këtyre grave (që u bën myslimane). Kur judenjtë e fisit Benu Nadir, u dëbuan, ensarët thanë: ‘O i Dërguari i Allahut, bijtë tanë dhe vëllezërit tanë janë me ta!’ I Dërguari i Allahut r heshti, dhe atëherë zbriti ajeti: “Nuk ka dhunë në fe”. Atëherë Profeti r tha: ‘Lërini njerëzit tuaj të zgjedhin; nëse ju zgjedhin juve, ata janë prej jush, e nëse i zgjedhin ata (çifutët), ata janë prej tyre, prandaj lërini të largohen bashkë me ta.’[1]

Ky është shkaku i zbritjes së këtij ajeti, por vlera e tij është i përgjithshme dhe përfshin të gjithë njerëzit. Sipas rregullave të së Drejtës Islame “Gjykimi bazohet në aspektin e përgjithshëm të tekstit dhe jo në specifikën e shkakut të zbritjes.”[2]

Së dyti: Islami nuk ka detyruar askënd të besojë në të, për disa arsye:

Kjo shfaqet qartë në shumë ajete fisnike, siç është fjala e Allahut të Lartësuar: “Nuk ka dhunë në fe” (el-Bekareh: 256), dhe në ajetin: A ti do t’i detyrosh njerëzit, që të bëhen besimtarë?!” (Junus: 99), dhe në ajetin: Prandaj përkujto, se ti je vetëm përkujtues!” (el-Gashijeh: 21).

Ka disa arsye pse Islami nuk detyron askënd të besojë në të, nga të cilat mund të përmendim se detyrimi:

  • Përdhos shpirtin njerëzor dhe e poshtëron atë.
  • Shkakton hipokrizi dhe prodhon individë që i thurin komplote shoqërisë, duke nxituar ta tradhtojnë dhe ta shkatërrojnë atë nga brenda.
  • Rrënon personalitetin njerëzor dhe e vret atë.
  • Mbjell urrejtje në zemra dhe pakënaqësi në shpirtra.
  • Çon drejt rebelimit dhe rrënjos në shpirt reagime negative dhe shpërthim sapo të jepet rasti.
  • Dëmton reputacionin e fesë islame ngado.
  • E kthen veprën e personit të detyruar të papranueshme tek Allahu; sepse Ai -i Lartësuari- nuk pranon veprat nuk janë të sinqerta për Të. Ai që detyrohet të besojë nga frika, nuk do të drejtohet tek Allahu me sinqeritet, dhe një besim i tillë nuk është i pranuar.

Për të gjitha këto arsye, Islami i ftoi njerëzit që të hyjnë në të me besim, bindje dhe zgjedhje të lirë, si dhe shpalli botërisht parimin e tij të palëkundur[3]: “Nuk ka dhunë në fe”.

Së treti: Islami ka legjitimuar luftën për qëllime të përcaktuara, ndër të cilat:

  1. Shtypja, padrejtësia dhe agresioni ndaj tokave islame: Nisur nga fjala e Allahut të Lartësuar:

“Luftoni në rrugën e Allahut ndaj atyre që luftojnë kundër jush, por mos e kaloni kufirin, se Allahu nuk i do ata që e kalojnë kufirin.” (el-Bekareh: 190).

  1. Ruajtjen e besëlidhjeve dhe marrëveshjeve: Nëse midis shtetit islam dhe një shteti të huaj ka marrëveshje apo besëlidhje, dhe ky shtet i shkel ato, kjo përbën një arsye të ligjshme për të luftuar. Kjo bazohet në fjalën e Allahut të Lartësuar:

“Por, nëse ata e prishin betimin pas lidhjes së marrëveshjes dhe sulmojnë fenë tuaj, atëherë luftoni kundër krerëve të mosbesimit – sepse ata nuk kanë besë – që të mund të frenohen (nga të këqijat).” (et-Teube: 12). Nga ky ajet kuptohet se nëse idhujtarët e thyejnë besën e tyre, lejohet lufta me ta.

  1. Largimin e pengesave që dalin në rrugën e thirrjes islame: Thirrja Islame është universale dhe Profeti i tij u dërgua për të gjithë njerëzit. Kjo do të thotë se ajo duhet të arrijë në çdo popull dhe të hyjë në çdo vend. Prandaj, kushdo që qëndron si pengesë në rrugën e thirrjes dhe përcjelljes së saj – qofshin këta tiranë shtypës apo sundimtarë të vetëshpallur zotër – ata duhet të largohen nga rruga. Kjo bëhet me qëllim që thirrja islame t’u arrijë njerëzve, e kulluar dhe e qartë. Më pas, janë vetë njerëzit ata që vendosin për fatin e tyre: nëse dëshirojnë, hyjnë në Islam me dëshirë dhe zgjedhje të lirë, e nëse dëshirojnë, qëndrojnë në fenë e tyre dhe i paguajnë shtetit islam taksën e sigurisë dhe të mbrojtjes së tyre nga çdo agresion, duke u shkarkuar nga detyrimi financiar i zekatit që kanë myslimanët dhe mobilizimi në rast lufte, vetëm nëse bihet dakord ndryshe.

Ajo që e provon se qëllimi i luftës është largimi i tiranëve dhe sundimtarëve që vetëshpallen zotër, është rasti i Rib’ij ibn Amirit me Rustumin, komandantin e ushtrisë persiane, kur ai i tha: “Ne jemi dërguar për të nxjerrë njerëzit nga adhurimi i njerëzve drejt adhurimit të Allahut, nga ngushtësia e kësaj bote drejt gjerësisë së saj dhe të Ahiretit, dhe nga padrejtësia e feve drejt drejtësisë së Islamit.”

Nëse Islami do ta impononte pranimin e tij me forcën e shpatës apo dhunës, Profeti r nuk do të merrte xhizjen nga sundimtari i ‘Ajles’ (një qytet në Palestinë që sot njihet si Eilat), as nga banorët e ‘Xherbasë’ dhe banorët e ‘Adhruhit’, pasi ushtritë e Bizantit u tërhoqën para tij ditën kur ai shkoi për të luftuar në Tebuk. Euforia e luftës zakonisht e shtyn njeriun të futet në betejë, sidomos kur ai ndjen se është fitues, mirëpo i Dërguari i Allahut r refuzoi të luftonte me banorët e këtyre vendeve, kur pa se ata donin paqe. Ai në këtë rast vuri në zbatim fjalën e Allahut të Lartësuar: E nëse ata anojnë drejt paqes, ano edhe ti drejt saj dhe mbështetu tek Allahu, sepse vërtet Ai dëgjon dhe di gjithçka.” (el-Enfal: 61).[4]

Dr. Abdusabur Merzuk thotë:

“Shumë prej misionarëve dhe orientalistëve të padrejtë ndaj Islamit thonë: ‘Islami ka legjitimuar luftën për t’i detyruar njerëzit të hyjnë në të me forcë. Ai u përhap me tehun e shpatës.’ Ata kapen me faktin se në Kuran gjendet një ajet të cilin komentuesit myslimanë janë mësuar ta quajnë ‘Ajeti i Shpatës’, dhe se ai ka shfuqizuar njëqind e njëzet ajete të tjera të Kuranit që lejojnë apo ftojnë për butësi dhe paqe. Dhe këtu ne duhet të ndalemi:

Ne kemi treguar më parë se hsitoria vërteton se Islami ka hyrë dhe është përhapur në vende ku nuk ka shkelur asnjë ushtri myslimane dhe ku nuk ka ndodhur asnjë betejë apo luftë. Mbarë rajoni i Azisë Lindore dhe Juglindore është dëshmitari më i mirë për këtë, po ashtu edhe rajonet e Afrikës Qendrore, si dhe asaj Juglindore e Perëndimore. Kjo është dëshmia e realitetit mbi pavërtetësinë e këtij pretendimi.

Le t’i kthehemi ajetit që ata e quajtën ‘Ajeti i Shpatës’. Disa prej tyre kanë thënë se ky ajet është fjala e Allahut të Lartësuar:

“Vërtet, numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë, sipas Librit të Allahut, që prej ditës kur krijoi qiejt dhe Tokën. Katër prej tyre janë të ndaluar, sipas besimit të drejtë. Prandaj, mos i bëni vetes dëm, duke i shkelur këta muaj! Megjithatë, luftoni të gjithë kundër idhujtarëve, ashtu si luftojnë ata të gjithë kundër jush. Ta dini se Allahu është me ata që ruhen nga gjynahet.” (et-Teube: 36).

Është mjaft e qartë nga formulimi i tij se ky ajet i fton myslimanët t’i trajtojnë armiqtë e tyre me të njëjtën monedhë: ashtu siç ju luftojnë ata, luftojini edhe ju.

Të tjerë kanë thënë se ky ajet është fjala e Allahut të Lartësuar:

“Kur të kalojnë muajt e ndaluar (në të cilët ndalohet lufta), atëherë vritni idhujtarët kudo që t’i ndeshni, i zini robër, i rrethoni dhe u bëni pusi kudo! Por, nëse pendohen, falin namazin dhe japin zekatin, atëherë i lini të qetë! Vërtet, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (et-Teube: 5).

Dr. Jusuf El-Kardavi thotë: “Ky ajet ka zbritur posaçërisht për idhujtarët arabë që e thyen besëlidhjen, i dëbuan myslimanët nga vatrat e tyre dhe e nisën luftën të parët. Dhe kjo është ajo që kuptohet qartë edhe nga fjala e Allahut të Lartësuar disa ajete më pas:

“Vallë, a nuk do të luftoni kundër atyre që e kanë shkelur besëlidhjen, janë përpjekur ta dëbojnë të Dërguarin dhe kanë filluar të parët t’ju sulmojnë?! Vallë, nga ata keni frikë? Allahu e meriton më shumë se ata që t’i frikësoheni, nëse jeni besimtarë!” (et-Teube: 13).”

Dr. Kardavi shton: “Para këtij ajeti, ne lexojmë fjalën e Allahut të Lartësuar që thotë:

“Përjashtim bëjnë ata idhujtarë, me të cilët keni lidhur marrëveshje e që nuk ju kanë shkelur asgjë prej saj dhe që nuk kanë ndihmuar askënd kundër jush. Respektojeni marrëveshjen me ta deri në fund. Me të vërtetë, Allahu i do ata që (i) frikësohen (Atij).” (et-Teube: 4).

Ndërsa menjëherë pas tij vjen fjala e Allahut të Lartësuar:

“Nëse ndonjë nga idhujtarët kërkon mbrojtje nga ti (Muhamed), mbroje, në mënyrë që të dëgjojë fjalën e Allahut, e pastaj përcille në vendin e tij të sigurt. Kështu duhet, sepse ata janë njerëz që nuk dinë.” (et-Teube: 6).

Prandaj, konteksti këtu nuk flet për ndonjë agresion apo luftë të përgjithshme, por vetëm kundër atyre që e thyen besëlidhjen ose ndihmuan armiqtë në luftë kundër myslimanëve. Nuk mendoj se dikush – qoftë mysliman apo jomysliman – do ta mohonte këtë të drejtë për t’u përballur me atë që shkel marrëveshjen ose ndihmon armikun, sepse statusi i tij në këtë rast është i njëjtë me atë të një armiku, me të cilin përballja është e domosdoshme.

Le t’i kthehemi Ajetit të Shpatës – duke vijuar ende me hulumtimin e Dr. Kardavit – ku të tjerë kanë thënë se ky ajet është fjala e Allahut të Lartësuar:

“Luftojini ata që nuk besojnë në Allahun e as në Ditën e Kiametit, që nuk e marrin për të ndaluar atë që e ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe ata, midis atyre që u është dhënë Libri, që nuk e pranojnë fenë e vërtetë, derisa të japin xhizjen (taksën) me dorën e tyre, duke qenë të përulur.” (et-Teube: 29).

Ky ajet ka zbritur pas Betejës së Tebukut, e cila u zhvillua kundër Perandorisë Bizantine. Është mjaft e qartë nga fjala e Tij e Lartësuar: “derisa të japin xhizjen me dorën e tyre, duke qenë të nënshtruar” se qëllimi është: derisa ata të mos kthehen më në luftë kundër jush, t’i binden autoritetit të shtetit islam dhe t’i paguajnë atij taksën në këmbim të sigurisë.

Mbi të gjitha, ajo që sqaron se emërtimi ‘Ajeti i Shpatës’ dhe konsiderimi i tij si dëshmi fajësie ndaj Islamit është në të vërtetë një pretendim i padrejtë dhe një akuzë tërësisht e rrëzuar, është vetë fjala e Allahut të Lartësuar: “E nëse ata anojnë drejt paqes, ano edhe ti drejt saj dhe mbështetu tek Allahu, sepse vërtet Ai dëgjon dhe di gjithçka.” (el-Enfal: 61), e cila pasohet menjëherë nga fjala e Tij e Lartësuar: “E nëse ata duan të të mashtrojnë ty, ty të mjafton Allahu. Ai është që të fuqizoi ty me ndihmën e Tij dhe me besimtarët.” (el-Enfal: 62).

Si përfundim, ky argument i bën plotësisht të pabaza dhe i rrëzon dyshimet si dhe thëniet se Islami është fe e shpatës apo se ai u përhap me tehun e shpatës.”

Ajo që vlen të përmendet është se në Kuranin e Shenjtë gjenden dy ajete në suren “el-Mumtehineh”, të cilat formësojnë një kornizë të përgjithshme dhe të balancuar, e cila përcakton marrëdhënien e myslimanëve me jomyslimanët. Kjo bëhet përmes një vizioni moral dhe të paanshëm për të dyja palët – myslimanët dhe jomyslimanët – thelbi i të cilit është: jemi në paqe me atë që ofron paqe dhe jemi armiq me atë që shfaq armiqësi ndaj nesh. Këto dy ajete janë fjala e Allahut të Lartësuar:

“Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët. Allahu ju ndalon t’i bëni miq ata që luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe ju dëbojnë nga vatrat tuaja, si dhe mbështesin të tjerët që t’ju dëbojnë. Kushdo që i bën miq ata, është punëmbrapshtë.” (el-Mumtehineh: 8-9).

Dhe ne besojmë se ju ndani të njëjtin mendim me ne se ky rregull moral dhe njerëzor, i drejtë dhe i balancuar, i përcaktuar nga dy ajetet e mësipërme, është dëshmia më e madhe se si Islami tregon drejtësi ndaj vetvetes dhe të tjerëve. Këtë parim nuk e refuzon askush, përveç atyre që agresionin e kanë pjesë të natyrës së tyre, e si rrjedhojë sulmojnë gjatë gjithë kohës; por kur të sulmuarit ngrihen për ta zmbrapsur këtë agresion, ata bërtasin: Ky është terrorist që ushtron terrorizëm, dhe është e drejta jonë ta asgjësojmë e ta lagim tokën me gjakun e tij!

A nuk ndani të njëjtin mendim me ne se Islami në marrëdhëniet e tij me të tjerët është i drejtë, i paanshëm e madhështor, dhe se ai i ruan e i respekton të drejtat e të tjerëve, por pa lënë pas dore as të drejtën e vet dhe të pasuesve të tij?! Standardi i tij në të gjithë këtë është pikërisht kujdesi për të vërtetën dhe drejtësinë.[5]

 

Përmbledhje:

Nuk ka asnjë bazë për kontradiktë mes ajeteve me të cilat këta njerëz ngrenë pretendimin e tyre, dhe kjo sepse:

  • Qëllimi i ajetit të parë: Ai kishte një specifikë për Ensarët, sepse disa prej bijve dhe vëllezërve të tyre jetonin në mesin e çifutëve, duke dashur mbarësi që ata të jetonin sa më gjatë. Kur (Ensarët) përqafuan Islamin, deshën t’i detyronin bijtë e tyre të pranonin Islamin, mirëpo Profeti r e refuzoi këtë dhe zbriti ajeti: “Nuk ka dhunë në fe”. Pavarësisht nga kjo, ajeti vlen për të gjithë njerëzit, sepse gjykimi i tij është i përgjithshëm dhe gjithëpërfshirës; pasi rregulli bazohet në përgjithësimin e tekstit dhe jo në specifikën e shkakut.
  • Islami nuk ka detyruar askënd të hyjë në të për disa arsye, sepse detyrimi:
    • Përdhos shpirtin njerëzor dhe e poshtëron atë.
    • Rrënon personalitetin njerëzor dhe e vret atë.
    • Mbjell urrejtje në zemra.
    • E bën besimin e personit të detyruar të papranueshëm tek Allahu.
    • Mbjell hipokrizinë në shoqëri dhe prodhon individë tradhtarë që rrinë në pritë për të bërë dëm.
    • Dëmton reputacionin e fesë islame.
    • Rrënjos në shpirt reagime negative dhe shpërthim sapo të jepet rasti.
  • Islami e ka legjitimuar luftën për qëllime të përcaktuara, ndër të cilat:
    • Ndalimin (zmbrapsjen) e padrejtësisë dhe agresionit ndaj tokave islame.
    • Ruajtjen e besëlidhjeve dhe marrëveshjeve.
    • Largimin e pengesave që dalin në rrugën e thirrjes islame.

 

Burimi: https://islamic-content.com/post/92464

 

________________________________

[1] E ka nxjerrë Taberiu në tefsirin e tij (5/ 409), Tefsiri i sures El-Bekareh, ajeti (256), me numër (5818), dhe Tahaviu në Sharh Mushkil al-Athar (6339).

[2] At-Tahrir vet-Tenvir, Tahir Ibn Ashur, Shtëpia Botuese “Dar Sahnum”, Tunizí, pa vit botimi, v. 2, pjesa 2, fq. 27, 28, me përshtatje.

[3] Liria e Besimit në Sheriatin Islam, dr. Abdullah Naseh Ulvan, Shtëpia Botuese “Dar es-Selam”, Egjipt, botimi i 4-t, 1424 H / 2004, fq. 31-33.

[4] “Liria e Besimit në Sheriatin Islam”, dr. Abdullah Nasih Ulvan, Shtëpia Botuese “Dar es-Selam”, Egjipt, botimi i 4-t, 1424 H / 2004, fq. 43-49, me përshtatje.

[5] “Letra drejtuar mendjes dhe ndërgjegjes së Perëndimit”, dr. Abdus-Sabur Merzuk, Shtëpia Botuese “El-Dar el-Misrijah el-Lubnanijah”, Kajro, botimi i 1-rë, 2006, fq. 253-256.

0 Shares:
Postime të ngjashme