Dyshimi: Disa pretendues shprehen se Kurani i Madhërishëm i thërret muslimanët të terrorizojnë hebrenjtë dhe të krishterët, dhe se nxit luftën ndaj tyre. Ata thonë: Të gjitha ajetet që bëjnë thirrje për tolerancë në Kuran janë shfuqizuara nga Ajeti i Shpatës, që është fjala e Allahut të Lartësuar: “E kur të kalojnë muajt e ndaluar, atëherë i vritni idhujtarët kudo që t’i gjeni…” [et-Teube: 5].
Po ashtu, sipas tyre, ato janë shfuqizuar edhe nga shumë ajete të tjera, si fjala e të Lartësuarit: “Luftoni kundër tyre, derisa të zhduket sprova (përndjekje)…” [el-Enfal: 39], dhe fjala e Tij: “Vritini ata kudo që t’i gjeni dhe dëbojini prej vendeve, ashtu siç ju dëbuan ata ju…” [el-Bekare: 191], si dhe fjala e Tij: “Përgatisni kundër tyre kuaj dhe forcë për luftë sa të mundni…” [el-Enfal: 60].
Ata pretendojnë se terrorizmi është një produkt islam, për të cilën muslimanët pretendojnë se vjen me urdhër nga Allahu!
Argumentet e Rrëzimit të Dyshimit:
- Ajetet që bëjnë thirrje për tolerancë me jomuslimanët janë të shumta dhe nuk janë të shfuqizuara, siç pretendojnë këta njerëz gabimisht.
- Ajeti i Shpatës, që përmendin, ka zbritur pas zullumit që idhujtarët i shkaktuan myslimanëve. Në të nuk ka thirrje për vazhdimin e luftës me jomuslimanët në mënyrë të pakufizuar.
- Kurani i Madhërishëm bën dallim mes agresorëve nga Ithtarët e Librit (hebrenjtë dhe të krishterët) dhe atyre që nuk janë agresorë; për secilin grup ka një trajtim të veçantë.
- Bibla është e mbushur plot me mësime dhe urdhra terrorizues, me të cilët ata akuzojnë të tjerët.
- Ka një dallim të madh mes Islamit dhe muslimanëve; nëse gabimet dhe praktikat e disa individëve janë të papranueshme, sistemi dhe metodologjia islame nuk mban përgjegjësi për pasojat e këtyre praktikave të gabuara.
Shtjellim i detajuar:
Së pari: Ajetet që bëjnë thirrje për tolerancë ndaj jomuslimanëve janë të shumta, dhe ato nuk janë të shfuqizuara ashtu siç pretendojnë këta njerëz me paramendime të gabuara:
Kurani i Madhërishëm përfshin një sërë ajetesh që bëjnë thirrje për tolerancë ndaj jomuslimanëve, sepse Islami është feja e tolerancës, e mëshirës dhe e sjelljes së mirë me ata që nuk i përkasin asaj. Dhe si të mos jetë kështu, kur Islami është feja e mbarë botës derisa Allahu të trashëgojë tokën dhe gjithçka që ndodhet mbi të?
Shihni fjalën e të Lartësuarit: “S’ka detyrim në fe, sepse tashmë është dalluar e drejta nga e shtrembra!” [el-Bekare: 256]. Kurani i Madhërishëm konfirmon lirinë e njerëzve për të zgjedhur fenë në të cilën ata besojnë, por përballë kësaj, njeriu do të jetë përgjegjës për këtë zgjedhje të tij dhe do të llogaritet për të në Ditën e Gjykimit; nëse është mirësi do të jetë për veten e tij, e nëse është ligësi do të jetë kundër tij: “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, dhe kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” [ez-Zelzele: 7-8].
Roli i Profetit – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të – u kufizua vetëm në nxitjen dhe paralajmërimin, në qortimin dhe transmetimin e mesazhit hynor, dhe ai kurrë nuk u urdhërua t’i detyronte njerëzit për të hyrë në Islam. Ky kuptim është mjaft i qartë në shumë ajete fisnike, prej të cilave është edhe fjala e të Lartësuarit: “Dhe thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj. Kush të dojë, le të besojë e kush të dojë, le të mohojë.” [el-Kehf: 29], si dhe fjala e Tij: “Prandaj, këshillo, sepse ti je vetëm këshillues, ti nuk je ngarkuar t’i detyrosh ata me forcë!” [el-Gashije: 21-22], dhe fjala e Tij: “Nëse ata kthejnë kurrizin, dije se Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), si rojë për ata.” [esh-Shura: 48].
Ajetet që garantojnë lirinë e besimit në Kuran janë aq të shumta sa nuk mund të numërohen. Atëherë, ku qenka ky terrorizëm që paska zbritur në Kuran për t’i detyruar njerëzit të hyjnë në Islam pa dëshirën e tyre? Ky është një pretendim i pavërtetë që nuk ka asnjë bazë.
Së dyti: Ajeti i Shpatës, që u përmend, erdhi pas padrejtësisë që idhujtarët u bënë muslimanëve, dhe në të nuk ka asnjë thirrje për vazhdimin e luftës me jomuslimanët:
Autorët e këtij pretendimi nuk kanë parë rrethanat shoqëruese në të cilat zbriti ‘Ajeti i Shpatës’, mbi të cilin ata mbështeten; Allahu i Madhëruar thotë: “E kur të kalojnë muajt e shenjtë, atëherë i vritni idhujtarët kudo që t’i gjeni…” [et-Teube: 5].
E vërteta është se ky ajet erdhi pas padrejtësisë që idhujtarët u bënë muslimanëve, duke i dëbuar nga shtëpitë e tyre, duke u marrë pasurinë dhe duke ushtruar tortura mbi ta. Në atë kohë, Allahu nuk i kishte lejuar ende muslimanët ta zmbrapsnin këtë agresion që vinte nga idhujtarët. Por, kur padrejtësia u bë e padurueshme, Allahu i Madhëruar i lejoi muslimanët të luftonin: “Atyre që po luftohen u është dhënë leje (të luftojnë), sepse u është bërë padrejtësi – e vërtet Allahu është i Fuqishëm për t’i ndihmuar ata – (ata janë) të cilët u dëbuan nga shtëpitë e tyre pa asnjë të drejtë, vetëm sepse thanë: ‘Zoti ynë është Allahu’. Sikur Allahu të mos u kishte dhënë njerëzve mundësinë për t’u mbrojtur nga njëri-tjetri, do të shkatërroheshin manastiret, kishat, sinagogat dhe xhamitë, në të cilat përmendet shumë emri i Allahut. Vërtet, Allahu e ndihmon këdo që e ndihmon Atë. Allahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm.” [el-Haxh: 39-40].
Allahu i ndihmoi muslimanët me një ushtri që ata nuk e shihnin, sepse ata ishin mbartës të një mesazhi qiellor dhe të një feje hyjnore nga Allahu i Madhëruar. Atëherë, ku qenka këtu thirrja për vrasjen e njerëzve pa të drejtë, ashtu siç pretendojnë këta?!
Dijetari Muhamed Gazali përmend se Ibn Tejmije ka shkruar një traktat të vogël rreth luftës në Islam, ku ngrinte pyetjen: “A bëhet lufta kundër jomuslimanëve për shkak të mosbesimit të tyre apo për shkak të agresionit të tyre ndaj muslimanëve?!” Dhe ai ka përmendur dy mendime të dijetarëve muslimanë:
Mendimi i parë: thotë se lufta bëhet për shkak të mosbesimit (kufrit) të tyre.
Mendimi i dytë: thotë se lufta bëhet për shkak të agresionit të tyre ndaj muslimanëve.
Ibn Tejmije përzgjodhi mendimin e dytë si më të saktin dhe përmendi se ky është qëndrimi i shumicës së dijetarëve muslimanë. Ky mendim mbështetet nga tekstet e Kuranit, Sunetit dhe praktika se si muslimanët i kanë trajtuar të tjerët. Allahu i Madhëruar thotë:
“Luftoni në rrugën e Allahut ndaj atyre që luftojnë kundër jush, por mos e kaloni kufirin, se Allahu nuk i do ata që e kalojnë kufirin. Vritini ata kudo që t’i gjeni dhe dëbojini prej vendeve, ashtu siç ju dëbuan ata ju. Mosbesimi është më i rëndë se vrasja. Mos luftoni me ata pranë Xhamisë së Shenjtë (Qabesë), përveç rastit kur ata ju sulmojnë aty brenda! E, nëse ata luftojnë me ju aty, atëherë vritini ata! I këtillë duhet të jetë ndëshkimi për jobesimtarët. Por, në qoftë se ata heqin dorë, atëherë Allahu është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë. Luftojini ata, derisa të zhduket mosbesimi dhe deri sa të mbretërojë besimi vetëm për Allahun! Por, në qoftë se ata heqin dorë nga lufta kundër jush, atëherë s’ka armiqësi, përveçse kundër keqbërësve. Shkelja e muajit të shenjtë do të shpaguhet me shkelje të muajit të shenjtë, por dhe shkelja e të shenjtave do të ndëshkohet në të njëjtën mënyrë. Pra, kushdo që ju sulmon, edhe ju keni të drejtë ta sulmoni atë, ashtu siç ju sulmoi ju! Frikësojuni Allahut dhe dijeni se Allahu është me ata që ruhen nga të këqijat.” [el-Bekare: 190-194].
Fjala e të Lartësuarit: “ata që ju luftojnë juve” e kushtëzon gjykimin me faktin që ata na luftojnë ne, dhe kjo është provë për shkakun e urdhrit për luftë. Gjithashtu, Ai thotë: “por mos e kaloni kufirin”, që do të thotë se lufta kufizohet vetëm në zmbrapsjen e padrejtësisë dhe nuk guxon të kalojë në agresion apo tirani. Sa i përket fjalës së Tij: “Dhe luftojini ata derisa të mos ketë më sprovë”, sprova këtu nënkupton kthimin e muslimanëve nga feja e tyre me dhunë, ashtu siç u bënin idhujtarët të pafuqishmëve. Prandaj, lufta ndaj tyre bëhet për të thyer fuqinë e tyre dhe për t’i bërë të paaftë që të shkaktojnë sprova e përndjekje mes muslimanëve. Ajeti nuk thotë: “Luftojini ata, derisa të bëhen myslimanë”!
Edhe tradita Profetike përmban shumë tregues që ndalojnë agresionin në luftë. Transmetohet se Profeti – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të – gjatë një prej betejave të tij kaloi pranë një gruaje të vrarë dhe tha: “Kjo nuk ka qenë prej atyre që luftonte.”[1] Ai e urreu këtë veprim ndaj atij që e kishte vrarë, sepse ajo nuk kishte mundësi të luftonte. Aq më tepër që në dy përmbledhjet e sakta (Buhariu dhe Muslimi) ka një transmetim të prerë që e dënon këtë; transmetohet nga Abdullah bin Umeri se: “Një grua u gjet e vrarë në disa nga betejat e Profetit – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të – dhe i Dërguari i Allahut e dënoi ashpër vrasjen e grave dhe fëmijëve.”.[2]
Dijetari Muhamed Gazali vazhdon fjalën e tij rreth pretendimit se Ajeti i Shpatës paska shfuqizuar të gjitha ajetet që bëjnë thirrje për sjellje të mirë me jomuslimanët, duke thënë: “Një grup kanë pretenduar se ky ajet është i shfuqizuar (ajeti i mos detyrimit), por Ibn Tejmije tha: Ky është një mendim i dobët. Pretendimi për shfuqizim ka nevojë për argument, dhe në Kuran nuk ka asgjë që bie në kundërshtim me ajetet që përmendëm, përkundrazi, ka tekste që përputhen me to; atëherë nga vjen ky shfuqizim?!”
Më pas ai thotë: “Argumenti mbi të cilin bazohen ata që thonë se ka shfuqizim, është ai që quhet ‘Ajeti i Shpatës’, duke pasur për qëllim fjalën e të Lartësuarit: ‘E kur të kalojnë muajt e shenjtë, atëherë i vritni idhujtarët kudo që t’i gjeni…’ [et-Teube: 5]. Në këtë fjalë ka një manipulim të rrezikshëm që duhet t’i shfaqet çdo njeriu me mend. Fjala ‘idhujtarët’ këtu është shpjeguar në ajetet paraprake dhe ato pasuese se bëhet fjalë për një popull, agresioni i të cilit u bë i tepërt sa arriti një kufi të papërballueshëm, dhe se ata ishin një grup kriminelësh me pushtet. Ti i njeh ata kur lexon ajetin që përjashton nga idhujtarët ata që u mbrohet gjaku, që është fjala e të Lartësuarit: ‘Përveç atyre idhujtarëve me të cilët keni lidhur marrëveshje, e të cilët nuk u kanë cenuar asgjë nga marrëveshja dhe nuk kanë ndihmuar askënd kundër jush…’ [et-Teube: 4]. Ndaj këtyre agresorëve u shpall lufta në suren et-Teube dhe iu dha afat prej katër muajsh që të shohin se çfarë do të bëjnë me veten e tyre. Atëherë, a përputhet apo bie ndesh ky gjykim me ajetin: ‘Dhe luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që ju luftojnë juve, por mos e kaloni kufirin…’ [el-Bekare: 190]? Të thuash se ka shfuqizim – domethënë shfuqizim të rregullit se nuk ka luftë përveçse kundër agresorëve – është diçka plotësisht e papranueshme dhe për këtë nuk dëshmon asnjë kuptim i thellë i Kuranit të Madhërishëm.”.[3]
Së treti: Kurani i Madhërishëm bën dallim mes agresorëve nga Ithtarët e Librit (hebrenjtë dhe të krishterët) dhe atyre që nuk janë agresorë; për secilin grup ka një trajtim të veçantë:
Kurani i Madhërishëm ka bërë dallim midis dy kategorive të jomuslimanëve:
- E para: Ata që kanë një marrëveshje me muslimanët dhe e respektojnë atë.
- E dyta: Ata që nuk i përmbahen marrëveshjeve të tyre me muslimanët, ose që nuk kanë fare marrëveshje me ta.
Për secilin grup ka një trajtim të veçantë. Për sa u përket atyre që i qëndrojnë besnikë marrëveshjes me muslimanët, muslimanëve nuk u lejohet t’i luftojnë ata për sa kohë që e respektojnë atë; madje, për muslimanët është e ndaluar (haram) t’i luftojnë ata pa të drejtë. Ndërsa për ata që i thyejnë marrëveshjet ose nuk kanë fare marrëveshje, nëse kryejnë agresion kundër muslimanëve, atëherë muslimanët e kanë detyrë ta kthejnë (zmbrapsin) këtë agresion me të gjithë forcën.
Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët. Allahu ju ndalon t’i bëni miq ata që luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe ju dëbojnë nga vatrat tuaja, si dhe mbështesin të tjerët që t’ju dëbojnë. Kushdo që i bën miq ata, është punëmbrapshtë.” [el-Mumtehine: 8-9].
Pra, ata që nuk i kanë luftuar muslimanët kanë të drejtën e sigurisë nga ana e muslimanëve dhe mosprekjes së tyre për sa kohë që i përmbahen marrëveshjes. Kurse ata që shfaqin armiqësi të hapur dhe sulmojnë muslimanët, nuk gëzojnë të drejta të tilla, përkundrazi, lufta ndaj tyre bëhet e domosdoshme nëse kryejnë agresion. Mirëpo, kjo luftë shërben thjesht dhe vetëm për të zmbrapsur sulmin e tyre. Këtë gjë e vërteton një numër i madh ajetesh në Kuranin e Madhërishëm, të cilat është vështirë t’i numërosh të gjitha.
Sa i përket fjalës së të Lartësuarit: “Kur të përballeni në luftë me mohuesit, goditini në qafë, derisa t’i rraskapitni e t’i shkatërroni ata dhe pastaj lidhini fort. Mandej ose i lironi me zemërgjerësi, ose me shpërblim, derisa të bëhet armëpushimi.” [Muhamed: 4], ky ajet përshkruan gjendjen në të cilën duhet të jenë muslimanët në fushën e betejës. Ata duhet të jenë të rreptë dhe të fuqishëm përballë mohuesve që e filluan të parët armiqësinë dhe agresionin. Ky ajet nuk përfshin të gjithë jomuslimanët në përgjithësi, por specifikon vetëm ata që kanë sulmuar, duke përjashtuar jomuslimanët paqësorë.
Po kështu duhet kuptuar edhe fjala e të Lartësuarit: “E ju përgatitni kundër tyre aq sa të keni mundësi forcë dhe kuaj të rreshtuar për luftë, që të tmerroni (frikësoni) me të armikun e Allahut dhe armikun tuaj…” [el-Enfal: 60]. Frikësimi (apo parandalimi) që përmendet në ajet është i drejtuar kundër armikut të Allahut dhe armikut tuaj që filloi agresionin i pari, dhe në asnjë mënyrë nuk u drejtohet jomuslimanëve paqësorë. Prandaj, konteksti në të cilin kanë zbritur ajetet duhet kuptuar mirë, në mënyrë që ato të interpretohen drejt.
Si rrjedhojë, frikësimi apo gatishmëria ushtarake ndaj armiqve të Allahut (për të parandaluar sulmet e tyre) është një kërkesë hyjnore. Por cilët janë armiqtë e synuar të Allahut? Janë ata që nisin të parët armiqësinë dhe sulmin ndaj muslimanëve. Sa i përket njerëzve paqësorë, muslimanët nuk kanë asnjë të drejtë t’i frikësojnë apo t’i terrorizojnë ata.
Së katërti: Bibla është e mbushur plot me mësime dhe urdhra terrorizues, me të cilët ata akuzojnë të tjerët:
Përpara se autorët e krishterë të këtij pretendimi të flasin për armiqësinë e muslimanëve ndaj të tjerëve dhe terrorizimin e tyre, ata duhet të shohin – fillimisht – në Librin e tyre të Shenjtë dhe tekstet që ai përmban, të cilat bëjnë thirrje për terrorizimin e të tjerëve. Ato janë aq të shumta sa nuk mund të sillen të gjitha këtu, por ne do t’u referohemi disa prej këtyre teksteve që nxisin agresionin ndaj të tjerëve.
Në Librin Ligji i Përtërirë – të cilin ne besojmë se është devijuar – vijnë urdhrat e Zotit – larg qoftë i Lartësuari nga kjo – drejtuar Moisiut për të vrarë çdo gjë që ndodhet në qytet, përfshirë edhe kafshët. Teksti thotë: “atëherë do të vrasësh me shpatën tënde banorët e atij qyteti, duke vendosur shfarosjen e tij dhe gjithçka që ndodhet në të; do të vrasësh edhe bagëtinë e tij. Pastaj do të mbledhësh tërë plaçkën e tij në mes të sheshit dhe do ta djegësh me zjarr qytetin dhe tërë plaçkën e tij përpara Zotit, Perëndisë tuaj; ajo do të mbetet një grumbull gërmadhash për gjithnjë dhe nuk do të rindërtohet më kurrë.” (Ligji i Përtërirë 13: 15-16). Në këtë tekst ka një tregues të qartë për vrasjen dhe djegien e kujtdo që ndodhet në qytet, madje edhe të kafshëve që nuk kanë asnjë faj në këtë mes.
Në po të njëjtin libër thuhet: “Kur më vonë Zoti, Perëndia yt, do të ta japë në dorë, do të vrasësh me shpatë tërë meshkujt e tij; por gratë, fëmijët, bagëtinë dhe të gjitha ato që ndodhen në qytetet, tërë prenë e tij, do t’i marrësh si plaçkën tënde; dhe do të hash plaçkën e armiqve të tu që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë.
Kështu do të veprosh në të gjitha qytetet që janë shumë larg nga ti dhe që nuk janë qytete të këtyre kombeve.
Por nga qytetet e këtyre popujve që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi, nuk ke për të lënë asgjë që merr frymë; “ (Ligji i Përtërirë 20: 13-16).
Ne e dimë se të gjitha këto tekste janë me autenticitet të dyshimtë dhe është e pamundur që ato të kenë buruar nga Zoti i Madhëruar apo nga ndonjë prej profetëve të Tij të nderuar. Megjithatë, ne po i citojmë këto tekste nga vetë Libri i të krishterëve në të cilin ata besojnë dhe pretendojnë se vjen nga Zoti i Plotfuqishëm. Këto tekste bëjnë thirrje për vrasjen e të rriturve, grave dhe fëmijëve, e madje edhe të kafshëve të pafajshme bashkë me ta. Atëherë, ku qëndron toleranca që paskan librat e tyre të shenjtë në krahasim me tolerancën në të cilën thërret Kurani i Madhërishëm dhe muslimanët, me fjalë dhe me vepra?!
Së pesti: Ka një dallim të madh mes të vërtetave të Islamit dhe zbatimit të këtyre të vërtetave nga ana e muslimanëve:
Ekziston një dallim i qartë ndërmjet Sheriatit Islam dhe atyre që e zbatojnë atë. Nëse mes muslimanëve gjenden njerëz me mendime të gabuara ose me kuptim të shtrembëruar të teksteve fetare, kjo nuk do të thotë domosdoshmërish se Islami vetë është i gabuar. Për këtë mjafton të shohim mënyrën se si Kurani flet për robërit e luftës, duke e trajtuar këtë çështje në tri aspekte kryesore:
- Mirësia ndaj robërve në aspektin human: Dëshmia për këtë në Kuranin e Madhërishëm është fjala e të Lartësuarit: “Ata i ushqejnë të varfrit, jetimët dhe të zënët rob edhe pse vetë janë nevojtarë, duke thënë: “Ne ju ushqejmë vetëm për hir të Zotit. Për këtë, nuk duam shpërblim e as falënderim!” [el-Insan: 8-9]. Ky ajet i bëri bashkë të gjithë këto kategori, sepse ata janë njerëz me nevoja dhe në gjendje të vështirë.
- Mirësia ndaj robërve në aspektin moral: Kjo bëhet përmes ngushëllimit të tyre dhe ofrimit të këshillës. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar e urdhëroi të Dërguarin e Tij – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të – që t’i ftonte robërit në fenë e vërtetë, duke thënë: “O Profet! Thuaju robërve që gjenden në duart tuaja: “Nëse Allahu gjen mirësi në zemrat tuaja, do t’ju japë diçka edhe më të mirë nga ajo që ju është marrë dhe do t’ju falë”. Se Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë. “ [el-Enfal: 70].
- Vendimmarrja për fatin e robërve: Kjo bëhet përmes dy mënyrave: ose lirim pa dëmshpërblim, ose me dëmshpërblim. Allahu i Madhëruar thotë: “Kur të përballeni në luftë me mohuesit, goditini në qafë, derisa t’i rraskapitni e t’i shkatërroni ata dhe pastaj lidhini fort. Mandej ose i lironi me zemërgjerësi, ose me shpërblim, derisa të bëhet armëpushimi.” [Muhamed: 4]. Shumica e juristëve e kanë lënë fatin e robërve të luftës në duart e udhëheqësit; ai ose mund t’i ndëshkojë (nëse janë kriminelë lufte), t’i vendosë në shërbim, t’i lirojë pa dëmshpërblim, t’i këmbejë me pasuri ose me robër muslimanë, ose t’i lirojë duke i bërë shtetas që paguajnë taksën e sigurisë (xhizjen). Juristët janë unanimë se, në parim, gratë dhe fëmijët e zënë rob nuk ndëshkohen kurrë.
Ky është Islami dhe ky është Ligji i Tij. Ndërsa zbatimi i këtij Ligji nga ana e muslimanëve është diçka tjetër; ky zbatim mund të jetë i saktë, por mund të jetë edhe e kundërta. Prandaj, nuk duhet ta akuzojmë Islamin dhe Kuranin për gjëra që nuk gjenden në të. Ku qenka atëherë ky terrorizëm që pretendojnë se ekziston në Islam? Islami është plotësisht i pastër nga shpifje të tilla të pavërteta dhe të rreme.
Përmbledhje:
Ajetet që bëjnë thirrje për tolerancë nga ana e muslimanëve ndaj të tjerëve janë të shumta. Ndër këto ajete është fjala e të Lartësuarit: “Nuk ka dhunë në fe, sepse rruga e drejtë është dalluar qartë nga rruga e gabuar” [el-Bekare: 256] etj. Shohim se lufta u bë obligim për muslimanët si një domosdoshmëri (e imponuar) – qoftë ndaj paganëve apo ithtarëve të Librit – dhe muslimanët u detyruan ta ndërmerrnin atë në mbrojtje të vetvetes, të besimit dhe të ekzistencës së tyre.
Ajeti për të cilin është thënë se ka shfuqizuar të gjitha ajetet që bëjnë thirrje për tolerancë ndaj jomuslimanëve – i cili quhet “Ajeti i Shpatës” – ishte i lidhur ngushtë me rrethanat dhe kontekstin në të cilin zbriti, përndryshe ai nuk kuptohet në mënyrë të saktë. Pretendimi se ai shfuqizon ajetet para tij është një qëndrim që nuk bazohet në asnjë argument të qartë dhe të vërtetë; ky është thjesht një pretendim i pavërtetë.
Trajtimi i jomuslimanëve nga ana e muslimanëve nuk është i njëjtë në çdo rast, por ndahet në dy kategori:
E para: Trajtimi i atyre që nuk shfaqën armiqësi ndaj muslimanëve dhe që kanë një marrëveshje me ta; këta gëzojnë të drejtën e sigurisë nga muslimanët në këmbim të taksës së mbrojtjes dhe sigurisë (xhizjes).
E dytë: Trajtimi i atyre që nisin të parët armiqësinë ndaj muslimanëve ose që nuk kanë ndonjë marrëveshje me ta; ndaj këtyre muslimanët vetëm se zmbrapsin agresionin e tyre, dhe kjo zmbrapsje nuk duhet t’i kalojë kufijtë e përcaktuar nga Allahu dhe i Dërguari i Tij.
Përpara se të flitet për pretendimin se muslimanët terrorizojnë të tjerët prej hebrenjve dhe të krishterëve, duhet të shihen tekstet e Librit të tyre dhe thirrjet e hapura që ai përmban për terrorizimin dhe vrasjen e njerëzve, ku as kafshët nuk i kanë shpëtuar këtij agresioni.
Ka një dallim të madh mes Islamit dhe zbatimit të rregullave e ligjeve të tij nga ana e muslimanëve. Islami është një mesazh i lartë, përmban parime ideale dhe është fe e vërtetë; ndërsa muslimanët ndodh që t’u përmbahen këtyre parimeve, por edhe mund t’i lënë pas dore ato herë pas here. Rrjedhimisht, mosrespektimi i parimeve nga ana e tyre është një e metë që qëndron tek ata si individë dhe jo tek Islami.
https://bayanelislam.net/Suspicion.aspx?id=01-01-0074&value=&type=
———————————
[1] Ebu Davudi dhe Ahmedi.
[2] Buhariu dhe Muslimi.
[3] Muhamed el-Gazali, Miatu Sual anil Islam, Nahdat Misr, Kajro, botimi i 2-të, viti 2004, fq. 77