*Kapitulli i parë: Përpara se të fillojmë…
Mbase është me rëndësi parësore të shqyrtojmë disa premisa mbi të cilat ndërtojmë diskutimin tonë, në mënyrë që të biem dakord për një bazë të përbashkët mbi të cilën do të ngrihen pyetjet dhe përgjigjet.
Premisa e parë: Ekzistojnë disa njohuri njerëzore që quhen “aksioma/të vetëkuptueshme”; ato janë të vërteta që nuk gjen shteg për t’i mohuar. Aksiomat që kemi parasysh janë premisat themelore të arsyes, si për shembull: pjesa është më e vogël se e tëra, bashkimi i një gjëje me të kundërtën e saj është i pamundur (si p.sh. që një gjë të jetë ekzistente dhe joekzistente në të njëjtën kohë), njëshi është gjysma e dyshit, apo se çdo pasojë ka një shkak… e deri në fund të premisave të vetëkuptueshme për të cilat asnjë i mençur nuk dyshon. Pavarësisht nëse këto aksioma janë fituar përmes perceptimit shqisor dhe procesit të arsyetimit që nga lindja e njeriut dhe gjatë fëmijërisë së tij (siç thotë John Locke[1])[2], apo janë parime të lindura e të ngulitura në mendjen njerëzore sipas natyrshmërisë që i ka krijuar Allahu (siç thotë Ibn Halduni[3])[4].
Dhe këto aksioma nuk mund të vërtetohen përmes ndonjë prove eksperimentale për t’i pohuar ato, as nuk kanë nevojë për shqyrtim e as për argumentim. Përkundrazi, ato janë perceptime themelore të arsyes njerëzore, ku nuk mund të imagjinohet që ekzistenca e njeriut të jetë e rregullt pa u dorëzuar para tyre (pa i pranuar ato). Sepse, nëse e pyet cilindo person: sa bëjnë një gjë plus një gjë tjetër? Ai do të përgjigjej menjëherë: “dy gjëra”, pa pasur nevojë për studim, as për filozofi, as për njohjen e natyrës së kësaj gjëje dhe as për të argumentuar vërtetësinë e fjalës së tij.
Këto parime fillestare të arsyes, pasi mendja orientohet drejt tyre, nuk kanë nevojë për asgjë tjetër. Me fjalë të tjera, ato janë çështje që mendja e kthjellët i bën të domosdoshme për vetveten, pa pasur nevojë për ndonjë kuptim shtesë mbi to.[5] Prandaj, logjikisht nuk lejohet argumentimi për vërtetësinë e tyre, pasi ato janë të vërteta në vetvete. Siç thotë Ibn Hazmi: “Ajo që perceptohet përmes zanafillës së arsyes dhe shqisave, nuk ka nevojë për asnjë argumentim.”[7]
Ndër domosdoshmëritë dhe aksiomat më të rëndësishme mendore që kemi parasysh, është Ligji i Shkakësisë. Ligji i Shkakësisë do të thotë: “Asgjë nuk ndodh pa një shkak, ose të paktën, pa një shkak të përcaktuar; domethënë, pa diçka që mund të ofrojë një shpjegim paraprak mbi shkakun e ekzistencës së kësaj gjëje në vend të mosekzistencës së saj, dhe përse ajo është në këtë formë e jo në një formë tjetër krejtësisht të ndryshme.”[8]
Dhe ky ligj është themelor dhe i domosdoshëm për realizimin e çfarëdo njohjeje njerëzore në parim; “Sepse dija se çdo gjë e krijuar duhet ta ketë patjetër një krijues (shkaktar) është një dije natyrore dhe e domosdoshme”.[9]
Përse i parashtrojmë këto premisa që në fillim, përderisa ato janë skajshmërish të vetëkuptueshme? Sepse ndonjëherë arsyeja njerëzore devijon dhe arrin në një fazë ku i përgënjeshtron këto aksioma në themel, duke mos besuar më në asnjë parim aksiomatik. Nëse i thua atij – për shembull –: “Dyshi është më i madh se njëshi”, ai do të të thotë: “Kjo është një çështje jo e sigurt dhe ka nevojë për provë”. E nëse i thua: “Çdo pasojë ka një shkak dhe çdo ngjarje ka një arsye”, ai do të thotë: “Kjo nuk është një e vërtetë logjike”. Në këtë rast, nuk ka asnjë dobi nga diskutimi dhe nuk mund të ndërtohet asnjë njohje nëse këto aksioma nuk janë të qarta te bashkëbiseduesi; “Sepse kushdo që i mohon shkaqet, ai ka asgjësuar arsyen”.[10]
Imam Ebu Hamid el-Gazaliu[11] (Allahu e mëshiroftë!) pati rënë në një gjendje sofizmi dhe vazhdoi të dyshonte në çdo gjë, derisa dyshimi i tij arriti te rregullat më të thjeshta të mendimit logjik, derisa Allahu e udhëzoi dhe ai u rikthye për të konfirmuar themelimin e arsyes njerëzore mbi aksiomat. Problemi është se kur arsyeja njerëzore arrin në fazën e mohimit të aksiomave, atëherë nuk ka asnjë rrugë të mundshme për ndërtimin e asnjë njohurie njerëzore; sepse nëse rregullat më të thjeshta të mendimit dhe logjika do të ishin nul (të paqena), atëherë ku është baza mbi të cilën mund të mbështeteshim pas kësaj?
Mohuesi i këtyre rregullave aksiomatike (të vetëkuptueshme) bie në një nihilizëm të pafund; në të cilin kanë rënë tashmë shumë filozofë, ateistë dhe sofistë; një nihilizëm prej të cilit nuk mund të shpëtohet njeriu në asnjë mënyrë. Prandaj, kur Gazaliu arriti në këtë fazë, nuk e shpëtoi prej saj asgjë tjetër përveç udhëzimit hyjnor, siç thotë ai vetë: “Sëmundja u bë e pashërueshme dhe qëndrova rreth dy muaj në humbje, derisa Allahu i Lartësuar më shëroi nga kjo sëmundje dhe shpirti iu rikthye shëndetit dhe ekuilibrit. Kjo nuk ndodhi përmes ndërtimit të ndonjë prove, as përmes rregullimit të fjalëve, por përmes një drite që Allahu i Lartësuar e hodhi në gjoksin tim.”[12]
Vlen të përmendet se disa njerëz pretendojnë se Mekanika Kuantike[13], e cila studion fushën e lëndës, ku shfaqen dhe zhduken grimca virtuale pa një shkak të dukshëm, pretendojnë se kjo fushë e ka asgjësuar ligjin e shkakësisë dhe e ka thyer atë. Kjo për shkak të pretendimit të disa fizikanëve se grimcat mund të gjenden në dy pozicione në të njëjtën kohë, gjë që konsiderohet shkelje e një prej aksiomave fillestare. E prej këtu (pretendojnë ata), aksiomat qenkan si gjithë njohuritë e tjera, të hapura ndaj kritikës, shqyrtimit dhe dyshimit; e si rrjedhojë, ligji i Shkakësisë nuk qenka një ligj i palëkundur dhe nuk mund të përdoret si argument për vërtetësinë apo pavërtetësinë e diçkaje.
Mirëpo, duke e analizuar çështjen, bëhet e qartë se mungesa e kauzalitetit në botën nënatomike është thjesht një pretendim i verbër i një grupi të caktuar shkencëtarësh dhe nuk është një vendim përfundimtar për këtë çështje, as nuk është çështje konsensuale. Ekzistojnë shpjegime të shumta që përpiqen të kuptojnë fushën kuantike, ku mbase dy shpjegimet më të famshme për botën kuantike janë: shpjegimi i Niels Bohr-it dhe Heisenberg-ut, i njohur si “Shpjegimi i Shkollës së Kopenhagenit” i cili pretendon mohimin e parimit të shkakësisë duke thënë se grimcat gjenden në dy vende në të njëjtën kohë për sa kohë që nuk i vëzhgojmë, e nëse i vëzhgojmë ato shfaqen vetëm në një vend – dhe shpjegimi tjetër, i njohur si shpjegimi i David Bohm-it, i cili thotë se ekzistojnë variabla që aftësitë dhe mjetet tona matëse nuk kanë arritur t’i kapin ende për shkak të dobësisë së mjeteve tona shkencore. Këto variabla të panjohura janë ato që kontrollojnë sjelljen e fushës kuantike në mënyrë shkakësorë natyrore, ashtu siç është sistemi i gjithë universit.
Shpjegimi i shkollës së Kopenhagenit ka qenë mbizotërues që nga shfaqja e tij në fillim të shekullit të njëzetë – ndonëse fizikani i famshëm Ajnshtajni e kundërshtoi atë me forcë dhe tha fjalinë e tij të famshme se “Zoti nuk luan me zare” – dhe shpjegimi i Bohm-it u neglizhua për një kohë. Mirëpo, shpjegimi i Kopenhagenit ka filluar ta humbasë popullaritetin e tij në mënyrë të dukshme mes specialistëve. Revista “New Scientist” publikoi në vitin 2016 një artikull me titull: “Misteri kuantik në fund të fundit mund të fshehë një rregull real”, ku përmendej se teoria e David Bohm-it është ringjallur sërish pas disa eksperimenteve që vërtetojnë saktësinë e saj[14], saqë disa statistika tregojnë se shkencëtarët që besojnë në shpjegimin e Bohm-it. arrijnë deri në dyfishin e shkencëtarëve që besojnë në shpjegimin e shkollës së Kopenhagenit”.[15]
Madje, shumica e atyre që zgjedhin shpjegimin e Kopenhagenit, e bëjnë këtë për arsye filozofike dhe jo shkencore, mbi një bazë intuitive e jo të sigurt. Rryma ateiste sot priret ta shfrytëzojë fizikën kuantike në një mënyrë që nuk i mungon prapavija ideologjike; ku kjo rrymë shkëput hipotezën e pranisë së rastësisë në ekzistencë dhe pretendon mohimin e rregullit, për të përfunduar në mohimin e hyjnisë. Kjo, shkurtimisht, është rruga metodologjike me të cilën punojnë modalitetet më të fundit të mendimit ateist sot, duke pretenduar se janë njohës të të dhënave të shkencës dhe absorbues të transformimeve të saj aktuale, megjithëse i shfrytëzojnë këto të dhëna në një mënyrë që nuk u ka shkuar ndërmend as krijuesve dhe themeluesve të tyre të mëdhenj.[16]
Kjo botë nënatomike mbart një mjegullnajë dhe vështirësi në vëzhgim të tillë, saqë nuk shfaqet një shpjegim për këtë botë pa u pasuar nga një shpjegim tjetër brenda një periudhe të shkurtër kohore që arrin deri në një javë; pa përmendur vështirësinë eksperimentale tejet të madhe në vërtetimin e ndonjërit prej shpjegimeve. Rrjedhimisht, thënia se shkakësia është zhdukur në botën kuantike është thjesht një mendim supozues i një grupi shkencëtarësh dhe nuk mbështetet aspak nga dëshmitë eksperimentale. Prandaj, nuk është e saktë të argumentohet me të, madje, pas një hulumtimi të hollësishëm, ky rezulton të jetë një mendim i gabuar. Nuk ka nevojë për zgjatje të mëtejshme në këtë çështje, e kush dëshiron detaje rreth saj, le të shohë kapitullin “Shkakësia në botën kuantike” nga libri i Dr. Sami Amirit “Atëherë, kush e krijoi Allahun? Kritikë ndaj dyshimeve ateiste: Nëse çdo i krijuar ka një krijues, po Allahun kush e krijoi?! (Nën dritën e hulumtimit filozofik dhe kritikës kozmologjike)”, pasi në të ka dobi të madhe, në dashtë Allahu.
Si përfundim, aksiomat mendore fillestare, e në krye të tyre parimi i shkakësisë, janë pikënisja jonë në diskutimin rreth këtyre çështjeve.
Premisa e dytë: Ne jemi këtu vërtet. Domethënë, nëse ne po pyesim: “Përse jemi këtu?”, kjo do të thotë se ne po konfirmojmë paraprakisht që ne jemi “këtu” vërtet; pra, ekzistenca jonë është një ekzistencë reale e perceptueshme. Megjithëse kjo çështje është e vetëkuptueshme, devijimi nga Shpallja dhe drita hyjnore e çon arsyen njerëzore drejt çudirave. Disa kanë thënë: “Ne nuk ekzistojmë, ne jemi thjesht iluzione joreale”. Prej atyre që u zhytën në këtë debat skeptik ishte filozofi René Descartes[17], i cili synonte të arrinte njohjen e së vërtetës në mënyrë të sigurt, ndaj dyshoi në vërtetësinë e ekzistencës hap pas hapi, derisa dyshimi i tij arriti deri te dyshimi në ekzistencën e tij në parim. Mirëpo, ai e rimori të vërtetën e ekzistencës së tij nga fakti se ai zotëronte aftësinë për të pyetur, menduar, tejkaluar, analizuar dhe sintetizuar; pra përmes vetëdijesimit për veten, andaj tha thënien e tij të famshme: “Unë dyshoj, pra unë jam (ekzistoj)”. Me gjithë këtë aksiomë të vetëkuptueshme, disa ithtarë të polemikave nuk dorëzohen para saj dhe mohojnë vërtetësinë e ekzistencës sonë si qenie të ndërgjegjshme në këtë botë.
Më pas themi: Duke qenë se jemi qenie njerëzore të ndërgjegjshme dhe të afta për të arsyetuar, atëherë fitimi i njohurive është diçka e mundshme, qoftë përmes shqisave, mendjes apo burimeve të tjera të njohjes dhe gjërave ekzistuese që mund të perceptohen përmes shqisave, siç mund të perceptohen edhe përmes rrugëve të tjera. Duke qenë se çështjet ekzistenciale që po trajtojmë janë jashtë fushës shqisore, ne themi: mosqenia e tyre nën hijen e shqisave nuk do të thotë domosdoshmërish pavërtetësi e ekzistencës së tyre, sepse mospasja e ndjesisë sonë për diçka nuk do të thotë mosekzistencë e saj. Ne mund t’i perceptojmë disa çështje apo ekzistenca edhe nëse ato nuk i kapin shqisat, përmes lajmit të sigurt (teksteve), përmes argumentimit logjik apo rrugëve të tjera. Lidhur me këtë, Abdullah bin Salih el-Uxhejri thotë, duke komentuar fjalët e Imam Gazaliut (Allahu e mëshiroftë): “Rrjedhimisht, mund të themi se lidhja e ekzistencës me njohjen dhe perceptimin njerëzor është në tri nivele:
E para: Ekzistenca për të cilat njohja mund të arrihet përmes shqisave të drejtpërdrejta.
E dyta: Ekzistenca që nuk kapet nga shqisat e drejtpërdrejta, por që mund të arrihen përmes gjurmëve (pasojave) të tyre, kështu që arsyeja ka lidhje me perceptimin e tyre, dhe arritja e njohjes për to është e përbërë nga shqisa dhe mendja.
E treta: Ekzistenca që nuk kapet nga shqisat e drejtpërdrejta dhe ku arsyeja nuk gjen ndonjë shteg për njohjen e tyre, as përmes gjurmëve të tyre dhe as përmes analogjisë me diçka tjetër. Për këto qenie, nëse nuk na vjen nëpërmjet shpalljes diçka që zbulon ekzistencën e tyre, atëherë nuk ka asnjë rrugë për perceptimin e kësaj ekzistence apo njohjen e saj.”
Është rënë dakord që niveli i parë të quhet “shqisoret”, e dyta “të perceptueshmet” dhe e treta “tekstet e shpalljes”.
Nëse meditojmë gjendjen tonë dhe njohjen që kemi për Krijuesin tonë të Lartësuar, ajo që lidhet me perceptimin e Tij – i Pastër qoftë Ai nga çdo e metë – mund t’i përkasë nivelit të dytë ose të tretë. Vërtetimi i ekzistencës së Allahut të Lartësuar dhe arritja e njohjes së përsosmërisë së Tij, perceptohen përmes arsyes, mirëpo Ai posedon përsosmëri të atilla që mendja mbetet e pafuqishme për t’i perceptuar, dhe nuk ka asnjë rrugë për njohjen e tyre përveçse përmes Shpalljes.[18]
Dr. Abdullah esh-Shehri thotë: “Duhet të ndërgjegjësohemi se për individin ekziston një dallim midis asaj që mendja përfiton si dije të saktë rreth Krijuesit përpara njohjes me Shpalljen, dhe asaj që ajo përfiton pas njohjes me Shpalljen… Vërtet, vështrimi i saktë i gjurmëve të krijimit të Tij të çon drejt cilësimit të Krijuesit me disa prej cilësive të Tij. Kjo ndryshon nga ajo që qëndron përtej kësaj, për të cilën nuk ka asnjë rrugë për të qenë i prerë, apo qoftë edhe për ta diktuar përmes vështrimit, siç është cilësia e lartësimit mbi Arsh, Zbritjes e të tjera si këto; sepse këto janë gjëra që arsyeja nuk i nxjerr dot në mënyrë të pavarur, ndryshe nga cilësia e Dijes, për shembull, e cila është prej atyre që arsyeja mund ta nxjerrë në mënyrë të pavarur edhe pa Shpallje – dhe kjo u ka ndodhur shumë mendjeve që nuk e kanë njohur Shpalljen. Prandaj, Ibn Tejmije thotë: ‘Sa i përket Lartësisë së Tij dhe veçimit të Tij nga krijesat, kjo dihet përmes arsyes që përkon me Shpalljen, ndërsa për qëndrimin mbi Arsh, rruga e njohjes së saj është Shpallja’.[19] Kështu, thënia se mundësia e njohjes së Krijuesit është e pamundur mendërisht, është një thënie e pavërtetë logjikisht dhe e pavërtetë faktikisht.”[20]
Premisa e tretë dhe e fundit: Karakteristika më dalluese e njeriut në parim nuk qëndron në aftësinë e tij për të memorizuar informacionet apo në grumbullimin e tyre, por në aftësinë e tij për të tejkaluar (transhendencën). Kjo do të thotë se njeriu është krijesa e vetme që interesohet të pyesë për shkakun “përse?” dhe nuk mjaftohet me mënyrën “si?”; gjë të cilën filozofi gjerman Martin Heidegger e quajti: “faktori i pavdekshëm, i përhershëm dhe përcaktues i ekzistencës njerëzore”.[21]
Studimi i dukurive natyrore – për shembull – ka një shkencë që studion vetitë kimike, ligjet fizike, shtresat e tokës, organet e gjallesave e të tjera si këto. Ndërsa pyetja rreth asaj që qëndron përtej natyrës (metafizikës), asaj që vjen pas vdekjes, së vërtetës së jetës, qenësisë së vlerave dhe mënyrave të fitimit të njohjes, këto janë fusha të tjera që lidhen me fetë ose me filozofinë.
Prandaj, pyetjet ekzistenciale që e mundojnë njeriun nuk janë thjesht pyetje legjitime, por janë pyetje të domosdoshme dhe të pandashme nga ekzistenca njerëzore. Kjo sepse ky ankth ekzistencial është ai që e dallon njeriun nga krijesat e tjera në parim. Njeriu njëdimensionsh – sipas shprehjes së Abdulvehab el-Mesirit (Allahu e mëshiroftë) – është ai që i refuzon pyetjet ekzistenciale dhe nuk interesohet të tejkalojë botën materiale të çastit në të cilën jeton, duke u mbyllur brenda sistemit materialist të kësaj bote, e duke mos njohur gjë tjetër veç kësaj bote, vëzhgimit dhe shqisave; e më pas, çdo gjë tjetër përtej kësaj, si metafizikën apo mendimin rreth vdekjes, shpalljes e të ngjashme me to, i konsideron çështje që nuk meritojnë vëmendje, sepse ato janë çështje margjinale, në parim pa rëndësi, dhe nuk do të na shërbenin në përcaktimin e qenësisë së vetvetes sonë dhe mënyrës sonë të jetesës.
Ky lloj njerëzish zhbën karakteristikën më të rëndësishme të ekzistencës së tij si njeri i vërtet. Për këtë arsye, Jeffrey Lang[22] pyet me një mohim të ashpër: “Si mund t’i hiqet njeriut cilësia e ankthit ekzistencial?!” Ai thotë: “Sa i përket faktit që ai – babai im – kishte dyshime, kjo dukej si diçka krejtësisht normale; sepse si mundet që një njeri i mençur, logjik dhe racional të mos ketë dyshime?”[23] Ndoshta shumë prej bijve të Ademit i kaplojnë pyetjet rreth çështjeve të mëdha të ekzistencës, dhe kjo është diçka e natyrshme. Janë transmetuar edhe nga Sahabët pëshpëritje (vesvese) dhe pyetje të tilla, por në formë kalimtare dhe jo të përhershme. Ndërsa ai të cilin e kanë mposhtur pyetjet dhe vazhdojnë ta mundojnë ditë pas dite, nuk është aspak e drejtë që këto pyetje të lihen pas dore, apo të varrosen nën rrënojat e presionit të përditshëm. Përkundrazi, është obligim që ato të ballafaqohen me kërkimin e përgjigjeve dhe me iniciativën për shqyrtim dhe argumentim mbi vërtetësinë e besimeve, derisa të stabilizohet çështja e besimit. Siç thotë Ibn Tejmije kur përmend ata që Kurani Famëlartë i ka urdhëruar për meditim: “Kjo përkon me thënien e atij që thotë se kjo është detyrë për këdo që nuk e arrin besimin përveçse përmes saj; madje, është detyrë për këdo që nuk mund të kryejë një detyrë tjetër përveçse përmes saj, dhe kjo është thënia më e saktë.”[24] Ai (Ibn Tejmije) thotë në një vend tjetër: “Kushdo që e ka arritur njohjen dhe besimin… pa shqyrtim, nuk e ka obligim atë; ndërsa ai që nuk e ka arritur njohjen dhe besimin përveçse përmes tij (shqyrtimit), e ka detyrë atë.”[25]
Ndryshe nga Jeffrey Lang, Gazaliu e shumë të tjerë, ne shohim se shumë ateistë bashkëkohorë nuk i kushtojnë rëndësi pyetjes rreth qëllimit (Përse?) dhe mjaftohen me pyetjen rreth mënyrës (Si?). Ata nuk interesohen për tjetër gjë veçse për dukuritë materiale. Për shembull, ateisti Peter Atkins[26] thotë: “Zotëri, pyetja ‘Përse?’ është thjesht një pyetje qesharake”.[27]
Sa qesharakë janë ata që zhbëjnë një nga cilësitë më të rëndësishme të njeriut me pretendimin e shkencës dhe përparimit! Sa i vërtetë është përshkrimi i filozofit gjerman Arthur Schopenhauer kur tha për ta: ” Ata që nuk mrekullohen (nuk habiten) mbi rastësinë e ekzistencës së tyre, janë me të meta mendore”.[28]
Po e mbyllim këtë paragraf me një citim të Abdulvehab el-Mesirit (Allahu e mëshiroftë), ku thotë: “Por ekziston një anë tjetër e natyrës njerëzore që tejkalon natyrën/materien, nuk i nënshtrohet ligjeve të saj, dhe është i kufizuar në botën e njeriut e i lidhur me humanitetin e tij. Ai e shpreh veten përmes dukurive të shumta, ndër të cilat: aktiviteti civilizues i njeriut, shoqërizimi njerëzor, ndjenja morale, ndjenja estetike dhe ndjenja fetare. Nga dukuritë e tjera të kësaj ane është se: njeriu është qenia e vetme që shtron pyetje mbi ato që quhen ‘shkaqet e para’; ai nuk mjaftohet me atë që është ekzistente dhe me atë që i është dhënë, as nuk kënaqet me gjërat sipërfaqësore. Ai është gjithmonë në vëzhgim, meditim dhe kërkim; zhytet përtej dukurive për të arritur te kuptimet universale që fshihen pas tyre dhe që ua vesh atyre. Ai është qenia e vetme që kërkon qëllimin e ekzistencës së tij në univers, dhe të gjitha këto janë pyetje që e gjejnë zanafillën në strukturën psikologjike dhe mendore të qenies njerëzore, prandaj njeriu është quajtur ‘gjallesë metafizike’.”[29]
Nga këto tri premisa (postulate) mund të fillojmë shtrimin e pyetjeve dhe përgjigjeve, me ndihmën e Allahut…
Vazhdon
Përgatiti: Bledar T. Haxhiu
__________________________________________
- Kjo është një shkëputje nga libri: “Përse jemi këtu?” Dilemat e të rinjve rreth ekzistencës, së keqes, shkencës dhe evolucionit, i autorit Ismail Arafa
[2] Abdullah el-Karani, El Marifetu fil Islam Mesadiruha ve Mexhalatuha, Merkez “Te’sil” lidirasat vel Buhuth , Xhide, botimi i dytë, (2008), fq. 312.
[3] Ibn Halduni (1332 – 1406), ka qenë një historiograf dhe historian arab. Çmohet si pararendësi i disiplinave moderne të historiografisë, demografisë, sociologjisë dhe ekonomisë.[4] Abdurrahman ez-Zunejdi, Mesadir el Marifeti fi Fikr ed Dijni ve Felsefi, Mahad Alemi lil Fikr el Islami, Rrijad, botimi i parw, (1992), fq. 342.
[5] I njëjti burim, fq. 332.
[7] Ibn Hazm, El-Faslu fil-Mileli vel-Ehuai ven-Nihel, Darul Xhil, Bejrut, (1996), (5/242).
[8] André Lalande, Enciklopedia Filozofike e Lalande, përkthyer nga Halil Ahmed Halil, Shtëpia Botuese “Ueidat”, Bejrut / Paris, botimi i dytë, (2001), (1/155).
[9] Ibn Tejmije, Der’u Tearudun-Nakli uel-Akli, Universiteti “Imam Muhamed bin Saud”, (1991), (7/223).
[10] Ibn Rushdi, Tehafutut-Tehafut, Tahkik Sulejman Dunja, “Darul Maarif”, Kajro, (1973), fq. 785.
[12] Ebu Hamid el-Gazali, El-Munkidhu mined-Dalal, Tahkik: Sa’d el-Kerim el-Faki, Shtëpia Botuese “Dar Ibn Haldun”, Aleksandri, fq. 64.
[13] Mekanika kuantike e cila ndonjëre njihet si fizika kuantike është një teori fizike, që përshkruan sjelljen e lëndës në rrafshin atomik e nënatomik. Është një nga shtyllat kryesore të fizikës moderne dhe përbën themelin e shumë fushave të saj.
[14] https://newsientist.com/article/2078251-quantum-weirdness-may-hide-an-orderly-reality-after-all/
[15] Travis Norsen & Sarah Nelson, Yet Another Snapshot of Foundational Attitudes Towards Quantum Mechanics, arXiv:1306.4646v2 [quant-ph] 20 Jun 2013.
[16] Et-Tajib Buaza, Fi Nekd Teudhif el Ilhadi limu’tijat el Ilm, Revista “Brahin”, nr. 3, gusht (2014), fq. 13.
[17] René Descartes, (1596 – 1650), ishte filozof francez, matematikan, dhe shkrimtar i cili pas rinisë së tij shkoi të jetojë në Holandë. Konsiderohet themelues i filozofisë moderne sidomos i filozofisë perëndimore.
[18] Abdullah bin Salih el-Uxhejri, Shumu’u Nehar, Qendra “Tekuin”, Londër, (2016), fq. 94.
[19] Ibn Tejmije, Et-Tedmurije: Tahkik: Muhamed bin Aude es-Seaui, “El-Ubejkan”, Rijad, (2000), fq. 81.
[20] Abdullah bin Seid esh-Shehri, Thelathu Resail fil Ilhadi vel Ilmi vel Ijman, Qendra “Nama”, Bejrut, (2014), fq. 186-187.
[21] Cituar nga Alija Izetbegoviç, Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, Shtëpia Botuese “Dar esh-Shuruk”, Egjipt, botimi i tretë, (2013), fq. 77.
[22] Jeffrey Lang, profesor matematike, i lindur në një familje të krishterë, u kthye në ateizëm në rininë e tij, pastaj përqafoi Islamin pasi lexoi një përkthim në anglisht të Kuranit. Ka shkruar librin: Struggle to Surrender, i cili është përkthyer dhe botuar nga shtëpia botuese siriane “Dar al-Fikr” me titullin (Lufta drejt besimit), ku Lang tregon historinë e besimit të tij.
[23] Jeffrey Lang, Edhe engjëjt pyesin!, Dar al-Fikr, Siri (2001), fq. 16.
[24] Ibn Tejmije, Der’u Taarudun-Nakli uel-Akli, (8/8).
[25] I njëjti burim, (7/405).
[27] Ligjëratë e mbajtur nga Richard Dawkins në Universitetin e Oklahomës (viti 2009): [www.youtube.com/watch?v=mT4EWCRfdUg]. Vrehet se Dawkins, në veçanti, vazhdimisht përbuz dhe quan të marrë çdokënd që përpiqet të mendojë rreth pyetjes “Përse?”.
[28] Cituar nga filozofi amerikan John Holt, në një fjalim të tij në platformën TED me titull: “Përse ekziston universi?”. [https://www.youtube.com/watch?v=zORUUqJd81M]
[29] Abdulvehab el-Mesiri, Felsefetu el Madijetu ve Tefkik el Insan, Damask, Dar al-Fikr, (2002), fq. 39.