“Paradoksi i Kuranit”: cilët pasues të Jezusit u mbështetën?

Dilema:

Disa të krishterë kanë formuluar një dilemë ku thonë se, Kurani bie në kurthin e vet, sepse ai në ajetin 61:14 thotë se ndjekësit e Jezusit u bënë fitimtarë dhe mbizotëruan mbi armiqtë, ndërsa në ajetin 3:55 Kurani premton se ndjekësit e tij do të jenë mbi jobesimtarët deri në Ditën e Gjykimit. Por e vetmja bashkësi e Jezusit që mbizotëroi historikisht ishte ajo që predikonte Kryqëzimin dhe Ringjalljen. Atëherë, sipas tyre, cilët ndjekës mbështeti Allahu? Ku është ajo bashkësi “fantazmë” që paska mbizotëruar duke predikuar se Jezusi nuk u kryqëzua kurrë? Historia nuk ka asnjë gjurmë të saj.

Përgjigjja:

Ky kundërshtim ndërtohet mbi tri premisa të paprovuara:

  1. Se pasuesit e Isait janë domosdoshmërisht një bashkësi kishtare e caktuar;
  2. Se mbizotërimi nënkupton vetëm sundim politik të pandërprerë;
  3. Se mbështetja hyjnore ndaj një bashkësie nënkupton miratimin e të gjitha doktrinave të saj.

Dy ajetet nuk pohojnë asnjërën prej këtyre tri premisave.

 

  1. Kush konsiderohet pasues i Jezusit (Isait) sipas Kuranit?

Në kuptimin kuranor, pasimi i një profeti përcaktohet nga besnikëria ndaj mesazhit të tij, jo vetëm nga emri i bashkësisë apo vazhdimësia e institucionit fetar. Ky parim shprehet qartë për Ibrahimin:

“Vërtet, njerëzit më të afërt me Ibrahimin janë ata që e ndoqën atë, ky Profet dhe ata që besuan.” (Ali Imran, 3:68)

Kështu, Kurani i lidh Muhamedin ﷺ dhe besimtarët me Ibrahimin përmes besimit, megjithëse i ndajnë shumë shekuj. Sipas të njëjtit parim, myslimanët konsiderohen pasues të Isait për shkak të besnikërisë ndaj mesazhit që Kurani ia atribuon atij: adhurimit të Allahut, Zotit të tij dhe të njerëzve.[1]

Ky nuk është një përkufizim i shpikur për t’iu shmangur kundërshtimit. Është një parim i vetë tekstit kuranor. Kush pretendon të provojë një kundërthënie të brendshme të Kuranit duhet të marrë parasysh kuptimet që përdor ai vetë dhe jo të shkëpusë nga konteksti ajetet dhe kuptimin e tyre dhe pastaj t’iu atribuojë atyre një kuptim që nuk e kanë.

 

  1. Çfarë nënkupton “u bënë mbizotërues” në ajetin 61:14?

Allahu thotë:

“O ju që keni besuar! Bëhuni ndihmëtarë të Allahut, ashtu siç Isai, biri i Merjemes, u tha dishepujve: ‘Kush janë ndihmëtarët e mi në rrugën drejt Allahut?’ Dishepujt thanë: ‘Ne jemi ndihmëtarët e Allahut.’ Një grup nga bijtë e Izraelit besoi, ndërsa një grup tjetër mohoi. Atëherë Ne i përforcuam ata që besuan kundër armikut të tyre dhe ata u bënë mbizotërues.”

 

Ajeti thotë se një grup nga bijtë e Izraelit besoi, një tjetër mohoi dhe Allahu i përforcoi besimtarët kundër armikut të tyre, derisa u bënë mbizotërues. Por nuk emërton ndonjë kishë, perandori apo doktrinë të mëvonshme.

Tabariu e shpjegon përforcimin e besimtarëve përmes ardhjes së Muhamedit ﷺ, i cili vërtetoi besimin e tyre për Isain. Në shpjegimin e tij shkruan: “Duke i vërtetuar ata se Isai është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij.”[2]

Sipas këtij interpretimi, besimtarët e Isait triumfuan përmes vërtetimit dhe përhapjes së besimit të tyre me ardhjen e Islamit. Triumfi i një besimi nuk kërkon që bartësit e tij të parë të jenë ende gjallë apo që institucioni i tyre të ketë sunduar pa ndërprerje.

Kurtubiu përcjell nga Zejd ibn Aliu dhe Katade një tjetër shpjegim të shprehjes “u bënë mbizotërues”: “Mbizotërues me argument dhe provë.”[3]

Ai përmend edhe interpretimin se besimtarët u përforcuan në kohën e tyre kundër atyre që e mohuan Isain. Pra, komentimi klasik nuk e kufizon domosdoshmërisht mbizotërimin te pushteti politik i një kishe të mëvonshme.

Këto janë dëshmi të drejtpërdrejta për mënyrën si është kuptuar ajeti në traditën klasike islame; ato nuk po paraqiten si dokumente historike bashkëkohore të dishepujve.

  1. Çfarë nënkupton epërsia “deri në Ditën e Gjykimit” në ajetin 3:55?

Allahu thotë:

“Kur Allahu tha: ‘O Isa! Unë do të të marr, do të të ngre tek Unë, do të të pastroj nga ata që mohuan dhe do t’i vendos ata që të ndoqën mbi ata që mohuan, deri në Ditën e Gjykimit. Pastaj tek Unë do të jetë kthimi juaj dhe Unë do të gjykoj ndërmjet jush për ato çështje për të cilat kishit mosmarrëveshje.’”

Në komentimin e këtij ajeti, Tabariu e lidh pasimin e Isait me ndjekjen e rrugës dhe fesë së tij. Nga ai Katade përcjell: “Ata janë njerëzit e Islamit, të cilët e ndoqën sipas natyrshmërisë, fesë dhe rrugës së tij.”[4]

Tabariu regjistron gjithashtu interpretimin e Ibn Zejdit, sipas të cilit këtu përfshihet epërsia e të krishterëve ndaj hebrenjve. Ndërsa Kurtubiu përmend dy kuptime të epërsisë: atë përmes argumentit dhe provës, dhe atë përmes fuqisë e mbizotërimit.[5]

Prandaj, shprehja “deri në Ditën e Gjykimit” nuk mund të barazohet pa argument me sundimin politik të pandërprerë në çdo vend dhe në çdo periudhë. Kohëzgjatja e premtimit nuk përcakton vetvetiu natyrën e epërsisë së premtuar. Nëse epërsia kuptohet përmes argumentit, një humbje ushtarake nuk e rrëzon atë.

 

  1. Edhe nëse ajeti përfshin të krishterët historikë, kjo nuk vërteton çdo doktrinë të tyre

Mbështetja ndaj një bashkësie kundër një kundërshtari nuk është miratim i të gjitha besimeve të saj.

Ibn Kethiri e shpreh këtë dallim pikërisht në komentimin e ajetit 3:55. Duke folur për epërsinë e të krishterëve ndaj hebrenjve që e mohonin Isain, ai shkruan: “Allahu i mbështeti kundër tyre, sepse ishin më afër së vërtetës sesa ata (judenjtë).”[6]

Ai e thotë këtë ndërkohë që nuk i konsideron të sakta të gjitha doktrinat e tyre. Dallimi është mes afërsisë relative me të vërtetën dhe vërtetësisë së plotë doktrinore.

Të krishterët e njihnin Isain (Jezusin) si Mesia dhe e nderonin, ndërsa kundërshtarët e tij e mohonin. Sipas këtij interpretimi, mbështetja e të parëve ndaj të dytëve nuk nënkupton se çdo pohim tjetër i të krishterëve për Isain (Jezusin) është i vërtetë.

Prandaj, edhe sikur të pranohet se ajeti përfshin bashkësi që besonin në kryqëzim dhe ringjallje, përfundimi që pretendon dilema nuk është i saktë. Nga pohimi “Allahu i mbështeti kundër kundërshtarëve të Isait”, pra në këtë rast të krishterët ndaj judenjëve, nuk mund të nxirret pohimi “Allahu vërtetoi çdo doktrinë të krishterëve për Jezusin”.

  1. A hamendësojnë ajetet një bashkësi “fantazmë” që mohonte kryqëzimin dhe mbizotëruan ndaj të tjerëve?

Jo. Ky pretendim bashkon dy kushte që kundërshtari duhet së pari të provojë se ajetet i kërkojnë domosdoshmërisht: mohimin e kryqëzimit dhe sundimin politik të së njëjtës bashkësi përpara Islamit.

Sipas interpretimit të parë, mbështetja dhe mbizotërimi realizohet përmes argumentit dhe riafirmimit të besimit të pasuesve të Isait me ardhjen e Islamit.

Sipas interpretimit të dytë, epërsia historike mund të përfshijë të krishterët pa vërtetuar të gjitha doktrinat e tyre. Në asnjërin rast nuk pretendohet bashkësia mbizotëruese, siç thonë pretenduesit e dilemës.

Ndërkohë, pretendimi më i gjerë se mohimi i kryqëzimit nuk ka asnjë gjurmë përpara Islamit nuk qëndron. Ireneu i Lionit, në veprën Kundër herezive, ia atribuon Basilidit mësimin se Simoni nga Kirena u kryqëzua në vend të Jezusit.[7]

Përfundimisht, dilema ngatërron pasimin me përkatësinë institucionale, mbizotërimin me sundimin politik të pandërprerë dhe mbështetjen relative me miratimin e plotë doktrinor. Interpretimet klasike islame të dokumentuara tregojnë se nga këto dy ajete nuk rrjedh vërtetimi kuranor i kryqëzimit, ringjalljes apo Trinisë.

 

[1] Kurani, el-Maide, 5:72, ku Isait i atribuohet thirrja për adhurimin e Allahut si Zoti i tij dhe i bashkëbiseduesve të tij.

[2] Ebu Xhafer Muhamed ibn Xherir et-Tabariu, Xhamiʿ el-bejan ʿan teʾwil aj el-Kurʾan. Komentimi i sures es-Saff, 61:14

[3] Ebu Abdullah Muhamed ibn Ahmed el-Kurtubiu, El-Xhamiʿ li-ahkam el-Kurʾan, komentimi i sures es-Saff, 61:14

[4] et-Tabariu, Xhamiʿ el-bejan, komentimi i Ali Imran, 3:55, transmetimi nga Katade, nr. 7149

[5] el-Kurtubiu, El-Xhamiʿ li-ahkam el-Kurʾan, komentimi i 3:55.

[6] Ismail ibn Umer ibn Kethir, Tefsir el-Kurʾan el-ʿadhim, komentimi i Ali Imran, 3:55.

[7] Irenaeus, Against Heresies, libri I, kapitulli 24, paragrafi 4; përkthyer nga Alexander Roberts dhe William Rambaut, në Ante-Nicene Fathers, vëll. 1, red. Alexander Roberts, James Donaldson dhe A. Cleveland Coxe, Buffalo, NY: Christian Literature Publishing Co., 1885.

0 Shares:
Postime të ngjashme