Dilema:
Disa skeptikë pretendojnë se Kurani është një produkt kulturor të cilin Muhamedi (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të) e mblodhi nga njohuritë që përfitoi përmes dëgjimit nga kulturat dhe fetë e tjera, dhe se ligjet e tij ishin të vlefshme vetëm për kohën e tij, e më pas vlefshmëria e tyre u shfuqizua me zhvillimin dhe ndryshimet historike. Pra se legjislacioni i Islamit nuk është i përshtatshëm për çdo kohë dhe vend.
Dy aspektet e rrëzimit të dyshimit:
- Mrekullia e Kuranit dhe paaftësia e arabëve elokuentë për të sjellë diçka të ngjashme me të -me gjithë sfidën e hapur që iu bë- si dhe mungesa absolute e provave historike të huazimit, bien ndesh me faktin që ai të jetë produkt kulturor apo fjalë e krijuar njerëzore.
- Kurani i Lartësuar ka bashkuar pandryshueshmërinë e tekstit me zhvillimin e interpretimit dhe përpjekjet e dijetarëve (Islamë) në kuptimin e tekstit hyjnor, duke u përshtatur kështu me ndryshimet përgjatë kohës dhe hapësirës përmes mekanizmave të qartë juridikë.
Sqarimi i detajuar:
Së pari: Parashtrimi Historik dhe Kulturor mbi Mungesën e Huazimit
Para se të shqyrtohet sfida kuranore, është thelbësore të vendoset një kornizë historike dhe kulturore objektive që hedh poshtë pretendimin se Muhamedi ﷺ ka kopjuar nga fetë apo kulturat e tjera. Pretendimi i “huazimit” përplaset me fakte të pakundërshtueshme historike të shekullit të VII-të:
- Pengesa e Gjuhës dhe Mungesa e Përkthimeve: Historikisht është e provuar se në kohën e shpalljes së Kuranit, nuk ekzistonte asnjë përkthim në gjuhën arabe i Dhiatës së Vjetër apo Dhiatës së Re. Tekstet hebraike dhe të krishtera ishin në hebraisht, aramaikisht dhe greqisht.
- Statusi “Ummi” (I pashkolluar): Të gjitha burimet historike konfirmojnë se Muhamedi ﷺ ishte analfabet, nuk dinte as të lexonte dhe as të shkruante. Nga pikëpamja e logjikës akademike, është e pamundur që një person i pashkolluar të hulumtojë dorëshkrime komplekse në gjuhë të huaja, t’i përkthejë, t’i pastrojë nga shtesat njerëzore apo mitologjitë (të cilat ishin të pranishme në tekstet e asaj kohe) dhe t’i sintetizojë ato në një tekst me koherencë dhe thellësi absolute siç është Kurani.
- Mjedisi Gjeokulturor: Meka ishte një qendër e thellë pagane (politeiste). Ndikimi teologjik monoteist aty ishte thuajse inekzistent. Muhamedi ﷺ jetoi 40 vjet në këtë mjedis pagan pa asnjë rekord historik të përfshirjes së tij në rrethe studimore teologjike judaike apo të krishtera.
Sfida e Kuranit bie ndesh me pretendimin për origjinën njerëzore të tij
Nëse pretendimi i tyre dhe ndërmarrja e përpjekjeve naive e të papjekura ua shuan etjen e armiqësisë ndaj Islamit dhe Kuranit, le të bëjnë një përpjekje të vazhdueshme, le të shpenzojnë tërë jetën e tyre; e le të derdhin shtetet e tyre miliona për të hedhur dyshime mbi burimin hyjnor të Kuranit dhe për ta sulmuar atë me çdo mjet. Ky është një veprim i lashtë dhe një trillim që e thoshte injoranca arabe më parë, e të cilin çdo injorancë bashkëkohore vazhdon ta përsërisë! Kurani i paraqiti të gjitha këto pretendime e shpifje dhe i hodhi poshtë me një arsyetim logjik tepër bindës. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Jobesimtarët thonë: “Ky (Kuran) është vetëm gënjeshtër, të cilën e ka trilluar ai me ndihmën e njerëzve të tjerë.” Kjo që thonë ata është e padrejtë dhe shpifje!” (el-Furkan: 4)
Gjithashtu, Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe ata thonë: “Këto janë përralla të popujve të lashtë; të cilat i ka vënë t’i shkruhen e t’i lexohen atij në mëngjes e mbrëmje.” (el-Furkan: 5)
Kurse Kurani u përgjigjet përsëri: “Thuaj: “Atë e ka shpallur Ai që di fshehtësitë e qiejve dhe të Tokës. Ai fal shumë dhe është Mëshirues”. (el-Furkan: 6)
Domethënë: Thuaj, o Muhamed: Këtë Kuran e ka zbritur Ai që di të fshehtën, Ai është Njohësi i së padukshmes dhe nuk ka nevojë për mësues. Sikur Kurani të ishte marrë nga ithtarët e Librit apo nga të tjerë, nuk do të sillte dije përtej tyre, ndërkohë që ai ka ardhur me çështje dhe dije që dalin përtej dijeve të tyre; rrjedhimisht nuk është marrë prej tyre. Gjithashtu, po të ishte marrë prej tyre, do të arrinin ta përvetësonin edhe idhujtarët ashtu siç e përvetësoi Muhamedi (paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të); por a arritën ata ta kundërshtojnë me diçka të ngjashme? Kështu, kundërshtimi i tyre u bë i pavlefshëm nga çdo aspekt.[1]
Allahu i Lartësuar gjithashtu ka thënë: “Ne e dimë mirë që ata thonë: ‘Atë e mëson një njeri!’” (en-Nahl: 103)
E Allahu iu përgjigj atyre: “Por ai për të cilin flasin, flet në gjuhën e të huajve, kurse ky (Kurani) është në gjuhën e qartë arabe.” (en-Nahl: 103)
Domethënë: Si mundet që një person i huaj (joarab) t’ia mësojë këtë fjalë të lartë, kur as njerëzit dhe as xhindët nuk janë në gjendje të sjellin qoftë edhe një sure të vetme të ngjashme me të apo më shumë?[2]
Por le të pyesim: A ka mundur ndonjë njeri në mbarë historinë të hartojë një libër që përmban kaq shumë të vërteta sa ato që përmban Kurani i Madhërishëm? Allahu i Lartësuar thotë: “Ky Kuran nuk është i tillë që të mund të bëhej prej dikujt tjetër veç Allahut.” (Junus: 37)
Sikur mrekullia të mbetej vetëm në stilin e tij, të cilit njerëzit gjatë të gjithë shekujve nuk kanë mundur të sjellin diçka të ngjashme, kjo do të mjaftonte për të vërtetuar burimin e tij hyjnor. “Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore, që i vjen atij.” (en-Nexhm: 3–4)
Arabët në periudhën e tyre të injorancës ishin njerëz me elokuencë të rrallë. Poezia ishte krenaria e tyre kombëtare, dëshmuar nga poezitë e varura në Qabe (Mu’alakat). Fakte historike tregojnë se arabët paganë ishin të gatshëm të shpenzonin pasuritë e tyre dhe të zhvillonin luftëra të përgjakshme për ta asgjësuar Islamin. E megjithatë, ata dështuan plotësisht t’i përgjigjeshin sfidës për të sjellë qoftë edhe një sure të vetme, gjë që do të ishte mjeti më i lehtë dhe më paqësor për ta diskredituar Kuranin. Ky dështim kolektiv thekson mrekullinë e tij objektive dhe hedh poshtë faktikisht tezën e “produktit kulturor”.[3]
Teksti Kuranor përmban lloje të shumta të mrekullisë. Krahas mrekullisë gjuhësore, ekziston mrekullia në thirrjen fetare, duke shfaqur besimin monoteist siç nuk e ka shfaqur asnjë libër më parë; mrekullia legjislative e përshtatshme për çdo kohë; si dhe mrekullia shkencore. Allahu i Lartësuar ka thënë: “A nuk përsiatin ata për Kuranin! Sikur ai të mos ishte prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie.” (en-Nisa: 82)[4]
Nëse dikush pretendon se ai ka kopjuar nga ithtarët e Librit, si mundet dikush që merr nga një libër, i cili thotë se Zoti është i treti i treve, të shpallë se Allahu është Një? Si mundet dikush që merr nga libra të cilët nuk kanë lënë asnjë profet pa ia njollosur nderin, të rrëfejë jetën dhe historitë e profetëve me pastërtinë dhe madhështinë e Kuranit? Më tej, si mund të ndodhë që ai që merr nga libra të asaj kohe, të paraqesë të vërteta objektive rreth fazave të zhvillimit të embrionit njerëzor apo fenomeneve natyrore, të vërteta që shkenca nuk i ka njohur veçse në kohët e afërta?! Kjo dëlirësi nga mitologjia arkaike është argument logjik që burimi i Kuranit tejkalon kufijtë e njerëzimit.
Allahu i Madhëruar thotë: “Kush është më keqbërës se ai që trillon gënjeshtra për Allahun ose i përgënjeshtron shpalljet e Tij? Vërtet, keqbërësit nuk do të shpëtojnë.” (el-En’am: 21) Por beteja nuk do të pushojë: “Ata vazhdimisht do të luftojnë kundër jush, që të mund t’ju kthejnë nga besimi juaj.” (el-Bekare: 217)[5]
Së dyti: Ndërthurja e qëndrueshmërisë me zhvillimin për t’ju përshtatur ndryshimeve:
Pretendimi se dispozitat e Kuranit Famëlartë janë historike dhe të kufizuara vetëm për një periudhë të caktuar nuk është diçka e re. Më herët, këtë qëndrim e përqafuan filozofët perëndimorë të Iluminizmit, liberalë e laikë, në lidhje me Torën dhe Ungjillin. Sipas tyre, feja përfaqësonte vetëm një “fazë historike” në zhvillimin e evolucionit njerëzor.
Nëse ky qëndrim mund të jetë pranuar në Perëndim në lidhje me librat e veçantë për një kohë dhe popull të caktuar, pretendimi se teksti fetar islam i përket vetëm historisë së shkuar, nuk ka vend në lidhje me Kuranin Famëlartë. Kjo për arsye se Kurani është libri i fesë përfundimtare. Nëse do të zbatonim mbi të parimin e historicizmit të teksteve fetare, do të krijohej një “zbrazëti” në referencën fetare pas Muhamedit ﷺ, duke rrëzuar argumentin e Allahut ndaj robërve të Tij.
Historicizmin dhe kufizimin kohor të dispozitave, nuk e pohon askush në dispozitat e adhurimeve, por përkrahësit e saj e pretendojnë këtë vetëm për ajetet e marrëdhënieve shoqërore-ndërnjerëzore. Kjo ndodh sepse ata nuk njohin mekanizmat e jurisprudencës islame. Kurani ka detajuar çështjet konstante (Thavabit) që nuk ndryshojnë me kohën, siç janë sistemi i vlerave, moralit dhe adhurimit. Ndërsa detajimin e normave të marrëdhënieve shoqërore (Mutagajirat) ia ka lënë shkencës së fikhut përmes Ixhtihadit (përpjekjes shkencore arsyetuese).
Ky zhvillim udhëhiqet nga parimet universale të ruajtjes së Mekasid esh-Sheria (objektivave madhore të ligjit: mbrojtja e jetës, fesë, arsyes, pasurisë dhe nderit). Kjo “formulë islame” unike ruan karakterin islam dhe hyjnor të pandryshueshëm, ndërsa çështjen e ndryshueshme ia lejon fikhut t’i përshtatet çdo epoke. Kjo balancë bashkoi stabilitetin e tekstit me evoluimin e “ixhtihadit” që ecën krahas ndryshimeve të realitetit përgjatë kohës dhe vendit.[6]
Përmbledhja:
Ajo që përmban teksti Kuranor nga të gjitha dimensionet e mrekullisë, krahas mungesës së plotë të fakteve historike për huazim nga tekstet apo fetë e tjera, përbën provë shteruese se ai nuk mund të jetë një produkt kulturor. Analfabetizmi i Profetit ﷺ dhe mungesa e literaturës përkthimore në atë epokë hedhin poshtë çdo aludim dëgjimi apo kopjimi.
Gjithashtu, Kurani Fisnik ka bashkuar pandryshueshmërinë e tekstit me zhvillimin e interpretimit dhe të ixhtihadit, duke u përshtatur me ndryshimet. Mesazhi i Islamit është vula e shpalljeve qiellore, e kjo kërkon domosdoshmërish që legjislacioni i tij të jetë i përshtatshëm për çdo kohë dhe vend deri në Ditën e Kiametit. E, nëse e vështrojmë këtë legjislacion, e gjejmë atë plotësisht të zhvillueshëm e të përshtatshëm sipas kërkesave të çdo epoke.
Burimi: https://bayanelislam.net/Suspicion.aspx?id=01-01-0082&value=&type=
[1] Xhami’u li-Ahkam el-Kuran, Kurtubi, Dar Ihja Turath Arabi, Bejrut, 1405 h./1985 m., vëll. 13, fq. 4.
[2] Po aty: vëll. 10, fq. 177, me ndryshime të vogla.
[3] La Je’tune bi-Mithlihi, Muhamed Kutb, Dar esh-Shuruk, Kajro, bot. 2, 1425 h./2004 m., fq. 204, me disa ndryshime.
[4] Po aty: fq. 8-10, me disa ndryshime
[5] Po aty: fq. 204-206.
[6] Hakaik el-Islam fi Muvaxhehet Shubuhat el-Mushekikin, Dr. Hamdi Zakzuk, Këshilli i Lartë për Çështjet Islame, Kajro, bot. 4, 1427 h./2006 m., fq. 307-309.