4 – Bashkimi dhe liria e arabeve – Hamza Mustafa Njozi

Teoria se Muhamedi e krijoi Kur’anin me qëllim që të bashkonte dhe të çlironte arabët është e vështirë të mbrohet për arsyet e mëposhtme:

Së pari, në qoftë se do të kishte ekzistuar një qëllim i tillë, Kur’ani do t’i kishte vënë një theks të madh bashkimit dhe çlirimit të arabëve. Në të vërtetë Kur’ani nuk përmban as edhe një varg të vetëm, ku të bëhet thirrje për bashkimin dhe çlirimin e kombit Arab. Po qe se supozojmë se Muhamedi ishte autor i këtij libri, atëherë motivi i tij nuk ka qenë bashkimi i Arabëve, ose të paktën ky motiv nuk pasqyrohet në Kur’an.

Së dyti koncepti kur’anor i Umetit (Kombit) është ideologjik dhe kundër çdo tendence nacionaliste. Ai bazohet mbi kriterin e të vërtetës (hak) dhe të gënjeshtrës (batil). [1] Cilido që pranon këtë besim bëhet anëtar pavarësisht nga kombësia, raca, ngjyra apo edhe nga lidhjet farefisnore.

Në praktikë kjo nganjëherë do të thotë ndarjen e atit nga biri. [2] Përçarja që kjo fe i bëri kombit Arab ishte arsyeja përse Utbahu nxorri kërkesat e përmendura më sipër. [3] Uniteti i cili sundoi në Arabi pas triumfit të Islamit ishte fetar dhe një unitet i tillë u mbështet fort nga Kur’ani.

Së treti po të jetë se uniteti i Arabëve ishte ëndrra e përhershme e Muhamedit, atëherë ai mjaft mirë do ta kishte pranuar ofertën për t’u bërë mbret i Arabisë dhe në këtë mënyrë do ta përdorte pushtetin dhe influencën e tij për të ndërtuar një Arabi të bashkuar. [4]

Së katërti, gjejmë në Kur’an disa vargje, të cilat duket se bien ndesh me idenë që motivi i Muhamedit ishte ndërtimi i nacionalizmit Arab. Në një verset të Kur’anit thuhet:

“Përkujto kur engjëjt i thanë: “Oj Merjeme, Allahu të dalloi ty (me besim e karakter), të pastroi (nga shpifjet e hebrenjve) dhe të lartësoi mbi gratë e botës.” [5]

Vargjet e mësipërme i referohen Marisë, nënës së Jezusit! “Të dalloi ty, të pastroi dhe të lartësoi mbi gratë e botës”. Një nder i tillë Marisë nuk i bëhet, as nga Bibla e Krishterë! [6] Muhamedi ishte arab dhe së pari ai po u drejtohej arabëve të tjerë. Donin ata apo jo, ai po u thoshte në gjuhën e madhërishme të Kur’anit, se Maria – nëna e Jezusit – një çifute – ishte zgjedhur mbi gratë e të gjitha kombeve. Jo nënën e tij e as ndonjë grua tjetër arabe.

Përse Muhamedi i cili donte të nxiste nacionalizmin arab, nderon me fjalë kaq fisnike një grua nga radhët e kundërshtarëve të tij? Një çifute, e cila i konsideronte dhe përçmonte arabët si një racë inferiore? Teoria e Bashkimit Arab të Kur’anit do të ishte e paaftë t’i jepte një shpjegim të kënaqshëm versetit më poshtë me numër 47, që shfaqet në kapitullin dy:

“O bijtë e Izraelit përkujtoni dhuntinë Time, të cilën ua dhurova, dhe Unë ju pata dalluar ndaj njerëzve të tjerë.”

Është e paimagjinueshme se si një nacionalist i patundur do t’i përshkruante Bijtë e Izraelit si një grup posaçërisht i favorizuar. Kjo do të kishte qenë një mënyrë tejet e habitshme për të rindezur ndjenjat dhe krenarinë e nacionalizmit arab.


[1] Për një informacion të detajuar referohu artikuIIit të Sejid M. Sejidit, “Koncepti i Shtetit Islam dhe Umahut”, që përfshihet në Manualin e programeve përgatitore Islamike (Durban: The MYM of SA 1981), fq. 5-7.

[2] Kur’ani thotë se lidhja e besimit është më e rëndësishme, se lidhjet familjare. shih p.sh, Kur’ani 9: 23, 11: 45-46, 2: 124 dhe 66: 10-11.

[3] Shqetësimi i tyre u rrit kur Islamin e pranoi edhe ungji i profetit, Hamzai. Shih Martin Lings cit. fq. 60-61.

[4] Shih p.sh. Kur’ani 61: 4, 3: 103.

[5] Kur’an 3: 42.

[6] Ahmet Didat “Krishti në Islam” (Durban: Qendra Islamike e Propagandës, pa datë), fq. 8.

0 Shares:
Postime të ngjashme