Ajo jo vetëm që ishte gati për martesë, por Aishja në fakt jetoi një jetë bashkëshortore shumë të lumtur. Profeti ﷺ gjithmonë i tregonte asaj dashuri dhe afeksion. Ata hanin dhe pinin së bashku dhe Profeti ﷺ vendoste gojën e tij te copat e mishit dhe tek ena me ujë, pikërisht aty ku e kishte vendosur gojën e saj Aishja, madje edhe kur ajo ishte me menstruacione. [1]
Po ashtu, laheshin së bashku duke marrë ujë nga njëjta enë e vetme. [2] Profeti ﷺ ndonjëherë bënte edhe garë vrapimi me Aishen. [3] Në fakt, dashuria e Profetit ﷺ për Aishen ishte mjaft e njohur për ata që e rrethonin. [4] Ai i foli për këtë edhe së bijës, Fatimes, e cila gjithashtu shprehu dashurinë e saj për Aishen. [5]
Rrjedhimisht, njerëzit prisnin ditën e turnit të Aishes për t’i dërguar dhurata Profetit ﷺ, me shpresë për të fituar kënaqësinë e tij. [6] Madje, edhe pas vdekjes së Profetit ﷺ, njerëzit i referoheshin asaj si “e dashura e të Dërguarit të Allahut” (ḥabībetu resūlullah) [7] dhe si bashkëshortja e tij më e dashur. [8] Aishja gjithashtu e donte Profetin ﷺ dhe shprehte dëshirën që të flijohej për të. [9]
Një herë Aishja i rrëfeu Profetit ﷺ një histori nga folklori arab, ku njëmbëdhjetë gra—mes tyre edhe Umu Zer—përshkruanin sjelljen dhe qëndrimin e bashkëshortëve të tyre. [10] Ndërsa gratë e tjera i përshkruanin burrat e tyre në mënyrë negative, Umu Zer fliste vetëm mirë për burrin e saj, Ebu Zer, dhe familjen e tij, me përjashtim të faktit se Ebu Zer më pas e divorcoi atë.
Më vonë, Umu Zer u martua me një kryetar fisi, i cili e begatoi me shumë dhurata. Kah fundi i rrëfimit, Umu Zer vërejti se të gjitha dhuratat e burrit të saj kryetar ishin pavlerë krahasuar me më të voglën e dhuratave që kishte marrë nga Ebu Zer. Pasi e dëgjoi këtë histori, Profeti ﷺ i tha Aishes:
“Unë jam për ty ashtu si Ebu Zeri ishte për Umu Zerin, [me përjashtim se Ebu Zeri e divorcoi, ndërsa unë nuk do ta bëja këtë.]” [11] dhe Aishja iu përgjigj: “Në fakt, ti ke qenë më i mirë për mua sesa Ebu Zeri.” [12]
Pavarësisht dallimit në moshë, midis Aishes dhe Profetit ﷺ mbizotëronte një sinqeritet i jashtëzakonshëm. Një herë, Aishja pati një debat me Profetin ﷺ gjatë të cilit ajo ngriti zërin. Pikërisht atëherë erdhi Ebu Bekri dhe shprehu zemërimin e tij ndaj Aishes për atë qëndrim kundrejt Profetit ﷺ, madje tentoi ta qëllonte atë. Mirëpo Profeti ﷺ u vendos mes të dyve, dhe kur Ebu Bekri u largua, ai i tha Aishes: “E pe si të shpëtova prej atij burri.” [13]
Ajo që e konfirmon edhe më tepër marrëdhënien e tyre janë dëshmitë personale të Aishes, të cilat tregojnë jo vetëm dashuri dhe afeksion ndaj Profetit ﷺ, por edhe xhelozinë e saj për të. Ajo thoshte: “Nuk kam ndjerë xhelozi për asnjë grua aq sa ndjeva për Hadixhen, sepse i Dërguari i Allahut ﷺ e përmendte shumë shpesh.” [14]
Po kështu, duke përdorur një krahasim të zgjuar, ajo theksoi se ishte e vetmja grua e Profetit ﷺ që nuk kishte qenë e martuar më parë. [15] Është transmetuar gjithashtu se ajo i kishte thënë Profetit ﷺ: “Si të mos jetë xheloze një grua si unë për një burrë si ti?” [16]
Profeti ﷺ kujdesej edhe për interesat e gruas së tij të re në argëtim. Aishja luante me kukulla së bashku me shoqet e saj, të cilat largoheshin kur hynte Profeti ﷺ, mirëpo Aishja thotë: “Profeti i ftonte ato të vinin e të luanin me mua.” [17] Në të njëjtën mënyrë, ai e lejonte atë të shikonte abisinasit teksa bënin lojën e tyre në oborrin e xhamisë dhe qëndroi sa kohë që ajo dëshiroi. Aishja rrëfen:
‘Për Zotin, e kujtoj të Dërguarin e Allahut ﷺ duke qëndruar te dera e dhomës sime, i mbështjellë me mantelin e tij, në mënyrë që unë të shihja lojën e abisinasve me heshtat e tyre në xhaminë e të Dërguarit të Allahut ﷺ. Ai qëndroi ashtu për hatrin tim derisa unë u mërzita duke i parë, e pastaj u ktheva; prandaj mund të kuptoni sa gjatë mund të qëndrojë një vajzë e re të cilës i pëlqen argëtimi.’ [18]
Kështu, del qartë se martesa e saj në moshën nëntë vjeç nuk e pengoi atë të shijonte gjërat që një fëmijë dëshiron në atë moshë—gjë që nuk do të ishte e mundur po të mos ishte një martesë e lumtur dhe e favorshme për të.
Ishte pikërisht kjo lidhje me Profetin ﷺ që, kur zbriti ajeti i zgjedhjes (Kur’an, 33:28) dhe gratë e Profetit ﷺ u pyetën nëse dëshironin të qëndronin me të apo jo, Profeti ﷺ i kërkoi Aishes të konsultohej me prindërit e saj dhe të mos nxitohej në vendimin e saj. Atëherë Aishja iu përgjigj: “A duhet të konsultohem me prindërit e mi për ty, o i Dërguari i Allahut? Jo, unë zgjedh Allahun dhe të Dërguarin e Tij…” [19]
Të gjitha këto hollësi thonë gjithçka për jetën që Aishja pati me të Dërguarin e Allahut ﷺ. Më parë pamë deklarimin e vetë Aishes për mënyrën si e ëma e përgatiti atë për martesë dhe si i ati i kujtoi Profetit ﷺ të merrte gruan e tij. A nuk duhet të pyesim vallë se përse dikush tjetër duhet të ketë thotë diçka, kur vetë personi i përfshirë dhe prindërit e saj qenë të gjithë të kënaqur me këtë martesë?
[1] Muslim b. Haxhaxh, al-Sahih, (Riyadh: Maktaba Dar-us-Salam, 2007) Hadith 300; Krahasoje këtë me udhëzimet biblike në Librin e Levitikut (15:19–33), të cilat e quajnë të papastër këdo që prek një send të prekur nga një grua në menstruacione.
[2] Al-Bukhari, al-Sahih, Hadith 250, 261; Muslim b. Hajjaj, al-Sahih, Hadith 321 (46).
[3] Al-Sijistani, Abu Dawud, al-Sunan, Hadith 2578; Ahmad b. Hanbal, al-Musnad, Hadith 26277; E klasifikuar si sahih nga Albani dhe Shuaib Arnauti; gara e dytë ndodhi në Shaban të vitit 4 të hixhretit/Janar 626, në prag të fushatës së dytë për në Badr.
Shih et-Tahaui, Abu Xhafer, Sherh Mushkil el-Athar, (Beirut: er-Resalah Publishers, 1994) Hadith 1881; Ibn Hisham, Abd el-Malik, Sirah al-Nabauija, Edited Mustafa Saka, (Cairo: Mustafa Babi, 1955) 2/209.
[4] Al-Bukhari, al-Sahih, Hadith 3662 (përcjellë nga Amr ibn el-As)
[5] Muslim b. Haxhaxha, es-Sahih, Hadith 3442 (83).
[6] el-Bukhari, es-Sahih, Hadith 2574, 2581, 3775
[7] Kjo përcillet nga (i) Umar b. Khattab: Ibn Sad, al-Tabakat al-Kubra, 8/53, (ii) Ammar b. Yasir: et-Tirmidhi, es-Sunan/ el-Xhami’ el-Kebir, (Rijad: Maktaba Dar-us-Salam, 2007) Hadith 3888; një version i transmetimit shton se Ali b.
Abi Talib ishte prezent kur Amari e tha këtë dhe ai e dëgjoi atë në heshtje duke nënkuptuar miratimin e tij, shih Ahmad b. Hanbel, Fada’il es-Sahaba, (Beirut: er-Risalah Publishers, 1983) Hadith 1625 (iii) Masruk: Ibn Sad, et-Tabakat el-Kubra, 8/53.
[8] Siç përcillet nga Amir esh-Sha‘bi, shih Tabarani, Ebu el-Kasim, Mu‘xhem el-Kebir, (Cairo: Maktaba Ibn Taimija, 1994) Hadith 293; përcjellësit janë ata të es-Sahih [of al-Bukhari], shih el-Haithami, Maxhm‘ ez-Zaua’id, (Cairo: Maktaba el-Kudsi, 1994) Hadithi 15322.
[9] Al-Bukhari, al-Sahih, Hadith 4939; Ahmad b. Hanbal, al-Musnad, Hadith 24519, 24596
[10] Në disa versione thuhet se Aishja e ka treguar historinë, ndërsa në të tjera duket se e gjitha ka ardhur nga Profeti. (ﷺ). Ibn Haxheri jep një mënyrë të arsyeshme për të shpjeguar atribuimin e përshkrimit të gjithë historisë Profetit (ﷺ). Shih el-‘Askelani, Ibn Haxher, Fat’h el-Bari, (Beirut: Dar al-Ma’rifa, 1379 AH) 9/257;
[11] el-Bukhari, es-Sahih, Hadith 5189; Muslim b. Haxhaxh, es-Sahih, Hadith 2448 (92); për fjalët; “me përjashtim se Ebu Zer….” Shih et-Tabarani, Ebu el-Kasim, Muxham el-Kebir, 23/270; në një version tjetër thuhet “Unë jam për ju ashtu siç ishte Ebu Zer për Um Zerin në dashuri dhe besnikëri dhe jo në…”Shih el-‘Askelani, Fat’h el-Bari, 9/275.
[12] Ishak b. Rahuwajh, el-Musnad, (Madina: Maktaba al-Iman, 1991) Hadith 744-745; al-Nasa’i, es-Sunen el-Kubra, (Beirut: al-Resalah Publishers, 2001) Hadith 9092-9093
[13] es-Sixhistani, Abu Daud, es-Sunan, Hadith 4999; Ahmad b. Hanbel, el-Musnad, Hadith 18394; klasifikuar si sahih nga Albani dhe Shuaib Arnautit.
[14] el-Bukhari, es-Sahih, Hadith 3816-18, 5229.
[15] Ajo tha: “O i Dërguari i Allahut (ﷺ)! Supozoni se keni zbritur në një luginë ku ka një pemë nga e cila është ngrënë diçka dhe më pas keni gjetur një pemë nga e cila nuk është ngrënë asgjë, nga cila pemë do ta linit devenë tuaj të kullosë?”, shih, El-Buhari, el-Sahih, Hadith 5077.
[16] Muslim b. Hajjaj, al-Sahih, Hadith 2815 (70).
[17] el-Bukhari, es-Sahih, Hadith 6130.
[18] Muslim b. Haxhaxh, es-Sahih, Hadith 892 (18); po ashtu el-Bukhari, es-Sahih, Hadith 5236.
[19] Muslim b. Haxhaxh, es-Sahih, Hadith 1478 (29).