Misionarë të ndryshëm të krishterë pohojnë herë pas here se Kurani konfirmon vërtetësinë e shkrimeve të tyre të shenjta dhe për rrjedhojë edhe mesazhin e tyre në to, që sipas tyre konfirmon vërtetësinë e fesë së tyre dhe indirekt pavërtetësinë e Islamit! Por ndërkohë kur atyre u bëhet e qartë se qëndrimi i Kuranit është shumë më i nuancuar në këtë drejtim, pasi ai pohon në të njëjtën kohë edhe ndryshimin dhe deformimin e këtyre shkrimeve nga duart njerëzore, në atë që mbartnin aktualisht të krishterët dhe judenjtë në kohën e zbritjes së Kuranit, ata e shohin këtë si qëndrim kontradiktor të Kuranit!
A është e saktë kjo dhe si qëndron e vërteta?
Librat e shenjtë në konceptin islam, judaik dhe të krishterë
Para se të hyjmë në thelbin e temës na duhet të qartësojmë disa koncepte bazë, si nga këndvështrimi islam ashtu edhe ai i ithtarëve të Librit (të krishterët dhe judenjtë) rreth shpalljes hyjnore dhe librave të shenjtë.
Libri i shkruar dhe Fjala e Zotit
Shpesh gjëja e parë që i shkon në mendje një njeriu kur dëgjon fjalën ‘libër’ është një objekt i shkruar që përmban një tekst të caktuar në fletët apo faqet e tij. Por ndërkohë fjala libër në tekstet fetare, dhe jo vetëm, nuk nënkupton drejtpërdrejtë sendin e shkruar, por përmbajtjen ose ndryshe fjalën e hedhur me shkrim në fletë, pllaka, etj. Fjala e Zotit është ajo që Ai ka thënë, e cila iu është përcjellë njerëzve drejtpërdrejtë prej Tij përmes profetëve ose engjëjve dhe që më pas është shkruar ashtu siç është thënë, në objekte të ndryshme si pllaka guri apo balte, pergamenë lëkure, gjethe peme, papirus, kocka, letër etj. apo është mësuar përmendësh dhe ruhet e memorizuar në mendjen e njerëzve. Në parim përmbajtja e shkruar dhe e ruajtur në këto objekte duhet të jetë plotësisht e njëjtë me atë që ka thënë Zoti dhe nga ky aspekt këto objekte që përmbajnë ekzaktësisht Fjalën e Zotit, quhen si Libra të Zotit, cilësim ky që e merr teksti dhe përmbajtja dhe jo vetë sendi material ku është shkuar kjo Fjalë. Ndaj dhe në traditën islame bëhet dallim mes termit Kuran, që shënjon vetë Fjalën e Zotit, dhe termit Mus’haf, që shënjon sendin ku ai është shkruar.
Koncepti Islam
Në Islam, Kurani konsiderohet Kelamullah (Fjala e Zotit) në kuptimin literal, fjalë për fjalë. Kurani është diktuar drejtpërdrejt nga Zoti tek profeti Muhamed @ përmes engjëllit Xhebrail. Profeti Muhamed @ ishte vetëm një marrës pasiv, ai nuk kontribuoi as me stilin letrar, as me fjalët e tij. Kjo është arsyeja pse Kurani zakonisht flet në vetën e parë (“Ne e zbritëm”, “Thuaj:…” etj.), sepse Autori i vetëm i tekstit konsiderohet Allahu. Ndryshimi i qoftë edhe një shkronje në arabisht konsiderohet cenim i fjalës së Zotit, sepse Zoti foli ekzaktësisht me atë gramatikë dhe sintaksë.
E thënë me fjalë të tjera Kurani për myslimanët është fjalë e diktuar e Zotit, pra koncepti i Diktimit është qendror në Islam, për sa i përket mënyrës sesi myslimanët besojnë te Kurani. Në dallim nga Kurani, fjalët e Profetit @, të cilat vijnë si shpjegim dhe detajim dhe praktikim i Kuranit edhe pse shihen si pjesë e shpalljes hyjnore, ato në mjaft raste janë formulime të vetë Profetit, me gjuhën, gramatikën dhe sintaksën e tij edhe pse sigurisht ka raste kur janë citime të fjalëpërfjalshme nga Zoti apo nga engjëlli. Por dallimi thelbësor mes tyre dhe Kuranit, është se Kurani është i ndarë tërësisht më vete, prerazi nga kjo pjesë tjetër e shpalljes hyjnore.
Koncepti Judaik
Judaizmi tradicional bën një dallim të madh brenda vetë Tanakh-ut (Biblës Hebraike): Torah (5 librat e Moisiut) ka një status sipëror, shpesh i parë si diktim i drejtpërdrejtë, ndërsa librat e tjerë profetikë (Nevi’im) dhe shkrimet (Ketuvim) shihen si mesazhe të Zotit të filtruara përmes mendjes, kulturës dhe stilit të autorëve njerëzorë.
Rabini Moisi Maimonides (Rambam – Shek. XII), filozofi më i madh hebre i mesjetës, argumentonte se përveç Moisiut, të gjithë profetët e tjerë nuk dëgjuan fjalë literale, por morën “vegime”, të cilat pastaj mendja e tyre i ktheu në fjalë. Ai thotë:
“Dije se realiteti i vërtetë dhe thelbi i profecisë qëndron në faktin se ajo është një rrjedhje që vërshon nga Zoti, i çmuar dhe i madhëruar qoftë Ai, përmes ndërmjetësimit të Intelektit Aktiv, drejt e tek aftësia racionale në radhë të parë, dhe më pas drejt aftësisë imagjinare.”[1]
Për dallimin mes Moisiut dhe profetëve të tjerë ai thotë:
“Cili është dallimi mes profecisë së mësuesit tonë Moisiut dhe asaj të të gjithë profetëve të tjerë? Të gjithë profetët [përjetojnë profeci] në një ëndërr ose vizion; mësuesi ynë Moisiu [profetizoi] duke qenë zgjuar dhe në këmbë… Të gjithë profetët [marrin profeci] përmes një ndërmjetësi. Për rrjedhojë, ata i shohin gjërat si alegori dhe gjëegjëza. Mësuesi ynë Moisiu nuk [profetizoi] përmes një ndërmjetësi…”[2]
Rabini Abraham Joshua Heschel (Shek. XX), një nga teologët modernë më me ndikim e thekson fuqishëm se Bibla nuk është fjalë për fjalë nga Zoti, por reagimi i njeriut ndaj Zotit.
Heschel thotë:
“Bibla nuk përmban vetëm dëshmi të asaj që ndodhi në momente frymëzimi profetik; ajo gjithashtu dokumenton veprime dhe fjalë të njeriut. Është e pasaktë të pretendohet se të gjitha fjalët në Bibël e kanë origjinën nga fryma e Perëndisë. Pohimet blasfemuese të Faraonit, deklaratat rebele të Korahut, dhelbëritë e Efronit, fjalët e ushtarëve në kampin e Midianit, buruan nga shpirti i njeriut. Ajo që profeti i thotë Perëndisë kur i drejtohet Atij nuk konsiderohet më pak e shenjtë se ajo që Perëndia i thotë profetit kur i drejtohet atij. Kësisoj, Bibla është më shumë se fjala e Perëndisë: ajo është fjala e Perëndisë dhe e njeriut; një dëshmi e të dyjave, e zbulesës dhe e përgjigjes; drama e besëlidhjes mes Perëndisë dhe njeriut. Kanonizimi dhe ruajtja e Biblës janë vepër e Izraelit.”[3]
Koncepti i Krishterë
Krishterimi mban një qëndrim rrënjësisht të ndryshëm nga Islami, bazuar në konceptin e Autorësisë së Dyfishtë. Zoti është autori hyjnor që inspiron mesazhin, por njeriu është autori tokësor që zgjedh fjalët, stilin, zhanrin historik dhe theksin teologjik. Për më tepër, thelbi i krishterimit është “Fjala u bë mish” (Jezus Krishti), jo “Fjala u bë libër”. Zoti është vetë mesazhi, Bibla është regjistrimi i frymëzuar i këtij mesazhi.
Këndvështrimi Katolik
Kisha Katolike e zyrtarizoi qëndrimin e saj modern mbi “Fjalën e Zotit” gjatë Këshillit të Dytë të Vatikanit më vitin 1965 duke rrëzuar çdo ide se Bibla ishte një diktim mekanik nga Zoti. Dei Verbum (Kushtetuta Dogmatike mbi Zbulesën Hyjnore) pohon:
“Meqenëse Zoti flet në Shkrimin e Shenjtë përmes njerëzve dhe në mënyrë njerëzore, interpretuesi i Shkrimit të Shenjtë, për të parë qartë se çfarë donte të na komunikonte Perëndia, duhet të hulumtojë me kujdes se çfarë kanë pasur ndërmend të thonë shkruesit e shenjtë në të vërtetë, dhe çfarë ka dashur Zoti të zbulojë përmes fjalëve të tyre. Për të zbuluar qëllimin e shkruesve të shenjtë, duhet t’i kushtohet vëmendje, ndër të tjera, “formave letrare”. Sepse e vërteta paraqitet dhe shprehet ndryshe në tekste që janë të ndryshme historike, profetike, poetike ose të formave të tjera të diskursit. Interpretuesi duhet të hetojë se çfarë kuptimi kishte ndërmend të shprehte shkrimtari i shenjtë dhe e shprehu në të vërtetë në rrethana të veçanta duke përdorur forma letrare bashkëkohorë në përputhje me situatën e kohës dhe kulturës së tij.”[4]
Atë Raymond E. Brown (1928–1998) Një nga studiuesit biblikë katolikë më të rëndësishëm amerikanë. I emëruar dy herë në Komisionin Papnor Biblik në Vatikan, thotë[5]:
“Shkurtimisht, libri fillon me një pohim se, ndërsa “fjala e Perëndisë” biblike është e frymëzuar (dhe kështu nga Perëndia dhe jo thjesht rreth Tij), çdo fjalë e saj vjen nga qeniet njerëzore dhe është e kushtëzuar nga kufizimet e tyre. Për shkak të elementit njerëzor, nevojiten metoda shkencore, letrare dhe historike për të përcaktuar se çfarë donin të thoshin autorët e lashtë kur shkruan – se njohuria nuk vjen nga zbulesa. Por kuptimi i Biblës si koleksioni i librave të shenjtë dhe normativë të Kishës shkon përtej asaj që donin të thoshin autorët në një libër të caktuar. Jo vetëm studimi, por edhe tradita dhe mësimdhënia e kishës hyn në çështjen komplekse të asaj që do të thotë Bibla për të krishterët.”[6]
Ai gjithashtu thotë:
“Misteri i ‘fjalës së Zotit’ kuptohet vetëm kur ne i marrim seriozisht të dy anët e kësaj shprehjeje. Ajo është një fjalë njerëzore, sepse Zoti nuk flet vetë. Por ajo është E ZOTIT, dhe jo thjesht një kompozim njerëzor rreth Zotit. Bibla na bën të përballemi me kontradiktën në dukje të një vetëzbulese hyjnore në terma njerëzorë.”[7]
“Qëndrimi tradicional ka qenë se e gjithë Bibla është e frymëzuar, por vetëm disa pjesë të Biblës transmetojnë zbulesën.”[8]
“Por në kontekstin e kufizuar këtu, kam argumentuar se pagabueshmëria nuk mund të zbatohet apriori në kuptimin e mirëfilltë të Shkrimit të Shenjtë në një mënyrë që do ta çlironte atë nga kufizimet njerëzore. Kështu, pavarësisht nëse fjalët e Biblës pasqyrojnë zbulesën e marrë nga Perëndia apo përbëjnë një rrëfim të frymëzuar nga Perëndia, ato mbeten shumë fjalë njerëzore, duke reflektuar depërtim të pjesshëm dhe vizion të kushtëzuar nga koha.”[9]
Këndvështrimi Protestant
Karl Barth (1886–1968). Ishte teologu më i rëndësishëm zviceran i shekullit të XX, me një ndikim shumë më të madh se Zvicra. Ai konsiderohet, së bashku me Thomas Aquinas, Jean Calvin dhe Friedrich Schleiermacher, si një nga mendimtarët më të mëdhenj në historinë e traditës së krishterë.[10] Ai thotë[11]:
“Në Bibël ne ndeshim fjalë njerëzore të shkruara në gjuhën njerëzore dhe në këto fjalë — e prandaj përmes tyre — ne dëgjojmë për sundimin (pushtetin) e Perëndisë trini.” (fq. 463.)
Ai gjithashtu thotë:
“Sa herë që ne e kthejmë Fjalën e Zotit në një fjalë biblike të pagabueshme të njeriut, ose fjalën biblike të njeriut në një Fjalë të pagabueshme të Zotit, ne i rezistojmë asaj që nuk duhet t’i rezistojmë kurrë, d.m.th. të vërtetës së mrekullisë se këtu njerëz të gabueshëm flasin Fjalën e Zotit me fjalë njerëzore të gabueshme… Nëse profetët dhe apostujt nuk janë njerëz realë dhe, prandaj, të gabueshëm, madje edhe në detyrën e tyre, madje edhe kur flasin dhe shkruajnë për zbulesën e Zotit, atëherë nuk është mrekulli që ata flasin Fjalën e Zotit. Por nëse nuk është mrekulli, si mund të jetë Fjala e Zotit ajo që ata flasin? Si mundet që të folurit e tyre, dhe dëgjimi ynë i fjalëve të tyre njerëzore, të zotërojë, si Fjalë e Zotit, karakterin e zbulesës? Postulatit të guximshëm, se nëse fjala e tyre duhet të jetë Fjala e Zotit, atëherë ata duhet të jenë të pagabueshëm në çdo fjalë, ne i kundërvëmë pohimin edhe më të guximshëm: se, sipas dëshmisë së Shkrimit mbi njeriun, e cila vlen edhe për ta, ata mund të jenë në gabim në çdo fjalë dhe kanë qenë në gabim në çdo fjalë; dhe megjithatë, sipas së njëjtës dëshmi të Shkrimit, duke qenë të shfajësuar dhe të shenjtëruar vetëm me anë të hirit, ata prapëseprapë kanë folur Fjalën e Zotit në fjalën e tyre njerëzore të gabueshme dhe gabimtare.” (fq. 529-530)
Pra sipas Barth-it autoriteti i Biblës nuk qëndron te pagabueshmëria mekanike e fjalëve njerëzore, sikur profetët dhe apostujt të mos ishin më njerëz realë. Autoriteti i saj qëndron te mrekullia e hirit: Zoti flet realisht Fjalën e Tij përmes fjalëve njerëzore reale, të kufizuara dhe të gabueshme!
Ai e konfirmon edhe një herë këtë kur thotë:
“Frymëzimi verbal nuk nënkupton pagabueshmërinë e fjalës biblike në karakterin e saj gjuhësor, historik dhe teologjik si një fjalë njerëzore. Ai nënkupton që fjala njerëzore e gabueshme dhe me të meta përdoret si e tillë nga Perëndia dhe duhet të pranohet e të dëgjohet me gjithë gabueshmërinë e saj njerëzore.” (fq. 533.)
Qëndrimi Islam ndaj Biblës
Pasi sqaruam shkurtimisht qëndrimin që mbajnë përgjithësisht sot ekspertët e krishterë dhe judenjë rreth Biblës, kalojmë te qëndrimi që Kurani dhe Tradita Profetike mbajnë ndaj Shkrimeve të Shenjta në parim dhe në praktikë.
Islami thekson se shpalljet që iu dhanë profetëve të mëparshëm, ishin udhëzim i pastër nga Zoti. Besimi në parim në këto libra, në formën e tyre origjinale, ashtu siç iu zbritën profetëve të mëparshëm, është kusht i besimit islam. Por, është e rëndësishme këtu të theksojmë se burimi dhe bazamenti i këtij besimi nuk buron nga fakti se këto libra janë të zbritur më parë dhe kanë ardhur para Kuranit, por është Kurani ai që obligon besimin e tyre për myslimanët dhe vërtetësinë e origjinës së tyre. Pra myslimani beson fillimisht në vërtetësinë e Kuranit dhe më pas të çdo pohimi të tij. Kështu që besimi tek vërtetësia e origjinës hyjnore të Torës dhe Ungjillit, për myslimanët, nuk buron nga historia e tyre dhe as nga fakti se Zoti i ka zbritur këto shpallje më parë, por buron katërçipërisht nga besimi tek vërtetësia hyjnore e Kuranit. Nëse ai nuk do ta pohonte diçka të tillë, as ne si myslimanë nuk do ta pohonim.
Kështu që myslimanët besojnë në parim në origjinën hyjnore të këtyre librave, por jo në autenticitetin e tekstit aktual që disponojnë judenjtë dhe të krishterët. Çka në fakt përputhet edhe me faktin se as vetë judenjtë dhe të krishterët nuk besojnë në një autenticitet literal të këtyre librave, por i shohin ato në përgjithësi si të frymëzuar nga Zoti në mesazhin e tyre edhe pse nuk janë tekst literal i fjalës së Zotit.
Kurani e pohon se Tevrati (Torah), Inxhili (Ungjilli) dhe Zeburi (Psalmet) janë në origjinë libra të zbritur; por ai e vendos veten si muhejmin, pra si kriteri që e dallon të vërtetën e ruajtur nga shtesa, fshehja dhe shtrembërimi. Tradita profetike e sintetizon këtë në një qëndrim të matur ndaj tyre, duke mos i dhënë këtyre teksteve besueshmëri absolute, por as mohim të plotë, por filtrim nën vërtetësinë e Shpalljes së fundit.
Prandaj, në gjuhë metodologjike: Bibla aktuale mund të përmbajë të vërteta, por nuk funksionon si burim normativ autonom për muslimanin. Ajo lexohet, kur lexohet, nën orientmin interpretativ të Kuranit dhe Sunetit; pjesët që pajtohen me to mund të pranohen, ato që i kundërshtojnë refuzohen, dhe pjesët e mbetura lihen pa pasur për to ndonjë qëndrim të caktuar. Më konkretisht tekstet Kuranore dhe ato të Profetit mund t’i ndajmë në katër kategori:
E para: Origjina hyjnore e shpalljeve profetike të mëparshme
Zoti thotë në Kuran:
“Ai të ka zbritur ty Librin, me të vërtetën e saktë, duke vërtetuar shpalljet e mëparshme. Ai i ka zbritur Teuratin dhe Ungjillin më parë si udhërrëfyes për njerëzit dhe ka zbritur edhe Dalluesin (e së vërtetës nga e pavërteta).” (Kurani 3: 3)
“Thoni: “Ne besojmë në Allahun, në atë që na është shpallur neve (Kuranin), në atë që i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe Esbatëve (12 bijve të Jakubit), në atë që i është dhënë Musait e Isait dhe në atë që u është dhënë profetëve nga Zoti i tyre.” (Kurani 2: 136)
“Ne kemi dërguar Teuratin, në të cilin janë udhëzimet dhe drita. Sipas tij, profetët që ia kishin dorëzuar veten Allahut, i gjykonin hebrenjtë; por edhe të diturit dhe rabinët kështu vepronin, sepse atyre iu qe besuar mbrojtja e Librit të Allahut, për të cilin ata dëshmonin.” (Kurani 5: 44)
“Pas atyre profetëve, Ne dërguam Isain, të birin e Merjemes, si vërtetues të Teuratit që kishte ardhur para tij. Dhe i dhamë atij Ungjillin, në të cilin ka udhëzim dhe dritë, si përmbushje të asaj që ishte shpallur para tij në Teurat dhe si udhërrëfim e këshillë për ata që i frikësohen Allahut. “ (Kurani 5:46)
“Ne i kemi ngritur disa profetë mbi të tjerët dhe Daudit i kemi dhënë Zeburin.” (Kurani 17: 55)
“Diskutoni me ithtarët e Librit vetëm me mënyrën më të mirë, por jo me keqbërësit e tjerë. Dhe thoni: “Ne besojmë në atë që na është zbritur ne dhe në atë që ju është zbritur ju. Zoti ynë dhe Zoti juaj është Një…” (Kurani 29: 46)
Këto ajete e vendosin themelin e besimit se Islami nuk mohon Shkrimet e Shenjta në origjinën e tyre të shpalljes nga Zoti; përkundrazi, ai e përfshin besimin në shpalljet e mëparshme brenda vetë doktrinës islame. Por ky nuk është legalizim i pakushtëzuar i çdo forme të mëvonshme tekstuale të këtyre zbulesave.
Së dyti: Ndryshimi Historik i Teksteve
Zoti thotë në Kuran:
“Për shkak se ata e thyen besëlidhjen e tyre, Ne i mallkuam ata dhe ua bëmë zemrat të ashpra. Ata i kanë shtrembëruar fjalët e Shkrimeve të shenjta dhe kanë harruar një pjesë të mirë nga ato këshilla.” (Kurani 5: 13)
“Prej atyre që janë judenj ka të tillë që i shtrembërojnë fjalët nga vendet e tyre.” (Kurani 4: 46)
“O ithtarët e Librit! Përse e pështjelloni të vërtetën me të pavërtetën dhe përse e fshihni të vërtetën me qëllim?” (Kurani 3:71)
“Me të vërtetë, një grup ithtarësh të Librit e shtrembërojnë Librin me gjuhët e tyre (ndërsa e lexojnë atë), që ju të mendoni se ai farë leximi është prej Librit (që ka zbritur Allahu), kurse në të vërtetë, nuk është prej Librit. Ata thonë: “Kjo që lexojmë është nga Allahu”, por ajo nuk është nga Allahu. Ata flasin gënjeshtra për Allahun, duke qenë të vetëdijshëm për këtë.” (Kurani 3: 78)
“Të mjerë janë ata që me duart e tyre shkruajnë Librin, e pastaj thonë: “Kjo është prej Allahut” që për këtë të kenë ndonjë dobi të vogël (materiale). Mjerë ata për çfarë kanë shkruar me duart e tyre, dhe mjerë ata për çfarë kanë fituar!” (Kurani 2: 79)
Në këto ajete, tahrīfi (deformimi) del në disa forma të dallueshme: zhvendosje e fjalëve nga vendi (5:13; 4:46), shtrembërim performativ me gjuhë (3:78; 4:46), përzierje e së vërtetës me të pavërtetën dhe fshehje (3:71), si dhe shkrim njerëzor i paraqitur si hyjnor (2:79).
Teologjia islame argumenton se me kalimin e kohës, për shkak të përkthimeve, humbjes së dorëshkrimeve origjinale dhe ndërhyrjeve njerëzore (politike apo klerikale), tekstet kanë pësuar ndryshime (Tahrif). Disa dijetarë islamë i kanë shtuar këtyre pikave edhe një pikë mjaft të rëndësishme që është se, këtyre librave të shkruar që gjenden sot u mungon tradita e zinxhirit të përcjelljes apo ndryshe prova historike e çdo brezi se, shkruesit dhe përcjellësit e këtyre shkrimeve kanë qenë njerëz të njohur e të besueshëm dhe se, ata i kanë përcjellë këto tekste me besnikëri dhe saktësi brez pas brezi. Duke e krahasuar kështu këtë me traditën islame të ruajtjes së Kuranit dhe hadithit. Edhe pse sigurisht që Kurani ndryshon, pasi ai krahas shkrimit si parim bazë të përcjelljes ka atë të mësimit përmendësh, brez pas brezi të përcjellë në mënyrë të pandërprerë.
Së treti: Kurani si Filtër Epistemologjik (Muhejmin)
Zoti thotë në Kuran:
“Ne të kemi zbritur ty (o Muhamed) Librin me të vërtetën, si përmbushës të shkrimeve të mëparshme dhe muhejmin të tyre. Prandaj gjykoji ata sipas asaj që të ka zbritur Allahu dhe mos ndiq dëshirat e tyre, duke u shmangur kështu nga e Vërteta që të është shpallur. Ne për secilin nga ju kemi sjellë një ligj dhe një rrugë të qartë.” (Kurani 5: 48)
Pra Kurani e vërteton origjinën, por nuk dorëzohet para tekstit të tanishëm. Dhe meqenëse tekstet e mëparshme konsiderohen të përziera (të vërteta hyjnore bashkë me shtesa njerëzore), Kurani pozicionohet si “muhejmin” (Kriter, Rojtar ose Mbikëqyrës) për të dalluar çfarë është ruajtur origjinale dhe çfarë është ndryshuar.
Çfarëdolloj gjëje në Bibël që përputhet me Kuranin, pranohet si pjesë e shpalljes origjinale hyjnore (p.sh. një Zot i vetëm, rëndësia e moralit, profetësia, etj.). Çfarë e kundërshton atë (p.sh. Zoti merr formë njerëzore, profetët bëjnë mëkate të rënda, triniteti, bir i Zotit, etj.), refuzohet dhe shihet si produkt njerëzor.
Pra Kurani është jo vetëm konfirmues, por edhe kriter verifikues. Bibla aktuale nuk është vetvetiu “e detyrueshme për t’u pranuar”; kriteri i fundit për myslimanët është Kurani, sepse ardhja e tij dhe e profetit që e solli atë është përfundimtare ndaj dhe mesazhi final i Zotit për t’u ndjekur. Tevrati dhe Inxhili për myslimanët është shpallja origjinale, dhe jo domosdoshmërisht korpuset aktuale të shkrimeve të shenjta judeo-kristiane. Në këtë pikë, “Bibla” në kuptimin islam nuk është as “gjithçka duhet pranuar”, as “gjithçka duhet hedhur poshtë”. Ajo është një objekt që duhet filtruar nën autoritetin e Kuranit. Ky është edhe vendi ku shfaqet dallimi midis nocionit islam të “Librit të zbritur” dhe nocionit polemik që misionarët e krishterë i atribuojnë judaizmit e krishterimit, sipas të cilit tradita tekstuale ekzistuese identifikohet thjesht, pa rezerva, si Fjala e Zotit. Kurani refuzon pikërisht këtë identifikim të padiskutueshëm.
Së katërti: Qasja Praktike Metodologjike (Qëndrimi i Hadithit)
Profeti Muhamed r u dha myslimanëve një metodologji shumë të qartë dhe të ekuilibruar se si të sillen kur lexojnë ose dëgjojnë tregime nga Bibla dhe nga “Ithtarët e Librit”. Kështu Imam Buhariu përcjell në Sahih-un e tij (nr. 4485, 7362) nga Ebu Hurejra se ai ka thënë: “Ithtarët e Librit e lexonin Tevratin në hebraisht dhe ua shpjegonin në arabisht muslimanëve. Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: ‘Mos iu besoni ithtarët e Librit dhe mos i përgënjeshtroni, por thoni: Ne besuam Allahun dhe atë që na është zbritur neve dhe atë që ju është zbritur juve…’”
Po kështu Buhariu (nr. 3461) përcjell një hadith të mirënjohur ku Profeti r thotë: “Përcillni prej meje qoftë edhe një ajet; tregoni nga Beni Israilët dhe s’ka dëm në këtë; por kush gënjen qëllimisht për mua, le ta përgatisë vendin e vet në zjarr.”
Ndërkohë nga djali i xhaxhait të Profetit r Abdullah Ibn Abasi na vjen një koment i sqarues i rëndësishëm ku ai thotë: “Si i pyesni ithtarët e Librit për diçka, kur libri juaj që i është zbritur të Dërguarit të Allahut ﷺ është më i ri dhe ju e lexoni të pastër, të papërzier?! Allahu tashmë ju ka treguar se ata e ndryshuan librin e Allahut, e tjetërsuan dhe e shkruan me duart e tyre një shkrim duke thënë: ‘Ky është nga Allahu’, për të fituar me të një çmim të vogël.” (Buhariu nr. 7363)
Nga këto tekste del një metodologji e qartë me tri nivele. Së pari, nuk lejohet besim naiv te transmetimi i ithtarëve të Librit; po aq, nuk lejohet as mohimi pa verifikim. Së dyti, lejohet transmetimi i rrëfimeve izraelite, por kjo leje nuk i kthen ato në burim doktrine. Së treti, kur muslimani e ka shpalljen e ruajtur (Kuranin dhe Sunetin), nuk e ndërton dijen themelore fetare mbi tekste të diskutueshme.
Ky është thelbi i nuancës islame. Pra parimi është: Pezullimi i Gjykimit për ato gjëra që nuk konfirmohen as nuk mohohen nga Islami.
- Nëse Bibla thotë diçka që Kurani e mbështet → Pranohet.
- Nëse Bibla thotë diçka që Kurani e hedh poshtë → Refuzohet.
- Nëse Bibla jep detaje historike për të cilat Islami hesht (p.sh. emrat e fëmijëve të caktuar të profetëve, detaje gjeografike) → As nuk besohen verbërisht, as nuk përgënjeshtrohen.

A ka ndryshuar pra gjatë historisë Bibla?
Nisur nga ajo që u citua më sipër si nga hebrenjtë dhe të krishterët del se ata nuk besojnë, njëlloj si myslimanët për Kuranin, se Bibla është tërësisht nga fillimi në fund fjalë për fjalë e thënë nga Zoti, përkundrazi në të përfshihen edhe fjalë njerëzore e madje edhe gabime. Megjithatë ata edhe pas kësaj besojnë se thelbi i mesazhit dhe vërtetësia e tij është ruajtur dhe mund vazhdojë të quhet “Fjalë e Zotit”, pavarësisht nga këto gabime njerëzore që janë përzier me mesazhin dhe fjalën e Zotit!
Por çfarë thonë ekspertët e Biblës në këtë drejtim, përtej citimeve që sollëm më sipër. Kështu p.sh. Bruce M. Metzger (1914–2007) studiues dhe historian amerikan i Biblës pjesë e Seminarit Teologjik të Princetonit. Metzger, i specializuar në kritikën tekstuale dhe përkthimin e Biblës dhe ai që kryesoi komitetet për Versionin Standard të Rishikuar dhe Versionin Standard të Rishikuar të Ri. Ka shërbyer në bordin e Shoqërisë Biblike Amerikane dhe Shoqërive të Bashkuara Biblike. Metzger shpesh konsiderohet ndër studiuesit më me ndikim të Dhiatës së Re të shekullit të XX-të., ai thotë[12]:
“Domosdoshmëria e zbatimit të kritikës tekstuale ndaj librave të Dhiatës së Re lind nga dy rrethana: (a) asnjë nga dokumentet origjinale nuk është i ruajtur, dhe (b) kopjet ekzistuese ndryshojnë nga njëra-tjetra.” (fq. xv)
“Meqenëse shumica, në mos të gjithë, do të kenë qenë amatorë në artin e kopjimit, pa dyshim një numër relativisht i madh gabimesh depërtoi në tekstet e tyre, ndërsa ata i riprodhonin.” (fq. 275)
“Nuk ka asnjë dorëshkrim të vetëm dhe asnjë grup të vetëm dorëshkrimesh që kritiku tekstual mund ta ndjekë mekanikisht.” (fq. 343)
“Të gjithë dëshmitarët e njohur të Dhiatës së Re janë, në një shkallë më të madhe ose më të vogël, tekste të përziera, madje edhe disa nga dorëshkrimet më të hershme nuk janë të lira nga gabime të rënda.” (fq. 343)
“Fjalë dhe shënime që qëndronin në margjinën e kopjes më të vjetër herë pas here përfshiheshin në tekstin e dorëshkrimit të ri.” (fq. 258)
“Disa ndryshime harmonizuese lindën pa qëllim; të tjerat u bënë krejt qëllimisht.” (fq. 262)
“Numri i ndryshimeve të qëllimshme të bëra në interes të doktrinës është i vështirë të vlerësohet.” (fq. 265)
“Dorëshkrimet e Dhiatës së Re ruajnë gjurmë të dy llojeve të ndryshimeve dogmatike: ato që përfshijnë eliminimin ose ndryshimin e asaj që konsiderohej si e papranueshme ose e papërshtatshme nga ana doktrinore dhe ato që fusin në Shkrimet e Shenjta “prova” për një parim ose praktikë teologjike të preferuar.” (fq. 266)
“Ndryshime të tilla dëshmojnë se autografet, pra tekstet origjinale të librave të Dhiatës së Re, nuk ekzistonin më; përndryshe do t’u ishte bërë apel drejtpërdrejt atyre.” (fq. 266, fusnota 20)
“Pohimi i Jezusit: ‘Por për atë ditë dhe orë askush nuk di, as engjëjt e qiellit, as Biri, por vetëm Ati’ … ishte i papranueshëm për kopjuesit që nuk mund ta pajtonin mosdijen e Jezusit me hyjninë e tij dhe e zgjidhën situatën thjesht duke hequr frazën ‘as Biri.’” (fq. 267)
“Ndonëse askush nuk do të pretendonte se polemikat teologjike shkaktuan shumicën e qindra mijëra varianteve tona tekstuale, ato qartazi prodhuan disa qindra prej tyre. Dhe këto lexime variante, të marra si tërësi, nuk janë pa rëndësi. Përkundrazi, shumë prej tyre dalin të jenë vendimtare për çështje që lidhen me ekzegjezën dhe teologjinë e Dhiatës së Re.” (fq. 284)
“Disa fragmente të Dhiatës së Re u modifikuan për të theksuar më saktë se Jezusi ishte vetë hyjnor. Një nga variantet tekstuale më intriguese në pjesën e hershme të Ungjillit të Gjonit ndodhet në fund të prologut, ku, sipas shumicës së dëshmitarëve, për Krishtin thuhet se është ‘Biri i vetëm që është në gjirin e Atit’ (1:18). Çuditërisht, sipas disa dëshmitarëve të tjerë, kryesisht aleksandrinas, fragmenti në vend të kësaj e quan Krishtin “të vetmin Perëndi që është në gjirin e Atit”. Ndërsa shumë kritikë vazhdojnë ta konsiderojnë këtë si tekstin origjinal, mund të jetë që ndryshimi u zbatua nga shkruesit aleksandrinas të cilët donin të theksonin hyjninë e Jezusit kundër atyre që mendonin se ai ishte thjesht njeri.” (fq. 286)
Një nga shtojcat më problematike dhe më të njohura, që mbështet drejtpërdrejtë doktrinën e trinitetit është edhe ajo që njihet në kritikën biblike si “Presja e Gjonit” (Comma Johanneum) Ky është rasti më klasik i një shtese doktrinore. Është i vetmi varg (1 Gjoni 5:7–8) në të gjithë Biblën që formulon qartë doktrinën e Trinitetit. Në kopjet më të vjetra greke: Teksti thotë thjesht: “Tre janë ata që dëshmojnë: Fryma, uji dhe gjaku; dhe të tre janë në një mendje.” Në kopjet e vonshme (dhe në shumë Bibla tradicionale): Është shtuar fraza: “Sepse tre janë që dëshmojnë në qiell: Ati, Fjala dhe Fryma e Shenjtë; dhe këta të tre janë një.” Çfarë ndodhi? Kjo frazë hyri si një shënim teologjik anësor në dorëshkrimet latine në shekullin e IV-të ose të V-të. Ajo nuk gjendet në asnjë dorëshkrim të vetëm grek përpara shekullit të XIV-të. U fut në Biblat e shtypura vetëm sepse kisha katolike i bëri presion studiuesit Erasmus në shekullin e XVI-të ta përfshinte për të mbrojtur dogmën. Sot, të gjitha Biblat akademike e kanë hequr ose e mbajnë në fusnotë.[13]
Një tjetër studiues Stephen L. Harris (1937–2019) Professor Emeritus i Humanistikës dhe Studimeve Fetare në California State University, Sacramento në librin e tij Understanding the Bible, A reader’s introduction, thotë:
“Ne nuk dimë se kush e ka shkruar pjesën më të madhe të Biblës… Autorësia e Dhiatës së Vjetër zakonisht ishte anonime, megjithëse traditat e mëvonshme ua atribuuan libra të rëndësishëm figurave të shquara të së kaluarës. Në shekujt e fundit p.e.s., Moisiu konsiderohej autori i pesë librave të parë të Biblës, Pentateukut, megjithëse shumica e studiuesve modernë besojnë se këta libra morën formën e tyre të tanishme shumë kohë pas ditëve të Moisiut. Shumica e librave rrëfimorë — Jozueu, Gjyqtarët, Samueli, Mbretërit dhe Kronikat — janë vepër e priftërinjve, skribëve dhe arkivistëve pa emër. Asnjëri prej tyre nuk bën pohime të drejtpërdrejta për origjinën apo përpiluesit e vet. Studiuesit besojnë se profetët e mëdhenj — Amosi, Isaia, Mikea dhe të tjerë — i kumtuan mesazhet e tyre gojarisht dhe se fjalët e tyre u mblodhën dhe u shkruan nga dishepuj të mëvonshëm, emrat e të cilëve janë të panjohur. I njëjti anonimitet mbizotëron edhe në Dhiatën e Re. Ndërsa traditat kishtare të fundit të shekullit të dytë ua atribuuan Ungjij dhe letra të ndryshme dishepujve dhe apostujve të shquar të hershëm, shumica e teksteve nuk bëjnë pretendime për autorësinë. Përjashtimet e dukshme janë letrat e Palit, të shkruara midis viteve rreth 50 dhe 62 e.s…”[14]
Ndërsa për Dhiatën e Re ai më’ tej shprehet:
“Lista e parë zyrtare e njëzet e shtatë librave që përputhen me kanonin e tanishëm të Dhiatës së Re nuk u nxor deri në vitin 367 e.s., më shumë se tre shekuj pas vdekjes së shumicës së ndjekësve të parë të Jezusit. Kjo listë e rëndësishme u shfaq në Letrën e Pashkëve të Athanasit, peshkopit të Aleksandrisë, i cili, ndonëse përmendte vetëm njëzet e shtatë librat kanonikë si autoritativë, sugjeronte se të krishterët do të përfitonin gjithashtu nga leximi i disa veprave jokanonike, të cilat, deri në fund të shekullit të katërt në disa zona të Perandorisë Romake, konsideroheshin pothuajse në të njëjtin nivel me atë që ne e mendojmë si libra “të mirëfilltë” të Dhiatës së Re. Atëherë, sipas cilave standarde disa shkrime të krishtera morën status kanonik, ndërsa të tjera, dikur po aq të përhapura ndër të krishterët e hershëm, u përjashtuan prej tij? Ndoshta kriteri kryesor ishte lidhja e një libri me traditën apostolike. Për shembull, letrat që pa dyshim ishin të Apostullit Pal, me gjasë ishin pjesa e parë e Dhiatës së Re që u mblodh dhe qarkulloi ndër bashkësi të ndryshme të krishtera. Nga mesi i shekullit të dytë, siç dëshmon 2 Pjetrit 3:15–16, letrat e Palit konsideroheshin shkrim i shenjtë… Një numër kujtimesh për Jezusin, pra Ungjijsh, qarkullonin në Kishë përpara se katër ungjijtë e përfshirë në Dhiatën e Re të njiheshin si më të lartë se rivalët e tyre dhe të kanonizoheshin. Këto mund të kenë përfshirë Ungjillin e Thomait, të zbuluar në Egjipt më 1945, së bashku me fragmente librash të tjerë të krishterë-gnostikë.”[15]
Ai më tej vazhdon e thotë:
“Referimi më i hershëm ndaj katër Ungjijve si autoritativë gjendet në një libër të quajtur 2 Klementi, i atribuuar rrejshëm Klementit, peshkopit të Romës, i cili citon një pasazh nga Mateu si “shkrim i shenjtë”. Afërsisht në të njëjtën kohë, Justin Martiri, një kishtar i ekzekutuar në Romë në vitet 160, i citonte “kujtimet e Apostujve” ose “ungjijtë” sikur të kishin status të barabartë me Profetët Hebrenj. Librat e Mateut, Markut, Lukës dhe Gjonit, të cilët deri atëherë kishin qarkulluar në mënyrë anonime ndër të krishterët, tani po konsideroheshin si vepër e apostujve ose po u atribuoheshin dishepujve të veçantë.
Deri në shekullin e dytë, Bibla e krishterë përbëhej nga Dhiata e Vjetër, Apokrifët dhe letrat e Palit. Koncepti i Shkrimeve të Krishtera si krejtësisht të dallueshme nga Bibla hebraike mori më pas një shtysë të fuqishme nga një i krishterë gnostik me emrin Markion, i cili e refuzoi tërë Dhiatën e Vjetër si paraqitje të një imazhi barbar të Zotit… Megjithëse qëndrimi ekstrem i Markionit u hodh poshtë nga Kisha, idetë e tij megjithatë ndihmuan në formulimin e konceptit të një trupi krejtësisht të veçantë librash të krishterë të frymëzuar — embrioni i Dhiatës së Re.
Kanoni Muratorian, një dokument që u shfaq nga fundi i shekullit të dytë, ndoshta është tipik për përzierjen e veprave kanonike dhe apokrife që Kisha e shekujve të dytë dhe të tretë i njihte si të shenjta. I përpiluar në Romë, ky kanon rendit katër Ungjijtë, Veprat, trembëdhjetë letrat e Palit — duke përfshirë Letrat Baritore, por jo Hebrenjtë — Judën, 1 dhe 2 Gjonit, Urtësinë e Solomonit, Zbulesën dhe Apokalipsin e Pjetrit…
Shumë libra të tjerë, veçanërisht ata që i atribuoheshin Pjetrit, Jakobit dhe Judës, si edhe Hebrenjtë dhe, zakonisht, Zbulesa, mbetën objekt mosmarrëveshjeje: të pranuar nga disa, por të refuzuar nga të tjerë. Disa Apokrife të Dhiatës së Vjetër, si Urtësia e Solomonit, dhe Apokrife të Dhiatës së Re, si Apokalipsi i Pjetrit, u përzien me ato që më vonë do të bëheshin libra kanonikë. Ende në shekullin e pestë, një dorëshkrim grek i njohur si Codex Alexandrinus përfshinte 1 dhe 2 Klementin — letra që i atribuoheshin një peshkopi të hershëm të Romës — në Dhiatën e Re. Së fundi, disa kisha të rëndësishme lindore, si ato të Aleksandrisë dhe Antiokisë, kundërshtuan përfshirjen e Zbulesës, pjesërisht për shkak të autorësisë së saj të dyshimtë johanease. Megjithëse përfundimisht u pranua, ajo kurrë nuk arriti të njëjtin autoritet si librat e tjerë të Dhiatës së Re. Kishat siriane ia mohuan vazhdimisht statusin kanonik.
Kanoni i Dhiatës së Re u zhvillua gradualisht gjatë tre shekujve, përmes përdorimit të përhapur dhe pëlqimit të përbashkët të bashkësive kryesore të krishtera. Ashtu si në rastin e kanonit të Dhiatës së Vjetër, breza të tërë familjariteti u dhanë librave më ndikues në doktrinën dhe praktikën kishtare një status të nderuar dhe autoritativ. Për shkak se lidhja me kohët apostolike konsiderohej e domosdoshme, librat “e vonë”, si Jakobi dhe 2 Pjetri, e patën më të vështirë të gjenin pranim sesa veprat e shkruara deri në fund të shekullit të parë. Edhe pasi peshkopi Athanas nxori listën e tij përfundimtare në vitin 367, kanoni ndryshonte nga një vend në tjetrin. Ndoshta më vendimtare në plotësimin dhe vulosjen e përmbajtjes së Dhiatës së Re ishte Vulgata Latine, në të cilën Jeronimi ndoqi kanonin e Athanasit dhe përfshiu shtatë Letrat Katolike (“të Përgjithshme”), si edhe Hebrenjtë dhe Zbulesën e diskutuar. Shkrime të tjera të krishtera, disa prej të cilave dikur ishin konsideruar të frymëzuara, u zbritën në statusin e Apokrifeve.”[16]
Konkluzioni
Citime të tilla për historinë njerëzore të Biblës nga studiues dhe ekspertë të studimeve biblike janë të shumta, ato japin prova dhe argumente si për masën e autenticitetit dhe deri ku mund t’i besohet shkrimeve judeo-kristiane, ashtu edhe për pjesët e dyshimta dhe të pabesueshme të këtyre teksteve.
Konkluzionet e tyre, edhe pse një pjesë e tyre thonë se thelbi i mesazhit biblik është ruajtur, çka është më së shumti çështje besimi sesa historie, nuk bien aspak ndesh me atë që pohon në thelb qasja islame, e cila thotë se po mund t’i besohet deri në një farë mase shkrimeve biblike, por fakti që në të kanë ndikuar faktorë të ndryshëm njerëzorë, mjafton si dëshmi që edhe qasjet doktrinore të pranuara masivisht nga të krishterët janë prekur nga ato devijime që Islami i sheh si ta papranueshme dhe jo hyjnore.
A nuk mjaftojnë vallë si shembull se teologjia e krishterë e mëkatit fillestar, e faljes së tij përmes një kurbani hyjnor dhe mbi të gjitha ekzistenca e një Zoti trinitar dhe një Mesie edhe njeri edhe Zot, nuk pajton kërkund me teologjinë dhe tekstet judaike, madje refuzohet ashpër prej saj, edhe pse Krishterimi trinitar pretendon se vendos themelet e tij mbi këto tekste, për të pohuar bindshëm se mesazhi autentik i Jesusit nuk është ruajtur, por është deformuar?!
________________________
[1] The Guide for the Perplexed, Përkth. Shlomo Pines. Pub. The University of Chicago Press, 1963. V. II, Kap. 36, f. 369.
[2] Mishneh Torah, Sefer Madda, Hilchot Yesodei HaTorah. Kap. 7, Halakha 6. (Përkth. Rabbi Eliyahu Touger. Pub. Moznaim Publishing.
[3]God in Search of Man: A Philosophy of Judaism, 1955, f. 260,
[4] Dei Verbum, Kap. III, Paragrafi 12, https://www.vatican.va/archive/hist_councils/ii_vatican_council/documents/vat-ii_const_19651118_dei-verbum_en.html
[5] Ky citim dhe të tjerët më poshtë nga ky autor i referohen librit të tij The Critical Meaning of the Bible. How a modern reading of the Bible challenges Christians, the Church, and the churches. Botim i 1981, nga Paulist Press, New York/Ramsey.
[6] Raymond E. Brown, The Critical Meaning of the Bible, Preface, fq. x.
[7] Ibid, f. 1.
[8] Ibid, f. 7.
[9] Ibid, f. 20-21.
[10] https://barth.ptsem.edu/biography/
[11] Ky citim dhe të tjerët më poshtë nga ky autor janë marrë nga libri i tij Church Dogmatics, I.2 The doctirine of The Word of God. me redaktor G.W. Bromiley, T.F. Torrance. Botim i T&T Clark International, 2004.
[12] Ky citim dhe në vazhdim janë marrë nga vepra The Text of the New Testament, Its Transmission, Corruption, and Restoration. Edicioni i katërt, ku Metzger është bashkautor me Bart D. Ehrman, një tjerët kritik ky i njohur i tekstit biblik. Botuar nga Oxford University Press, 2005.
[13] The Text of the New Testament, Its Transmission, Corruption, and Restoration. f. 146-148.
[14] Stephen L. Harris, Understanding The Bible, A reader’s introduction, Bot. Dytë. California State University, Sacramento, fq. 3.
[15] Ibid. fq. 16-17
[16] Ibid. fq. 17-18.