Iluzioni i kontradiktës së Kuranit lidhur me mohimin e urdhrit për shthurje dhe urdhërimin e tij!

Përmbajtja e dyshimit: Disa keqinformues pretendojnë rrejshëm se ka një kontradiktë midis fjalës së Allahut të Lartësuar: “Thuaj: “Allahu nuk urdhëron të bëhen vepra të pahijshme! Përse thoni për Allahun atë që nuk e dini?”” (El-A’raf: 28), dhe fjalës së Tij të Lartësuar: “Kur vendosim ta shkatërrojmë një qytet, Ne i urdhërojmë (për mirë) të pasurit e tij dhe, kur ata bëjnë mbrapshti në të, atëherë përmbushet Vendimi (i dënimit) kundër tyre dhe Ne i shkatërrojmë gjer në themel.” (El-Isra: 16). Ata pyesin: Si ka mundësi që Allahu e mohon urdhërimin për shthurje në ajetin e parë, e pastaj e urdhëron atë në ajetin tjetër?! Përmes kësaj, ata synojnë të godasin paprekshmërinë e Kuranit Fisnik.

 

Mënyrat e rrëzimit të dyshimit:

  1. Allahu i Lartësuar nuk urdhëron për shthurje dhe as nuk kënaqet me të.
  2. Lloji i urdhrit në fjalën e Tij të Lartësuar: “Ne i urdhëruam të pasurit e tij” mund të jetë:

Urdhër fetar: me ç’rast kuptimi është: se Allahu i urdhëroi ata për bindje dhe mirësi, por ata bënë shthurje.

Urdhër ekzistencial: me ç’rast kuptimi është: se Allahu e caktoi për ta shthurjen pasi e dinte se ata do të devijonin dhe do të tejkalonin kufijtë.

  1. Disa komentues (mufesirë) janë të mendimit se kuptimi i fjalës “Urdhër” në fjalën e Tij të Lartësuar: “Urdhëruam të pasurit e tij” është:
  • Ose vjen në kuptimin “shtim”, domethënë: Ne shtuam numrin e të pasurve të tij që të bindeshin, por ata bënë shthurje.
  • Ose vjen në kuptimin “i bëmë ata udhëheqës “, sipas leximit (kiraetit) “Emerna”.

 

Shtjellim:

Së pari: Allahu i Madhëruar nuk urdhëron për shthurje dhe as nuk kënaqet me të:

Është thënë në komentin e fjalës së Tij të Lartësuar: “Kur ata bëjnë një vepër të shëmtuar, thonë: “Ne i kemi gjetur prindërit tanë që i bënin, por edhe Allahu na ka urdhëruar kështu”. Thuaj: “Allahu nuk urdhëron të bëhen vepra të pahijshme! Përse thoni për Allahun atë që nuk e dini?'” (El-A’raf: 28). Idhujtarët në kohën paraislame e bënin tavafin rreth Qabes të zhveshur, burra e gra bashkë. Kur pyeteshin: “Përse e bëni këtë?”, ata thoshin: “Ne i gjetëm prindërit tanë duke e bërë këtë dhe Allahu na ka urdhëruar për këtë”. Derisa erdhi Islami dhe ua hodhi poshtë pretendimin e tyre, ku Allahu i Lartësuar tha: “Vërtet Allahu nuk urdhëron për shthurje”. Katade rreth këtij ajeti ka thënë: “Për Allahun, Allahu kurrë nuk e ka detyruar ndonjë rob për gjynah (mëkat), as nuk është kënaqur me të dhe as nuk e ka urdhëruar atë; por Ai kënaqet që ju t’i bindeni Atij dhe ju ka ndaluar nga mëkati ndaj Tij”.[1]

Së dyti: Lloji i urdhrit në fjalën e Tij: “Ne i urdhëruam të pasurit e tij”, është urdhër Fetar apo Ekzistencial:

Termi “Urdhër”, në Sheriat përdoret me kuptimin e Urdhrit Fetar ose Urdhrit Ekzistencial. Diferenca mes tyre është se Urdhri Fetar vjen vetëm për atë që Ai e do, por nuk është e thënë që ky urdhër të realizohet domosdoshmërish nga njerëzit (pasi Allahu i ka lënë të zgjedhin a do binden apo jo). Allahu i Lartësuar urdhëron zbatimin e ligjit të Tij dhe Ai e do këtë, por shumë njerëz nuk e bëjnë këtë -ndaj dhe do dënohen në botën tjetër. Ndërsa Urdhri Ekzistencial vjen për atë që Ai e do dhe për atë që nuk e do, pra ai është i pashmangshëm për një urtësi të lartë hyjnore; për shembull, Shejtani është i krijuar me urdhrin (vullnetin) e Allahut, edhe pse Allahu i Lartësuar nuk e do atë, por ka vendosur që ai të ekzistojë si pasojë e urtësive të shumta.

Nëse ky është një Urdhër Fetar, kuptimi do të ishte: Se Allahu i urdhëroi ata për bindje ndaj Tij, për njësim, për t’i besuar të dërguarit e Tij dhe për t’i ndjekur ata në atë që sollën; mirëpo ata bënë shthurje, dolën nga bindja e Allahut, e kundërshtuan Atë dhe i përgënjeshtruan të dërguarit e Tij, prandaj u bë i merituar kërcënimi dhe u takoi ndëshkimi. Kjo është sikur të thuash: “E urdhërova filanin, por ai më kundërshtoi”.

Kjo thënie është ajo që përkon me atë që vjen para këtij ajeti, që është fjala e të Madhëruarit: “Kush zgjedh rrugën e drejtë, e ka për veten e vet e kush i largohet asaj, i largohet në dëm të vetvetes dhe askush nuk e merr të keqen e tjetërkujt. Ne nuk dënojmë asnjë popull, para se të çojmë të dërguar!” (El-Isra: 15). Gjithashtu, kjo përkon edhe me atë që vjen pas tij, që është fjala e të Lartësuarit: “Sa e sa brezni Ne i kemi shkatërruar pas Nuhut! Mjafton që Zoti yt i di dhe i sheh gjynahet e robërve të Tij.” (El-Isra: 17).

Ndër ajetet që dëshmojnë për këtë mendim është fjala e të Lartësuarit: “Në çdo vendbanim që Ne kemi nisur ndonjë të dërguar, ata që bënin jetë luksoze thoshin: “Me të vërtetë, ne nuk besojmë në mesazhin që keni sjellë!” (Sebe: 34). Shprehja këtu është e përgjithshme për të gjithë të pasurit e të gjitha vendeve: të dërguarit i urdhëruan ata për bindje ndaj Allahut, ndërsa ata u thanë: “Me të vërtetë, ne nuk besojmë në mesazhin që keni sjellë!”, dhe u mburrën me pasuritë dhe fëmijët e tyre.

Rrjedhimisht, “urdhri” në ajet është kundërpozitë e “ndalimit”, ndërsa objekti i urdhrit është i i nënkuptuar për shkak të qartësisë së tij dhe njohjes paraprake. Kuptimi është: Ne i urdhëruam të pasurit e tij për bindje, por ata u shthurën dhe merituan ndëshkimin. Këtë e ka transmetuar Ibn Xheriri nga Ibn Abasi, dhe e ka thënë gjithashtu Seid bin Xhubejri.[2]

Dhe nëse është Urdhër Ekzistencial, kuptimi – sipas asaj që kanë ndjekur disa dijetarë – do të ishte: Urdhri në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Ne i urdhëruam të pasurit e tij” është urdhër i caktuar, ekzistencial. Urdhri ekzistencial është si në fjalën e Tij të Lartësuar: “Vërtet, urdhri i Tij, kur Ai dëshiron diçka, është që t’i thotë asaj “Bëhu!” – dhe ajo bëhet.” (Jasin: 82); dhe fjala e Tij: “Atyre u erdhi urdhri Ynë natën ose ditën” (Junus: 24); si dhe fjala e Tij: “Ne urdhërojmë vetëm një herë dhe vullneti Ynë përmbushet sa çel e mbyll sytë.” (El-Kamer: 50). Sipas kësaj, qëllimi këtu është: ua caktuam shthurjen, dhe i lamë të bënin veprat e turpshme; sepse secilit i është lehtësuar ajo për të cilën është krijuar. Domethënë: Ka paraprirë në dijen e Allahut se këta të pasur – ndonëse Allahu ua ka treguar të dyja rrugët, të mirën dhe të keqen – do të anojnë me vullnetin e tyre drejt ndjekjes së rrugës së shthurjes.[3]

Me këtë sqarim bëhet e qartë mohimi i kontradiktës mes dy ajeteve; pasi urdhri në këtë vend është urdhër ekzistencial, ndërsa urdhri në ajetin e sures El-A’raf është urdhër fetar (sheriatik).

Së treti: Dallimi i komentuesve rreth kuptimit të fjalës “Urdhër” në fjalën e Tij: “Ne i urdhëruam të pasurit e tij”:

Interpretimet e dijetarëve janë të ndryshme rreth kuptimit të fjalës “Urdhër” në këtë ajet, e ndër këto interpretime janë:

“Urdhëruam të pasurit e tij” domethënë: Ne shtuam numrin e të pasurve të tij që të bindeshin, por ata bënë shthurje. Prandaj Ai thotë pas kësaj: “Sa e sa brezni Ne i kemi shkatërruar pas Nuhut!” (El-Isra: 17). E gjithë kjo është nxitje për bindje dhe paralajmërim ndaj kundërshtimit të Tij.[4]

Ajo që dëshmon se “Emër” në gjuhë vjen me kuptimin: u shtua dhe u shfaq, është ajo që transmetohet nga Abdullah bin Mes’udi se ka thënë: “Ne -në kohën e injorancës- i thoshim fshatit kur ata shtoheshin në numër: ‘U shtuan (Amere) bijtë e filanit'”. [5]Prej këtu vjen edhe hadithi i gjatë i Ebu Sufjanit me Herakliun, ku Ebu Sufjani thotë: “U rrit (Amere) çështja e djalit të Ebu Kebshes (Pejgamberit Muhamed); atij po i frikësohet edhe mbreti i Bizantinëve”[6].[7]

“Emmerna mutrefiha” – me teshdid (dyfishim) të shkronjës ‘m’ – që do të thotë: i bëmë ata udhëheqës, kështu që ata devijuan dhe i devijuan popujt e tyre. Ibn Xheriri ka thënë: “Ka mundësi që kuptimi i saj të jetë: i bëmë ata udhëheqës”. Ali bin Talha transmeton nga Ibn Abasi lidhur me fjalën e Tij: “i urdhëruam të pasurit e tij, por ata bënë shthurje”, se ka thënë: “I lëshuam (u dhamë pushtet) të këqijtë e tij, e ata bënë mëkate në të. Kur ata e bënë këtë, Allahu i shkatërroi me ndëshkim”. Kjo përkon me fjalën e Tij: “Kështu, Ne kemi bërë në çdo qytet që keqbërësit më të mëdhenj të ngrenë kurthe. Mirëpo, kurthet ia ngrenë vetëm vetvetes e nuk e ndiejnë.” (El-En’am: 123). Të njëjtën gjë kanë thënë edhe Ebu Alije, Muxhahidi dhe Er-Rebi bin Enes.[8]

Me këtë sqarim, bie poshtë pretendimi për kontradiktë në Kuran lidhur me urdhërimin për shthurje dhe ndalimin prej saj.

 

Përmbledhje:

Allahu nuk urdhëron për shthurje dhe as nuk kënaqet me të. Njerëzit në kohën paraislame e bënin tavafin rreth Qabes të zhveshur dhe thoshin: “I gjetëm prindërit tanë duke e bërë këtë dhe Allahu na ka urdhëruar për këtë”. Atëherë, Allahu ua sqaroi atyre se Ai nuk e do shthurjen dhe as nuk urdhëron për të.

Lloji i urdhrit në fjalën e Tij të Lartësuar: “Ne i urdhëruam të pasurit e tij” mund të jetë:

  • Fetar: Me këtë rast, kuptimi është: Se Allahu i urdhëroi ata për bindje dhe për t’i ndjekur të dërguarit e Tij, por ata refuzuan, kundërshtuan dhe bënë shthurje, ndaj u bë i pashmangshëm ndëshkimi i tyre. Objekti i urdhrit këtu është i nënkuptuar sepse dihet, pasi Allahu i Madhëruar nuk urdhëron për tjetër gjë veçse për bindje.
  • Ekzistencial: Me këtë rast, kuptimi është: Se Allahu i Madhëruar pasi e diti që në amshim se të pasurit e atij vendi do të devijonin, e caktoi për ta shthurjen, kështu që ata bënë shthurje dhe merituan t’u binte ndëshkimi.

Disa komentues janë të mendimit se kuptimi i “Urdhrit” mund të jetë: “Shtuam numrin e të pasurve të tij”, pasi fjala “Emere” përdoret me kuptimin: u shtua dhe u zmadhua; ose: “Emmerna” – me dyfishim të shkronjës ‘m’ – që do të thotë: i bëmë ata udhëheqës, e ata devijuan dhe i devijuan popujt e tyre. Rrjedhimisht, nuk ka asnjë kundërthënie mes dy ajeteve.

 

Referenca: https://bayanelislam.net/Suspicion.aspx?id=01-01-0007&value=&type=

 

_____________________________

[1] Ed-Durr el-Menthur, Es-Sujuti, Dar al-Fikr, Bejrut, bot. 1, 1983 m, vëll. 3, fq. 436, 437.

[2] Adua el-Bejan, Esh-Shenkiti, Biblioteka “Ibn Tejmije”, Kajro, 1992 m, vëll. 3, fq. 441.

[3] Adua el-Bejan, Esh-Shenkiti, Biblioteka “Ibn Tejmije”, Kajro, 1992 m, fq. 441.

[4] Def’u Iuham el-Idtirab an Ajatil-Kitab, Shejh Muhamed el-Amin esh-Shenkiti, Fondacioni i Historisë Arabe, Bejrut, bot. 2, 1420 h / 2000 m, fq. 107, 108.

[5] Transmeton Buhariu në Sahihun e tij, Libri i Tefsirit, kapitulli i sures El-Isra (4434).

[6] Transmeton Buhariu në Sahihun e tij, Libri i Xhihadit dhe Ekspeditave (2782), dhe Muslimi në Sahihun e tij, Libri i Xhihadit dhe Ekspeditave (4707).

[7] El-Bejan fi Def’it-Taarud el-Muteueh-hem bejne Ajatil-Kuran, Dr. Muhamed Abu el-Nur al-Hadidi, fq. 118, 119.

[8] Xhami’ el-Bejan an Te’uil Ajil-Kuran, Muhamed bin Xherir et-Tabari, gjatë tefsirit të ajetit.

0 Shares:
Postime të ngjashme