I Dërguari i Allahut, Muhamedi r edhe pse jetoi mes një populli idhujtar, ai kurrë nuk i adhuroi hyjnitë që arabët u luteshin dhe u dedikonin sakrifica, kjo edhe para se atij t’i vinte shpallja hyjnore dhe të bëhej profeti i fundit i njerëzimit. Megjithatë ka njerëz të paditur ose dashakeqës, që tentojnë t’ia veshin atij këtë veprim, madje duke u bazuar çuditërisht në ajetet e Kuranit!
Disa të krishterë duke iu referuar komentit të Kuranit nga Tabariu, dijetar i njohur i shekullit të IV të hixhretit, citojnë që ai të ketë thënë në komentin e sures el-Mudethir ajeti 5:
والأوثان فأهجر عبادتها واترك خدمتها
Ata e kanë përkthyer këtë tekst me këto fjalë: “Dhe ndalo (stop) së adhuruari idhujt, dhe braktis shërbimin e tyre.”
Pra, sipas tyre me që ky koment thotë “ndalo” atëherë kjo do të thotë se ai e praktikonte adhurimin e tyre!
Përgjigjja ndaj kësaj dileme:
Së pari, ajeti që komentohet këtu është ky, ku Zoti i drejtohet Profetit dhe përmes tij mbarë njerëzve:
يَا أَيُّهَا الْمُدَّثِّرُ (1) قُمْ فَأَنْذِرْ (2) وَرَبَّكَ فَكَبِّرْ (3) وَثِيَابَكَ فَطَهِّرْ (4) وَالرُّجْزَ فَاهْجُرْ (5)
“1. O ti i mbuluar! 2. Ngrihu dhe tërhiqu vërejtjen (njerëzisë)! 3. E madhëroje Zotin
tënd! 4. Rrobat e tua pastroji! 5. Së keqes së ndyrë largoju!”
Fjala e përdorur e përdorur këtu është الرجز (r, xh, s) që në gjuhën e Kuranit vjen me kuptimin e dënimit ose diçkaje të ndotur. Ndaj dhe nisur edhe nga konteksti, por edhe dy lexime që ka kjo fjalë, njëra me “u” dhe tjetra me “i” kjo fjalë është komentuar me dy mënyra, njëra si ndëshkim dhe tjetra si idhuj apo adhurimi i idhujve, sepse adhurimi i tyre është diçka e ndyrë. Dhe Tabariu në komentin e këtij ajeti thotë:
“Kushdo që e lexon me zanoren u (damme) shkronjën r, e orienton atë (kuptimin) drejt idhujve dhe thotë: Kuptimi i fjalës është: Idhujt, bojkoto (fehxhur) adhurimin e tyre dhe lëre shërbimin ndaj tyre. Ndërsa kushdo që e lexon me zanoren i (kesre) shkronjën r, e orienton atë drejt dënimit (ndëshkimit) dhe thotë: Kuptimi i tij është: Prej dënimit largohu, domethënë: Largohu (braktis) nga ato vepra që ta bëjnë të detyrueshëm dënimin.”
Pra Tabariu këtu po komenton kuptimin e ajetit, dhe nuk po bën ndonjë pohim historik për jetën e Profetit r, por po shpjegon kuptimin e fjalës dhe po komenton ajetin e Kuranit. Për Tabariun, ky ajet është një udhëzim hyjnor që përcakton distancën e prerë mes të vërtetës dhe të kotës, jo një dëshmi për të kaluarën e Profetit r.
Së dyti, Në gjuhën arabe (dhe atë shqipe), urdhri nuk presupozon patjetër që personi po e kryen atë veprim. Dhe fjala që përdoret këtu si urdhër ka disa funksione retorike:
- Qëndrueshmëri: Urdhri do të thotë “vazhdo në atë gjendje ku je”. Kur Allahu i thotë Profetit: “O Profet, kije frikë Allahun!” (el-Ahzab: 1), kjo nuk do të thotë se ai nuk e kishte frikë, por “vazhdo të jesh i tillë”.
- Parandalimi dhe Vendosja e Standardit: Urdhri “Braktisi idhujt” në fillim të misionit profetik shërben si një deklaratë parimore (manifest). Është vënia e kufirit të pakalueshëm mes thirrjes së re monoteiste dhe ambientit pagan rrethues.
Së treti, sipas rregull të njohur në komentin e Kuranit kemi se ajetet i drejtohen Profetit, por synimi është për mbarë popullin (umetin). Pra në Kuran gjejmë shpesh ndalime si: “Mos u bëj nga dyshuesit” ose “Mos iu bind jobesimtarëve”. Sipas logjikës polemike, kjo do të thoshte se Profeti r paska qenë dyshues apo u paska bindur mohuesve! Në fakt, këto urdhëresa janë mbyllje të shtigjeve dhe udhëzime normative për çdo besimtar që do të vijë.
Së katërti, nëse kritiku i krishterë përdor këtë logjikë kundër Kuranit, ai duhet ta zbatojë atë edhe mbi Biblën, gjë që do të çonte në përfundime absurde:
- Eksodi 20:3: “Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje.” – Sipas kësaj logjike, Moisiu dhe izraelitët po adhuronin perëndi të tjera në çastin që Zoti po u fliste. Kjo është logjikisht e paqëndrueshme.
- Psalmet 34:15: “Largohu nga e keqja e bëj të mirën, kërko paqen e rend pas saj.” – Fjala “largohu” (në hebraisht sur – që do të thotë të kthesh rrugë, të shmangësh) tregon një drejtim moral. Nëse dikujt i thuhet “largohu nga e keqja”, kjo nuk provon se ai është duke bërë keq, por përcakton rrugën që duhet të ndjekë një njeri i drejtë.
- 1 Korintasve 10:14 Pali u shkruan korintasve: “Prandaj, të dashurit e mi, ikni nga idhujtaria.” Pali i quan ata “të dashur”, pra njerëz që e kanë pranuar besimin. Urdhri për të “ikur” do të thotë të mos krijosh asnjë kontakt me atë praktikë. Është një urdhër për të ruajtur distancën, jo një akuzë se ata janë idhujtarë aktivë.
Shembuj të tillë mund të gjenden plotë, ndaj asnjë i krishterë me mend në kokë nuk do t’i pranonte këto shembuj si prova se ata njerëz ishin duke kryer këto mëkate, sepse ato nënkuptojnë urdhër normativ dhe jo domosdoshmërisht deskriptiv (përshkruan gjendjen e momentit). E njëjta logjikë vlen edhe për Kuranin dhe Tefsirin e Tabariut.
Shembulli i këtij komenti të Kuranit është i ngjashëm me këshillën e një mjeku që i jep një sportisti që nuk ka pirë kurrë duhan apo alkool: “Mos pi duhan!”, apo “Mos konsumo pije alkoolike!”, kjo nuk do të thotë se sportisti po pi duhan në ato çaste, por është një urdhër për të qëndruar larg tij dhe për të mos e filluar kurrë.
Përfundimi
Urdhri “e-ruhxhze fehxhur” është gurthemeli i misionit monoteist. Ai shpall ndarjen nga çdo formë e paganizmit mekas. Profeti r, i njohur historikisht si i vetmuari në shpellën Hira që refuzonte shoqërinë idhujtare të kohës, po udhëzohej ta kthente këtë pastërti individuale në një kauzë publike. Kushdo që e sheh këtë si dëshmi të idhujtarisë së tij, ka dështuar të kuptojë si gramatikën e gjuhës, ashtu edhe natyrën e shpalljes hyjnore.
Stafi: pergjigjet-islame.org