Rreth martesës së Aishes me Profetin a.s – Muhamed Asad (Leopold Weiss)

Pak kohë pas vdekjes së Hadixhes r.a, rreth dy vjet e gjysmë përpara Hixhretit, Profeti (alejhi selam) u martua me Aishen r.a, e cila asokohe ishte midis gjashtë dhe shtatë vjeç. Me atë rast u krye vetëm ceremonia e martesës. Martesa u konsumua në Medinë, rreth tre vjet më vonë; Aishja r.a ishte atëherë midis nëntë dhe dhjetë vjeç. Ekziston njëfarë paqartësie në lidhje me këto data, por dëshmitë e grumbulluara nga transmetimet në të gjitha as-Sihah as-Sittah, të mbështetura edhe nga një numër i madh raportesh nga Ibn Sadi (VIII, 39f), Tabari (II, 257) dhe Ibn Hisham (II, 417), mjaftojnë për të larguar çdo dyshim sa i përket faktit se Aishja r.a u martua zyrtarisht në moshën 6–7 vjeç dhe se ajo erdhi në shtëpinë e Profetit (alejhi selam) kur ishte pak mbi nëntë vjeç.

Faktori më i turbullt në llogaritjen e këtyre datave është zakoni i arabëve për të llogaritur vetëm vitet e plota, pa përmendur muajt. Kësisoj, një periudhë shpesh duket sikur ka qenë më e shkurtër ose më e gjatë sesa ishte në realitet. Një shembull i kësaj llogaritjeje del nga transmetimi ku Aishja r.a thotë se Profeti (alejhi selam) u martua me të kur ajo ishte gjashtë vjeç, se martesa u konsumua kur ajo ishte nëntë vjeç dhe se ajo jetoi me të për nëntë vjet (shih Bkh lv/39–40). Tani, është e vërtetuar se martesa e tyre u konsumua në muajin Sheual të vitit 1 pas Hixhretit (shih Ibn Sa’d, vendi i cituar). Profeti (alejhi selam) vdiq në Rabiul Euel të vitit 11 pas Hixhretit. Pra, Aishja r.a jetoi me të në realitet për nëntë vjet e pesë muaj – dhe jo vetëm nëntë vjet, siç ajo shprehet.

Duket se nisma për martesën e Profetit me Aishen nuk erdhi prej vetë Profetit. Pas vdekjes së Hadixhes r.a, ai ishte aq i trishtuar dhe i dobët shpirtërisht, saqë shokët e tij kishin frikë për jetën e tij (krahaso Ibn Sa’d VIII, 41). Në këtë kohë, një grua myslimane, Haule bint Hakim r.a, e nxiti që të martohej sërish dhe i sugjeroi dy gra – Sauda bint Zum’ah r.a, e cila ishte në moshë mesatare dhe vejushë e një sahabiu, dhe vajzën e re të Ebu Bekrit r.a. Meqë Aishja r.a ishte ende shumë e re, ajo u bë vetëm formalisht gruaja e Profetit (alejhi selam). Sa i përket Saudës r.a, martesa e saj me Profetin (alejhi selam) u lidh pothuajse në të njëjtën kohë dhe u konsumua në Mekë pak para se Profeti (alejhi selam) të emigronte në Medinë (Ibn Sad VIII, 36; krahaso gjithashtu Fet’h el-Bari VII, 79).

Kështu, pas vdekjes së Hadixhes r.a, Profeti (alejhi selam) mbeti pothuajse pa bashkëshorte për rreth dy vjet … Ngjarja e përmendur e Haule bint Hakimit r.a tregon se Profeti (alejhi selam) vetë nuk ishte posaçërisht i prirur të martohej me Aishen r.a ose, në këtë rast, me ndonjë tjetër; kjo hedh poshtë akuzën qesharake të disa orientalistëve evropianë se ai “iu dorëzua hireve të Aishes”. Që nuk qe ky rasti, provohet jo vetëm nga rrethanat e lartpërmendura, por edhe nga një transmetim i cituar nga Ibn Sadi (VIII, 43), i cili na tregon se rreth tre vjet më vonë, kur të gjithë ishin vendosur në Medinë, Ebu Bekri r.a duhej t’i kujtonte Profetit (alejhi selam) që ta merrte nusen në shtëpi – pasi deri në atë kohë Aishja r.a kishte qëndruar në shtëpinë e babait të saj. Sidoqoftë, kjo nënkupton se deri në atë çast Aishja r.a kishte arritur pubertetin dhe se Ebu Bekri r.a ishte në dijeni të kësaj.

Myslimanët modernë, të ndikuar nga konceptet perëndimore mbi martesën dhe marrëdhëniet seksuale në përgjithësi, nganjëherë mbeten të habitur nga fakti se Profeti (alejhi selam) mori për grua një vajzë rreth nëntë ose dhjetë vjeç. Megjithatë, kushdo që ka njëfarë njohurie mbi zhvillimin e shpejtë fizik të grave arabe, e sheh se në kësi martesash nuk ka pothuajse asgjë befasuese. Gjatë qëndrimit tim të gjatë në Arabi, jam ndeshur me një ose dy raste kur një vajzë dymbëdhjetëvjeçare u bë nënë; dhe më kanë treguar, burime mjaft të besueshme, se nganjëherë edhe nëna më të reja se kaq kanë sjellë në jetë fëmijë të gjallë.

Sa i përket Aishes r.a, pjekuria e saj mendore është mjaft e dukshme nga shumë transmetime; dhe është shumë e mundshme që zhvillimi i saj fizik të ketë ecur paralelisht me atë mendor. Sido që të jetë, gjatë viteve të martesës së saj, ajo jo vetëm i dha lumturi bashkëshortit, por edhe vetë ajo, përveç nderit të madh të të qenit bashkëshorte e të Dërguarit të Zotit, gjeti të gjithë lumturinë dhe kënaqësinë që një grua mund të presë nga martesa. Besoj se kjo përbën arsyetimin njerëzor më të fortë në mbështetje të kësaj lidhjeje dhe një përgjigje për ata që mendojnë se duhet të injorojnë provat historike, kur ato bien ndesh me konceptet e tyre të përcaktuara në mënyrë arbitrare dhe krejtësisht subjektive, se çfarë duhet ose nuk duhet të kishte ndodhur.

Shkëputur nga Sahih al-Bukhari: The Early Years of Islam, Translated & Explained by Muhammad Asad, (Gibraltar: Dar al-Andalus, 1981) 198-199

Biografi e shkurtër: Lindur më 1900-1992, në perandorinë Astro-Hungareze, nga një familje hebraike me traditë të gjatë rabinësh. Ai punoi si gazetar, udhëtar, shkrimtar, teoricien politik dhe diplomat. Në 1926 konvertohet në Islam duke adoptuar edhe emrin Muhamed Asad. Autor i një sërë librash dhe artikujsh mes tyre “Rruga për në Mekkë” që përfshin një autobiografi të tij deri në 1932 dhe konvertimin e tij në Islam. “Mesazhi i Kur’anit” një përkthim dhe komentar i Kur’anit në gjuhën angleze, si dhe një përkthim dhe komentim të Sahih Buharit, etj.

0 Shares:
Postime të ngjashme