Pretendimi se sistemi i ndëshkimeve në Islam nuk është në përputhshmëri me krimet bashkëkohore.
Përmbajtja e dyshimit: Disa skeptikë pretendojnë se sistemi i ndëshkimeve në sheriatin islam nuk është në gjendje të përshtatet me risitë në fushën e krimit dhe trajtimin e krimeve të reja bashkëkohore. Ata pretendojnë se sistemi ndëshkimor islam është i prapambetur për të përballuar zhvillimet e krimeve moderne, veçanërisht në zhvillimet e reja që kanë ndodhur me ndryshimin e kohës, si tregtia me substanca të dëmshme dhe të ndaluara, falsifikimi i parave, përhapja e imoralitetit, prishja e moralit të rinisë, krimet e mjekëve, ofrimi i ushqimeve të skaduara për konsum, shkelja e rregullave të trafikut dhe fshehja e dokumenteve që ndihmojnë në vendosjen e drejtësisë në gjyq, etj…
Rrëzimi i këtij dyshimi:
- Krimi në sistemin ndëshkimor islam ndahet në dy lloje:
- Krime me dënime të përcaktuara – Këto janë krimet që kanë dënime të caktuara (hudud), të vendosura nga sheriati islam, ku përfshihen gjithashtu krimet që kërkojnë kisas (ndëshkim i barasvlershëm) ose dijje (shpagimi i vrasjes).
- Krime me dënime të papërcaktuara – Këto janë krime për të cilat nuk ka një dënim specifik në sheriat, por që lihen në kompetencën e gjykatësit, sipas kritereve të përcaktuara më parë.
- Dënimi me ta’zir (ndëshkimi disiplinor) është një mjet fleksibël ndëshkimor, që mbulon të gjitha krimet e llojit të dytë, duke përfshirë edhe krimet e reja që shfaqen me kalimin e kohës.
- Ekzistojnë shumë përpjekje dhe interpretime për të harmonizuar ndryshimet e reja në krim me parimet e sistemit ndëshkimor islam, duke siguruar që ai të jetë i zbatueshëm për çdo kohë dhe rrethanë.
Shtjellimi:
E para: Llojet e krimeve në sistemin ndëshkimor islam:
Ka krime të caktuara me dënime të përcaktuara, të cilat njihen si krimet e hududeve, hakmarrjes (kisasit) dhe shpagimit të vrasjes (dijjes), sikurse ka dhe krime të pacaktuara që përfshijnë zhvillimet e reja në fushën e kriminalitetit, dhe që nuk kanë një dënim të përcaktuar dhe të njohur si ato të mëparshmet, por vlerësimi i dënimit të tyre i lihet gjykatësit ose autoritetit përgjegjës, në atë që quhet sistemi i “ta’zirit” (ndëshkimi disiplinor).
Rreth llojeve të krimeve dhe ndarjeve të tyre në legjislacionin islam, Abdul Kadir Audeh thotë:
“Të gjitha krimet janë të njëjta për faktin se janë vepra të ndaluara për të cilat parashihet ndëshkim, por ato ndryshojnë dhe dallojnë nëse i shikojmë nga një këndvështrim tjetër. Prandaj, ne mund t’i ndajmë krimet në kategori të ndryshme, që dallojnë sipas këndvështrimit me të cilin ato shihen.”
Krimet ndahen, sipas ashpërsisë së ndëshkimit të përcaktuar për to, në tre kategori:
Kategoria e parë: Krimet e hududit (ndëshkimet e përcaktuara): Ato janë krimet për të cilat është caktuar një dënim i përcaktuar. Ḥadi është ndëshkim i paracaktuar që është e drejtë e Allahut të Lartësuar. Kuptimi: “dënim i përcaktuar”, është se ai është i përcaktuar në mënyrë të saktë dhe nuk ka kufi minimal apo maksimal. Ndërsa kuptimi i të qenit “e drejtë e Allahut” është se nuk mund të falet apo të anulohet, as nga individët, as nga shoqëria.
Krimet e ḥududit janë të caktuara dhe të kufizuara në numër, dhe ato janë shtatë: kurvëria (marrëdhëniet seksuale jashtëmartesore), shpifja në nderin e dikujt (akuza e pavërtetë për imoralitet), konsumimi i pijeve alkoolike, vjedhja, banditizmi (sulmet e armatosura dhe plaçkitja e dhunshme), dezertimi (braktisja e fesë islame), kryengritja (kundër autoritetit legjitim mysliman).
Juristët islamë i quajnë këto “ḥudud” pa ia bashkëngjitur fjalën “krime”. Edhe dënimet për to quhen “ḥudud (ndëshkime)”, por ato identifikohen sipas krimit përkatës, kështu thuhet: “ḥadi -ndëshkimi- i vjedhjes”, “ḥadi i pirjes së alkoolit”, që do të thotë: dënimi për vjedhje, dhe dënimi për pirje.
Kategoria e dytë: Krimet e kisasit (hakmarrjes) dhe të dijjes (shpagimit): Ato janë krimet që ndëshkohen me hakmarrje ose shpagim. Të dyja, si hakmarrja ashtu edhe shpagimi, janë ndëshkime të përcaktuara si të drejta të individëve. Kuptimi i të qenit të përcaktuara është se ato kanë një kufi të vetëm, pa kufi minimal apo maksimal mes të cilave luhaten. Kuptimi i të qenit e drejtë i individit është se i dëmtuari ka të drejtë ta falë nëse dëshiron, dhe nëse fal, falja anulon ndëshkimin përkatës.
Krimet e hakmarrjes dhe të shpagimit janë pesë: Vrasja me paramendim, vrasja gati me paramendim, vrasja aksidentale, plagosja e qëllimshme, që nuk të merr jetën, plagosja aksidentale, që nuk të merr jetën.
Kuptimi i “plagosjes e cila nuk të merr jetën” është sulmi që nuk çon në vdekje të personit, si p.sh. plagosja dhe goditja. Juristët islamë zakonisht flasin për këtë kategori nën titullin e “Krimeve”, të ndikuar nga ajo që është bërë zakon në përdorimin e termit “Krime” për këto veprime.
Kategoria e tretë: Krimet e ta’zir-it (disiplinore):
Këto janë krimet që ndëshkohen me një ose më shumë prej dënimeve të disiplinore. Kuptimi i ta’zir-it është: ndëshkim apo disiplinim. Sheriati ka ndjekur parimin që të mos vendos një dënim të përcaktuar për çdo krim disiplinor, por është mjaftuar me përcaktimin e një grupi dënimesh për këto krime, që fillojnë nga më të lehtat dhe përfundojnë te më të rëndat. Sheriati ia ka lënë gjykatësit të zgjedhë dënimin apo dënimet e përshtatshme për çdo krim, sipas rrethanave të veprës penale dhe të kryerësit të saj. Prandaj dënimet për krimet disiplinore nuk janë të përcaktuara saktësisht.
E dyta. Ta’ziri (ndëshkimi disiplinor) si mjet ndëshkues i përshtatshëm:
Krimet me ndëshkim disiplinor nuk janë të përcaktuara, siç është rasti me krimet e hudud-it apo krimet e hakmarrjes dhe shpagimit, dhe nuk është e mundur të përcaktohen në mënyrë përfundimtare. Sheriati ka përmendur disa prej tyre, të cilat konsiderohen krime në çdo kohë, si kamata, tradhtia ndaj gjësë së besuar, sharja, dhe ryshfeti. Ndërsa një pjesë tjetër, më e madhe, i është lënë përcaktimit të autoriteteve shtetërore, por edhe kjo nuk është lënë në dorën e tyre në mënyrë të pakufizuar; përkundrazi, Sheriati ka përcaktuar që ndalimi të bëhet në përputhje me nevojat e shoqërisë, organizimin e saj, mbrojtjen e interesave të saj dhe të rendit publik, dhe që të mos jetë në kundërshtim me tekstet dhe parimet e përgjithshme të Sheriatit.
Synimi i Sheriatit me dhënien e të drejtës së shtetit për të vendosur norma (masa) në këtë lloj të ndëshkimeve, është që t’i mundësojë atyre mbarëvajtjen e shoqërisë, orientimin e saj në drejtimet e duhura, ruajtjen e interesave të përgjithshme të saj dhe mbrojtjen e tyre, si dhe përballimin e rrethanave të jashtëzakonshme.
Dallimi midis krimit që është përcaktuar nga sheriati dhe veprës që e ndalon shteti, është se: ndalesat e vendosura nga sheriati janë përgjithmonë të ndaluara, dhe nuk është e pranueshme që të konsiderohen si vepër e lejuar. Ndërsa ajo që e ndalon sot shteti, mund të konsiderohet e lejuar nesër, nëse këtë e vlerëson interesi i përgjithshëm.[1]
Me këtë hapësirë të gjerë në përcaktimin e krimeve disiplinore dhe në vlerësimin e dënimeve që i takojnë shtetit, realizohet përshtatshmëria e legjislacionit penal islam. Kështu ai është i aftë të përfshijë çdo gjë të re që shfaqet në fushën e krimit, me të gjitha format dhe natyrat e tij të ndryshme. Prandaj, nuk është e drejtë të cilësohet ky sistem ndëshkues islam si i prapambetur përballë zhvillimeve të shpejta të krimit bashkëkohor, apo si e paaftë për të përshtatur dhe rregulluar normat ndëshkuese ndaj tyre.
E treta: Përpjekjet (ixhtihadet) për të rregulluar fenomenet e reja të krimit sipas kritereve të sheriatit:
Për shkak të fleksibilitetit të madh në fushën e ndëshkimeve disiplinore, dhe për shkak të hapësirës së gjerë të kësaj fushe, legjislacionit penal islam i është bërë e mundur të ndjekë çdo zhvillim të ri në fushën e kriminalitetit, kjo fushë është bërë një hapësirë e përshtatshme për ixhtihad (përpjekjet e juristëve të bazuara në tekstet fetare), si dhe një burim krenarie për legjislacionin islam për shkak të aftësisë së tij për t’u përditësuar dhe për t’iu përshtatur kohëve.
Në këtë kontekst, Dr. Muhamed Beltaxhi –Allahu e mëshiroftë– për krimet që ndëshkohen me te’zir (dënim disiplinor) thotë: “Ato janë çdo agresion ndaj një prej pesë qëllimeve madhore të sheriatit,[2] të cilat nuk përfshihen në dy grupet e mëparshme (d.m.th. në ndëshkime dhe hakmarrje/shpagime). Sheriati, siç është sqaruar më parë, ia delegon gjykatësit çështjen e ndëshkimit për këto krime, pa kufizim tjetër, përveç respektimit të parimit të përshtatshmërisë ndërmjet krimit dhe dënimit të caktuar nga gjykatësi për të, duke marrë parasysh gjendjen e kriminelit dhe të gjitha rrethanat që e kanë shoqëruar krimin në çdo çështje që i paraqitet.
Gjithashtu, gjykatësi duhet të ketë parasysh –kur shqyrton çështjet disiplinore – objektivat e sheriatit islam, si dhe parimet e tij të përgjithshme mbi ndalimin (kriminalizimin) dhe filozofinë e ndëshkimeve.”
Fusha e ndëshkimit disiplinor (te’zirit) përfshin mijëra krime dhe shkelje në të gjitha fushat e jetës:
- Ekonomike: siç janë tregtia me kamatë, ryshfeti, monopoli, përfitimi i pasurisë në mënyrë të padrejtë, mashtrimi, tregtimi i materialeve të dëmshme ose të ndaluara, falsifikimi i monedhave, përvetësimi i pasurisë publike, dhe përfitimi i paligjshëm nga postet publike… etj.
- Etike: siç janë përhapja e imoralitetit në shoqëri, lavdërimi i korrupsionit moral, flirtimi me gratë e huaja, shfrytëzimi i tyre për prostitucion, shkatërrimi i moralit të brezit të ri… etj.
- Shëndetësore: si p.sh. krimet e mjekëve dhe të atyre që u është besuar trajtimi shëndetësor i njerëzve, hedhja e mbeturinave në rrugë, prishja dhe ndotja e burimeve ujore, nxjerrja në shitje e ushqimeve të prishura e të dëmshme, qoftë ky mall importi nga jashtë apo prodhim vendas, prodhimi i barnave të falsifikuara dhe falsifikimi i datave të skadencës… etj.
- Familjare: si për shembull mos përmbushja nga kujdestari i familjes i detyrimeve financiare për anëtarët e saj, neglizhenca në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve, puna për t’i prishur ata moralisht… etj.
- Trafiku rrugor: drejtimi i një mjeti të papërshtatshëm për qarkullim, vënia në rrezik i njerëzve në rrugë ndaj aksidenteve, mos respektimi i shpejtësisë së mjetit, shkelja e çdo rregulli që rrezikon jetën e njerëzve… etj.
- Gjyqësore: si padrejtësia e gjykatësit dhe shkelja e qëllimshme e ligjit, dëshmia e rreme, fshehja nga avokatët apo punonjësit gjyqësorë e dokumenteve që ndihmojnë në dhënien e një gjykimi të drejtë… etj.
Përveç këtyre, ka edhe shumë të tjera që përfshijnë të gjitha fushat e jetës në mënyrë të përgjithshme. Autoriteti i shtetit në ndalimin e këtyre çështjeve është autoritet i plotë, i pakufizuar, përveçse nga objektivat e përgjithshme të Sheriatit në realizimin e drejtësisë dhe interesit të përgjithshëm, ashtu siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “Ne i çuam të dërguarit Tanë me prova të qarta dhe bashkë me ta zbritëm Librat (e shenjtë) dhe peshoren (e drejtësisë): që njerëzit të veprojnë drejt.” (el-Hadid: 25)
Pra, çdo gjë që bazohet në drejtësi dhe që përmbush interesat e njerëzve, është në kompetencën e shtetit.
Madje edhe fusha e krimeve të dy kategorive të mëparshme (ndëshkime, hakmarrje/shpagime) mund të zhvendoset në fushën e ta’zirit (ndëshkimit disiplinues) kur ekziston një dyshim i fortë që pengon zbatimin e këtyre ndëshkimeve (të përcaktuara), ndërkohë që ekziston vetë krimi; në këtë rast, dënimi me ndëshkim të përcaktuar bie, por është i domosdoshëm ndëshkimi disiplinor.
Si p.sh.: dikush që fyen apo shan një tjetër me fjalë që nuk arrin kufirin e shpifjes ndaj moralit, ai nuk ndëshkohet me ndëshkimin e shpifjes, por i nënshtrohet ndëshkimit disiplinor. Ose dikush që kapet në një situatë dyshuese me një grua të huaj, por nuk është provuar mbi ta akti i kontaktit seksual (imoralitetit), sipas mënyrës së përcaktuar nga Sheriati. Ose dikush që vjedh një sasi pasurie, për të cilën nuk zbatohet prerja e dorës; edhe ky nuk ndëshkohet me normën e përcaktuar për vjedhje, por i jepet ndëshkim disiplinor.
Po ashtu, kur rrëzohet dënimi me ndëshkim të përcaktuar –për shkak të mungesës së kushteve të përcaktuara nga Sheriati– ndërkohë që është vërtetuar agresioni apo dëmtimi, si në rastet kur nuk mund të zbatohet ndëshkimi për dëmtime që janë më të vogla se vrasja (si plagosje apo dëmtime trupore), atëherë ky akt kriminal i nënshtrohet dënimit me ndëshkim disiplinor.
Kështu pra, ndëshkimi disiplinor është fusha e përtëritshme dhe fleksibile e përcaktimit të veprave penale në shoqërinë islame, dhe ky – siç duket – është një aspekt i madhështisë së Sheriatit Islam, i cili në çdo fushë bashkon mes të pandryshueshmes dhe të evolueshmes. Për shembull, në fushën e politikës dhe qeverisjes, Sheriati e bën të detyrueshme konsultimin (shurán), dhe ky është elementi i pandryshueshëm, i cili nuk mund të ndryshohet; por detajet – se si realizohet ky konsultim në çdo shoqëri – i lihen në dorë dijetarëve dhe shteteve. Kështu, Sheriati pranoi tre mënyra të ndryshme në zgjedhjen e udhëheqësit (kalifit) brenda më pak se njëzet e pesë vitesh. Edhe në fushën e ekonomisë, Sheriati e bën të detyrueshëm drejtësinë dhe ndalon kamatën (riban), mashtrimin, përfitimin e pasurisë së të tjerëve në mënyrë abuzive, monopolin, pasigurinë e tepruar në kontrata (gararin) dhe bixhozin – këto janë gjëra të pandryshueshme – por mënyra e zbatimit të tyre në detaje dhe korniza e përgjithshme i lihet në dorë dijetarëve dhe shtetit në çdo shoqëri.
Po kështu, në çdo fushë, Sheriati bashkon mes të pandryshueshmes – e cila përfaqëson parimet themelore të Islamit, që nuk duhet të kundërshtohen ose të vihen në diskutim, siç thotë Imam Shafi’iu – dhe të ndryshueshmes, duke i dhënë kështu hapësirë zhvillimit dhe ndryshimit – që janë ligj natyror – brenda kornizës së lejuar të përpjekjes juridike (ixhtihad), sipas kushteve dhe rregullave të përcaktuara në Islam.[3]
Llojet e ndëshkimeve disiplinore (ta’zirit) janë të shumta dhe të larmishme, dhe shteti ka të drejtë të zgjedhë në çdo rast ndëshkimin që e sheh më të përshtatshëm për realizimin e qëllimeve të ta’zirit. Këto ndëshkime mund të prekin trupin, mund të kufizojnë liritë, mund të prekin pasurinë, ose mund të jenë edhe ndëshkime të një natyre tjetër. Nga shembujt e ndëshkimeve trupore janë: ndëshkimi disiplinor me vrasje, me fshikullim, me burgim, ose me dëbim. Ka edhe lloje të tjera ndëshkimesh si qortimi verbal apo largimi (bojkotimi), siç i tha i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut qoftë mbi të) Ebu Dherrit (Allahu qoftë i kënaqur me të) kur e fyeu dikë duke i përmendur nënën: “Ti je një njeri që ende ka brenda vetes gjurmë të injorancës.”[4] Gjithashtu edhe largimi, siç është rasti i bojkotimit të gruas rebele ndaj burrit.
Ndër fushat me të cilat sistemi ndëshkimor në Islam përshtatet me zhvillimet e reja të krimit, përmes ndëshkimeve disiplinore (ta’zirit), është fusha e krimeve që dëmtojnë interesin e përgjithshëm. Për këto, autorët e Enciklopedisë së Fikhut thonë: “Ekzistojnë krime që dëmtojnë interesin e përgjithshëm, për të cilat nuk ka ndëshkime të përcaktuara, prandaj për to zbatohet ndëshkimi disiplinor (ta’ziri). Ndër këto krime është edhe spiunimi në favor të armikut dhe kundër myslimanëve, që është i ndaluar, siç thotë Allahu i Lartësuar: “O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah. Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frikë Allahun! Me të vërtetë, Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.” [el-Huxhurat: 12]
Dhe thotë: “O ju që besuat! Mos i bëni për miq armiqtë e Mi dhe armiqtë tuaj, duke u treguar atyre dashuri…” [el-Mumtehine: 1]
Meqenëse për këtë krim nuk është përcaktuar një ndëshkim i veçantë, për të zbatohet ndëshkimi disiplinor (ta’ziri). Dijetarët kanë shpjeguar me hollësi rreth gjykimit të spiunimit, duke e përshkruar atë në përputhje me rastet e sotme, dhe kanë thënë: “Spiunimi merr tre gjykime: i ndaluar (haram), i detyrueshëm (vaxhib), dhe i lejuar (mubah).”
Spiunimi kundër myslimanëve, në parim, është i ndaluar dhe i qortuar, për shkak të fjalës së Allahut të Lartësuar: “…dhe mos spiunoni” [el-Huxhurat: 12]; sepse në të ka gjurmim të të metave dhe mangësive të myslimanëve, si dhe zbulim të gjërave që ata i kanë të panjohura.
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “O ju që keni besuar vetëm me gjuhë dhe ende nuk ka hyrë besimi në zemrat e tyre, mos i përgojoni myslimanët dhe mos i gjurmoni të metat e tyre, sepse kush gjurmon të metat e myslimanëve, Allahu do t’i gjurmojë të metat e tij, dhe kushdo që Allahu ia gjurmon të metat, do ta turpërojë, edhe nëse ndodhet në shtëpinë e tij.” [Ebu Davudi dhe të tjerë.]
Megjithatë, lejohet në luftërat mes myslimanëve dhe jobesimtarëve dërgimi i agjentëve, për të marrë informacione rreth ushtrisë së jobesimtarëve – si numri, pajisjet ushtarake, dhe të ngjashme me këto.
Sa i përket spiunimit kundër myslimanëve gjatë luftës, rregulli është si vijon: Spiuni kundër myslimanëve është ose mysliman, ose nga ithtarët e feve të tjera (dhimi)[5], ose armik. Imam Ebu Jusufi i është përgjigjur pyetjes së Harun er-Rashidit lidhur me gjykimin për spiunët, duke thënë: “O prijës i besimtarëve, më ke pyetur për spiunët që janë prej ithtarëve të librit, -për atyre që paguajnë xhizjen – nga hebrenjtë, të krishterët dhe mexhusët – prituani kokat atyre. Ndërsa nëse janë myslimanë e njihen si të tillë, atëherë ndëshkoni ata ashpër dhe zgjateni burgimin e tyre derisa të shfaqin pendim.”
Nga sa u përmend më sipër, del në pah se spiuni i palës armike – domethënë ai që lufton kundër myslimanëve – lejohet të vritet në çdo rast, sipas mendimit unanim të dijetarëve. Ndërsa për jomyslimanin -që jeton në shtetin islam dhe jep taksën- dhe jomyslimani që ndodhet në shtetin Islam me garanci të posaçme, Ebu Jusufi dhe disa prej dijetarëve malikij dhe hanbelij kanë thënë: ai vritet.
Ndërkaq, te shafiitë, ka disa mendime, ku më e sakta sipas tyre është se: nuk prishet kontrata e qenies së tyre shtetas për shkak të zbulimit të sekreteve të myslimanëve, sepse kjo nuk përbën shkelje të qëllimit të marrëveshjes.
Sa i përket spiunit mysliman, sipas Ebu Jusufit, Muhamedit (nxënës i Ebu Hanifes), dhe disa prej malikive, ai ndëshkohet disiplinarisht (ta’ziri), por nuk vritet. Ndërsa mendimi më i njohuri ndër shafiitë dhe hanbelitë është se ai vritet.
Pra, shihet se ndëshkimet disiplinore (ta’ziri) janë zgjeruar për të mbuluar llojet e ndryshme të mashtrimit, si:
- Ryshfeti: “Ai është krim i ndaluar në Kuran, bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Dëgjues të gënjeshtrës, ngrënës të së ndaluarës (suht)” [el-Maide: 42]. Kjo u është thënë hebrenjve, të cilët përfitonin të ndaluarën përmes ryshfetit. Ryshfeti është gjithashtu i ndaluar edhe në traditën profetike, për shkak të hadithit: “I Dërguari i Allahut e ka mallkuar atë që jep ryshfet dhe atë që e merr”.[6] Dhe meqë ky krim nuk ka një dënim të përcaktuar, ai dënohet me ndëshkim disiplinor (ta’zír).
- Imitimi i monedhave dhe falsifikimi i tyre: Imitimi i monedhave që janë në qarkullim dhe ndihmesa për të shitur valutë të falsifikuar dhe për ta shpërndarë atë është krim për të cilin jepet ndëshkim disiplinor (ta’zír). Në veprën “Udet Erbab el-Fetva” thuhet: “Për personin që prodhon monedha të falsifikuara si dollar, euro ose monedha ari, dhe për atë që i shpërndan dhe i qarkullon këto monedha të falsifikuara: të dyve u jepet ndëshkim disiplinor”.
- Falsifikimi: Për këtë krim jepet ndëshkim disiplinor (ta’zír). Është transmetuar se Ma’n ibn Zijad bëri një unazë me të njëjtin gdhendje si ajo e unazës së Thesarit të Shtetit, dhe me të mori para. Atëherë Umeri – Allahu qoftë i kënaqur me të – e rrahu me njëqind goditje me kamxhik, e futi në burg, pastaj e rrahu sërish me njëqind goditje të tjera, më pas njëqind të treta, dhe në fund e internoi.
Ndër gjërat që e bëjnë të detyrueshëm ndëshkimin disiplinor është edhe falsifikimi i dokumenteve dhe kontratave.
4- Shitja me çmim më të lartë se çmimi i përcaktuar nga autoriteti: Në raste të caktuara mund të jetë e nevojshme vendosja e çmimeve për mallrat e nevojshme. Nëse kjo ndodh, atëherë shitja me çmim më të lartë se ai i caktuar hyn në kategorinë e veprave për të cilat jepet ndëshkim disiplinor (ta’zír). Po ashtu, refuzimi për të shitur kur ekziston nevoja, hyn te veprimet për të cilat kërkohet zbatimi i urdhrit dhe ndëshkimi për moszbatimin e tij. E tillë konsiderohet edhe monopoli, grumbullimi dhe mbajtja e mallrave për të ndikuar në çmim, pasi kjo është vepër e ndaluar, bazuar në hadithin: “Kush monopolizon mallrat (duke i mbajtur për t’i shitur më vonë me çmim më të lartë), është mëkatar.”[7]
5- Mashtrimi në matje dhe peshim: Allahu i Lartësuar thotë: “Peshoni drejtësisht me peshore të saktë, mos ua pakësoni njerëzve gjërat e tyre, mos bëni ngatërresa në Tokë.” (El-Shu’ara, 181-182), ndërsa në hadith: “Kush na mashtron, ai nuk është prej nesh”.[8] Duke u bazuar në këtë, mashtrimi në matje dhe peshim është një mëkat, dhe nuk ka për të një dënim të përcaktuar, por ai kërkon ndëshkim disiplinor (ta’zír).
6- Të dyshuarit: Në disa raste, ndëshkimi disiplinor mund të aplikohet jo për shkak të një vepre të veçantë, por për shkak të rrezikut që ka një person i dyshuar. Disa juristë kanë thënë se duhet të ndëshkohen ata që dyshohet se kanë vjedhur, edhe nëse nuk kanë kryer vjedhje të reja, dhe ata që dyshohet se kanë kryer krime kundër jetës si vrasje, rrahje apo plagosje.[9]
Ajo që p.sh. ka bërë Mbretëria e Arabisë Saudite për të kodifikuar rregullat e ndëshkimeve disiplinore në kohën aktuale është një shembull praktik që tregon fleksibilitetin e sheriatit dhe aftësinë e tij për t’u përshtatur me risitë e krimeve. Kjo tregon gjithashtu, siç thekson Dr. Baltaxhi, se shteti ka përdorur, në përputhje me kërkesat e zhvillimit, disa sisteme ligjore për disa krime të rëndësishme që paraqesin një kërcënim të rëndë për interesat jetike të shoqërisë, përtej kufijve të dënimeve të përcaktuara (hudud) dhe ndëshkimeve të barasvlershme (kisas). Këto sisteme kanë përcaktuar organet gjyqësore që do të shqyrtojnë çdo krim të veçantë, dhe këto organe konsiderohen të përafërta me ato gjyqësoret, pasi funksionojnë në një kuadër administrativ-gjyqësor që bashkon këto dy aspekte. Megjithatë, këto sisteme nuk mbulojnë të gjitha veprimet që kërkojnë ndëshkim disiplinor, prandaj kompetenca kryesore e gjykatave islame mbetet në fuqinë e saj për të trajtuar krimet që nuk janë përfshirë nga këto sisteme.
Për pasojë, fushëveprimi i ndëshkimeve disiplinore është zgjeruar, duke përfshirë krimet ekonomike dhe financiare, krimet e medias dhe të shtypit, dhe keqinformimit publik, së bashku me krime të tjera që paraqesin një shkelje të rregullave të shoqërisë ose që i vënë ato në rrezik. Në këtë kuadër, autoriteti shtetëror i Mbretërisë së Arabisë Saudite ka miratuar disa sisteme ligjore kriminale, ndër të cilat janë: Sistemi i Luftës kundër ryshfetit; Sistemi i Luftës kundër falsifikimit; Sistemi i Luftës kundër mashtrimeve tregtare; Sistemi doganor; Sistemi i valutave dhe letrave me vlerë; Sistemi i ndalimit të tregtisë së drogës dhe ndëshkimet përkatëse; Sistemi i armëve të gjuetisë dhe përdorimi i tyre; Ndalesa e shitjes dhe mbajtjes së armëve; Sistemi i qarkullimit rrugor; Sistemi i Konventës për kundërvajtje të kryera në aeroplanë; Sistemi i gjykimit të ministrave. Shto këtu edhe ligjet e tjera që trajtojnë krimet që janë përmendur në sisteme të tjera jo-kriminale, që përcaktojnë ndëshkimet që duhet të zbatohen kur shkelet njëra prej tyre, siç janë Sistemi rezidencial i të huajve dhe sistemi i shtetësisë… etj.
Gjithashtu, sistemet penale të nxjerra në Mbretërinë e Arabisë Saudite kanë përvetësuar disa rregullime dhe qasje penale qofshin këto tradicionale, moderne dhe bashkëkohore, ndër më të rëndësishmet:
Sistemi i dënimeve që variojnë mes dy kufijve, më të ulëtit dhe më të lartit. Shembull për këtë është ajo që është përcaktuar në sistemin për luftën kundër ryshfetit, ku është parashikuar që ryshfetmarrësi të ndëshkohet me burgim nga 1 deri në 5 vjet, dhe me gjobë nga 5000 deri në 100000 rijal[10], ose me njërin prej këtyre dy dënimeve…
Gjithashtu, në Sistemin Doganor është parashikuar që gjoba për kontrabandën doganore të jetë sa dyfishi i tarifave doganore, së bashku me vlerën e të ardhurave, dhe në rast përsëritjeje kjo gjobë dyfishohet. Në rastin e fundit mund të arrijë deri në katërfishin e saj…
Fikhu islam, në tërësinë e tij, pajtohet se është e drejtë e ligjvënësit dhe gjykatësit që ta çojnë dënimin disiplinor deri në ekzekutim në raste të veçanta. Nga bazat e hanefive është se ajo që nuk ka ndëshkim kapital tek ata, nëse përsëritet, shteti ka të drejtë të jap dënim kapital si ndëshkim disiplinor, që do të thotë se ai ndëshkohet me vdekje për krime që janë rënduar për shkak të përsëritjes së tyre, dhe për të cilat është ligjëruar ndëshkimi kapital. Ndër to është se shteti mund ta vrasë hajdutin nëse kjo vepër përsëritet nga ai.
Po kështu, p.sh. Kodi Penal Egjiptian ka miratuar dënime që arrijnë deri në dënim kapital në disa raste, ndër to: kushdo që kryen me qëllim një veprim që çon në cenimin e pavarësisë së vendit, unitetit të tij apo integritetit të tokës së tij; kushdo që bashkohet në çfarëdo mënyre me forcat e armatosura të një shteti në gjendje lufte me Egjiptin; dhe kushdo që kërkon ndihmë nga një shtet i huaj, ose spiunon për të, apo për këdo që punon në të mirën e tij, duke kryer veprime armiqësore kundër Egjiptit.
Ekziston përligjje bashkëkohore që justifikon rritjen e dënimit disiplinor deri në dënim kapital, sepse shoqëritë – në rrugën e zhvillimit të tyre – ballafaqohen me interesa të reja që kanë nevojë për mbrojtje, ndërkohë që cenimi i këtyre interesave të reja paraqet forma të reja të krimit, për të cilat ligjvënësi nuk ka parashikuar ndonjë ndëshkim të caktuar disiplinor më parë, prandaj i takon shtetit të përcaktojë ndëshkime për këto krime të reja, që janë në përputhje me shkallën e rrezikshmërisë së tyre ndaj këtyre interesave.
Kjo do të thotë se dënimi disiplinor përbën një siguri legjislative, me të cilën shoqëria arrin të mbrojë interesat e saj të reja dhe për të cilat nuk ka pasur ndëshkime të përcaktuara më parë.
Kjo – siç u përmend – është një nga anët e fleksibilitetit të legjislacionit islam dhe përshtatshmërisë së tij për zbatim dhe realizimin e interesave individuale dhe shoqërore në çdo kohë, me zhvillimin e rrethanave, marrëdhënieve dhe krimeve.[11]
Përmbledhje:
Krimet në sistemin ndëshkimor islam ndahen në dy lloje:
Lloji i parë: Krime të caktuara me ndëshkime të përcaktuara.
Lloji i dytë: Krime të pacaktuara me ndëshkime të papërcaktuara. Dënimi disiplinor (ta’ziri) – me ndëshkimet e tij fleksibël, për të cilat referenca është te shteti – është mjeti ndëshkimor legjitim dhe fleksibël, i cili trajton të gjitha krimet e llojit të dytë me të gjitha format e tyre të reja.
Përmes ndëshkimeve disiplinore, janë shtuar përpjekjet për të rregulluar krimet e reja sipas kritereve të sheriatit, dhe kjo fushë veprimi është zgjeruar në atë masë që i ka mundësuar legjislacionit ndëshkimor islam të ecë paralelisht me çdo risi në fushën e kriminalitetit dhe të propozojë dënimin e përshtatshëm për të. Nga shembujt e këtyre përpjekjeve praktike për kodifikimin e dispozitave të dënimit disiplinor në kohën e sotme është ajo që është realizuar në Mbretërinë e Arabisë Saudite, si dhe disa nga përmbajtjet e rregullave të Kodit Penal Egjiptian.
Nga kjo përfundojmë se, ndëshkimet disiplinore përbëjnë një hapësire të fleksibilitetit legjislativ, që është një burim krenarie për legjislacionin islam dhe një garanci ligjore: ligjvënësi islam ka të drejtë të mbrojë interesat e reja të shoqërisë përmes dënimeve që nuk ishin të përcaktuara më parë, të cilat përputhen me rrezikshmërinë e këtyre krimeve.
[1] Teshri Xhinai el Islami Mukaranaten bil Kanun Ue’dhij, Abdul Kadir Aude (1/78), Bejrut 1986.
[2] Të cilat janë: ruajtja e fesë, jetës, mendjes, pasurisë, dhe nderit (familjes).
[3] Xhinajat ue ukubat fil Islam ue hukuk el Insan, Muhamed Baltaxhi: (fq. 59-61), Kajro 2003
[4] Buhariu dhe Muslimi.
[5] Ata që janë nën mbrojtjen e shtetit islam dhe paguajnë xhizjen (lloj takse)– siç janë hebrenjtë, të krishterët etj.
[6] Ahmedi dhe Ebu Daudi, hadithi është i saktë.
[7] Muslimi
[8] Muslimi
[9] Meusuatu el Fikhije, tema: Spiunimi dhe ndëshkimet disiplinore.
[10] Përafërsisht nga: 1350$ deri në 26000$.
[11] Xhinajat ue ukubat fil Islam ue hukuk el Insan, Muhamed Baltaxhi: (fq. 65).