Pohimi se feja i ndrydh ndjenjat dhe shtyp energjitë e njeriut – dhe rrëzimi i kësaj dileme

Dy gjëra që e hedhin poshtë këtë dyshim:

  1. Kuptimi i “ndrydhjes” (kufizimit të ndjenjave) nuk vlen për mësimet e Islamit.
    Shtypja nënkupton që njeriu urren instinktet e tij edhe pse i kryen ato. Ndërkohë Islami nuk i konsideron të neveritshme prirjet natyrore të njeriut, përkundrazi, ai i filtron dhe i orienton ato në mënyrën më të mirë.
  2. Islami i sjell qetësi dhe rehati shpirtit dhe zemrës.          
    Atëherë, ku ka vend për mërzi apo për ndjesinë e përndjekjes nga hija e mëkatit, ndërkohë që kjo fe dhuron falje para se të përmendë dënimin?!

 

Shtjellimi:

E para: Koncepti i ndrydhjes së ndjenjave nuk ka lidhje me mësimet e Islamit:

Islami është fe e mirësisë, mëshirës dhe begatisë. Është më larg se çdo gjë tjetër nga mangësitë dhe defektet që i atribuohen padrejtësisht. Si mund të jetë ndryshe, kur kjo fe është dhuratë nga Zoti i tokës dhe i qiejve për një popull që Ai e zgjodhi duke u sjellë legjislacionin më të mirë, librin dhe profetin më të mirë – paqja qoftë mbi të?!

Padyshim se, fatkeqësitë nga të cilat po vuajnë sot Evropa dhe Amerika e kanë burimin në dëshirën e tyre për t’u çliruar nga kjo “ndrydhje ndjenjash”, prandaj e kanë lënë çështjen e instinkteve të lirë pa kufi. Por, kjo vetëm se ka çuar në përhapjen e sëmundjeve, shthurjen e moralit, humbjen e turpit dhe ndershmërisë, rënien dhe shkatërrimin e brendshëm të strukturës shoqërore, dobësimin e rolit të familjes dhe të ligjit, dhe në fund, humbjen e rolit të fesë. Për pasojë, nuk u mbeti më asnjë kufizim që t’i mbronte nga e keqja në të cilën ranë dhe legalizuan.

Ndoshta një nga dëshmitë më të qarta për këtë është ajo që ka ndodhur në Suedi: atje ekziston liria seksuale në formën më të shfrenuar, individi gëzon të ardhurat më të larta për banor, ka përparim shkencor e qytetërim të avancuar — porse kjo shoqëri ka humbur fenë. Si rezultat, Suedia ka një nga përqindjet më të larta të vetëvrasjeve, çmendurisë dhe depresionit në botë.

Atëherë, pse ndodh kjo? A nuk e kanë hequr prej vetes mantelin e shtypjes së ndenjave? Pse nuk ndodh kjo në vendet myslimane? A nuk janë këto vende me përqindjen më të lartë të kufizimeve?! Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, po sjellim fjalët e Muhamed Kutubit, i cili thotë: “Kuptimi i “shtypjes” (kufizimit të ndjenjave) nuk vlen për mësimet e Islamit. Ato nuk janë kundër ndjenjave natyrore, por i filtrojnë dhe i orientojnë ato në mënyrën më të mirë.”

Përpara se të përmendim diçka rreth ‘ndrydhjes’ së Islamit ndaj aktivitetit jetësor apo moskufizimit të tij, duhet të dimë se ç’është në të vërtetë ‘ndrydhja’; sepse kjo fjalë shpesh keqkuptohet dhe përdoret gabimisht — madje edhe nga vetë të arsimuarit, e jo më nga njerëzit e zakonshëm apo imituesit e verbër.

Ndrydhja nuk është thjesht mosveprimi i një instinkti, siç imagjinon shumëkush. Ndrydhja lind nga neveria ndaj vetë shtysës instinktive. Njeriu nuk e pranon as vetë në ndërgjegjen e tij që kjo shtysë mund të shfaqet në mendjen e tij apo të zërë vend në imagjinatën dhe mendimet e tij. Ndrydhja, në këtë kuptim, është një proces i pavetëdijshëm, dhe përmbushja e veprimit instinktiv nuk është domosdoshmërish zgjidhje për të.

Ai që e kryen një vepër të tillë dhe ndien gjatë saj se po bën diçka të neveritshme, që nuk i shkon për shtat, është një njeri që vuan nga ndrydhja, edhe nëse e përsërit këtë vepër njëzet herë në ditë. Kjo, sepse për çdo herë, do të ndodhë një përplasje në vetëdijen e tij mes asaj që ka bërë dhe asaj që mendon se duhej të kishte bërë.

Ky shtrëngim ndjenjash i vetëdijshëm i pavetëdijshëm është ai që shkakton komplekset psikologjike dhe çrregullimet emocionale.

Ne nuk e sjellim këtë interpretim të fjalës “ndrydhje” nga vetja jonë, por është vetë interpretimi i Frojdit – i cili ia kushtoi gjithë jetën e tij shkencore këtyre kërkimeve dhe sulmeve ndaj fesë, duke e akuzuar se ndrydh aktivitetin njerëzor.

Ai thotë: “Duhet të bëjmë një dallim të qartë mes ndrydhjes së pavetëdijshme dhe thjesht moskryerjes së veprës instinktive, sepse kjo e fundit është vetëm një moskryerje e veprës.”

Tani që e kuptuam se ndrydhja është neveri ndaj shtytjes instinktive, dhe jo thjesht shtyrje e zbatimit të saj për më vonë, le të flasim për qëndrimin e Islamit ndaj kësaj çështjeje.

A ka ndrydhje në Islam?

Nuk ka në fetë dhe sistemet e botës asgjë më të qartë se Islami në pranimin e ndjenjave të natyrshme dhe në filtrimin e tyre në mendim dhe ndjenjë. Allahu thotë në Kuranin Madhështor: “Burrave u është hijeshuar dashuria për gjërat e dëshiruara: për gratë, fëmijët, arin dhe argjendin e grumbulluar, kuajt e bukur, bagëtitë dhe arat e lëruara. Këto janë kënaqësitë e kësaj jete, por shumë më i mirë është kthimi tek Allahu.”
(Ali Imran: 14)

Zoti i Lartësuar i përmbledh në këtë ajet të gjitha dëshirat tokësore dhe i përcakton ato si një realitet i zbukuruar për njerëzit – pa i kundërshtuar ato në vetvete, dhe pa i qortuar ata që i kanë këto dëshira.

Është e vërtetë se Islami nuk u lejon njerëzve të ndjekin këto dëshira deri në atë shkallë sa të bëhen skllevër të tyre, pa pasur më kontroll mbi veten përballë tyre. Jeta nuk mund të funksionojë në këtë mënyrë, dhe njerëzimi nuk mund të realizojë natyrën e tij që synon zhvillim të vazhdueshëm drejt ngritjes, nëse mbetet i varur pas kënaqësive, duke i shteruar me to të gjitha energjitë, dhe duke u mësuar me rënien në nivelet e ulëta të instinkteve shtazore.

Po, Islami nuk u lejon njerëzve të bien në nivelin e botës shtazore, por ka një dallim të madh mes kësaj dhe asaj që quhet ndrydhje e pavetëdijshme, në kuptimin e neverisë ndaj vetë këtyre dëshirave dhe përpjekjes për t’u privuar nga ndjesia e tyre me qëllim të pastrimit dhe ngritjes shpirtërore.

Metoda e Islamit në trajtimin e ndenjave njerëzore është njohja e tyre në parim, dhe mosndrydhja e tyre në të pavetëdijshmen, pastaj lejimi praktik i tyre brenda kufijve që ofrojnë një masë të arsyeshme kënaqësie dhe parandalojnë dëmtimin, qoftë për individin apo për shoqërinë.

Dëmi që i ndodh individit nga zhytja e tepruar në epshe është shterimi i energjisë së tij jetësore përpara afatit të saj natyror, dhe robërimi i tij nga këto dëshira, në atë mënyrë që ato bëhen shqetësimi i tij i përhershëm dhe brenga e tij e vazhdueshme, duke u shndërruar pas një kohe në një vuajtje të përhershme, në uri të vazhdueshme që nuk ngopet kurrë dhe nuk gjen qetësi.

Ndërsa dëmi që i ndodh shoqërisë është shterimi i energjisë jetësore që Zoti e ka krijuar për synime të ndryshme, duke e përqendruar atë në një qëllim të vetëm dhe afatshkurtër, duke neglizhuar synimet e tjera që meritojnë të përmbushen. Për më tepër, kjo sjell shkatërrimin e strukturës së familjes, zhbërjen e lidhjeve shoqërore dhe shndërrimin e saj në grupe të shpërndara që nuk i bashkon asnjë lidhje apo qëllim i përbashkët: “Ata nuk do të luftojnë kundër jush së bashku, veçse në vende të fortifikuara ose pas mureve. Lufta ndërmjet tyre është e ashpër. Ti mendon se ata janë të bashkuar, mirëpo zemrat e tyre janë të përçara, sepse ata janë njerëz që nuk kuptojnë.” (el-Hashr: 14), gjë që e bën më të lehtë për të tjerët pushtimin dhe shkatërrimin e tyre.

Kontrolli i dëshirave nuk është ndrydhje apo shtypje e tyre, por është orientim i tyre nën dritën e mësimeve të sheriatit fisnik:

Brenda këtyre kufijve – që parandalojnë dëmin – Islami lejon shijimin e të mirave të jetës, madje e nxit hapur atë, duke thënë në mënyrë qortuese: “Thuaj: Thuaj: “Kush i ka penguar stolitë dhe ushqimet e këndshme, të cilat Ai i ka krijuar për robërit e Vet?” (el-A’raf: 32), dhe thotë: “…duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë” (el-Kasas: 77), dhe thotë: “Hani ushqimet e mira që jua kemi dhënë!” Ata nuk na dëmtuan Ne, por i bënë dëm vetvetes.” (el-A’raf: 160).

Madje Islami shkon deri aty sa të jetë jashtëzakonisht i qartë në pranimin e ndjenjës seksuale në veçanti – që është edhe thelbi i diskutimit mbi ndrydhjen në fe – sa që i Dërguari fisnik ﷺ ka thënë: “Më janë bërë të dashura nga kjo botë gratë dhe era e mirë, dhe kënaqësia e syve të mi është vendosur në namaz.”[1] Kjo tregon se ndjenja seksuale ngrihet në nivelin e aromës më të këndshme në tokë, dhe shoqërohet me namazin – që është akti më i lartë i afrimit me Allahun.

Gjithashtu, ai ﷺ ka thënë me qartësi të plotë: “Në marrëdhënien intime të ndonjërit prej jush ka sadaka (shpërblim).” Muslimanët të habitur thanë: O i Dërguar i Allahut, a mundet që dikush të kënaqë epshin e tij dhe të ketë shpërblim për këtë? Ai ﷺ u përgjigj: “A nuk do të binte mëkat nëse do ta vendoste në të ndaluarën? Po kështu, nëse e vendos në të lejuarën, ka shpërblim.”[2]

Dhe pikërisht nga kjo, kurrsesi nuk lind ndrydhje nën hijen e Islamit. Nëse të rinjtë ndiejnë dëshirë të fuqishme seksuale, kjo nuk është aspak e keqe; nuk ka arsye për t’u neveritur nga kjo ndjenjë. Ajo që kërkon Islami prej këtij të riu është vetëm ta kontrollojë këtë dëshirë, e jo ta ndrydhë. Ta kontrollojë me vetëdije dhe me vullnet, e jo në pavetëdije; domethënë: ta shtyjë realizimin e saj deri në kohën e duhur. E siç ka pranuar vetë Frojdi, “shtyrja e zbatimit nuk është ndrydhje”. Ajo nuk shkakton asnjë lodhje nervore siç shkakton ndrydhja, dhe nuk çon në komplekse apo çrregullime psikike si ajo.

Kjo thirrje për kontrollimin e dëshirave nuk është ndonjë privim me të cilin Islami ka për qëllim t’ua mohojë njerëzve kënaqësitë, sepse vetë historia — si në Islam, ashtu edhe jashtë tij — dëshmon se nuk ka pasur asnjë popull që ka mundur të ruajë ekzistencën e vet, ndërkohë që ishte i paaftë të kontrollonte dëshirat e tij dhe të përmbahej me vullnet të lirë nga disa kënaqësi të lejuara.

Po ashtu, historia dëshmon se asnjë komb nuk ka qëndruar në përballjen ndërkombëtare, përveçse kur njerëzit e tij kanë qenë të trajnuar për të përballuar vështirësitë, të aftë të shtyjnë apo të pezullojnë kënaqësitë e tyre – kur ta kërkojë nevoja – për orë, ditë apo vite. Dhe prej këtej vjen edhe kuptimi i fjalës agjërim në Islam.

Ndërsa ata që sot janë çliruar nga normat etike – e që e quajnë veten progresistë – e që mendojnë se kanë zbuluar një të vërtetë të madhe kur thonë: “Ç’është ky absurditet që thërret në torturimin e trupit me uri dhe etje, dhe për privimin e shpirtit nga ajo që dëshiron prej ushqimit, pijeve dhe kënaqësive… në emër të asgjësë dhe për bindje ndaj urdhrave arbitrare, pa urtësi e pa qëllim?!”

Por çfarë është njeriu pa norma? Si mund të vazhdojë të jetë njeri, nëse nuk është në gjendje të përmbahet për disa orë nga ajo që dëshiron? Dhe si mund të përballojë luftën kundër së keqes në tokë, ndërkohë që kjo përpjekje i kërkon të privojë veten nga shumë gjëra?

A mund të qëndronin komunistët –propaganduesit e të cilëve tallen në Lindjen Islame me agjërimin dhe me norma të tjera që stërvitin shpirtin – ashtu siç qëndruan në Stalingrad, nëse nuk do të ishin stërvitur për të përballuar vështirësi të ashpra që lodhin trupin e shpirtin? Apo janë prej atyre që “e shpallin të lejuar një vit dhe të ndaluar një vit tjetër” (Teube: 37)? E shpallin të lejuar kur urdhrin e jep shteti – sepse është një autoritet i dukshëm që zotëron ndëshkimin e menjëhershëm – dhe e shpallin të ndaluar – të njëjtën gjë – kur urdhrin e jep Allahu, Krijuesi i shteteve dhe i krijesave?

E çfarë ka në Islam nga adhurimet, përveç agjërimit dhe namazit? Sa kohë marrin ato nga jeta e myslimanit të devotshëm? A vallë marrin më shumë kohë gjatë gjithë javës sesa një vizitë e vetme e dikujt në kinema çdo javë? Dhe a heq dorë njeriu nga kjo mundësi e vlefshme për t’u lidhur me Allahun, për të marrë ndihmën e Tij dhe për të gjetur qetësi te Ai – përveçse nëse në zemrën e tij ka sëmundje dhe në shpirtin e tij ka devijim?

E dyta. Islami gjithmonë sjell qetësi dhe lumturi në zemra, dhe dera e pendimit është gjithmonë e hapur – nuk ka në të as trishtim dhe as ndjekje nga hija e mëkatit.

Mëkati në Islam nuk është një përbindësh që ndjek njerëzit, as një errësirë e përhershme që nuk largohet. Në Islam nuk ekziston ajo që quhet “mëkati i madh i Adamit”; nuk është një shpatë e varur mbi kokën e njerëzimit dhe nuk ka nevojë për ndonjë thirrje të posaçme apo pastrim të veçantë. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ademi mësoi disa fjalë (se si të kërkonte falje) nga Zoti i tij, kështu që Ai ia pranoi pendimin. Sigurisht, Ai i pranon shumë pendimet, Ai është Mëshirëploti.” (Bekare: 37) Kaq thjesht dhe pa ndonjë procedurë të ndërlikuar.

Bijtë e Ademit, ashtu si edhe vetë Ademi (alejhi selam), nuk janë jashtë mëshirës së Allahut kur gabojnë, sepse Allahu e njeh natyrën e tyre dhe nuk i ngarkon ata me më shumë sesa mund të përballojnë, e nuk i merr në llogari veçse brenda kufijve të mundësive të tyre. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka.” (El-Bekare: 286) Ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Çdo bir i Ademit është mëkatar, por më të mirët nga mëkatarët janë ata që pendohen.”[3]

Në Kuran ka shumë ajete në që flasin për mëshirën, faljen dhe pendimin e robërve, por ne do të zgjedhim këto ajete për thellësinë e mesazhit të tyre mbi mëshirën e gjerë të Allahut, e cila mbulon çdo gjë. Allahu i Lartësuar thotë: Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit, të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit. Për ata që, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre – e kush i fal gjynahet përveç Allahut? – dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë, pra, për këta do të ketë si shpërblim falje madhështore (të gjynaheve) nga ana e Zotit të tyre dhe kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe ku do të qëndrojnë përherë. Sa shpërblim i bukur është ky për ata që punojnë (vepra të mira)! (Al Imran: 133-136)

Sa e madhe është mëshira e Allahut për robërit e Tij! A ka pas kësaj ndonjë dyshim për faljen dhe mëshirën e Allahut? Ku është ndjekja që ndëshkimi u bën zemrave të njerëzve, kur Allahu i mirëpret me këtë dashuri dhe pranim përmes një fjale të vetme të sinqertë që ata thonë: Pendohemi?

Dhe për të theksuar më tej këtë kuptim të qartë, po përmendim këtë hadith të Profetit ﷺ, ku ai ka thënë: “Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, sikur të mos mëkatonit, Allahu do t’ju largonte dhe do të sillte një popull tjetër që do të mëkatonin, pastaj do t’i kërkonin falje Allahut dhe Ai do t’iu falte.”[4]

Kjo pra, është një dëshirë e vazhdueshme e Allahut që të falë njerëzit dhe t’i ndjejë për të këqijat e tyre, ashtu siç thotë i Lartësuari: “Përse t’ju ndëshkojë Allahu, nëse ju e falënderoni dhe e besoni?! Allahu është Mirënjohës dhe i Gjithëdijshëm.” (En-Nisa: 147)

Po, përse duhet t’i ndëshkojë Allahu njerëzit, ndërkohë që Ai dëshiron t’i japë atyre mëshirë dhe falje?![5]

 

Përmbledhje:

Ndrydhja e dëshirave, nuk është mospërmbushja e dëshirës instinktive, por është neveria ndaj shtysës instinktive. Ky përkufizim nuk përputhet me mësimet e Islamit. Islami i pranon dëshirat natyrore, por i filtron ato në mendje dhe në ndjenja, sepse lejon realizimin praktik të tyre brenda kufijve që sigurojnë një përfitim të arsyeshëm dhe mbrojtur nga dëmet, si për individin, ashtu edhe për shoqërinë.

Islami e lejon shijimin e të mirave të kësaj jete, madje edhe nxit drejt tyre, dhe arrin deri aty sa ta pranojë hapur ndjesinë seksuale, siç ka thënë i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të): “Mua më janë bërë të dashura nga kjo botë gratë dhe parfumi, dhe kënaqësia e syve të mi është vendosur në namaz.”[6]

Por e gjitha kjo mbetet brenda normës: “Dëmi është i ndaluar, si ndaj vetes, edhe ndaj të tjerëve.”

Islami sjell qetësi në shpirtra, lumturi në zemra dhe rehati në kraharorë, sepse gjithmonë dera e pendimit dhe e faljes është e hapur, prandaj në të nuk ka trazim, as ndjekje nga hija e mëkatit.

 

 

___________________________

[1] Transmeton Imam Ahmedi dhe AbduRrezaku. Hadithi është i mirë sipas vlerësimit të imam Albanit.

[2] Muslimi

[3] Ibn Ebi Shejbe dhe Ibn Maxhah. Hadithi është i mirë sipas vlerësimit të imam Albanit.

[4] Muslimi

[5] Shubuhat Haulel Islam, Muhamed Kutub: (fq. 171), Kajro 2001.

[6] Transmeton Imam Ahmedi dhe Abdurrazaku. Hadithi është i mirë sipas vlerësimit të imam Albanit.

0 Shares:
Postime të ngjashme
Lexo më shumë

Xhihadi dhe liria e besimit

Përmbajtja e dilemës: Ka njerëz që pretendojnë se ekziston kontradiktë mes urdhërimit të Islamit për xhihad dhe shpalljes…