Përmbajtja e dyshimit:
Disa dashakeqës mendojnë se ka kundërthënie ndërmjet ajeteve që flasin për formën e Tokës. Këto ajete janë: fjala e Allahut: “Allahu e bëri Tokën shtrojë për ju, që të ecni nëpër rrugët e saj të gjera.” (Nuh: 19-20), dhe fjala e Tij: “Ndërsa Tokën e kemi shtruar dhe në të kemi shpërndarë male të palëvizshme dhe kemi bërë, që nga ajo, të mbijnë gjithfarëlloj bimësh të bukura” (Kaf: 7), dhe fjala e Tij: “dhe Tokën se si është shtruar?” (el-Gashije: 20), dhe fjala e Tij: “E pastaj tokën e shtriu. Nxori prej saj ujin dhe kullotat e saj” (en-Naziat: 30-31).
Ata pyesin: Si mund të ketë kaq shumë përshkrime të ndryshme për Tokën në Kuran? A është e shtrirë, e sheshtë, e rrafshët, apo në formë sferike? Ata që ngrenë këtë dilemë, thonë se kjo është një pasaktësi shkencore, duke pretenduar se Kurani është vepër njerëzore, përderisa ka në të tilla pasaktësi!
Rrëzimi i këtij dyshimi:
- Faktet empirike pranojnë ekzistencën e të gjitha këtyre përshkrimeve për Tokën, dhe nuk bien në kundërshtim aspak me faktin se toka është sferike dhe paksa e shtypur në pole (formë vezake).
- Qasja nga këndvështrime të ndryshme pamore jep ndryshime të pamjes, por nuk ndryshon formën tërësore të tokës.
Sqarim i hollësishëm:
Së pari: Faktet shkencore i pohojnë të gjitha këto përshkrime, dhe të gjitha kanë të njëjtin kuptim:
Kush vëzhgon me kujdes ajetet e bekuara që flasin për shtrirjen, shtrimin, rrafshimin dhe sheshimin e tokës, do të vër re se të gjitha këto nuk mohojnë qenien e saj sferike (rrumbullakësinë e saj). Ibn Hazmi (v. 456 h.1064 e.s.) /ka thënë: “Asnjë nga imamët e muslimanëve, që e meritojnë titullin e imamit për shkak të dijes së tyre – Allahu qoftë i kënaqur me ta – nuk e ka mohuar kurrë rrumbullakësinë e tokës. Nuk është trashëguar prej askujt prej tyre as edhe një fjalë e vetme që ta kundërshtojë këtë. Madje provat nga Kurani dhe Suneti e vërtetojnë qartë formën e rrumbullakët të tokës.”[1]
Kështu Ibn Tejmije (v. 728 h./1328 e.s.) citon në Mexhmu el-Fetaua (25/195) nga Imam Ebu’l-Husejn Ahmed ibn Xha’fer ibn el-Menadi (v.336h./947 e.s), të cilin e përshkruan si një nga dijetarët e shquar dhe të njohur për njohjen e transmetimeve (atharëve) dhe për autorësinë e veprave të mëdha në fushat e shkencave fetare, nga brezi i dytë i nxënësve të Imam Ahmedit, se ka thënë për tokën: “Po ashtu, ata janë në konsensus se toka, me të gjitha lëvizjet e saj, në tokë dhe det, është si një sferë. Dëshmi për këtë është fakti se dielli, hëna dhe yjet nuk lindin dhe nuk perëndojnë për të gjithë njerëzit që gjenden në anët e ndryshme të tokës në të njëjtën kohë, por në lindje para perëndimit.”
Allahu i Lartësuar thotë: “Ai e mbështjell natën mbi ditën dhe e mbështjell ditën mbi natën.” (Zumer: 5)
Ky është një pohim i qartë ku thuhet se ato mbështjellin njëra-tjetrën, dhe fjala “mbështjell” (jukeuir) përdoret në origjinë për veprimin e mbështjelljes së çallmës rreth kokës, pra rrotullim rreth diçkaje – dhe kjo është një tekst i qartë që dëshmon për rrumbullakësinë e tokës.[2]
Këtë e pohon edhe Shenkiti në komentin e tij të Kuranit “Edva’ul-Bejan”, ku thotë: “Pyetja që lind vetvetiu është: Pse teksti kuranor ka përdorur fjalën “jukeuir” mbështjell?
Përgjigjja: Nëse merr diçka dhe e mbështjell rreth një sfere, thuhet se ti e ke “mbështjellë” atë copë pëlhurë, domethënë: ia ke dhënë formën e sferës që e ke mbështjellë me të. Pra kuptimi i fjalës së Allahut të Lartësuar “jukeuir” është: bën që nata dhe dita të rrotullohen rreth tokës. Dhe nga mrekullitë e Kuranit është fakti se nata dhe dita mbështillen (të rrotulluara) rreth tokës në çdo moment.
Fjalët “shtrirje” (المد), “shtrimin” (البسط), “rrafshim” (السطح) dhe “sheshimin i rrumbullakët” (الدحو) nuk dalin nga ky kuptim, përkundrazi, ato sillen rreth tij. Fjala e Allahut të Lartësuar: “dhe Tokën se si është shtruar?” (el-Gashije: 20) është një ajet i qartë dhe i saktë, sepse kuptimi i tyre sëbashku me konsensusin e komentuesve të Kuranit, mbi formën e rrumbullakët të tokës, tregojnë se ajo duket e rrafshët – pra, nga këndvështrimi i syrit të njeriut, kur ai sheh përpara në drejtim të horizontit. Dhe kjo tregon në të njëjtën kohë përmasat e madhësisë së saj, sepse një trup sferik, kur arrin një madhësi tepër të madhe, sipërfaqja e tij nga një pikë reference e caktuar vizuale duket e rrafshët. (Pra e lëmuar në sipërfaqen e saj).
Sa i përket fjalës së Allahut të Lartësuar:“E pastaj tokën e shtriu.” (en-Nazi’at: 30), komentuesit e Kuranit kanë pasur mendime të ndryshme mbi kuptimin e fjalës dehaha (دحاها).
Por, pas shqyrtimit të fjalëve të komentuesve, gjejmë se ata janë në përgjithësi të një mendje që deha do të thotë: e përgatiti dhe e bëri tokën të përshtatshme për jetë, duke përmendur kushtet e vendosjes së qëndrueshmërisë për jetesë mbi të, si daljen e ujit, barërat, dhe vendosjen e maleve. Kjo është në përputhje me ajetet e Kuranit ku thuhet: “A nuk jua kemi bërë Tokën si shtrat” (en-Nebe: 6).
Nëse vështrojmë në fjalorët e gjuhës arabe, të gjithë ata përcaktojnë se “dahu” (الدحو) do të thotë: shtrirje, hedhje, heqje, dhe përgatitje. Shtrirja, përgatitja dhe hedhja e gurit të rrumbullakët në një gropë të vogël kanë kuptime të ngjashme, dhe të gjitha interpretojnë fjalën “daha” me kuptimin e shtrirjes dhe përgatitjes së tokës.
Çdo objekt që ka gjatësi dhe gjerësi ka shtrirje, dhe gjëja e vetme që nuk ka gjerësi shtrirje është drejtëza, në kuptimin e saj gjeometrik. Kjo do të thotë se kur Kurani përshkruan tokën me fjalën “shtrirje” si në ajetin: “Ndërsa Tokën e kemi shtruar” (Kaf: 7), ai nënkupton shtrirjen totale, që do të thotë një shtrirje pa kufi nga çdo drejtim që shkon mbi tokë. Nëse udhëton drejt perëndimit deri në skajin më të largët, nuk do të arrish një kufi tokësor; njësoj edhe nëse udhëton drejt lindjes, veriut apo jugut. Por çfarë do të thotë kjo?Krye e formularitFundi i formularit
Toka ka një lakim të vazhdueshëm pa fund dhe pa kufi, dhe kjo do të thotë se ky lakim i vazhdueshëm mbyllet në një rreth ku takohen skajet. Kjo ishte mënyra e shprehjes në Kuran, për t’i ndriçuar dhe mësuar të paditurit se toka nuk është një objekt qiellor me skaje, por është e rrumbullakët, dhe gjërat e rrumbullakëta nuk kanë skaje.[3]
Së dyti: Shumëllojshmëria e formave vjen nga ndryshimi i këndit të shikimit, jo nga ndryshimi i realitetit.
Nëse dijetarët e Islamit e pranojnë rrumbullakësinë e tokës, atëherë çfarë thonë për fjalët e Allahut të Lartësuar: “Vallë, a nuk i shohin devetë, se si janë krijuar?! Po qiellin, se si është ngritur?! Po malet, se si janë vënë të patundur?! Po Tokën, se si është shtrirë?!” (el-Gashije: 17-20).
Përgjigjja e tyre është e ngjashme si për fjalën e Allahut: “Vazhdoi rrugën, derisa arriti atje ku perëndonte dielli. Ai pa se dielli perëndonte në një burim të zi dhe atje gjeti një popull.” (el-Kehf: 86), që do të thotë nga këndvështrimi i syrit; sepse dielli perëndon për një popull, ndërsa vazhdon të jetë në horizont për një popull tjetër, deri sa shfaqet në lindje të ditës tjetër. Edhe shtrirja dhe rrafshimi i tokës është perceptim që merret nga shikimi për çdo rajon dhe pjesë të saj, për shkak të gjerësisë dhe përmasave të saj të mëdha. Kjo nuk bie ndesh me formën tërësore të saj, pasi edhe një mal i lartë, kur ngjitemi në majën e tij, mund të duket si një sipërfaqe e sheshtë dhe e rrafshët.[4]
Së treti: Nëse shohim kontekstin e të gjitha ajeteve ku flitet për tokën e shtrirë, si shtrat, e të sheshuar, do të vëmë re se në të gjitha këto raste Allahu flet për mirësinë që u ka dhuruar njerëzve, që i ka vendosur në një terren të lehtë e të sheshtë, pra të lëmuar për të jetuar dhe përfituar nga të mirat e tij. Nëse e sheh tokën nga hapësira ajo duket tejet e lëmuar, pra e sheshuar dhe nuk sheh në të as malet madje, edhe pse ata janë të shumtë. Por nëse nisemi nga përmasat e tyre krahasimisht të vegjël me sipërfaqen e saj të madhe, malet nuk e prishin sheshtësinë apo lëmimin e saj. Ndërkohë nëse shohim nga hapësira planetin më të afërt me ne, që është hëna, do të vëmë re në të kratere dhe ulje ngritje shumë herë më të mëdha sesa të tokës, aq sa ato lënë shenja që duken që larg në hapësirë. Pra se terreni i hënës as që krahasohet me sheshtësinë, pra lëmimin e sipërfaqes që ka toka. Nëse toka do të zvogëlohej në përmasat e një topi me perimetër 40 centimetra, mali më i lartë në të do të “ngrihej” vetëm rreth 0,09 mm mbi sipërfaqen e këtij topi. Pra praktikisht i padukshëm nga syri njeriut. Kështu që toka edhe pse është sferike në tërësinë e saj, ajo është e sheshtë në sipërfaqen e saj, dhe Allahu kur e përmend atë në Kuran me këto veçori, flet pikërisht për këtë apekt të saj, si mirësi që Ai i ka dhuruar njerëzve që jetojnë në të.
Së fundmi, këtu mund të përmendim edhe një përgjigje karshi atyre besimtarëve që besojnë se toka nuk është sferike. Mendësia për të kundërshtuar çdo gjë që vjen nga jobesimtarët, duke paragjykuar se është e pasaktë, pa e verifikuar më parë atë dhe argumentet që jepen, është një tendencë e gabuar e shfaqur edhe më herët. Ibn Kajimi në Miftah Dar es-Sa‘adeh (2/212) duke kritikuar këtë mendësi te disa prej kelamistëve thotë:
“Grupi i dytë e pa të udhës që si reagim ndaj këtyre (filozofëve apo natyralistëve) t’i kundërshtojë ata në gjithçka që thanë, qoftë në të drejtën apo në të kotën. Ata menduan se besimi tek profetët e Zotit kërkon domosdoshmërish mohimin e asaj që këta (filozofët) e kanë mësuar përmes arsyes aksiomatike (darurij), ku premisat e saj i kanë përftuar përmes shqisave. Prandaj iu kundërvunë atyre në këto çështje dhe u përpoqën t’i hedhin poshtë ato me premisa dialektike (xhedelije), që nuk vlejnë asgjë para së vërtetës. Ah sikur këtij gabimi të madh të mos i kishin bashkëngjitur edhe pretendimin se këto gjëra i kanë sjellë profetët, duke thënë madje se profetët kanë thënë pikërisht të njëjtën gjë që ata thonë! Dhe kjo bëri që këta jobesimtarë të kenë mendim të keq ndaj profetëve, duke menduar se ata vetë janë më të ditur dhe më të informuar se profetët… Dhe ajo që ua dha dorën këtyre (të pafeve) kundër tyre (grupit të dytë), ishte mohimi i së vërtetës së tyre nga ky grup, dhe kokëfortësia e tyre përballë tyre, në atë që nuk mund të mohohet dhe që dihet në mënyrë aksiomatike, si për shembull kokëfortësia e tyre përballë faktit se sferat qiellore janë të rrumbullakëta në formë, dhe po kështu është edhe toka.”
Duket sikur historia edhe në këtë rast përsërit vetveten, tek sheh mes muslimanëve të atillë që për inat të ateistëve mohojnë rrumbullakësinë e tokës, duke ia veshur këtë ide madje edhe vetë fjalës së Zotit, Kuranit, dhe keqkuptuar e nxjerrë nga konteksti i kuptimit të saktë ajetet e tij.
Përmbledhje:
Nuk ka asnjë kundërshti mes ajeteve që tregojnë për shtrirjen, zgjerimin dhe rrafshimin e tokës; të gjitha këto ajete pohojnë dhe nuk mohojnë rrumbullakësinë e tokës. Këto përshkrime tregojnë të njëjtin kuptim, por ndryshojnë në varësi të këndvështrimit të shikuesit. Ndryshimi në shikim çon në ndryshim të pamjes së përshkruar, jo në ndryshim të formës tërësore të tokës. Rrumbullakësia e tokës është një e vërtetë e padiskutueshme, dhe ajetet e Kuranit e mbështesin këtë fakt.
_________________
[1] Fasl fil Mileli ve Nahl, Ibn Hazm Dhahiri, (2/78), Kajro.
[2] Mexhele I’xhaz Ilmi, (nr: 24, fq, 36-37).
[3] Advaul Bejan. Muhamed Emin Shenkiti: (6/675), Kajro 1992.
[4] Advaul Bejan. Muhamed Emin Shenkiti: (fq, 33-34).