Ligji islam – Rendi i së vërtetës hyjnore në botën njerëzore
Ligji islam (Sheriati) ndërtohet mbi themele të patundura që burojnë nga burimet më të larta të njohjes dhe të drejtësisë: Fjala e Zotit dhe udhëzimi profetik. Sheriati nuk është thjesht një sistem juridik me rregulla e ndalime, por është reflektim i vullnetit hyjnor në jetën e njeriut. Ai është shprehje e përkryer e drejtësisë, sepse buron nga Krijuesi, i Cili është absolutisht i drejtë, i gjithëditur dhe i urtë. Kjo e bën Sheriatin të vetmin sistem ligjor që kombinon drejtësinë absolute me mëshirën hyjnore, duke mos u kufizuar vetëm te kjo botë, por duke pasur parasysh edhe botën e përjetshme. Në zemër të kësaj ndërtese ligjore qëndron jo vetëm nevoja për një rend shoqëror të drejtë, por mbi të gjitha përmbushja e detyrës që njeriu ka ndaj Krijuesit të tij. Rendi juridik islam nuk është një sistem njerëzor; ai është manifestim i urtësisë hyjnore në jetën e njerëzve.
I. Burimi i Sheriatit dhe epërsia e tij
Burimet konsensuale të Sheriatit Islam janë katër: Kurani, Udhëzimi profetik (Suneti), Konsensusi i dijetarëve (Ixhmai) dhe Analogjia Sheriatike (Kijasi). Dy të parat nuk janë produkt i mendjes njerëzore, ndërsa dy pasueset bazohen në shpalljen hyjnore dhe zbërthimin e saj nga komuniteti i juristëve islamë.
“E vërteta është nga Zoti yt, andaj mos ji nga ata që dyshojnë” (el-Bekare: 147).
Kjo do të thotë se ligji që buron prej Zotit është gjithmonë i drejtë dhe nuk ndikohet nga pasionet apo dobësia dhe kufizimet njerëzore.
Dijetarët islamë theksojnë se, burimi i ligjit është shpallja hyjnore dhe se nuk ka dëshmi të plotë e të qëndrueshme, veç asaj që vjen nga Zoti dhe Profeti i Tij. Pra, duke qenë se burimet e ligjit islam janë fjala e Zotit, apo shpallja hyjnore, atëherë gjykimi i Zotit është i vetmi plotësish i vërteti dhe i vetmi plotësisht i drejti, sepse e vërteta dhe drejtësia absolute burojnë vetëm prej Tij.
II. Kufizimet e arsyes dhe nevoja për udhëzim hyjnor
Njerëzit karakterizohen nga kufizime intelektuale dhe nga paqëndrueshmëria emocionale, kështu që arsyetimi dhe gjykimi i tyre shpesh është i mangët dhe i gabuar, ndaj për këtë arsye drejtësia e të gjykuarit të njerëzve duhet të orientohet dhe udhëzohet nga drejtësia dhe ligjet që vijnë nga Zoti, që është i pagabueshëm dhe burimi i përhershëm i së vërtetës dhe së drejtës. Njeriu pra nuk ka dijeni absolute, ai mendon me anë të eksperiencës së kufizuar dhe të gjykimit relativ. Sipas dijetarëve islamë, arsyeja është e vlefshme vetëm kur ndihmohet nga shpallja. Ajo është si drita për syrin, pa të cilën njeriu mbetet në errësirë. Ligji hyjnor është garantues i qëndrueshmërisë morale, ndërsa ligjet e njeriut shpesh janë reflektim i krizës së tij etike.
III. Zotërimi i plotë i Krijuesit mbi njeriun
Zoti është Ai që e ka krijuar njeriun dhe ka dije absolute mbi të. “A nuk e di Ai që ka krijuar, kur Ai di në imtësi çdo të fshehtë?!” (el-Mulk: 14)
Pikërisht kjo dije absolute e Zotit për natyrën e njeriut e bën Sheriatin të qenësishëm, sepse ai përputhet me natyrshmërinë (fitrah) e njeriut. Zoti e di se çfarë është për të e dobishme dhe çfarë e dëmshme – jo vetëm në këtë jetë, por edhe në përjetësi. Për këtë arsye, Sheriati respekton njëkohësisht anën shpirtërore dhe atë trupore të qenies së njeriut. Shpallja qëndron si korrigjues i domosdoshëm i intuitës dhe mendjes njerëzore, kur kjo e fundit devijon.
IV. Një ligj me dy horizonte: botën e përkohshme dhe të përjetshme
Sheriati është ligj unik, sepse përveç se organizon jetën sociale, ai orienton edhe jetën shpirtërore. Nuk ka ndarje në Islam mes aspekteve laike apo tokësore dhe atyre materiale e shpirtërore. Sheriatit nuk synon vetëm rregullimin e marrëdhënieve të jashtme, por edhe ndërtimin moral dhe shpirtëror të individit. Ai nuk e ndan njeriun në sfera të izoluara – siç e bën moderniteti – por e sheh si një të tërë, dhe për këtë arsye rregullon si marrëdhënien e njeriut me Zotin, ashtu edhe atë me shoqërinë dhe botën.
Njeriu është krijuar për të jetuar për një kohë të shkurtër në këtë botë dhe për t’u kthyer te Zoti. Ligji që nuk e merr parasysh këtë fakt thelbësor është i mangët në vetvete, dhe nuk i shërben vërtetë mirëqenies së plotë të njeriut. Pa shpalljen, drejtësia bie në relativizëm dhe pa pastrimin e shpirtit, shoqëria nuk është asnjëherë e drejtë.
V. Dinjiteti individual dhe bashkësia si objektiv
Sheriati synon ruajtjen e njeriut dhe bashkësisë shoqërore që beson te vlerat dhe parimet e Islamit. Sheriati nuk mbron vetëm të drejtat individuale, por edhe ato të bashkësisë, sepse njeriu nuk ekziston si një ishull, por brenda një trupi shoqëror që ndikon dhe ndikohet. Për këtë arsye, Sheriati kërkon të ruajë identitetin dhe dinjitetin njerëzor dhe kolektiv, duke ndërthurur lirinë personale me përgjegjësinë shoqërore dhe fetare. Ruajtja e ymetit si një bashkësi e lidhur përmes besimit, ligjit dhe moralit është një objektiv që kërkon përpjekje dhe mbrojtje nga çdo formë degradimi moral, shpirtëror dhe politik.
Pikërisht mbi këto premisa ndërtohen edhe pesë objektivat madhorë të Sheriatit, që përbëjnë esencën e misionit të tij:
1. Mbrojtja e fesë: Sepse besimi është lidhja më thelbësore që njeriu ka me Zotin dhe burimi i udhëzimit dhe i paqes së tij të brendshme.
2. Mbrojtja e jetës: Jetën e njeriut Sheriati e sheh si të shenjtë dhe të paprekshme, përveç rasteve kur drejtësia kërkon ndëshkim të drejtë për krime të rënda, që bien ndesh në themel me objektivat madhorë të saj.
3. Mbrojtja e mendjes: Arsyeja dhe mendja janë dhunti të veçanta që i japin njeriut aftësinë për të kuptuar, reflektuar dhe besuar. Prandaj dhe në Islam pijet dehëse, drogat dhe çdo gjë që të merr mendjen ndalohen, sepse pa mendje nuk ka përgjegjësi, dhe pa përgjegjësi nuk ka liri të vërtetë.
4. Mbrojtja e familjes dhe e nderit: Familja është themeli dhe bërthama e shoqërisë dhe e jetës së ndershme, dhe nderi është dinjiteti moral i njeriut dhe vija e kuqe e personalitetit. Pa to, shoqëria shkatërrohet.
5. Mbrojtja e pasurisë: Pasuria e fituar në mënyrë të ligjshme është e drejtë që duhet ruajtur nga çdo formë cenimi. E drejta e pronës mbrohet me rregulla të qarta dhe dënime për ata që e shkelin.
Sheriati si sfidë ndaj relativizmit dhe drejtësisë selektive
Në një botë ku drejtësia është shpesh rezultat i shumicës, i presionit mediatik, apo i interesave të korporatave, ku ligjet ndryshojnë me modën dhe drejtësia matet me sondazhe, Sheriati ofron një qasje të pakompromis në mbrojtje të së drejtës, sepse rrënjët e tij janë te Zoti. Ai sfidon liberalizmin moral, pozitivizmin juridik dhe relativizmin etik. Ai është ligji i natyrës njerëzore dhe i botës hyjnore, ligji që nuk i jep të drejtë më të fortit, më të pasurit apo më të shumtëve, por atij që ka të drejtën e Zotit me vete.
Në këtë kuptim, Sheriati është sfida më e madhe ndaj relativizmit moral, utilitarizmit politik dhe individualizmit juridik. Ai është përgjigjja islame për pyetjen universale: “Çfarë është drejtësia?”
Ligji i Zotit është shprehje e sundimit të Tij mbi njeriun dhe bën të mundur që njeriu të jetë vërtet i lirë nga tirania e njeriut ndaj njeriut.
Përmbyllje
Sheriati nuk është një ligj mes ligjeve. Ai është rendi hyjnor që mbron njeriun, shoqërinë, natyrën dhe vlerat. Ai e nderon mendjen, por e orienton; e respekton lirinë, por e disiplinon atë; e mbron jetën, por e ngarkon me përgjegjësi. Nëpërmjet Sheriatit, njeriu mund të gjejë jo vetëm rend në tokë, por edhe paqe në shpirt dhe shpresë për përjetësinë.
Kështu që është thelbësore që para se të gjykohet një normë apo dispozitë e caktuar islame, ajo duhet parë përmes kësaj pamësie islame dhe këtij këndvështrimi që paraqitet këtu, përndryshe e shkëputur prej saj ajo mund të keqkuptohet dhe keqinterpretohet.