Iluzioni i mospërputhjes në Kuran i numrit të ditëve në të cilat janë krijuar qiejt dhe toka

Përmbajtja e dyshimit:

Disa nga ata që hedhin dyshime pretendojnë se ekziston kontradiktë mes fjalës së Allahut të Lartësuar: “Ne i krijuam qiejt dhe Tokën dhe çfarë ka ndërmjet tyre për gjashtë ditë” (Surja Kaf, 38),

dhe fjalës së Tij të Lartësuar:

“Thuaju: “A ju jeni ata që nuk i besoni Atij, që e krijoi Tokën për dy Ditë dhe i shoqëroni Atij shok?! Ai është Zoti i botëve. Është Ai që vuri në Tokë male të fuqishme, e bekoi atë (Tokën) me të mira dhe brenda katër Ditëve përcaktoi të gjitha kushtet për të jetuar në të.” Ky është shpjegimi për ata që pyesin. Më pas, Ai iu drejtua qiellit, i cili ishte tym, dhe i tha atij dhe Tokës: “Bindjuni urdhrit Tim, me hir a me pahir!” Të dy (Qielli dhe Toka) thanë: “Po, i bindemi me dëshirë.”.” (Surja Fusilet, 9–12).

Ata pyesin: Si është e mundur që Kurani në një vend tregon se krijimi i qiejve dhe i tokës ka ndodhur në gjashtë ditë, ndërsa në një vend tjetër jep përshtypjen e diçkaje ndryshe? A nuk e cenon kjo paprekshmërinë e Kuranit?!

Synimi pas kësaj dileme është të vënë në dyshim paprekshmërinë (mbrojtjen hyjnore nga kontradiktat) e Kuranit Famëlartë.

 

Argumenti për rrëzimin e dyshimit:

Krijimi i qiejve dhe i tokës – dhe çfarë ka mes tyre – në formën e tyre aktuale ka ndodhur në gjashtë ditë, dhe nëse do të donte Allahu, do t’i kishte krijuar në një çast të vetëm, sepse Allahu është i Gjithëfuqishëm për çdo gjë.

 

Sqarimi i detajuar:

Krijimi ka ndodhur në gjashtë ditë – dhe nuk ka kundërshtim mes ajeteve.

Duke bërë një mbledhje të thjeshtë matematike të ditëve të përmendura  – pa kuptuar teksin– dilet në përfundim se kemi tetë ditë, por ndërkohë Allahu ka përmendur në shumë vende të Kuranit, se krijimi i qiejve dhe i tokës ka ndodhur në gjashtë ditë. Ajo që këta e mendojnë si kundërshti, në të vërtetë nuk është aspak kundërshti.

Kjo sepse katër ditët e përmendura në ajet janë rezultat i përmendjes sëbashku të dy ditëve të para të krijimit me dy ditët e tjera të përmbylljes së kushteve të jetesës në të: Allahu e krijoi Tokën në formën e saj fillestare për dy ditë, pastaj vendosi në të malet, dhe e begatoi atë, duke vendosur të ardhurat në të për dy ditë të tjera, kështu që bëhen gjithsej katër ditë.

Pra, fjala e Allahut të Lartësuar:

“Është Ai që vuri në Tokë male të fuqishme, e bekoi atë (Tokën) me të mira dhe brenda katër Ditëve përcaktoi të gjitha kushtet për të jetuar në të.” Ky është shpjegimi për ata që pyesin.” (Fusilet, 10),

Këto katër ditë janë rezultati i dy ditëve të para të krijimit të Tokës dhe dy ditëve pasuese për plotësimin dhe përgatitjen e saj. Nuk janë katër ditë të tjera të veçanta, të shtuara mbi ato të mëparshmet. Këtu qëndron gabimi i atyre që kanë përfytyruar gabimisht se ka kundërshtim mes ajeteve.

Pastaj, Allahu i krijoi qiejt në dy ditë, kështu që shuma bëhet gjashtë ditë, duke mbledhur katër ditë (që përfshijnë krijimin dhe përgatitjen e Tokës) me dy ditë (krijimi i qiejve), kështu që nuk ka kundërshti në Kuran – në këtë çështje.

Për më tepër, nëse Kurani do të ishte i trilluar, atëherë Muhamedi (paqja qoftë mbi të) nuk do të ishte treguar kaq i pavëmendshëm sa të lejonte një gabim të tillë, si fakti që dy plus katër plus dy bëjnë tetë, ndërkohë që në një vend tjetër në Kuran ka thënë se Allahu i krijoi qiejt dhe tokën në gjashtë ditë!

A mund ta imagjinojë ndonjë njeri me mend, që dikush që ndërmerr të sajojë një mesazh kaq madhështor dhe një libër kaq gjithëpërfshirës, do të bënte një gabim kaq trashanik?!

Pa dyshim, kushdo që mendon se i Profeti e ka trilluar këtë Kuran të madhërishëm dhe pastaj ka rënë në një “gabim” të tillë të supozuar, është vetë gabim.

Bedrudin Zerkeshij ka thënë: Përgjigjja është se ajo që synohet me fjalën e Allahut të Lartësuar: “Thuaju: “A ju jeni ata që nuk i besoni Atij, që e krijoi Tokën për dy Ditë” (Fusilet: 9) deri te fjala e Tij: “… dhe brenda katër Ditëve përcaktoi të gjitha kushtet për të jetuar në të.” (Fusilet: 10), është katër ditë në total me dy ditët e përmendura më parë, dhe nuk është që me “katër” të synohet diçka tjetër e veçuar nga ato që u përmendën më parë.

Kjo i ngjan dikujt që flet në mënyrë të pandërprerë: “Udhëtova nga Basra në Bagdad për dhjetë ditë, dhe udhëtova deri në Kufe për trembëdhjetë ditë” – Ai nuk ka për qëllim trembëdhjetë ditë të tjera, përveç dhjetë ditëve të para, por synon që dhjetë ditëvet të para t’i shtojë edhe tre, duke i bërë trembëdhjetë gjithsej.

Pastaj Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ai krijoi shtatë qiej në dy ditë” (Fusilet: 12), dhe këto ditë janë të tjera përveç atyre katër ditëve të mëparshme. Kështu që nuk ka asnjë kundërshti, sepse shuma është gjashtë ditë.[1]

Ndërkohë nuk kundërshti mes përcaktimit të kohëzgjatjes së krijimit të qiejve dhe tokës në gjashtë ditë dhe asaj që thotë shkenca e sotme, se ky krijim ka zgjatur miliarda vjet. Kjo sepse masa kohore e “ditës” tek Allahu i Lartësuar nuk është e njëjtë me kohëzgjatjen e ditës sipas matjes së kalendarit që njerëzit njohin në këtë jetë të kësaj bote.

Gjithashtu, Allahu – i Lartësuar – me fuqinë e Tij absolute, ka mundësi t’i krijojë ato në një çast të vetëm, nëse dëshiron. Ai, me urtësinë dhe diturinë e Tij, e ngushton dhe zgjat kohën sipas vullnetit të Tij. Në Kuranin Famëlartë ka ajete që dëshmojnë për këtë, prej tyre është fjala e Allahut të Lartësuar:

“Po për atë që kaloi pranë një vendbanimi të rrënuar që nga themelet dhe tha: “E si mund ta risjellë Allahu në jetë këtë, pas këtij shkatërrimi?” Allahu e la atë të vdekur për njëqind vjet, pastaj e ringjalli dhe i tha: “Sa qëndrove ashtu (i vdekur)?” Ai tha: “Një ditë, ose një pjesë të ditës.” Allahu i tha: “Jo, ti ke qëndruar ashtu për njëqind vjet. Shikoji ushqimin dhe pijen tënde! Ato nuk janë prishur fare. Shikoje edhe gomarin tënd! E për të bërë ty argument për njerëzit, shiko se si i lidhim sërish eshtrat dhe pastaj i veshim me mish!” Kur atij iu bë e qartë kjo, tha: “U binda se Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka.!” (Bekare, 259).

Pra, dita e Gjykimit, ditët e Allahut, dhe gjashtë ditët në të cilat Allahu krijoi qiejt dhe tokën – kohëzgjatja e tyre, sipas përmasave tona njerëzore – nuk e di veçse Allahu i Lartësuar.[2]

 

Përfundim:

Allahu i Lartësuar i krijoi qiejt dhe tokën për gjashtë ditë, e sikur të kishte dashur, do t’i kishte krijuar në një çast të vetëm, sepse Ai – i Lartësuar qoftë – ka fuqi absolute, dhe tek Ai koha nuk ka vlerë, sepse mundësia e Tij për të kryer një veprim nuk lidhet aspak me një kohë të nevojshme për ta realizuar atë.

Iluzioni i kontradiktës mes ajeteve të Kuranit është vetëm rezultat i mangësisë në kuptimin e tyre, si dhe ndjekje e iluzioneve, sepse kuptimi i saktë i përmbajtjes së ajeteve – që supozohet se janë në kundërshti – të çon te përfundimi i vetëm se, nuk ka kurrfarë kundërshtimi apo mospërputhjeje mes tyre.

 

Referenca:

https://bayanelislam.net/Suspicion.aspx?id=01-01-0052&value=&type=

 

 

 

[1] Bejan fi def’i Tearud el Mutevehim bëjnë ajat el Kuran, Muhamed Ebu Nur Hadijdi: (fq. 105-107), Kajro 1981.

[2] Hakaik el Islam fi Muvaxhahati Shubuhat el Mushekikin, Hamdi Zakzuk: (fq: 280-284), Kajro 2006.

0 Shares:
Postime të ngjashme