Iluzioni i kontradiktës në Kuran lidhur me kohëzgjatjen e ditës tek Allahu

Përmbajtja e dyshimit:

Disa pretendojnë se ka kontradiktë midis fjalës së Allahut të Lartësuar: Ai drejton çdo çështje, prej qiellit deri në Tokë, pastaj ato kthehen tek Ai në ditën, gjatësia e së cilës është një mijë vjet sipas llogaritjes suaj.” (Es-Sexhde: 5), dhe fjalës së Tij të Lartësuar: “Tek Ai ngjiten engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), në një ditë që zgjat sa pesëdhjetë mijë vjet.” (El-Me‘arixh: 4).

Ata pyesin: Kurani në ajetin e parë pohon se dita është sa një mijë vjet, ndërsa në ajetin e dytë thotë pesëdhjetë mijë vjet?!

Sigurisht synimi pas kësaj është të thonë se Kurani nuk është prej Allahut, por prej njerëzve

 

Hedhja poshtë e dyshimit:

Dijetarët kanë përmendur disa shpjegime rreth kuptimit që ka dita në dy ajetet e përmendura, që është se:

  • Dita në ajetin e parë është dita e zbritjes së vendimit të Allahut nga qielli në tokë dhe ngjitjes së saj përsëri tek Ai.
  • Ndërsa dita në ajetin e dytë është Dita e Kiametit.

 

Detajimi:

Duhet të kuptojmë se faktori kohë tek Allahu i Madhëruar nuk është i barabartë me kohën që ne perceptojmë në tokë.

Këto ajete të cilat janë sjellë si kontradiktë, në fakt nuk janë të tilla porse nënkuptojnë se koha tek Allahu i Madhëruar nuk i përngjan kohës që kemi ne në tokë. Shembujt që janë dhënë (një mijë vjet dhe pesëdhjetë mijë vjet) bëjnë fjalë për ditë të ndryshme, por që janë përmendur sipas llogaritjes së kohës në tokë, që do të thotë: mijëra vjet ose një kohë jashtëzakonisht e gjatë.

  • Dita e përmendur në ajetin e parë bën fjalë për ditën në të cilën zbresin vendimet e Allahut nga qielli për në tokë dhe ngjitjes së tyre sërish atje:
    Qëllimi me ditë në ajetin e parë është dita e zbritjes së vendimeve nga qielli në tokë dhe ngjitjes së tyre nga toka në qiell brenda një dite të vetme. Kjo ndodh në një periudhë kohore e cila është sa një mijë vjet me llogaritë tona, pasi zbritja e vendimit nga qielli në tokë zgjat sa pesëqind vjet (vite tokësore), dhe ngjitja e tij nga toka në qiell zgjat po pesëqind vjet, pra një mijë vjet të plota me përllogaritjen e kohës tonë.

 

  • Ndërsa dita në ajetin e dytë bën fjalë për kohëzgjatjen e Ditës së Kiametit:
    Qëllimi me ditën në ajetin e dytë është Dita e Kiametit, dhe për këtë dëshmon fjala e Allahut të Lartësuar: “Dikush kërkoi një dënim të shpejtë. Për jobesimtarët askush nuk mund ta ndalojë atë (dënim), (që vjen) nga Allahu, Zoti i Rrugëve të Ngjitjes. Tek Ai ngjiten engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), në një ditë që zgjat sa pesëdhjetë mijë vjet. Prandaj, duro, me durim të hijshëm. Ata e mendojnë atë (dënim) të largët, kurse Ne e shohim të afërt. Atë Ditë qielli do të bëhet si llumi i vajit e malet do të bëhen si lesh i shprishur. Shoku s’do të pyesë për të shokun”.(El-Me‘arixh:1-10).

Këtë e dëshmon edhe ajo që përcjell Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Pronarit të arit dhe argjendit, që nuk e jep hakun e tyre (zekatin), kur të bëhet Dita e Kiametit, ato do t’i shndërrohen në pllaka prej Zjarri, të cilat skuqen në zjarr të Xhehenemit e me to i hekuroset trupi, balli e shpina. Sa herë që ftohen, ato sërish skuqen në zjarr për të, në Ditën, gjatësia e së cilës është pesëdhjetë mijë vjet. Kur të mbarojë gjykimi mes njerëzve, atij do t’i tregohet rruga: ose për në Xhenet, ose për në Zjarr.” (Muslimi)

Pra nuk është e domosdoshme që periudha kohore të jetë e njëjtë ose e ngjashme për dy ngjarje të ndryshme. Për shembull, periudha kohore që duhet për të udhëtuar drejt destinacionit (A) është një orë, ndërsa periudha kohore që duhet për të udhëtuar drejt destinacionit (B) është pesëdhjetë orë. Kjo nuk do të thotë se bëhet fjalë për dy gjëra kontradiktore.
Prandaj, ajetet e Kuranit Famëlartë jo vetëm që nuk bien ndesh me njëra-tjetrën, sepse flasin për gjëra të ndryshme.

 

Përmbledhje:

Dy ajetet e përmendura rreth kësaj çështjeje nuk flasin për të njëjtën ditë, përkundrazi ato flasin për ditë të ndryshme dhe kontekste të ndryshme, të cilat sigurish kanë dhe ndryshim në distancën e tyre kohore në bazë të asaj që njohin njerëzit.
Pra, dita në ajetin e sures El-Me‘arixh bën fjalë për Ditën e Kiametit, e cila zgjat sa pesëdhjetë mijë vjet.
Ndërsa dita në ajetin e sures Sexhde është dita në të cilën Ai rregullon çështjet, dhe zgjat sa një mijë vjet.

0 Shares:
Postime të ngjashme