Përmbajtja e dyshimit:
Disa pretendojnë se obligimi i agjërimit, që Islami ua ka bërë detyrë myslimanëve, ndikon negativisht në ekonominë e shoqërisë, duke ulur prodhimtarinë, shtuar përtacinë dhe mbështetjen te të tjerët. Ata argumentojnë se myslimanët, kur agjërojnë, i qasen punëve të tyre me ngadalësi dhe nuk kanë një nxitje të fortë për punë dhe prodhim, prandaj, sipas tyre, kjo dispozitë duhet të anulohet në mënyrë që myslimanët të përparojnë sërish. Qëllimi i tyre pas këtyre pretendimeve është mohimi i obligimit të agjërimit që Allahu i Lartësuar ua ka bërë detyrë myslimanëve.
Si bie poshtë kjo akuzë:
- Agjërimi nuk nxit përtacinë dhe mbështetjen te të tjerët, siç pretendojnë këta njerëz, por përkundrazi, ai nxit për punë dhe shtim të prodhimtarisë. Ngjarjet historike që kanë ndodhur në shoqërinë islame gjatë muajit të Ramazanit janë dëshmi e qartë për këtë.
- Lodhja apo dobësimi që ndiejnë disa agjërues nuk ka lidhje me agjërimin në vetvete, por rrjedh si pasojë e mos ndjekja e udhëzimit të Profetit ﷺ në mënyrën e agjërimit.
- Agjërimi ka shumë dobi dhe përfitime, duke përfshirë ato shpirtërore, shëndetësore, shoqërore dhe edukative, të cilat ndihmojnë në nxitjen e përparimit të shoqërisë me hapa më të shpejtë dhe me më shumë sinqeritet.
- Agjërimi nuk është diçka që e ka sjellë vetëm Islami; ai ishte i detyrueshëm edhe për popujt e mëparshëm. Kështu që, pse nuk thuhet e njëjta gjë për ta, sikurse thuhet për këtë detyrim në Islam?
Shtjellimi:
E para: Muaji i agjërimit në Islam është muaj i forcës, i luftës dhe i punës:
Dëshmia më e qartë për këtë janë ngjarjet dhe betejat historike që myslimanët kanë zhvilluar gjatë Ramazanit.
Ngjarjet historike vendimtare që kanë ndodhur në muajin e Ramazanit, si dhe fitoret madhështore që myslimanët kanë arritur gjatë këtij muaji të bekuar, tregojnë se Islami i vlerëson çështjet me maturi dhe në mënyrë të drejtë. Motoja e agjërimit është forca, përpjekja dhe puna, jo dobësia, plogështia dhe përtacia. Myslimani ndërvepron me realitetin e jetës dhe përshtatet me rrethanat, dhe asnjë detyrë fetare nuk e pengon nga përmbushja e përgjegjësive të jetës së përditshme. As dëshirat e kësaj bote dhe tundimet e ushqimit e pijes nuk e dobësojnë vendosmërinë dhe ambicien e tij. Prandaj, nuk është e drejtë të thuhet se agjërimi pengon punën dhe vonon zhvillimin e shoqërive. Dëshmia më e qartë për këtë janë të gjitha këto ngjarje të mëdha historike që kanë ndodhur në muajin e agjërimit. Mjafton këtu të përmendim më të njohurat prej tyre:
Beteja e Bedrit: Ndodhi ditën e premte, më 17 Ramazan të vitit të dytë pas Hixhretit. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu ju ndihmoi në Bedër, kur qetë të pafuqishëm, andaj frikësojuni Allahut, për të qenë falënderues.” (Ali Imran: 123)
Çlirimi i Mekës: Ky është çlirimi më i madh, dhe ndodhi në muajin Ramazan të vitit të tetë të Hixhretit. Allahu i Madhëruar thotë: “Ne të dhamë ty një fitore të qartë.” (El-Feth: 1)
Beteja e Ajn Xhalutit: Ndodhi më 15 Ramazan të vitit 658 hixhri.
Lufta e 6 Tetorit të vitit 1973: Ndodhi më 10 Ramazan të vitit 1394 hixhri.
Të gjitha këto ngjarje, dhe shumë të tjera përveç tyre, kanë ndodhur në muajin e agjërimit, dhe kjo është provë se agjërimi nuk ka qenë kurrë pengesë për punë, e as nxitës për neglizhencë dhe përtaci në jetën e myslimanit.[1]
E dyta: Udhëzimi profetik rreth agjërimit dhe dobitë e tij:
Ndjekja e udhëzimit të Profetit ﷺ në agjërim e mbron myslimanin nga lodhja dhe rraskapitja gjatë ditës. Lodhja dhe dobësimi që ndiejnë disa agjërues gjatë ditës vjen si rezultat i mosrespektimit të normave islame rreth agjërimit.
Myslimanët e parë i kuptuan mirë urtësitë dhe qëllimet e agjërimit, e ndoqën udhëzimin e Profetit ﷺ dhe prej tij morën frymën e forcës dhe fuqisë shpirtërore. Dita e tyre ishte e mbushur me gjallëri, prodhimtari dhe përkushtim në punë; nata e tyre me vizita vëllazërore, namaz nate dhe lexim Kurani. I gjithë muaji i tyre ishte një kohë mësimi, adhurimi, bamirësie dhe përpjekjeje e sinqertë.[2]
Nga udhëzimi i Profetit ﷺ në agjërim është: “I Dërguari i Allahut ﷺ e çelte iftarin me disa hurma të freskëta para se të falej; e nëse nuk gjente hurma të freskëta, atëherë me hurma të thata; e nëse nuk gjente as hurma të thata, atëherë pinte disa gllënjka ujë.”[3]
Hadithi tregon mënyrën e saktë shëndetësore të çeljes së agjërimit, e cila konsiston në atë se agjëruesi duhet ta fillojë iftarin me një ushqim që përmban sheqer, si hurmat. Kjo sepse hurmat përmbajnë sheqerna që treten lehtë dhe përthithen shpejt në gjak. Pastaj, ai merr abdes dhe fal namazin e akshamit. Gjatë këtij intervali, hurmat treten dhe rrisin nivelin e sheqerit në gjak në kufijtë normalë, çka heq ndjesinë e urisë dhe të lodhjes, dhe trupit i kthehet energjia. Kur agjëruesi ulet për të ngrënë pas faljes, ai konsumon një sasi të vogël ushqimi, pa e rënduar trupin, dhe kështu shmangen problemet shëndetësore. Myslimani nuk ha derisa të ngopet.
Nga udhëzimi i Profetit ﷺ është edhe vonimi i syfyrit, sepse ai ka thënë: “Hani syfyr, sepse në syfyr ka bereqet.”[4] Kjo ndihmon që agjëruesi të jetë më aktiv gjatë ditës, çka e rrit aftësinë për punë dhe prodhim. Islami nuk është fe e dorëzimit dhe e dembelizmit, por fe e përpjekjes, e luftës dhe e punës.
Sa për ata që janë dembelë dhe të plogët në punë, dhe ndihen të rraskapitur e të lodhur, janë pikërisht ata që nuk i përmbahen udhëzimit islam rreth agjërimit. Ata nuk kanë përfituar nga Ramazani, as nga agjërimi e as nga namazi i natës. Ata e kalojnë natën duke mbushur barkun, duke qëndruar zgjuar deri vonë, pa marrë gjumë të mjaftueshëm, e si pasojë ndihen të rraskapitur gjatë ditës. Kjo ndikon që të ulet prodhimtaria e tyre, dhe t’i qasen punës me ngadalësi e plogështi, madje ndonjëherë edhe arsyetohen duke thënë se janë duke agjëruar, dhe kjo që në orët e para të ditës! Po të kishte agjërimi ndonjë ndikim negativ në energjinë e njeriut, siç pretendojnë, ky ndikim nuk do të shfaqej që në mëngjesin e hershëm, por vetëm në orët e vona të ditës.[5]
Nga kjo kuptohet qartë se agjërimi i vërtetë, ai që është urdhëruar nga Islami dhe është i pranueshëm tek Allahu i Lartësuar, është një nga burimet më të mëdha dhe më të dobishme të ushqimit shpirtëror. Nëpërmjet tij njeriu lidhet me botën e pastërtisë shpirtërore, edukon ndërgjegjen e tij me vetëdijen se është nën mbikëqyrjen e Zotit, dhe arrin të kryejë shumë punë në një kohë të shkurtër.
E treta: Agjërimi ka përfitime të shumta:
Është vërtetuar se agjërimi ka shumë përfitime: shëndetësore, shpirtërore, shoqërore dhe edukative, dhe se ai përbën një mundësi të përvitshëm për vetëvlerësim, si në nivel individual ashtu edhe shoqëror, me qëllim eliminimin e të metave dhe aspekteve negative. Kjo e shtyn përpara lëvizjen e shoqërisë me hapa më të shpejtë dhe më të sinqertë.
Është vërtetuar gjithashtu se agjërimi ka shumë përfitime shpirtërore, dhe për më tepër është një mundësi e madhe për forcimin e trupit. Shumë nga sëmundjet që i godasin njerëzit vijnë si pasojë e barkut të tyre që e mbushin me gjithçka që u pëlqen, pa bërë dallim midis asaj që u bën mirë dhe asaj që i dëmton. Profeti ﷺ ka thënë: “Njeriu nuk mbush ndonjë enë më të keqe se barkun e tij. I mjaftojnë birit të Ademit disa kafshata për të mbajtur veten. E nëse duhet patjetër, atëherë një të tretën për ushqimin, një të tretën për pijet dhe një të tretën për frymëmarrjen.”[6]
Nëse barku është burimi i të gjitha problemeve dhe stomaku është foleja e sëmundjeve, atëherë dieta, pra, përmbajtja nga ushqimi, është çelësi i shërimit. Nuk ka mundësi më të mirë se sa agjërimi, gjatë të cilit stomaku pushon dhe trupi çlirohet nga shumë mbetje të dëmshme.[7]
Agjërimi, aktivizon procese të rëndësishme qelizore që përmirësojnë shëndetin. Mënyra kryesore se si ndikon ai është përmes autofagjisë, një mekanizëm natyral ky për pastrimin dhe rigjenerimi qelizor. Kur trupi nuk merr ushqim për 12-16 orë (si në agjërimin e Ramazanit), ai kalon nga marrja e energjisë nga glukoza në shfrytëzimin e rezervave të yndyrës. Ky ndryshim metabolik aktivizon gjenet që kontrollojnë autofagjinë, i cili riciklon qelizat e vjetra, të dobëta ose të dëmtuara, duke parandaluar grumbullimin e komponentëve të dëmshëm. Pas heqjes së qelizave të dëmtuara, trupi prodhon qeliza të reja, të shëndetshme, duke përmirësuar funksionin e indeve dhe organeve. Ky proces redukton rrezikun e sëmundjeve si diabeti, sëmundjet kardiovaskulare dhe çrregullimet neurologjike duke ruajtur qelizat e shëndetshme.[8] Allahu i Lartësuar ka thënë: “E nëse agjëroni, është më mirë për ju, nëse e dini.” (El-Bekare: 184)
Agjërimi rinovon gjallërinë e trupit dhe zgjat periudhën e rinisë, pasi ndihmon në ruajtjen e shëndetit të enëve të gjakut. Gjatë agjërimit, niveli i yndyrnave në gjak ulet, po ashtu edhe tensioni i gjakut dhe niveli i sheqerit në gjak për ata që vuajnë nga diabeti. Agjërimi ka dobi për sistemin tretës, duke i dhënë atij një mundësi pushimi dhe rigjenerimi. Gjithashtu, ai shërben si kurë për shumë sëmundje, si: lëkura me yndyrë të tepërt dhe disa lloje të alergjive. [9]
Nuk ka dyshim se individët me shëndet të mirë janë të aftë ta çojnë përpara zhvillimin dhe punën në shoqëri, e jo e kundërta.
Agjërimi është një mundësi e përvitshme për vetëvlerësim në nivel individual, me qëllim largimin e aspekteve negative, çka ndihmon në forcimin e shpirtit të myslimanit dhe të ndërgjegjes së tij, duke e nxitur atë për përkushtim në punë, sepse ai nuk mbikëqyret nga askush tjetër përveç Allahut, ashtu siç e ka mësuar agjërimi.
Dijetari Muhamed Gazali përmbledh në mënyrë të shkurtër realitetin dhe urtësinë e agjërimit në Islam duke thënë:
“Agjërimi është një adhurim i çuditshëm dhe i papranueshëm në atmosferën e qytetërimit materialist që mbizotëron sot në botë. Ky është një qytetërim që beson në trupin dhe nuk beson në shpirtin, që beson në jetën e kësaj bote dhe nuk shqetësohet për Ditën e Fundit. Prandaj, ai e urren një adhurim që kufizon dëshirat, qoftë edhe përkohësisht, që edukon këtë trup të përkëdhelur dhe e lidh atë me një ideal më të lartë. Individët dhe shoqëritë në botën e sotme nuk synojnë tjetër, veçse shtimin e të ardhurave dhe ngritjen e standardit të jetesës, pa u interesuar nëse kjo i shërben një jete më të pastër! Ne insistojmë të shpallim se feja nuk është në armiqësi me pasurinë dhe trupin. Pasuria është sekret i mirëqenies, dhe një trup i fortë është ndihmë e madhe për kryerjen e detyrave dhe mbajtjen e barrës. Por ne shtrojmë pyetjen: A i trajtojnë njerëzit trupat e tyre në një mënyrë të arsyeshme që respekton vetëm faktet?”
Nutricionistët thonë se ushqimi ka dy funksione kryesore:
- T’i sigurojë trupit kalorinë e nevojshme për lëvizje dhe veprim mbi tokë.
- Të rinovojë qelizat e konsumuara dhe të ndihmojë rritjen gjatë fëmijërisë dhe rinisë.
Mirë, a hamë ne vetëm për të përmbushur këto dy nevoja? Këta dijetarë thonë se trupi ka nevojë për një sasi të caktuar të kalorive për të jetuar.
Ushqimi është lëndë djegëse e domosdoshme për “makinerinë” njerëzore. Por ndryshimi midis makinave të prodhuara dhe njeriut të gjallë është i qartë. Depozita e një makine është bërë prej çeliku dhe mund të mbajë vetëm një sasi të caktuar karburanti, që nuk mund të tejkalohet. Ndërsa stomaku është prej indi që zgjerohet dhe fryhet, duke mbajtur disa herë më shumë se sa i duhet realisht njeriut.
Depoja e makinës e furnizon atë me karburant deri në pikën e fundit, derisa të vijë sasia tjetër. Ndërsa stomaku plotëson nevojën, dhe pastaj teprica shndërrohet në dhjamë që vesh organet e brendshme dhe rrit peshën trupore, gjë që makina nuk mund ta bëjë. Ajo nuk është në gjendje të ruajë tepricën, dhe sikur të ishte e mundur, nuk do të mund ta kthente atë në masa plastike që i shtohen trupit të saj të dobët, apo në rrota që trashen e fryhen!
Njeriu është një krijesë e çuditshme, gjithmonë kërkon më shumë se sa i mjafton. Madje është i gatshëm të luftojë për një tepricë të dëmshme, dhe nuk e sheh aspak problem që ajo të kthehet në fryrje të trupit të vet! Për të, kjo është më e mirë sesa të ishte rritje në trupin e një fëmije të varfër, apo furnizim në trupin e një punëtori që duhet të lëvizë e të djersijë!
Njeriu është krijesa e vetme që e di çfarë e dëmton, por megjithatë shkon drejt saj me dëshirë vrastare!
Megjithatë, shpirti që dëshiron atë që e dëmton, mund të edukohet dhe të kufizohet brenda kufijve të arsyes. Këtu shfaqet madhështia edukative e agjërimit, ai e kthen shpirtin drejt të paktës së mjaftueshme dhe e largon nga teprimi që e dëmton. Ky është agjërimi i vërtetë, dhe abstenimi i përkohshëm një mjet që rregullon të ngrënit në sasi të kufizuar, dhe jo siç bëjnë shumica e njerëzve.
Ndoshta fryti më i rëndësishëm i agjërimit është aftësia për të jetuar pavarësisht nga privimet. Sa herë ka ndodhur që Profeti ﷺ e pyeste familjen e tij në mëngjes: “A ka diçka për të ngrënë?” Dhe kur i thuhej: “Jo”, atëherë ai niste agjërimin dhe e vazhdonte ditën e tij sikur asgjë të mos kishte ndodhur.[10]
Ai dilte me buzëqeshje për të pritur delegacione, zgjidhte çështje, pa asnjë turbullim në shpirtin e tij, dhe priste me plot besim furnizimin e Zotit të tij, pa asnjë dyshim, i cili dukej sikur thoshte: “Me të vërtetë, me vështirësinë vjen lehtësimi. Me të vërtetë, me vështirësinë vjen lehtësimi.” (Esh-Inshirah: 5-6)
Kjo është një madhështi shpirtërore që meriton çdo nderim, që njeriu të përballet me vështirësitë dhe privimet me maturi të plotë. Kjo është e arritshme, si për individët ashtu edhe për shoqëritë, nëse ata e dëshirojnë.
Unë besoj se nga arsyet kryesore të fitores së arabëve në çlirimet e para islame, ishte minimizimi i dëshirave që do t’i sundonin ata dhe minimizimi i zakoneve që do t’i bënin të paaftë për të vepruar kur ato mungonin.
Secili prej tyre (ushtarëve muslimanë) vendoste disa hurma në xhepin e tij dhe nisej drejt fushës së betejës, ndërsa ushtarët persë dhe romakë, nuk mund të ecnin pa karrocat e mbushura plot me ushqime pas tyre, përndryshe ndaleshin.
Këtë armë e përdori edhe Gandi kur luftoi kundër Britanisë së Madhe. Ekonomia britanike varej nga konsumi indian, dhe Gandi vendosi të fitojë duke i stërvitur njerëzit e tij për t’u mësuar me privimin. Ai vendosi të vishej me rroba prej liri dhe të mos përdorte tekstile nga Mançesteri. I hante ushqimet pa kripë, për sa kohë që shteti britanik e kishte monopol, dhe ecte në këmbë, duke mos përdorur makinat e tyre. U bë udhëheqësi i lëvizjes për bojkot, një njeri gjysmë i zhveshur dhe i uritur, që udhëtonte mes qyteteve dhe fshatrave, i kënaqur me një gotë qumësht.
Masat e mëdha popullore iu përgjigjën thirrjes së këtij njeriu modest dhe nisën të ecin pas tij. Si rezultat, prodhimi britanik u ndal, fabrikat u paralizuan dhe mijëra punëtorë britanikë ranë në papunësi.
Kjo e detyroi qeverinë britanike të kërkonte që Gandi të vinte në Londër për të negociuar me ta.
Herë pas here, njerëzit goditen nga kriza të rënda që i tronditin vendet, toka thahet, bagëtitë shterojnë. Çfarë mund të bëjnë? Ata do të durojnë të detyruar, ose do agjërojnë me pahir, ndërsa zemrat e tyre janë plot pakënaqësi e shqetësim.
Por dispozita e agjërimit është diçka shumë më e lartë se kjo. Ai është privimi i atij që ka, me vullnetin e tij, për hir të Allahut. Është një mundësi që njeriu e ka, por vendos t’ia mohojë vetes, hesht zërin e barkut të tij, shtyn plotësimin e dëshirës, duron për hir të Zotit, që këtë vepër ta gjejë tek Ai si rehati dhe kënaqësi në një ditë të vështirë: “Ajo është Dita në të cilën do të tubohen të gjithë njerëzit; ajo është Ditë e dëshmuar.” (Hud: 103)
Lidhja e lodhjes me shpërblimin e Ahiretit është ajo që Profeti ﷺ synonte kur tha: “Kush agjëron Ramazanin me besim dhe duke shpresuar shpërblimin, i falen mëkatet e mëparshme.”[11]
Dy fjalët “me besim dhe shpresë për shpërblim” tregojnë për një përpjekje që nuk kërkon shpërblim të menjëhershëm, dhe nuk kërkon çmimin sot, sepse njeriu që e bën këtë e ka vendosur ta ruajë këtë veprim në përfitimet e tij te Zoti, duke iu nënshtruar thirrjes hyjnore: “Ajo është Dita e Vërtetë, prandaj kush të dojë, le të kthehet te Zoti i vet (që në këtë jetë).” (En-Nebe’: 39)
Agjëruesi do të hasë në njerëz që hanë dhe pinë në Ramazan pa e vrarë mendjen, nuk kanë as respekt për muajin, as e kuptojnë urtësinë e tij. Nëse dëshirojnë ushqim, hanë. Nëse i merr etja, pinë. Po çfarë do të gjejnë këta në Ditën e Gjykimit? Do të gjejnë agjëruesit në një horizont tjetër, të mbushur me begati dhe mirësi. Kurani i Shenjtë na tregon për ata që humbën të ardhmen e tyre, duke thënë: “Banorët e zjarrit do t’u thërrasin banorëve të Xhenetit: “Derdhni pak ujë te ne ose diçka nga ajo që ju ka dhuruar Allahu!” Ata thonë: “Në të vërtetë, Allahu këto i ka ndaluar për mohuesit.” (El-A’raf: 50–51)
Vërtet, agjërimi është adhurim që shkon kundër rrjedhës së jetës së konsumerizmit bashkëkohor, sepse filozofitë materialiste që dominojnë sot në lindje e perëndim, njohin vetëm tokën e jo qiellin, njohin vetëm trupin e jo shpirtin, vetëm dynjanë dhe jo ahiretin.
Fundja ata le të mendojnë atë që duan, ky është kufiri i dijes së tyre.
Porse ne -muslimanët- duhet ta njohim Zotin tonë, t’i përmbahemi rrugës së Tij, të agjërojmë për Të dhe ta ruajmë shpërblimin tek Ai.[12]
E katërta: Agjërimi ka qenë obligim edhe për popujt e mëhershëm, ashtu siç është bërë për myslimanët
Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat! Agjërimi është bërë detyrim për ju, ashtu siç ishte detyrim për ata që ishin para jush – që të bëheni të devotshëm.” (El-Bekare: 183)
Edhe sot e kësaj dite, disa fe e njohin ende agjërimin si një formë adhurimi, megjithëse ka një ndryshim të madh mes agjërimit në Islam dhe në fetë e tjera.
Shumë prej feve që i paraprinë Islamit e kanë njohur agjërimin: Në Tora (Teurat), ai është bërë obligim për hebrenjtë, dhe Musai (paqja e Zotit qoftë mbi të) agjëronte 40 ditë në vit. Edhe krishterimi e njeh agjërimin, i cili konsiston në përmbajtjen nga mishi dhe gjithçka që vjen prej tij.
Madje, edhe e themeluara nga njerëzit dhe qytetërimet e lashta e kanë njohur agjërimin, si mjet për t’ju afruar perëndive, ose si mënyrë pastrimi dhe përqendrimi shpirtëror.[13]
Porse Islami e solli agjërimin në formën e tij më të pastër, e pastroi nga çdo devijim, dhe e bëri ngritje për trupin dhe shpirtin, pasi më parë ishte kthyer në një lloj dënimi të vetes dhe mjeti për zhdukjen e saj.
Përmbledhje:
- Agjërimi në Islam është simbol i forcës, përpjekjes dhe punës, jo i dobësisë dhe dembelizmit. Myslimani nuk e neglizhon detyrën jetësore për shkak të agjërimit dhe as nuk e humbet vullnetin përballë tundimeve të ushqimit. Këtë e dëshmojnë ngjarje madhore historike që ndodhën në Ramazan, si Beteja e Bedrit, Çlirimi i Mekës dhe Çlirimi i Andaluzisë.
- Agjërimi ka përfitime të mëdha për shpirtin dhe trupin. Shumë sëmundje vijnë nga teprimi në të ngrënë dhe për këtë arsye agjërimi është ilaç e pastrim. Ai i ndihmon njerëzit të jenë më të shëndetshëm e më produktivë.
- Lodhja gjatë agjërimit shpesh ndodh për shkak të moszbatimit të udhëzimeve të Profetitﷺ dhe të etikës islame të agjërimit. Agjërimi që urdhëroi Islami është burimi më i madh i ushqimit për shpirtrat dhe dobitë e tyre; ai edukon ndërgjegjen e myslimanit, duke ia bërë të qartë se është nën mbikëqyrjen e Zotit të tij, dhe kjo e shtyn të kryejë shumë punë në pak kohë.
- Islami nuk është i vetmi që ka përcaktuar agjërimin si detyrim. Ai është bërë obligim edhe për popujt e mëparshëm. Tora ua ka bërë obligim hebrenjve të agjërojnë dyzetë ditë në vit, ndërsa Ungjilli e bën detyrim për të krishterët agjërimin nga ngrënia e mishit dhe produkteve të tij. Madje edhe disa fe pagane dhe besime të tjera e kanë agjërimin si mënyrë për t’u afruar te zotat e tyre.
Veçse agjërimi në Islam ka një veçori të veçantë, që e dallon nga të gjitha fetë e tjera: ai është lartësim i trupit dhe i shpirtit, pasi më parë ishte vetëm një formë torturimi për vetveten dhe përpjekje për asgjësimin e saj.
Referenca: https://bayanelislam.net/Suspicion.aspx?id=01-06-0025&value=&type=
_________________________
[1] Fikhul Islami ue Ediletuhu, Uehbe Zuhejli: (2/575), Damask 1996.
[2] Ibadetu fil Islam, Jusuf Kardavi: (fq. 294), Kajro 1995.
[3] Ahmedi dhe Ebu Daudi, hadithi është konsideruar i saktë nga shejh Albani.
[4] Buhariu dhe Muslimi
[5] Hakaikul Islam fi Muvaxhahati Shubuhat Mushekikin, Mahmud Hamdi Zakzuk: (fq. 646), Kajro 2006.
[6] Ahmedi dhe Tirmidhiu, e ka saktësuar shejh Albani.
[7] El Ibadetu fil Islam,Jusuf Kardavi: (fq. 290), Kajro 1995.
[8] The Beneficial and Adverse Effects of Autophagic Response to Caloric Restriction and Fasting, https://pmc.ncbi.nlm.nih.gov/articles/PMC10509423/ Autophagy Fasting: How to Do It + Why You Should, https://zerolongevity.com/blog/fast-your-way-to-autophagy/
[9] Mearif Tajibe fi Deui el Kurani ve Suneti, Ahmed Shevki Ibrahim: (fq. 160), Kajro 2002.
[10] Muslimi.
[11] (Buhariu dhe Muslimi)
[12] Miatu Sual anil Islam, Muhamed Gazali: (fq. 339), Kajro 2004.
[13] Mukaranetul Edjan: El Islam, Ahmed Shelebi: (3/144), Kajro 1977.