A e konsiderojnë të krishterët Marinë (paqja qoftë mbi të), si hyjni, ashtu siç përmendet në Kuran?

Përmbajtja e dyshimit:

Disa të krishterë pretendojnë se Kurani ka gabuar rreth asaj që Allahu i tha Krishtit (Isait): “Pastaj Allahu do të thotë (në Ditën e Gjykimit): “O Isa, i biri i Merjemes! Ti ishe ai që u the njerëzve: “Adhuromëni mua dhe nënën time si hyjni krahas Allahut”?! Isai do të thotë: “Qofsh i lartësuar dhe i lavdëruar! Mua nuk më takon të them diçka, për të cilën nuk kam aspak të drejtë! Po ta kisha thënë ndonjëherë, Ti me siguri do ta dije. Ti e di çfarë ka në shpirtin tim, po unë nuk e di çfarë ka në Veten Tënde. Vetëm Ti i di të gjitha të fshehtat.” (El-Maide: 116)

Ata pretendojnë se askush nuk e adhuron virgjëreshën Mari, dhe për këtë arsye, sipas tyre, nuk kishte arsye që nëna e Krishtit të përmendej në ajet.

 

Hedhja poshtë e pretendimit:

  • Këta të krishterë që kanë shprehur këtë pretendim, fatkeqësisht nuk e njohin konceptin e adhurimit sipas asaj që ka përcaktuar feja Islame.
  • Nëse shohim përgjatë historisë do gjejmë se Merjemja (Maria), nëna e Isait është adhuruar nga të krishterët në vend të Allahut në shumë prej kishave të tyre.

 

Shtjellimi:

1- Këta të krishterë që kanë shprehur këtë pretendim, fatkeqësisht nuk e njohin konceptin e adhurimit në Islam.

Ky pretendim në fakt buron nga një keqkuptim dhe mosnjohje të nocionit të hyjnisë në Kuranin Fisnik dhe në Sunetin profetik. Sikur ky nocion të ishte i qartë, kjo pyetje nuk do të shtrohej fare dhe ky pretendim nuk do të kishte kuptim; sepse ai që mohon se Merjemja (paqja qoftë mbi të) është marrë si hyjni përgjatë historisë, në të vërtetë mohon dritën e diellit në mesin e ditës. Por, meqenëse ai që e shfaq këtë pretendim nuk e di kuptimin e hyjnisë sipas termave kuranorë, atëherë prej kësaj ka buruar edhe ky dyshim, nëse kjo nuk ka qëllim të keq. Por, nëse ka qëllim të keq, atëherë ai me këtë synon të sulmojë Kuranin.

Përdorimi i fjalës “ilah” (hyjni) në Kuran ka një përdorim të gjerë, i cili është përdorur për një sërë kuptimesh që janë të drejtë si në aspektin logjik ashtu edhe në aspektin fetar.

Kështu që në Kuran do të gjejmë se termi hyjni përdoret për çdo kënd të cilit i dedikohen ato vepra adhurimi që janë ekskluzive vetëm për Allahun, Zotin e vetëm Fuqiplotë.

Allahu i Madhëruar thotë në Kuranin Famëlartë:

Thuaj: “Thirrini ata që ju i hyjnizoni përveç Tij! Ata nuk mund t’jua largojnë të keqen e as nuk mund ta hedhin atë tjetërkund. Vetë ata që idhujtarët u luten, kërkojnë t’i afrohen Zotit të tyre, madje edhe më të afërtit, duke shpresuar mëshirën e Tij dhe duke iu frikësuar dënimit të Tij. Me të vërtetë, nga dënimi i Zotit tënd duhet të ruhet gjithkush.” (El-Isra, 56–57).

Çdo krijesë, që njerëzit e kanë madhëruar përtej pozitës së saj njerëzore, dhe i kanë dhënë asaj shenjtëri e nderim që i takon vetëm Allahut, duke besuar se zotëron aftësinë për shërim, zgjidhje të çështjeve apo falje, është bërë për ta një “hyjni” përveç Allahut, edhe nëse nuk e kanë quajtur me emrin “Zot”, “Hyj” apo “Perëndi”.
Pikërisht ashtu siç pohon Allahu i Lartësuari:

“Në vend të Allahut, ata kanë zgjedhur për zot rabinët dhe murgjit e tyre, si dhe Mesinë, të birin e Merjemes, ndërkohë që janë urdhëruar të adhurojnë vetëm një Zot, përveç të Cilit nuk ka tjetër që meriton të adhurohet. I lartësuar qoftë Ai mbi gjithçka që ia shoqërojnë (në adhurim)!” (et-Teube: 31).

Dihet se asnjë prej të krishterëve nuk ka besuar në hyjninë e dijetarëve apo të murgjve, por ata u dhanë atyre të drejtën e legjitimimit, të drejtën për të lejuar apo ndaluar diçka. Kështu, Kryepeshkopi më i lartë (Papa) u konsiderua si i autorizuar për të nxjerrë gjykime të lejuara e të ndaluara përveç Zotit. Por kjo cilësi e “ligjvënies absolute” i takon vetëm Allahut. Prandaj, kur të krishterët ia atribuojnë këtë dijetarëve e murgjve të tyre, Kurani e quan këtë idhujtari dhe e përfshin në kuptimin e “hyjnisë së rreme”.

Po kështu, Kurani e quan çdo gjë të dashur që vihet mbi dashurinë ndaj asaj që do Allahu dhe që Ai e pëlqen, një “hyjni”, siç ka thënë i Lartësuari: “A e ke parë ti atë që epshin e vet e ka marrë për zot? A do t’i bëhesh mbrojtës atij?” (el-Furkan: 43)
Po ashtu thotë: “Mendo pak! Kush, përveç Allahut, mund ta udhëzojë atë njeri, që dëshirat e veta i ka marrë për hyj; atë njeri, të cilin Allahu, duke e njohur për të tillë, e ka shpënë në humbje, duke ia vulosur dëgjimin dhe zemrën e duke i vënë perde para syve të tij?! A nuk po merrni vesh?” (el-Xhathije: 23).

Shiko se si Kurani e ka quajtur tekat njerëzore “hyjni” në këto dy ajete, sepse ndjekja e dëshirave në mënyrë absolute, në të drejtën e në të gabuarën, e bën atë si të ishte një hyjni që duhet t’i bindesh. Ky është shkak i mjaftueshëm që në Kuran dhe në gjuhën arabe tekat të quhet “hyjni”.

Në këtë aspekt vjen dhe emërtimi i Merjemes si hyj dhe zot në Kuranin famëlartë, pasi gjatë historisë të krishterët e kanë hyjnizuar duke i drejtuar lutje, shfaqur nevoja dhe duke besuar tek ajo cilësi të cilat janë meritë dhe cilësi vetëm e Allahut.

 

  • Nëse shohim përgjatë historisë do gjejmë se Merjemja (Maria), nëna e Isait është adhuruar nga të krishterët në vend të Allahut në shumë kisha.

Të krishterët në doktrinën e tyre e konsiderojnë Jezusin (Isain) si Bir të Zotit dhe si Zot në Trininë e Shenjtë, i cili u mishërua në njeri duke lindur përmes Marisë (Merjemes) me anë të Shpirtit të Shenjtë. Pra sipas tyre Maria ishte nëna e shpëtimtarit të njerëzimit dhe nëna e zotit Jezus, dhe si e tillë ajo fitoi një admirim deri në atë shkallë saqë filluan ta lusnin dhe shpresonin duke menduar se ajo do t’i ndihmonte në shpëtimin e tyre.

Kështu aspektet e adhurimit që lidhen me Marinë fillojnë të shfaqen gjithnjë e më shumë në fund të shekullit të III-të dhe në fillim të shekullit të IV-t. Diku në këtë periudhë kohore, shfaqet për herë të parë edhe himni Sub tuum praesidium (“Nën mbrojtjen tënde”): “Ne kërkojmë strehë, o Theotokos (Bartëse e Hyjit)[1]; mos i përbuz lutjet tona në kohë shqetësimi, por na shpëto nga rreziqet, o e vetmja e pastër, e vetmja e bekuar.[2]

Në vazhdim, përgjatë historisë kishat katolike dhe ato bizantine, kanë qenë të mbushura plot me ikona dhe statuja të Marisë (Merjemes), të cilës të krishterët i kërkonin gjithçka që kërkohet prej Zotit, madje duke iu drejtuar me shprehjet: “Më fal”, “më mëshiro”, “më ndihmo”, “më shpëto” e të tjera si këto, duke u bazuar në idenë se ajo ndërmjetëson për këto gjëra te biri i saj.

Ky fenomen u bë aq shumë i pranishëm dhe i kudogjendur nëpër kishat katolike, saqë kur dolën protestantët me Martin Luterin, një nga gjërat me të cilën ata e akuzuan papatin dhe katolikët, ishte adhurimet që ata i kushtonin Marisë dhe ikonave të shenjtorëve.[3]

Kështu që nisur nga kjo, del qartë se pretendimi që Kurani Fisnik ka gabuar në lidhje me Marinë, është i pavërtetë, madje ai shfaq dhe injorancën, ose dashakeqësinë e atyre që hedhin këto akuza.

 

Redaksia: pergjigjet-islame.org

____________________________________

 

[1] Ky term u afirmua për Marinë zyrtarisht në Këshillin e Tretë Ekumenik të mbajtur në Efes në vitin 431

[2] Himni “Sub tuum praesidium” njihet nga dorëshkrimi më i hershëm që ruhet në një fragment kopjo, i njohur si papirusi John Rylands 470.

https://theoblogoumena.blogspot.com/2007/08/john-rylands-papyrus-470.html

[3] Për më tepër shiko: Martin Luther: A Very Short Introduction, Scott H. Hendrix (fq, 66).

0 Shares:
Postime të ngjashme