Dilema:
Disa njerëz mendojnë gabimisht se ekziston kontradiktë në Kuranin Famëlartë në lidhje me dallimin mes burrit dhe gruas dhe barazinë mes tyre. Ata e mbështesin këtë pretendim të tyre në fjalën e Allahut të Lartësuar:
- “O njerëz, frikësojuni Zotit tuaj, i cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm dhe prej tij krijoi palën e tij (bashkëshorten)” (En-Nisa: 1),
- “Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë.” (Err-Rrum: 21),
- “Allahu i ka krijuar për ju gratë nga lloji juaj e nga gratë tuaja ju jep djemtë e nipat…” (En-Nahl: 72),
Këto ajete bien ndesh -sipas tyre- me fjalën e Tij të Lartësuar:
- “Meshkujt kanë autoritet mbi gratë, meqë Allahu u ka dhënë disa cilësi mbi ato dhe, meqë ata shpenzojnë për mbajtjen e tyre.” (En-Nisa: 34).
Ata pyesin: Si është e mundur që Kurani në disa vende vendosë barazi mes burrit dhe gruas, duke pohuar se të dy janë krijuar nga një qenie e vetme, e pastaj në vende të tjera vendosë përparësinë e burrit ndaj gruas dhe i njehë të drejtën atij për ta goditur dhe për ta bojkotuar?
Ata synojnë përmes këtij pretendimi të hedhin dyshim mbi Kuranin Famëlartë dhe dispozitat e tij.
Rrëzimi i kësaj dileme:
- Gruaja është pjesë nga burri, dhe Allahu e krijoi atë prej vetë burrit, që ai të gjejë prehje tek ajo.
- Kurani e ka barazuar burrin dhe gruan në të gjitha çështjet, përveç atyre që natyrshëm kërkojnë dallim, për shkak të natyrave të ndryshme, dhe këto janë të pakta.
- Pjesëmarrja e gruas me burrin në trashëgimi është drejtësi dhe barazi.
- Islami ia ka dhënë burrit përgjegjësinë e udhëheqjes për arsye natyrore dhe të fituara.
- Ndryshimi i funksioneve mes burrit dhe gruas është sipas ndryshimit të natyrës së tyre.
Shtjellimi:
E para: Gruaja është pjesë e burrit dhe Allahu e krijoi atë që ai të gjejë prehje tek ajo:
Havaja qe bashkëshortja e Ademit – paqja qoftë mbi të – dhe ai ishte i pari që ia dha këtë emër kur ajo u krijua nga brinja e tij, pa ndier ai asnjë dhimbje. Po të kishte ndier diçka, burri nuk do të kishte mëshirë ndaj gruas. Përcillet se kur ai u zgjua, iu tha: “Kush është kjo?” Tha: “Grua.” U pyet: “Si e quajte?” Tha: “Hava.” U pyet: “Pse e quajte ‘grua’ (imra’a)?” Tha: “Sepse u mor nga njeriu (mer’u).” U pyet: “Pse e quajte Hava?” Tha: “Sepse u krijua nga një i gjallë.”
Ibn Mes’udi dhe Ibn Abasi – Allahu qoftë i kënaqur me ta – kanë thënë: “Kur Allahu e vendosi Ademin në Xhenet, ai ecte në të i vetmuar. Kur ra në gjumë, Allahu krijoi Havanë nga brinja e tij e shkurtër në anën e majtë, që ai të gjente prehje dhe shoqëri tek ajo. Kur u zgjua dhe e pa, tha: ‘Kush je ti?’ Tha: ‘Grua, u krijova nga brinja jote që ti të gjesh prehje tek unë.” [1]
Ky është kuptimi i fjalës së Allahut: “O njerëz, frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm dhe prej tij krijoi palën e tij (bashkëshorten)” Allahu i Lartësuar e krijoi Havanë nga natyra e Ademit, në mënyrë që kjo të jetë më e përshtatshme për harmonizim, afrim dhe shoqërim mes tyre.[2]
E dyta: Kurani ka barazuar mes burrit dhe gruas në shumicën e çështjeve, përveç atyre ku ka bërë dallim për shkak të natyrës së ndryshme që kanë:
Kurani fisnik e ka barazuar burrin dhe gruan në shumë çështje, të cilat i ka përmbledhur shkurtimisht Dr. Vehbi Sulejmani në disa pika, prej të cilave janë:
- E barabartë në njerëzoren: Islami erdhi për të shpallur barazinë e plotë në njerëzoren mes burrit dhe gruas. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj, i cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm dhe prej tij krijoi bashkëshorten e tij”. (En-Nisa: 1).
Profeti ﷺ ka thënë: “Me të vërtetë, gratë janë të ngjashme me burrat”.[3]
Të gjithë burrat janë bij nënash dhe baballarësh, dhe të gjitha gratë janë bija baballarësh dhe nënash. Të dy janë krijuar në natyrshmërinë e mirë, dhe Allahu i ka udhëzuar drejt së mirës. Profeti ﷺ ka thënë: “Çdo fëmijë lind në natyrshmërinë e pastër, por prindërit e tij e kthejnë hebre, të krishterë apo zjarrputist”.[4] - E barabartë në krijim: Islami ka ardhur për të shpallur se burri dhe gruaja në shpirt janë të njëjtë; dhe shpirtit lartësohet me besim dhe moral të mirë, dhe bie poshtë me mosbesim dhe devijim. Allahu i Lartësuar thotë: “Për shpirtin dhe për Atë që e ka përsosur, duke ia bërë të njohur atij të keqen e të mirën! Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë.” (Esh-Shems: 7-10).
Disa dallime trupore mes burrit dhe gruas nuk ndikojnë në natyrën e përbashkët shpirtërore, e cila është thelbi. Siç ka thënë edhe një poet:
Kthehu nga vetvetja dhe virtytet e saj plotëso,
ty të bën njeri shpirti, e jo trupi.
- E barabartë në dinjitetin njerëzor: Islami erdhi për të shpallur barazinë mes burrit dhe gruas në dinjitetin njerëzor. Ai ndaloi varrosjen e vajzave nga frika e turpit dhe ndaloi vrasjen e fëmijëve nga frika e varfërisë. Ibn Mesudi – Allahu qoftë i kënaqur me të – transmeton:
“E pyetën Pejgamberin ﷺ: “Cili është mëkati më i rëndë?” Ai tha:“T’i bësh ortak Allahut, ndërsa Ai të ka krijuar.”I thashë: “Po pastaj?” Ai tha: “Të vrasësh fëmijën tënd, nga frika se do të ushqehet së bashku me ty.” Thashë: “Po pastaj?” Ai tha: “Të bësh imoralitet me gruan e fqinjit tënd.”.[5]
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Kur e varrosura (për së gjalli) të pyetet, për çfarë faji u vra” (Et-Tekuir: 8–9).
Juristët islamë (fukahatë) pohojnë se burri dënohet me vdekje nëse vret një grua me vetëdije, jo gabimisht, njësoj sikurse dënohet për vrasjen e një burri në të njëjtat rrethana.
- E barabartë në besimin tek Allahu i Madhëruar, obligimet fetare dhe shpërblimin për to: Islami erdhi për të shpallur barazinë mes burrit dhe gruas në besim, vepra dhe shpërblimin për to. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Me të vërtetë që për myslimanët dhe myslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të bindurit ndaj Allahut dhe të bindurat ndaj Allahut, të drejtët (të sinqertët) dhe të drejtat (të sinqertat), duruesit dhe durueset, të përulurit dhe të përulurat, mirëbërësit dhe mirëbërëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.” (El-Ahzab: 35)
Gruaja është krijesë e pavarur në lidhje me përgjegjësinë për veprat që ajo bën, ashtu si edhe burri. Secili është i obliguar veçmas me dispozitat e sheriatit (përveç rasteve të përjashtuara për secilin), dhe secili shpërblehet për zbatimin e asaj që ka urdhëruar Allahu – pa e shumëfishuar shpërblimin e njërës palë më shumë se tjetra, dhe gjithashtu ndëshkohet për veprën mëkatare dallim njëri nga tjetri. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” (Ez-Zelzele: 7–8)
- E barabartë në dijen e domosdoshme personale dhe kolektive:
Islami ka nxitur mësimin e gruas dhe burrit njësoj. Gruaja është e obliguar të besojë në Allahun e Lartësuar dhe në atë që Ai ka zbritur, si dhe është e obliguar t’i bindet Atij në zbatimin e urdhrave dhe largimin nga ndalesat – dhe kjo nuk arrihet veçse përmes dijes.
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Çdo burrë që posedon një robreshë, të cilën e mëson dhe edukon në formën më të mirë, pastaj e liron dhe martohet me të, i tilli shpërblehet dy herë.”[6]
Gruaja merrte pjesë në faljet me Pejgamberin ﷺ, e mbuluar dhe pa u zbukuruar. Ajo merrte pjesë në mësimet, këshillat dhe ligjëratat e tij, e dëgjonte atë në xhuma dhe festat e Bajramit. Gratë e Pejgamberit ﷺ kanë marrë shumë njohuri nga ai lidhur me kuptimin e Kuranit dhe dispozitat e tij, si dhe shumë prej fjalëve, veprave dhe haditheve të tij. Ai ﷺ e ngarkoi Umu Shefa që t’u mësonte disa grave të tij shkrimin.
Gruaja myslimane iu qas dijes me seriozitet që kur Allahu e nderoi me Islam. Ka shumë hadithe që transmetuan Nënat e Besimtarëve nga i Dërguari ﷺ. Janë të shumta thëniet e transmetuara prej tyre në tefsir, jurisprudencë dhe hadith. Janë të shumta gratë që e mësuan përmendësh të gjithë Kuranin apo pjesën më të madhe të tij, si dhe shumë hadithe të Pejgamberit ﷺ, dhe që i përcollën ato te burrat nga pas mbulesës.
- E barabartë në edukim:
Islami ka nxitur edukimin dhe formimin moral të vajzave njësoj si të djemve. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat, ruani veten dhe familjet tuaja nga një zjarr…” (Et-Tahrim: 6)
Ndërsa Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Çdo mysliman që ka dy vajza dhe i trajton mirë, për sa kohë që ato janë me të ose ai është me to, ato do ta fusin në xhenet.”[7]
- E barabartë në moral, në nevojën për pastërtinë e zemrës, qëllimit, gjuhës dhe gjymtyrëve: Islami e nxit gruan të ngrihet moralisht njësoj si burri, sepse shoqëria përbëhet nga të dy elementë: burri dhe gruaja. Kur Aishja – Allahu qoftë i kënaqur prej saj – u bë xheloze dhe tha për Safijen bijën e Hujejit: “Mjafton që Safija, ajo është kështu,” duke nënkuptuar: e shkurtër, Profeti ﷺ i tha: “Ke thënë një fjalë që, sikur të përzihej me ujin e detit, do ta ndotë atë.”[8]
Gruaja është përgjegjëse njësoj si burri për zemrën e saj – për besimin ose hipokrizinë, sinqeritetin ose dyfaqësinë –, për gjuhën e saj – për të vërtetën dhe gënjeshtrën, ruajtjen ose sulmin ndaj nderit të të tjerëve – dhe për gjymtyrët e saj – për bindjen ose mëkatin, dhe për qëndrimin brenda kufijve të Allahut ose tejkalimin e tyre drejt ndalesave të Tij.
- E barabartë në dënimet e caktuara dhe të pacaktuara:
Meqë gruaja është si burri në obligimet fetare, ajo është njësoj si burri në Islam në mbajtjen e përgjegjësisë për veten e saj në besim, fjalë dhe vepra. Islami ndërtohet mbi pesë parime, të cilat përfshijnë gjithçka që ai përmban, dhe gjithçka tjetër është ose shoqëruese e këtyre parimeve, ose mbështetje për to, ose kufij për mbrojtjen e tyre dhe rregulla. Allahu i Lartësuar ka vendosur dënime të caktuara, të quajtura “hudude”, për ata që shkelin njërën prej këtyre pesë parimeve, qofshin meshkuj apo femra. Përtej tyre, dënimet për veprat si mashtrimi në marrëdhënie tregtare apo dëshmia e rreme i përkasin gjykimit të shtetit dhe ndryshojnë sipas interesit publik – këto dënime quhen “ta’zir” (ndëshkime disiplinore). Këto pesë parime thelbësore janë: ruajtja e fesë, jetës, mendjes, nderit dhe pasurisë.
- E barabartë në zbatimin e Islamit dhe të jetuarin sipas tij në përputhje me natyrën dhe funksionin e saj në jetë:
Meqë gruaja është përgjegjëse për besimin e saj në Islam, ajo, ashtu si burri, është përgjegjëse për ruajtjen e Islamit, veprimin sipas normave të tij dhe thirrjen në të. Njeriu i parë që besoi ishte pikërisht një grua: Haxherja – Allahu qoftë i kënaqur me të – e cila e mbrojti Islamin duke i qëndruar pranë Profetit – paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të – kur ai i tregoi për shpalljen.
Të parët që u sakrifikuan në Islam ishin Jasiri dhe bashkëshortja e tij Sumeja. Ka shumë shembuj nëpër librat e historisë, të cilat dëshmojnë se gruaja muslimane ka luftuar për të ruajtur Islamin në zemrën e saj, për të jetuar me të dhe për ta përçuar atë tek njerëzit; sepse Islami është feja e Allahut të Lartësuar, dhe burri e gruaja janë të dy robërit e Allahut të Lartësuar.
- E barabartë në pohime, kontrata dhe veprime: Islami erdhi për të vendosur barazinë mes burrit dhe gruas në pohime për veprime verbale dhe financiare, si: dhurimi, sadakaja, huadhënia, vakëfi, shitblerja, përfaqësimi, garantimi, vrasja, vjedhja, etj. Nuk ka asnjë dallim në asnjë prej këtyre veprimeve mes burrit dhe gruas. Nga Ebu Shurejh – Allahu qoftë i kënaqur me të- transmeton se i Dërguari i Allahut – paqja qoftë mbi të – ka thënë: “O Allah, unë e konsideroj të rëndë (gjynah) të drejtat e dy të dobëtëve: jetimit dhe gruas”.[9]
Me këtë sqarim, bëhet e qartë për ne se Islami ka vendosur parimin e barazisë mes burrit dhe gruas në mënyrën më të gjerë të mundshme, gjë që ka munguar – madje ka qenë e munguar – në fetë apo librat e tjerë që janë shtrembëruar, çka na shtyn të pranojmë shkallën e lartë të barazisë dhe nderimit që Islami dhe Kurani i kanë dhënë gruas, krahasuar me gjendjen e saj të përbuzur te të tjerët jashtë Islamit.
E treta: Pjesëmarrja e gruas me burrin në të drejtën e trashëgimisë është drejtësi dhe barazi:
Dijetarët e kanë sqaruar urtësinë e ndarjes së pasurisë së trashëgimisë dhe shpërndarjes së pjesëve për meshkujt dhe femrat duke thënë: Pjesëmarrja e femrës me mashkullin në të drejtën e trashëgimisë nga i vdekuri është drejtësi dhe barazi, pasi që më parë ajo ka qenë e privuar tërësisht nga kjo e drejtë në ligjet dhe fetë e tjera. Urtësia e përparësisë së mashkullit në disa raste qëndron në faktin se ai mban përgjegjësinë për familjen, për shkak të pozicionit të tij si kryefamiljar, edhe nëse femra është e pasur, prapëseprapë shpenzimet për të janë përgjegjësi e burrit të saj. Gjithashtu, ekzistojnë raste kur femra barazohet me mashkullin në trashëgimi, madje mund ta tejkalojë atë: si p.sh. vajza në raport me xhaxhallarët – ajo merr gjysmën e pasurisë së të atit, kurse të gjithë xhaxhallarët ndajnë gjysmën tjetër. Mashkulli nuk ka ndonjë përparësi ndaj femrës në trashëgimi përveçse rastin kur ajo ka vëlla dhe trashëgon me të sipas rregullit trashëgimtarëve (nga ana e babait pa pjesë të përcaktuara).
Kur Islami caktoi pjesën e trashëgimisë së femrën gjysmën e asaj që merr mashkulli në raste të caktuara, u bazua në një parim të drejtë, që bëhet i qartë kur krahasohet me gjendjen e gruas në ligjet dhe fetë e tjera për këtë çështje. Te grekët dhe romakët e lashtët, trashëgimia i takonte atij që ishte i aftë të kujdesej për çështjet e familjes dhe të merrte pjesë në luftëra, dhe trashëgimlënësi kishte të drejtë të zgjidhte gjatë jetës së tij atë që do të të trashëgonte pas tij drejtimin e familjes — qoftë nga bijtë e tij, nga të afërmit apo edhe të huajt. Ndërsa pak para shfaqjes së Islamit, disa popuj kishin filluar ta përfshijnë gruan në trashëgimi në mënyrë të barabartë me burrin.
Hebrenjtë dikur ia jepnin trashëgiminë vetëm djalit, duke e përjashtuar vajzën .Dhe nëse kishte disa djem, atëherë vetëm djali i madh trashëgonte, duke i përjashtuar të tjerët. Në Librin e Ligjit të Përtërirë thuhet: “Nëse një burrë ka dy gra, njërën të dashur dhe tjetrën të urryer, dhe ato i kanë lindur djem — si e dashura ashtu edhe e urryera — dhe djali i parë është i së urryerës, atëherë kur ai t’ua ndajë pasurinë e tij bijve të vet, nuk i lejohet të preferojë djalin e së dashurës duke i dhënë të drejtën e të parëlindurit përpara djalit të së urryerës që është në të vërtetë i pari. Por ai duhet ta njohë djalin e së urryerës si të parëlindur dhe t’i japë atij pjesën e dyfishtë nga gjithçka që ka, sepse ai është fryti i fuqisë së tij të parë. Ai ka të drejtën e të parëlindurit.” (Ligji i Përtërirë 21:15–17)
Islami nuk e ka privuar gruan nga trashëgimia, qoftë ajo nga prindërit, nga pasardhësit apo nga të afërmit, qoftë ajo e lidhur me të me anë të gjakut apo me lidhje martese; dhe nuk është marrë parasysh nëse trashëgimtari është në gjendje të kryejë detyrat e kryefamiljarit apo jo – sepse në këtë do të kishte padrejtësi dhe privim për femrën nga pasuria e atyre që është e lidhur me ta. Por, ndërkohë i është dhënë mashkullit sa dyfishi i femrës, në rastin kur ajo gjendet me vëllezërit që trashëgojnë nga ana e babait pa pjesë të përcaktuar, sepse në shumë raste ata marrin pjesë në vënien e kësaj pasurie, gjithashtu me përpjekjet e tyre e ruajnë atë nga shkatërrimi, dhe janë burimi i rritjes dhe i shtimit të saj. Po ashtu mashkulli është ai që mban përgjegjësinë për familjen, përfshirë edhe femrën, pjesa e të cilës nuk preket aspak nga ky rregull. Prandaj, barazimi mes tyre nuk është drejtësi, sepse gruaja në Islam është gjithmonë nën përgjegjësinë e të tjerëve, dhe shpenzimet për të janë detyrë e babait derisa ajo të martohet, e më pas e bashkëshortit; e nëse vdes bashkëshorti i saj, atëherë shpenzimet janë detyrë e fëmijëve të saj derisa ajo të ndërrojë jetë. Privimi i saj nga trashëgimia nuk është drejtësi, sepse ndoshta ajo nuk ka bashkëshort që të shpenzojë për të, dhe ajo do të mjaftohet me atë që ka trashëguar nga i ndjeri.[10]
E katërta. Islami ia ka dhënë kujdestarinë burrit për arsye natyrore dhe të fituara:
Allahu i Lartësuar e ka vendosur kujdestarinë (parësinë) në përgjithësi për burrat, dhe jo për çdo individ më vete; sepse në përgjithësi ata janë më të zotët në menaxhim, mendim dhe sigurimin e jetesës sesa gratë në shumë rrethana. Ata janë gjithashtu ata që marrin përsipër shpenzimet. Allahu i ka dalluar me këtë cilësi, ndërkohë që grave u ka dhënë rolin e ruajtjes së fshehtësisë (besnikërisë) ndaj burrave, duke qenë të besuara në gjithçka që lidhet me menaxhimin e shtëpisë. Pra, secilit grup i përket një e drejtë që tjetri nuk e ka.
Sa i përket kuptimit të kujdestarisë, siç ka thënë Imam Muhamed Abduh në tefsirin e tij: “Ajo nënkupton udhëheqjen, në të cilin i udhëhequri vepron me vullnetin dhe zgjedhjen e tij. Assesi nuk do të thotë se i udhëhequri është i nënshtruar pa vullnet dhe nuk vepron asgjë, veçse nën urdhrat e udhëheqësit. Të jesh udhëheqës i dikujt do të thotë ta udhëzosh dhe ta mbikëqyrësh në zbatimin e këtyre udhëzimeve, pra ta vëzhgosh në veprimet e tij dhe ta edukosh – dhe ndër këto detyra përfshihet edhe ruajtja e shtëpisë dhe qëndrimi në të.
Ajo që nënkuptohet me fjalën e Allahut të Lartësuar: “Burrat janë përgjegjës për gratë për shkak të asaj me të cilën Allahu i ka dalluar disa prej tyre mbi disa të tjerë” (En-Nisa: 34), është epërsia e burrave mbi gratë. Urtësia e kësaj shprehjeje është e njëjtë me atë që gjendet në fjalën e Tij: “Dhe mos lakmoni atë me të cilën Allahu ka dalluar disa prej jush mbi disa të tjerë” (En-Nisa: 32), e cila shpreh se gruaja është nga burri dhe burri nga gruaja, sikurse gjymtyrët nga trupi i një personi të vetëm. Burri është si koka, gruaja si trupi.
Dallimi me të cilin i është dhënë përparësia ndahet në dy lloje:
- e lindur: se përbërja (natyra) e burrit është më e fortë, më e plotë dhe më e përsosur.
- e fituar: se burri është më i aftë në fitim, shpikje dhe në menaxhimin e çështjeve.
Dhe burri – siç janë shprehur disa autorë – është i ngjashëm me kapitenin e një anijeje që e lundron atë nëpër ujërat e jetës martesore, mes dallgëve të problemeve dhe thellësive të papritura. E nëse kësaj anijeje do t’i jepej mundësia të lëvizte në ujëra të qeta dhe valë të buta, kapiteni do ta shfrytëzonte shumë këtë rast, dhe anija e tij do të përparonte përpara e sigurt, duke arritur në rrugën e lumturisë martesore atë që nuk do ta arrinte nëse deti do të tërbohej, valët do të përplaseshin dhe zemërimi i tij do të shpërthente – gjendje kjo që shqetëson kapitenin, ia ngatërron mendjen dhe kërkon vendosmëri dhe vigjilencë që të ruajë ekuilibrin e anijes dhe të shpëtojë të paktën nga një rrezik i sigurt, përveç asaj që humb nga ecja përpara.[11]
Me këtë sqarim na bëhet e qartë se nevoja kërkon që të ketë një kujdestar që i besohet drejtimi i përgjithshëm i kësaj kompanie të përbashkët mes burrit dhe gruas, dhe pasardhësit si produkt i tyre. Njerëzit në të gjitha organizimet e tyre kanë arritur në përfundimin se patjetër duhet të ketë një udhëheqës, përgjegjës, përndryshe kaosi do të shtrihej gjithandej. Dhe burri, duke qenë se ka aftësi për t’u përballur dhe t’i kontrollojë nervat e tij kundrejt pasojave dhe rezultatet e tyre, është më i përshtatshëm se gruaja për çështjen e kujdestarisë së shtëpisë. Madje një grua që e komandon burrin dhe ai i nënshtrohet dëshirave të saj, ajo nuk e respekton atë, por e përçmon në mënyrë të natyrshme, duke mos i dhënë asnjë vlerësim.
E pesta: Dallimi i funksionit të burrit dhe gruas është sipas natyrës biologjike të secilit prej tyre:
Funksioni i burrit ndryshon nga ai i gruas sipas natyrës së secilit prej tyre, dhe për këtë arsye disa që pretendojnë të kundërtën kanë menduar se kjo është në kundërshtim me barazinë, por çështja është krejt e kundërta e asaj që ata mendojnë. Këtë të vërtetë e sqaron Muhamed Kutub duke thënë: “Barazia në njerëzoren është çështje natyrore dhe kërkesë e arsyeshme, sepse burri dhe gruaja janë gjysmat e njerëzimit dhe gjysmat e të njëjtës qenie. Por, funksionet e jetës dhe mënyrat e saj, si mund të zbatohen? A është në mundësinë e dikujt që të ndryshojë natyrat e gjërave, në mënyrë që burri të marrë pjesë me gruan në shtatzëni, lindje dhe gjidhënie?”
Specifikimi i njërës nga gjinitë me barrën e shtatzënisë dhe gjidhënies sjell si pasojë që ndjenjat, emocionet dhe mendimet e asaj gjinie të jenë të përgatitura në mënyrë të veçantë për ta përballuar këtë ngjarje madhore dhe për të ecur në hap me kërkesat e saj të vazhdueshme. Mëmësia, me të gjitha ndjenjat e saj fisnike, veprimet e saj të buta, durimin gjatë përpjekjeve të vazhdueshme dhe saktësinë e jashtëzakonshme në vëzhgim dhe veprim, është përshtatje psikologjike, nervore dhe mendore që përputhet me përshtatjen fizike për shtatzëninë dhe gjidhënien. Të dyja këto janë plotësuese për njëra-tjetrën dhe në harmoni të plotë, saqë është absurde të ekzistojë njëra pa tjetrën.
Kjo butësi në ndjenja, reagimi i shpejtë emocional dhe shpërthimi i fuqishëm i emocioneve që e bëjnë anën emocionale – e jo atë mendore – burim të gatshëm për shpërthim dhe gjithnjë i gatshëm për agravim qoftë dhe me shkëndijën më të vogël; të gjitha këto janë domosdoshmëritë e mëmësisë. Sepse kërkesat e mëmësisë nuk kanë nevojë për një të menduar që mund të jetë i ngadaltë ose i shpejtë, e që mund të përgjigjet ose jo. E gjithë kjo është gjendja e natyrshme e gruas kur ajo kryen funksionin e saj themelor dhe arrin qëllimin e saj të caktuar.
Ndërsa burri, nga ana tjetër, është i ngarkuar me përballimin e betejave të jetës jashtë shtëpisë – qoftë kjo përballje me egërsirat e pyllit, ose forcat e natyrës që vijnë nga qielli apo toka, qoftë kjo përballje nga detyrimet që vijnë nga shteti apo nevoja ekonomike – dhe gjithë kjo për të siguruar ushqimin, për të mbrojtur veten, gruan dhe fëmijët e tij nga çdo e ligë. Ky funksion kërkon që të mos jetë emocioni burim i veprimit, përkundrazi, sepse kjo do ta dëmtonte dhe nuk do ta ndihmonte familjen. Emocionet mund të ndryshojnë në një çast, nga një ekstrem në tjetrin.
Por, kjo nuk do të thotë se ka një ndarje e prerë dhe përfundimtare midis dy gjinive, ku asnjëri nuk ka asnjë aftësi për të kryer punën e tjetrit. Gjenden gra që janë të afta për qeverisje apo gjykim, për të mbajtur pesha të rënda, për luftë apo beteja – ashtu siç ka dhe burra që gatuajnë, menaxhojnë shtëpinë, mbikëqyrin e kujdesen për fëmijët, duke pasur ndjeshmëri të ngjashme me atë të grave, e që mund të jenë emocional që kalon në çast nga një ekstrem në tjetrin. E gjithë kjo është diçka e natyrshme dhe rezultat i drejtë i përzierjes së gjinive në qenien e njëri-tjetrit, por është e zbrazët nga ajo domethënie e rreme që kanë dashur t’ia ngjisin asaj shthuracakët e skajeve të botës në Perëndimin e shthurur ose Lindjen e përçarë.[12]
Përmbledhje:
Nuk ka asnjë kundërthënie ndërmjet ajeteve të Kuranit që flasin për përparësinë e burrit ndaj gruas dhe atyre që flasin për barazinë mes tyre, sepse Allahu – i Lartësuar – e ka përcaktuar që gruaja është pjesë e qenies së burrit, e krijuar nga brinja e tij, dhe Allahu e krijoi që burri të gjejë prehje dhe ngushëllim tek ajo.
Kurani Famëlartë dhe Islami e kanë barazuar burrin dhe gruan në shumë çështje, ndër to: të drejtat njerëzore, krijimi, besimi dhe detyrimet fetare, edukimi dhe përmirësimi, dituria, morali, dënimet e caktuara dhe të pacaktuara për ruajtjen e fesë, jetës, pasurisë, nderit dhe sigurisë, zbatimi i Islamit dhe jetesa sipas tij në përputhje me natyrën dhe funksionin e tyre, e drejta e trashëgimisë, aktet, kontratat dhe veprimet… etj.
Vetë pjesëmarrja e gruas me burrin në të drejtën e trashëgimisë është drejtësi dhe barazi, dhe përfaqëson një rrugë të mesme mes atyre që e privuan gruan krejtësisht nga kjo e drejtë në legjislacionet joislame, dhe atyre që i dhanë më shumë sesa i takon – gjë që është gjithashtu padrejtësi. Arsyeja e përparësisë së burrit ndaj saj është se ai mban përgjegjësinë e familjes për shkak të barrës së mbarëvajtjes së saj.
Islami ia ka dhënë drejtimin (kujdestarinë) burrit për arsye natyrore dhe të fituara: natyrore, sepse natyra e burrit është më e fortë, më e plotë dhe më e qëndrueshme; të fituara, sepse ai është më i aftë nga përvoja për të fituar, improvizuar dhe marrë vendime.
Funksioni i burrit dhe gruas ndryshon sipas natyrës së tyre. Qenia e njërës gjini e përkushtuar për barrën e shtatzënisë dhe ushqimin e fëmijës kërkon që ndjenjat, emocionet dhe mendimet e saj të jenë të përgatitura për ta përballuar këtë mision madhor, ndërsa burri është i ngarkuar me përballjen me jetën jashtë shtëpisë, për sigurimin e të ardhurave dhe mbrojtjen e vetes, gruas dhe fëmijëve. Ky mision kërkon një arsye të ftohtë, vendimmarrje të matur dhe dominimin të arsyes ndaj emocioneve, pa reagime të vrullshme që ndryshojnë në çast nga një skaj në tjetrin.
Referena: https://bayanelislam.net/Suspicion.aspx?id=01-01-0014&value=&type=
___________________________
[1] Xhamiu Ahkam el Kuran, Kurtubi: (1/301), Bejrut 1985.
[2] Meusuatu el Usra tahte Riajetil Islam, Atije Sakr: (2/7), Kajro 2003.
[3] Ahmedi dhe Ebu Daudi, e ka saktësuar Albani.
[4] Buhariu
[5] Buhariu dhe Muslimi.
[6] Buhariu dhe Muslimi.
[7] Ibn Maxhe dhe Ibn Hiban, Shejh Albani e ka konsideruar të mirë.
[8] Ebu Daudi dhe Tirmidhiu, e ka saktësuar Albani.
[9] Ahmedi dhe Ibn Maxhe, Shejh Albani e ka konsideruar të mirë.
[10] Mer’atul Muslimetu , Vehbi Sulejman Gavoçi: (fq. 32), Damask 1999.
[11] Meusuatu el Usra tahte Riajetil Islam, Atije Sakr: (2/24).
[12] Shubuhat Havlel Islam, Muhamed Kutub: (fq. 116), Kajro 2001.