Kundërthënie e pretenduar në Kuran: pohimi se Allahu e dëshiron shirkun, por nuk e pëlqen atë

Një nga keqkuptimet në leximin e Kuranit është pretendimi tendencioz se ai përmban një kundërthënie lidhur me çështjen e shirkut dhe vullnetit hyjnor. Nga njëra anë, Kurani pohon qartë se gjithçka ndodh me vullnetin e Allahut, ndërsa nga ana tjetër thekson se Allahu nuk e pëlqen shirkun dhe e ndalon atë në mënyrë të prerë. Në pamje të parë, për një lexues që nuk është i njohur me këto nocione, kjo mund të duket si një paradoks logjik: si është e mundur që Allahu ta dojë diçka dhe njëherësh ta urrejë dhe e ta ndalojë atë?

Megjithatë, një shqyrtim i kujdesshëm i tekstit kuranor dhe i mënyrës se si ai përdor terminologjinë e vullnetit, dëshirës dhe pëlqimit, tregon se nuk kemi të bëjmë me një kundërthënie reale, por me një keqkuptim që lind nga mosdallimi i niveleve të ndryshme, në të cilat vepron vullneti hyjnor.

Në radhë të parë, duhet theksuar se është një e vërtetë e padiskutueshme që çdo gjë, që ndodh në këtë botë ndodh me vullnetin e Allahut. Asgjë nuk del jashtë dijes, fuqisë dhe caktimit të Tij. Ky besim është një nga shtyllat themelore të imanit. Në këtë kuptim, edhe shirku i idhujtarëve nuk përjashtohet nga ky rend i përgjithshëm: ai ndodh sepse Allahu ka dashur që ai të ndodhë, në kuptimin që e ka lejuar dhe e ka përfshirë në caktimin e Tij, pra, në planin e përgjithshëm të krijimit. Po të kishte dashur që njerëzit të mos bënin shirk, ata nuk do ta kishin bërë; po të kishte dashur që ata të mos adhuronin askënd tjetër përveç Tij, nuk do të kishin adhuruar; dhe po të kishte dashur që të gjithë njerëzit të ishin të udhëzuar, të gjithë do të ishin të tillë.

Këtë realitet e pasqyrojnë qartë ajetet kuranore, ku përmenden fjalët e idhujtarëve: “Do të thonë ata që bënë shirk: sikur Allahu të kishte dashur, as ne e as etërit tanë nuk do të kishim bërë shirk dhe nuk do të kishim ndaluar asgjë.” (El-En‘am: 148) Dhe: “Dhe ata thanë: sikur i Gjithëmëshirshmi të kishte dashur, ne nuk do t’i adhuronim ata.” (Ez-Zuhruf: 20) Si dhe: “Dhe ata që bënë shirk thanë: sikur Allahu të kishte dashur, nuk do të kishim adhuruar asgjë tjetër përveç Tij, as ne e as etërit tanë, dhe nuk do të kishim ndaluar asgjë pa Të.” (En-Nahl: 35) Këto pohime të idhujtarëve nuk përgënjeshtrohen nga Kurani në aspektin e faktit që ato përmbajnë, por korrigjohen në mënyrën se si përdoren si justifikim. Po kështu, vetë Kurani e pohon këtë kuptim kur thotë: “Sikur Allahu të kishte dashur, ata nuk do të kishin bërë shirk. Nuk të kemi bërë ty (Muhamed) rojtar të tyre dhe as nuk je kujdestar për ta.” (El-En‘am: 107) Dhe: “Sikur Allahu të kishte dashur, do t’i kishte mbledhur të gjithë në udhëzim.” (El-En‘am: 35) Si dhe: “Allahut i takon që t’ju tregojë rrugën e drejtë, kur ka prej tyre edhe të shtrembra; sikur të donte Allahu, do t’i udhëzonte të gjithë.” (En-Nahl: 9) Në një ajet tjetër thuhet: “Sikur të donim, do t’i jepnim secilit udhëzimin e tij, por do të përmbushet fjala Ime: vërtet, do ta mbush Xhehenemin me xhindet dhe njerëzit së bashku.” (Es-Sexhde: 13).

Këto ajete pohojnë qartë se Allahu ka mundësi për ta udhëzuar çdo njeri, por vullneti i Tij ka qenë që kjo të mos ndodhë për të gjithë. Këtu lind nevoja për një sqarim thelbësor, pa të cilin çështja mbetet e paqartë dhe që ka të bëjë me dallimin mes dy llojeve të vullnetit hyjnor: vullnetit krijues (ekzistencial) dhe vullnetit fetar (normativ ligjor).

Vullneti krijues është ai vullnet me të cilin Allahu sjell në ekzistencë gjërat dhe i lejon ato të ndodhin në botë. Ky vullnet është gjithëpërfshirës dhe nuk kufizohet vetëm tek ajo që është e mirë apo e pëlqyer. Ai përfshin gjithçka: besimin dhe mosbesimin, bindjen dhe mosbindjen, drejtësinë dhe padrejtësinë. Në këtë kuptim, edhe gjëra që Allahu i urren mund të ndodhin, sepse Ai ka dashur që ato të ndodhin si pjesë e një rendi më të gjerë kozmik. Prandaj, kur thuhet se Allahu e ka dashur shirkun, synohet pikërisht ky nivel: fakti që ai vjen në ekzistencë me lejen e Tij dhe nuk del jashtë caktimit të Tij.

Ndërsa vullneti fetar është ai vullnet me të cilin Allahu urdhëron dhe ligjëson atë që është e drejtë dhe e pëlqyer. Ky vullnet shprehet përmes shpalljes hyjnore që u zbret të dërguarve. Në këtë kuptim, Allahu urdhëron besimin, drejtësinë dhe bindjen, ndërsa ndalon shirkun, padrejtësinë dhe mosbindjen. Pra, në këtë nivel, shirkun Ai nuk e do, nuk e pëlqen dhe nuk e miraton.

Nëse këto dy kuptime përzihen dhe trajtohen si një i vetëm, atëherë lind përshtypja e kundërthënies. Por, nëse ato dallohen qartë, bëhet e dukshme se nuk ka asnjë konflikt. Kur thuhet se Allahu e ka dashur shirkun, bëhet fjalë për faktin që idhujtaria ndodh në botë sipas vullnetit të Tij krijues. Ndërsa kur thuhet se Ai nuk e pëlqen shirkun, bëhet fjalë për vullnetin e Tij fetar, i cili e ndalon dhe e refuzon idhujtarinë.

Kjo do të thotë se jo çdo gjë që ndodh është e pëlqyer dhe jo çdo gjë që është e pëlqyer ndodh medoemos. Në këtë mënyrë, realiteti i botës përfshin një hapësirë ku njeriu vihet në provë, ku i jepet mundësia të zgjedhë mes së drejtës dhe së gabuarës. Allahu ka nisur të dërguarit, ka shpallur librat, ka sqaruar rrugën e drejtë dhe ka paralajmëruar për rrugën e gabuar. Megjithatë, një pjesë e njerëzve zgjedhin të besojnë, ndërsa një pjesë tjetër zgjedhin të mohojnë.

Kështu, ekzistenca e shirkut nuk është një qëllim në vetvete, por pjesë e një rendi më të gjerë ku realizohet urtësia e provës, e dallimit të së mirës nga e keqja dhe e përgjegjësisë. Dhe pikërisht këtu qëndron zgjidhja e keqkuptimit, pra, ajo që duket si kundërthënie nuk është gjë tjetër, veçse një mosdallim mes dy sferave të ndryshme: sferës së krijimit, ku ndodh çdo gjë sipas caktimit të Tij dhe sferës morale të urdhërimit, ku përcaktohet ajo që është e drejtë dhe e pëlqyer.

Në këtë dritë, bëhet e qartë se Kurani nuk kundërshton veten, por përkundrazi paraqet një koncept të thellë dhe të ndërlikuar të marrëdhënies mes vullnetit hyjnor, veprimit njerëzor dhe rendit të botës, i cili kërkon një lexim të kujdesshëm dhe një kuptim të saktë të termave që përdoren.

 

Burimi: https://bayanelislam.net/Suspicion.aspx?id=01-01-0029&value=&type=

0 Shares:
Postime të ngjashme