Pretendimi se Kurani është ndryshuar

Përmbajtja e dyshimit:

Disa të paditur pretendojnë se Kurani i është nënshtruar ndërhyrjeve, përmes heqjes së disa pjesëve të tij, dhe këtë e mbështesin në një thënie të Umer ibn Hatabit (Allahu qoftë i kënaqur me të) i cili ka thënë:

“S’ka dyshim se Allahu e ka dërguar Muhamedin ﷺ me të vërtetën dhe ia ka zbritur Librin. Prej asaj që Allahu i ka zbritur ka qenë edhe ajeti i gurëzimit, të cilin ne e kemi lexuar, e kemi kuptuar dhe e kemi mbajtur mend. Profeti ﷺ e ka zbatuar ndëshkimin me gurëzim, por edhe ne pas tij e kemi zbatuar. Kam frikë se do të vijë një kohë kur dikush do të thotë: ‘Pasha Allahun, nuk po e gjejmë gurëzimin në Librin e Allahut’, dhe kështu do të devijojë duke lënë pas dore një obligim të zbritur nga Allahu. Gurëzimi në Librin e Allahut (ligjin e Zotit) është hak, për atë që bën kurvëri duke qenë i martuar, qoftë burrë apo grua, kur provohet faji, shfaqet shtatzënia ose ai e pranon vetë fajin.” (Buhariu & Muslimi)

Ata pyesin: Ku është ajeti i gurëzimit (rexhmit)? Dhe pretendojnë se kjo është dëshmi e ndërhyrjes njerëzore në tekstin e Kuranit.

 

Përgjigjja e shkurtër:

Kjo dilemë është e vjetër dhe është trajtuar gjerësisht nga dijetarët e Islamit, pa pasur ndonjë kundërshti thelbësore mes tyre. Ajo buron nga mosnjohja e llojeve të shfuqizimit (nes’khit) Kuranor dhe nga keqinterpretimi i fjalëve të sahabëve, e jo nga ndonjë mangësi reale në Kuran.

 

Përgjigjja e shtjelluar:

Ata që përpiqen të gjejnë prova për të vërtetuar se Kurani është deformuar e kanë të pamundur një gjë të tillë. Kjo sepse, në shumicën e rasteve janë ose dashakeqë, që synojnë të hedhin dyshime dhe të shkaktojnë turbullira, ose janë njerëz që nuk kanë dijen dhe njohuritë e duhura rreth Kuranit dhe dijeve të tij. Për pasojë, shpejt del në pah ose dashakeqësia e tyre, ose injoranca që i shoqëron.

Nëse fjalët e Umerit shqyrtohen me vëmendje, vërehet se ai ndjehet i shqetësuar për dispozitën që ky ajet obligonte, por që tashmë nuk gjendej më në tekstin e Kuranit. Me të drejtë lind pyetja nëse një ajet i tillë kishte qenë pjesë e Kuranit, çfarë e pengonte Umerin ta rikthente atë, apo Uthmanin që erdhi pas tij? Por më parë lind pyetja kush e hoqi atë nga Kurani? Të mos harrojmë faktin historik se bëhet fjalë për një periudhë shumë të hershme të historisë islame, ku Umeri erdhi në krye të shtetit vetëm dy vjet pasi ndërroi jetë Profeti r dhe qëndroi në të dhjetë vjet.

Mjafton të bëhet vetëm ky arsyetim e thjeshtë për të vënë në lëvizje mendjen dhe nxjerrë në pah sesa sipërfaqësor është ky argumentim, dhe për më tepër padijen e këtyre njerëzve rreth mënyrës sesi zbriti Kurani, si ai u përmbush dhe si ai u finalizua që në kohën e Profetit r. E jo më pastaj se çfarë kujdesi të madh tregonin muslimanët për mësimin dhe përcjelljen dhe ruajtjen e Kuranit.

Kështu që kjo dilemë bie poshtë për disa arsye themelore:

  1. Kurani është i ruajtur nga Allahu në mënyrë absolute

Allahu i Lartësuar thotë: “Ne e kemi zbritur Përkujtimin (Kuranin) dhe Ne do ta ruajmë atë.” (el-Hixhr, 9)

Ky është një premtim hyjnor i prerë. Për më tepër, ekziston konsensus mes sahabëve, tabi’inëve dhe mbarë muslimanëve se asnjë ajet i Kuranit nuk ka humbur dhe as nuk është shtrembëruar.

Po të kishte ndodhur ndonjë shtrembërim, siç pretendohet, sahabët do ta kundërshtonin tekstin e Mus’hafit të Uthmanit; do të kishte mospajtime në namaz, recitim dhe mësim. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur historikisht.

  1. Shfuqizim apo deformim?

Ai që ngre këtë dilemë ose nuk e di ose nuk kupton – ose bën sikur nuk e kupton – se disa ajete të Kuranit i janë nënshtruar shfuqizimit, për arsye të urtësisë hyjnore dhe përshkallëzimit në marrjen e fesë.

Dijetarët kanë sqaruar se në Kuran ekzistojnë tre lloje shfuqizimi[1]:

a) Shfuqizimi i dispozitës, por jo i leximit
Dispozita juridike shfuqizohet, ndërsa ajeti mbetet i shkruar dhe lexohet. Ky është lloji më i përhapur në Kuran. Shembull: “Nëse mes jush ka njëzet të qëndrueshëm, ata do të mundin dyqind…” (el-Enfal, 65) Më pas u shfuqizua nga ajeti pasues: “Tani Allahu ju ka lehtësuar ju… Nëse prej jush janë njëqind të durueshëm do t’i mundni dyqind…” (el-Enfal, 66)

Ajeti i parë mbeti në Kuran si kujtesë e mëshirës dhe e lehtësimit hyjnor.

b) Shfuqizimi i leximit, por jo i dispozitës
Leximi i ajetit hiqet nga Kurani me shpallje hyjnore, ndërsa dispozita mbetet e vërtetuar përmes Sunetit dhe konsensusit. Këtu bën pjesë edhe ajeti i gurëzimit dhe ndonjë shembull tjetër.

c) Shfuqizimi i të dyjave
Si leximi ashtu edhe dispozita hiqen dhe nuk mbeten as në Kuran, as në praktikë.

Çështja e shfuqizimit nuk është diçka që u shpik nga vetë myslimanët, por ka ardhur nga vetë Zoti dhe është përmendur në Kuran, ku Allahu thotë: “Ne nuk shfuqizojmë (nensakh) asnjë ajet apo e lëmë atë, e të mos sjellim një tjetër më të mirë se ai ose të ngjashëm me të. A nuk e di ti se Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë?” (el-Bekare: 106) Dhe Allahu thotë në një tjetër ajet: “Kur Ne e zëvendësojmë një ajet me një tjetër, e Allahu e di më së miri se çfarë zbret, ata thonë: ‘Ti je veçse një trillues.’ Jo. Por, shumica e tyre nuk dinë.” (en-Nahl: 101)

Nga kjo kuptohet se shfuqizimi (nes’kh-i), me llojet e tij, është bërë me vendim dhe urdhër hyjnor, dhe aspak me ndërhyrje njerëzore, gjë e pamundur kjo për Kuranin.

Duhet ditur se teksti përfundimtar i Kuranit që la Profeti r, është pikërisht teksti që ai këndoi për herë të fundit me Xhibrlin, me engjëllin që e zbriti Kuranin nga Zoti, dhe ai ka ngelur deri më sot, e sa të ketë jetë kjo botë, i pandryshuar dhe i paprekur.

  1. Çfarë ka thënë saktësisht Umeri?

Umeri nuk thotë se ajeti është humbur, por se ka qenë pjesë e asaj që është zbritur, lexuar dhe kuptuar. Frika e Umerit qëndronte tek hamendja se mund të vinte një kohë që njerëzit mund të mohonin këtë dispozitë të vërtetuar, nisur nga fakti se ajo nuk gjendej më në Kuran dhe jo se Kurani ishte i mangët. Pra, ai nuk po flet për humbje të Kuranit, absolutisht jo, por po paralajmëron për mos mohimin e kësaj dispozite, që provohet përmes Sunetit dhe Konsensusit dhe dikur ishte edhe pjesë tekstuale e Kuranit.

Së fundmi, duke qenë se këtë dilemë e ngrenë shpesh disa të krishterë, atëherë ne do t’i referohemi Biblës për të treguar disa citime biblike, të cilat përmendin tekste të shenjta, të cilat nuk ndodhen në Bibël:

Disa shembuj nga Dhiata e Vjetër:

“Prandaj edhe thuhet në librin e “Luftërave të Zotit”…” (Numrat 21:14)

“E urdhëroi që t’u mësohet bijve të Judës kënga e harkut, siç është e shkruar në Librin e të Drejtit.” (Libri i dytë i Samuelit 1: 18)

“Veprat e tjera të Salomonit, gjithçka bëri, dhe urtësia e tij, ja të gjitha janë të shkruara në Librin e Veprave të Salomonit.” (Libri i parë i Mbretërve 11: 41)

“Veprat e tjera të Roboamit dhe gjithçka ka bërë, ja, i ke të shkruara në Librin e Analeve të mbretërve të Judës.” (Libri i parë i Mbretërve 14: 29)

“Historia e Abisë, sjellja dhe fjalimet e tija janë të shkruara në tregimin e profetit Ado.” (Libri i dytë i Kronikave 13: 22)

Nga Dhiata e Re:

“E, kur kjo Letër të lexohet ndër ju, kujdesuni që të lexohet edhe në Kishën e laodicenjve, po ashtu edhe ju kujdesuni ta lexoni atë të Laodicesë.” (Letra drejtuar Kolosianëve 4: 16)

“Tani, edhe për këta profetizoi Enoku, i shtati nga Adami, duke thënë: “Ja, do të vijë Zoti me dhjetëra mijëra të shenjtë të tij” (Letra e Judës 1:14)

Të gjitha këto libra apo citime që përmenden këtu, si dhe shembuj të tjerë, nuk gjenden në Biblën kanonike të sotme! Ku janë ato dhe a kanë humbur? Përgjigjen për to duhet ta japin ata të krishterë, që ngrenë dilema mbi autenticitetin e Kuranit, ndërkohë që shembujt e përdorur për Kuranit, jo vetëm që janë të pasaktë, kur merren në shqyrtim, por dhe janë shumë larg shembujve biblik, për të cilat është e vështirë të përgjigjen.

 

Përmbledhje:

Ajeti i gurëzimit nuk është humbur, por leximi i tij është shfuqizuar nga vetë Zoti. Dispozita e tij mbetet e vërtetuar përmes Sunetit dhe me konsensusin e sahabëve. Sahabët nuk kanë pohuar kurrë se Kurani është deformuar; përkundrazi, ata kanë qenë pjesë e ruajtjes së tij. Kjo dilemë buron nga padija dhe keqkuptimi dhe jo nga fakte reale.

 

 

Redaksia: pergjigjet-islame.org

_____________

[1] Shih Muhamed ez-Zerkani, Menahil el-Irfan fil Ulumil Kuran, Mena el-Katan, Mebahith fil Ulumil Kuran, etj.  

0 Shares:
Postime të ngjashme