A ka teksti i Kuranit versione të ndryshme?

Dilema: Disa njerëz duke mos njohur atë që njihet në Islam si “Kiraete” (Leximet e Kuranit) dhe duke parë disa ndryshime sipërfaqësore të disa fjalëve kuranore, të cilat ndryshojnë në kopje të ndryshme, në disa raste shkronjat ose zanoret, i kanë konsideruar këto si versione të ndryshme të Kuranit, dhe për pasojë, sipas tyre kjo dëshmon se autenticiteti i Kuranit nuk është absolut, por në të kanë ndërhyrë duart njerëzore.

 

Aspektet e zhvlerësimit të dyshimit:

  1. Fakti që ka disa lexime (kiraete) nuk nënkupton mospajtim dhe tjetërsim; përkundrazi, vështrimi i paanshëm ndaj kësaj llojshmërie dhe urtësive që lidhen me të, ka për të treguar me qartësi dhe kthjelltësi mrekullinë dhe elokuencën që përmban kjo llojshmëri leximesh.
  2. Llojshmëria e leximeve nuk sjell asnjë mospajtim në bazat (usul) e fesë dhe as në degëzimet (furu) e saj, por ato janë më tepër mënyra të ndryshme në shqiptimin tingullor sesa në strukturën morfologjike apo në ndërtimin sintaksor, dhe ato janë të rregulluara me kritere që i kanë vendosur dijetarët.
  3. Llojshmëria e leximeve është shpallje (vahj) prej Allahut dhe një çështje e përcaktuar (teukifi) e përcjellë nga i Dërguari i Allahut dhe nuk vjen si pasojë e tekave të njerëzve apo e shijeve të tyre.
  4. Llojshmëria e leximeve Kuranore nuk përfshin asgjë tjetër përveç fjalëve dhe shprehjeve të kufizuara vetëm në disa ajete.
  5. Leximi i fjalës Kuranore në më shumë se një trajtë gramatikore apo morfologjike ndihmon në përcjelljen e kuptimeve, përderisa atë e ka miratuar vetë i Dërguari i Allahut r dhe kjo nuk nënkupton kundërshti të kuptimeve apo kontradiktë të domethënieve.

 

Përgjigjja e detajuar: Kurani i zbriti H. Muhamedit r në gjuhën arabe të fisit Kurejsh, të cilit ai i përkiste. Por arabët kanë qenë dhe janë një popull i madh, i shtrirë në Gadishullin Arabik dhe përtej tij, ndaj dialektet e tyre dhe mënyra e të shqiptuarit të së njëjtës fjalë ka raste që janë të ndryshme. Për këtë dhe Kurani që në kohën e Profetit r me miratimin e vetë Allahut u lejua të këndohej apo recitohej në më shumë sesa një mënyrë, që nuk përfshin aspak ndryshim teksti apo përmbajtje, pasi Kurani është po i njëjti dhe unik në të gjitha këto dallime këndimi. Më poshtë po sqarojmë më në detaje këtë çështje:

Së pari. Llojshmëria e leximeve nuk nënkupton mospajtimin mes tyre; ajo është bërë për një urtësi madhore:

Këta kritikues nuk kanë asnjë njohuri rreth konceptit të vërtetë dhe kuptimit terminologjik të disiplinës së leximeve (kiraeteve), ndaj ata janë kapur pas anës së jashtme të fjalës nga këndvështrimi gjuhësor dhe kanë pandehur se llojshmëria e leximeve nënkupton variante të ndryshme të Kuranit apo tjetërsimin e tij, ashtu siç tregon ana e jashtme e fjalës ‘llojshmëri’ në përdorimin e përgjithshëm gjuhësor.

Mirëpo, fjala ‘llojshmëri’ këtu, në terminologjinë e kësaj dijeje, nuk nënkupton mospajtimin dhe tjetërsimin që shpie në mospajtim të kuptimeve apo në tjetërsim të tyre, sepse, nëse ne hulumtojmë në të gjitha leximet, nuk do të vërejmë asnjë mospajtim apo tjetërsim me peshë në kuptime apo në fjalë.

Nisur nga kjo, ne e drejtojmë vëmendjen e këtyre pretenduesve drejt domosdoshmërisë së hulumtimit të këtij lëmi Kuranor, studimit të tij dhe njohjes së rregullave, dhe jemi plotësisht të bindur se, pas kësaj, ata do të udhëzohen drejt një bindjeje të padyshimtë se nuk ka mospajtime mes leximeve dhe se llojshmëria e tyre nuk ndryshon asgjë në kuptime dhe as në dispozitat që burojnë prej tyre.

Lidhur me shkaqet e llojshmërisë së leximeve (kiraeteve) dhe zbritjes së Kuranit në shtatë shkronja (ahruf), eksperti i leximeve Kuranore Ibn el-Xhezeriu (v. 751h/ 1350 e.s) thotë:

“Sa i përket shkakut të zbritjes së tij në shtatë shkronja, kjo është bërë për t’ia lehtësuar këtij ymeti dhe për t’ia dëshiruar atij lehtësimin dhe thjeshtësimin, si nderim për të, si zgjerim, mëshirë dhe veçori për vlerën e tij, si dhe për t’ju përgjigjur dëshirës së Profetit r, më të mirit të krijesave dhe të dashurit të Hakut (Allahut). Kjo ndodhi atëherë kur i erdhi Xhibrili dhe i tha: “Allahu të urdhëron t’ia këndosh ymetit tënd Kuranin sipas një shkronje (dialekti).” Atëherë ai r tha: “I kërkoj Allahut faljen dhe ndihmën e Tij, sepse ymeti (populli) im nuk e përballon dot këtë.”[1] Dhe nuk pushoi së përsërituri kërkesën, derisa arriti në shtatë shkronja.”

Më pas Ibn el-Xhezeri tha:

“Dhe, ashtu siç është vërtetuar se Kurani ka zbritur nga shtatë dyer sipas shtatë shkronjave, ndërsa librat para tij zbrisnin nga një derë e vetme dhe sipas një shkronje të vetme; kjo për arsye se profetët e tjerë dërgoheshin posaçërisht te popujt e tyre, ndërsa Profeti r u dërgua te të gjitha krijesat, te të kuqtë dhe të zinjtë, tek arabët dhe joarabët, gjithashtu, dialektet e arabëve, në gjuhën e të cilëve zbriti Kurani, ishin të ndryshme dhe të folmet e tyre ishin të shumëllojshme, kështu që për ndonjërin prej tyre ishte e vështirë të kalonte nga një dialekt në tjetrin, apo nga një shkronjë në tjetrën; madje dikush prej tyre mund të mos ishte në gjendje ta bënte këtë, qoftë edhe përmes mësimit apo ushtrimit, veçanërisht të moshuarit, gratë dhe ata që nuk kishin lexuar kurrë ndonjë libër, ashtu siç ka bërë me dije Profeti r. Nëse ata do të ngarkoheshin të hiqnin dorë nga dialekti i tyre dhe të largoheshin nga e folmja e tyre, kjo do të ishte ngarkesë me atë që është e pamundur, dhe sado që të përpiqej njeriu, natyra e tij (e të folurit) do ta refuzonte.”

Ju bëjmë me dije këtu se ky dallim dhe kjo llojshmëri leximesh ka dobi të tjera, ndër to:

  1. Bashkimi i Ymetit të ri Islam mbi një gjuhë të vetme që e unifikon atë; dhe ajo është gjuha e Kurejshëve me të cilën zbriti Kurani Fisnik, e cila përfshiu në mënyrë të organizuar shumë nga përzgjedhjet e të folmeve të fiseve arabe, të cilat e vizitonin shpesh Mekën në sezonin e Haxhit dhe në tregjet e famshme që kishte.

Kështu, kurejshët gjenin të këndshme çfarë të donin dhe përzgjidhnin çfarë u pëlqente nga shprehjet e delegacioneve arabe, që vinin tek ata nga çdo cep e anë, pastaj e latonin atë, e përpunonin dhe e fusnin në rrethin e gjuhës së tyre elastike, epërsisë së të cilës iu bindën të gjithë arabët dhe ia dorëzuan asaj flamurin e prijësit.

Mbi këtë politikë të drejtë zbriti Kurani në shtatë shkronja, duke përzgjedhur çfarë deshi nga dialektet e fiseve arabe, ngjashëm me politikën e kurejshëve, madje në mënyrë edhe më të suksesshme.

Nga këtu, është e saktë të thuhet: Kurani zbriti në gjuhën e Kurejshëve, sepse gjuhët e të gjithë arabëve u përfaqësuan në të folmen e kurejshëve, nisur nga ky kuptim. Kjo ishte një urtësi hyjnore e lartë, sepse uniteti i gjuhës së përbashkët ishte një nga faktorët më të rëndësishëm në unitetin e Ymetit, veçanërisht në periudhën e parë të hovit dhe ngritjes së tij.

  1. Bashkimi i dy dispozitave të ndryshme përmes tërësisë së dy leximeve, siç është fjala e Allahut të Lartësuar: “ndaj largohuni nga gratë gjatë përmuajshmeve dhe mos iu afroni atyre, derisa të pastrohen.” (el-Bekare: 222). Kjo është lexuar lehtë (tehfif – pa shedde= t e njëfishtë) dhe rënd (teshdid – me shedde= t e dyfishtë) te shkronja ‘ta’ (ط) e fjalës “jat’hurne” (të pastrohen). Dhe nuk ka dyshim se forma e dyfishuar nënkupton domosdoshmërinë e përkryerjes (intensitetit) në pastrimin e grave nga menstruacionet, sepse nëse kemi shtimi në konstruktin e fjalës, kjo tregon të kuptimit të saj, ndërsa leximi i lehtë nuk e nënkupton këtë përkryerje. Tërësia e dy leximeve përcakton dy çështje, që janë: a) Që gruas me menstruacione nuk i afrohet bashkëshorti i saj derisa të arrihet baza e pastërtisë, dhe kjo ndodh me ndërprerjen e menstruacioneve. b) Që gruas nuk i afrohet bashkëshorti gjithashtu, përveçse kur të jetë pastruar plotësisht, dhe kjo bëhet duke u larë (me gusël); pra, janë të domosdoshme të dyja llojet e pastrimit për lejimin e afrimit me gratë, dhe ky është edhe qëndrimi i shkollës juridike të Shafiut dhe atyre që janë pajtuar me të.
  2. Tregues i dy dispozitave ligjore, por në dy gjendje të ndryshme, siç është fjala e Zotit të Madhëruar, në shpjegimin e abdesit: “lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja deri në bërryla; fërkoni kokat tuaja dhe (lani) këmbët tuaja deri në kyçe.” (el-Maide: 6). Fjala “këmbët tuaja” (erxhulekum) është lexuar në rasën kallëzore (nasb – me e) dhe në rasën gjinore (xherr – me i). Rasa kallëzore nënkupton kërkesën për larjen e tyre, sepse lidhëza në këtë rast i referohet fjalës në kallëzore, e cila është gjymtyrë që lahet. Ndërsa rasa gjinore nënkupton kërkesën për fërkimin (mes’h) e tyre, sepse lidhëza në këtë rast i referohet fjalës “kokat tuaja” (ru’usikum), që është në gjinore dhe është gjymtyrë që fërkohet. I Dërguari i Allahut r e ka sqaruar se fërkimi (mes’h) vlen për atë që ka mbathur meste, ndërsa larja është e detyrueshme për atë që nuk ka mbathur meste.
  3. Mënjanimi i iluzionit nga një kuptim jo i synuar, siç është fjala e Zotit të Madhëruar: “O ju që keni besuar! Kur thirret për në namazin e ditës së xhuma, nxitoni drejt përmendjes së Allahut…” (el-Xhuma: 9). Një lexim tjetër i tij është: “Shkoni drejt përmendjes së Allahut”. Nga leximi i parë krijohet iluzioni për domosdoshmërinë e shpejtësisë gjatë ecjes për në namazin e xhumasë, por leximi i dytë e ka mënjanuar këtë iluzion, sepse “të shkuarit” (el-mudijj) nuk e ka në domethënien e tij shpejtësinë.
  4. Sqarimi i një fjale të paqartë (të mjegullt), siç është fjala e Zotit të Lartësuar: “Dhe malet do të jenë si leshi (el-’ihn) i shprishur.” (el-Kariah: 5). Kjo është lexuar gjithashtu: es-suf (lesh), kështu që leximi i dytë sqaroi se el-’ihn është leshi (es-suf).

Qartësimi i një doktrine në të cilën kanë devijuar disa njerëz, siç është fjala e Zotit të Madhëruar, në përshkrimin e Xhenetit dhe banorëve të tij: “Dhe kur të hedhësh vështrimin atje, do të shohësh begati dhe një mbretëri të madhe (mulken kebira).” (el-Insan: 20). Leximi ka ardhur me damme (u) mbi shkronjën “mim” dhe sukun (pa zanore) mbi shkronjën “lam”, te shprehja “ue mulken kebira” (dhe mbretëri të madhe), ndërsa një lexim tjetër ka ardhur me fet’ha (e) mbi shkronjën “mim” dhe kesra (i) nën shkronjën “lam” po te kjo shprehje (pra: ue maliken kebira – dhe një Mbret të Madh). Kështu, ky lexim i dytë ngre vellon e fshehtësisë nga fytyra e së vërtetës lidhur me doktrinën e shikimit të Allahut të Lartësuar nga ana e besimtarëve në Ahiret; sepse Ai, i Lartësuar dhe i Madhëruar qoftë, është Mbreti i vetëm në atë Vendbanim: “I kujt është sundimi sot? I Allahut, të Vetmit, Ngadhënjimtarit!” (Gafir: 16).

  1. Shumëllojshmëria e leximeve zë vendin e ajeteve të shumta, dhe kjo është një nga format e retorikës (belaga), që fillon nga bukuria e kësaj shkurtësie dhe përfundon te përsosmëria e realizimit. Shtoji kësaj: llojshmëria e leximeve është një nga argumentet e ndritshme dhe provat e prera se Kurani është Fjala e Allahut, dhe tregon për vërtetësinë e atij që erdhi me të, që është i Dërguari i Allahut r. Vërtet, këto dallime në lexim, me gjithë shumicën e tyre, nuk shpien në kontradiktë në atë që lexohet dhe as në kundërthënie të tij, dhe as në mospërputhje; përkundrazi, i gjithë Kurani, me gjithë llojshmërinë e leximeve të tij, vërteton njëra pjesë tjetrën, sqaron njëra-tjetrën dhe dëshmon njëra për tjetrën, sipas një modeli të vetëm në lartësinë e stilit dhe të shprehjes, dhe me një qëllim të vetëm të lartësimit të udhëzimit dhe të mësimit. Dhe kjo, pa dyshim, tregon shumëllojshmërinë e mrekullisë për shkak të shumëllojshmërisë së leximeve dhe shkronjave.

Kjo do të thotë se Kurani është mrekulli nëse lexohet me një lexim, është mrekulli gjithashtu nëse lexohet me një lexim të dytë, është mrekulli gjithashtu nëse lexohet me një lexim të tretë, e kështu me radhë. Kësisoj, mrekullitë shumëfishohen përmes llojshmërisë së atyre trajtave dhe shkronjave (dialekteve). Pa dyshim se kjo është prova më bindëse për vërtetësinë e Muhamedit r, sepse tregon në mënyrën më madhështore se Kurani përfshin anë të shumta të mrekullisë dhe të elokuencës, sipas çdo shkronje e trajte dhe me çdo dialekt e shprehje: “…me qëllim që ai që u shkatërrua (në mosbesim), të shkatërrohej pas provës së qartë dhe, ai që shpëtoi (në besim), të shpëtonte pas provës së qartë. Vërtet, Allahu është Dëgjues i Gjithëdijshëm.” (el-Enfal: 42)[2]

Përveç sa u tha më lart, Dr. Muhamed Ebu Shehbe thekson kuptime dhe urtësi të mëtejshme rreth kësaj çështjeje, duke thënë:

“Vërtet, ky zgjerim (lehtësim) dhe kjo lejueshmëri në leximin me çfarëdo shkronje (dialekti) prej shtatë shkronjave, ka qenë vetëm brenda kufijve të asaj që zbriti Xhibrili u dhe të asaj që dëgjuan nga Profeti r. Kjo dëshmohet nga fakti se secili prej atyre që kishin lexime të ndryshme thoshte: “Ma ka mësuar mua këtë lexim i Dërguari i Allahut r” dhe se Profeti r përgjigjej mbi leximin e secilit prej tyre duke thënë: “Kështu është zbritur.”[3]

Dhe askush nuk duhet të mashtrohet e të mendojë se ky zgjerim ka ardhur vetëm përmes ndjekjes së tekave dhe dëshirave personale, sepse kjo është diçka që nuk i ka hije ta kuptojë një i mençur, e lëre më një musliman; pasi transmetimet e ardhura e kundërshtojnë dhe e zhvlerësojnë këtë mendim.

Ky lehtësim është një manifestim i Mëshirës dhe Mirësisë së Zotit, ndaj nuk duhet të jetë burim mospajtimi dhe pakënaqësie, apo të jetë nxitës i dyshimit ose dobësues i bindjes. I Dërguari r ka paralajmëruar për të mos pasur mospajtime dhe dyshime në Kuran, siç thuhet në hadithin e Amr ibn el-Asit: “Kurani ka zbritur në shtatë shkronja, me çfarëdo shkronje që të lexoni, ia keni qëlluar, prandaj mos polemizoni rreth tij; sepse polemika rreth tij është mosbesim (kufër).”[4]

Kështu pra, u bë e qartë urtësia dhe arsyet e llojshmërisë së leximeve. Kjo është një mirësi, ashtu siç e ka dashur vetë Zoti, Zbritësi i Librit, dhe nuk është një mallkim, siç e kanë portretizuar pretenduesit se ajo është provë për shtrembërimin (tahrif) e tekstit Kuranor apo dëshmi për ndryshimin e tij (tebdil).

 

Së dyti. Llojshmëria e leximeve nuk sjell asnjë mospajtim në bazat (usul) apo degëzimet (furu) e fesë, sepse këto lexime janë më së shumti mënyra të shqiptimit tingullor gjatë këndimit të Kuranit, sesa dallime morfologjike dhe sintaksore:

Nëse shqyrtojmë se ku dallohet secili lexim prej tjetrit, do të na bëhet e qartë se kjo ndahet në dy lloje (aspekte), të cilat janë:

  1. Bazike (el-Usul): Këto lexime kanë lidhje me parimet e përgjithshme të këndimit, në mënyrën e shqiptimit (performancës zanore) tek secili këndues dhe tek ata që e përcjellin prej tij nga transmetuesit dhe bartësit që kanë marrë prej tij. Disa prej tyre i zgjasin (medd) disa shkronja në këndim – shkronjat “e sëmura” nëse ndiqen nga një hemze ose sukun – dhe disa i shkurtojnë në këndim (kasr); disa e zbusin (terkik) shkronjën, ndërsa të tjerë e trashin (tefhim). E njëjta gjendje është edhe me bashkimin (idgham) e disa shkronjave me të tjerat, animin (imale), pauzën (sekt) mbi çdo bashkëtingëllore të saktë (jo-zanore) të ndjekur nga një hemze… etj. Mbi këtë bazë, lexuesi vepron në të gjithë Kuranin; ai nuk i tejkalon rregullat, me të cilat lexon dhe nuk devijon prej tyre. Atëherë, çfarë mospajtimi dhe çfarë shtrembërimi në kuptime dhe në dispozita, mund të prodhojë thjesht shqiptimi i një shkronje, duke u trashur te disa e duke u zbutur te të tjerët?! Dhe çfarë mospajtimi apo çfarë shtrembërimi mund të rrjedhë nga animi (imale) i një shkronje, apo hapja (feth) e saj, apo pauza (sekt) mbi të, apo mos-pauza mbi të, apo bashkimi (idgham) i saj me shkronjën pasuese apo shqiptimi i saj i qartë (idhhar)?!
  2. Fjalë me lexim të veçantë (el-Fersh): Ky është dallimi i dytë në mënyrën e shqiptimit të çdo leximi nga tjetri, dhe, megjithëse norma te ky lloj është ndryshimi në strukturën e fjalës, apo në zanoren e saj të fundit, ai gjithmonë i referohet stileve të arabëve në të folur dhe mënyrave të tyre të shprehjes. Dhe, nëse e shoshitim me vëmendje nga aspekti fonetik (zanor), do të hasim gjithashtu një tjetërsim në shqiptimin zanor apo në theksin (tonalitetin) e zakonshëm te çdo fis, veçanërisht kur ndryshimi (fleksioni) vjen në strukturën e fjalës. Si shembull: ai që e shqipton fjalën “be’is” (i dëshpëruar/i mjerë) si “bi’is” ose “bis”, ose si rasti i atij që e rëndon (thekson) theksin zanor në shqiptimin e tij mbi disa fjalë, siç është ai që e shqipton fjalën “jat’hurne” (të pastrohen) me sukun (pa shedde) ose “jettahherne” me teshdid (dyfishim) dhe me fet’ha (me shkronjën e/a).

 

Por, nëse dallimi është në zanoret e fundit të fjalëve, pra në rasën gramatikore (i’rab), atëherë kjo nuk sjell asnjë mospajtim në kuptime, përveç se është një llojshmëri në stile, të cilat të gjitha çojnë në një kuptim dhe një dispozitë të vetme. Shembull për këtë është fjala e Zotit të Lartësuar: “Dhe Ditën kur Ne i shpiem (i vëmë në lëvizje) malet dhe e sheh tokën të zbuluar (të sheshuar), e i mbledhim, e nuk lëmë asnjë prej tyre.” (el-Kehf: 47). Ky ajet lexohet me foljen “nusejjiru” (ne shpiem/vëmë në lëvizje) në trajtën veprore (mebnij lil-ma’lum), dhe për këtë arsye fjala “el-xhibale” (malet) është kundrinor i drejtë në rasën kallëzore (mensub). Por ky ajet lexohet edhe ndryshe si: “Ue jeume tesijru el-xhibalu” (Dhe Ditën kur malet lëvizin/shkojnë) me foljen “tesijru” në trajtën jo-veprore (mebnij lil-mexh’hul – pasive), dhe për këtë arsye fjala “el-xhibalu” është zëvendësues i kryefjalës (na’ib fa’il) në rasën emërore (merfu’) dhe shenja e rasës së saj emërore është damme (u).

Me këtë shembull mund të krahasohen çdo dallim në fjalë mes kënduesve të ndryshëm, pasi ne vërejmë se kuptimi mes “nusejjirul-xhibale” (Ne i vëmë në lëvizje malet) dhe “tesirul-xhibalu” (malet lëvizin) është një i vetëm.

Edhe disa dispozita të thjeshta (të vogla) të fikhut që kanë nxjerrë disa juristë (fukaha), në raste shumë të pakta, duke u mbështetur në disa lexime në aspektin e tyre gramatikor (i’rabi), prova e tyre e vetme nuk ka qenë vetëm kjo trajtë e leximit. Dhe as ky argument nuk ka qenë vendimtar në drejtimin dhe nxjerrjen e asaj dispozite.

Shembull për këtë është ai që thotë se nuk lejohet marrëdhënia me gruan pas menstruacioneve, derisa të lahet (të bëjë gusël), duke u mbështetur në leximin: “jettahharne” me dyfishim (teshdid) të shkronjës ‘ta’. Dëshmi dhe tekste të tjera nga Sunneti tregojnë gjithashtu për këtë dispozitë, kështu që ky lexim është në funksion të forcuesit dhe dëshmitarit ndihmës për argumentet e ardhura në vërtetimin e kësaj dispozite.

Nëse pas këtij sqarimi kemi arritur në përfundimin se llojshmëria e leximeve nuk sjell asnjë mospajtim në kuptime dhe në dispozita, as në bazat (usul) e fesë dhe as në degëzimet (furu) e saj, atëherë na takon të theksojmë një çështje shumë të rëndësishme:

Dijetarët nuk e kanë lënë këtë çështje të lirë dhe as derën të hapur për pranimin e çdo gjëje që dëgjohet nga lexime të ndryshme, përkundrazi, ata kanë vendosur kushte, të cilat i kanë nxjerrë pas një shqyrtimi të kujdesshëm dhe një analize të thellë, lidhur me atë që është autentike dhe atë që nuk është autentike nga këto lexime. Për rrjedhojë, ata kanë pranuar disa prej tyre dhe i kanë gjykuar disa të tjera si transmetime të vetmuara (shadhdh) dhe të papranueshme. Këto kushte janë:

  1. a) Përputhja me gramatikën arabe, qoftë edhe në një aspekt.
  2. b) Vërtetësia e zinxhirit të transmetimit (senedit) të saj, në atë mënyrë që të mos ketë mundësi refuzimi i saj.
  3. c) Përputhja me një nga Mus’hafët (kopjet e Kuranit) e Uthmanit.

 

Së treti. Llojshmëria e leximeve është shpallje (vahj) nga Allahu i Lartësuar dhe është një çështje e përcaktuar e transmetuar nga i Dërguari i Allahut r dhe nuk është pasojë e shijeve të njerëzve apo e rregullave të gjuhës së tyre: Dëshmi të shumta (mutauatire) kanë ardhur në mënyrë të njëpasnjëshme për zbritjen e Kuranit në shtatë shkronja (ahruf), dhe ndër to është ajo që transmetohet nga Ibn Abasi i cili ka thënë: “I Dërguari i Allahut r tha: “Ma këndoi Xhibrili sipas një shkronje, dhe unë i kërkova ta rishikonte, e nuk pushova së kërkuari prej tij të ma shtonte, derisa Allahu m’i shtoi ato, derisa arriti në shtatë shkronja.”[5]

Dhe nga Ubej ibn Ka’bi transmetohet se ka thënë: “Profeti i Allahut r ishte pranë një pellgu uji te Benu Gifari, e Xhibrili erdhi tek ai dhe i tha: “Allahu të urdhëron t’ia lexosh ymetit tënd Kuranin sipas një shkronje.” Ai tha: “I kërkoj Allahut faljen dhe mëshirën e Tij, sepse ymeti im nuk e përballon dot këtë.” Pastaj i erdhi për herë të dytë dhe i tha: “Allahu të urdhëron t’ia lexosh ymetit tënd Kuranin sipas dy shkronjave.” Ai tha: “I kërkoj Allahut faljen dhe mëshirën e Tij, sepse ymeti im nuk e përballon dot këtë.” Pastaj i erdhi për herë të tretë dhe i tha: “Allahu të urdhëron t’ia lexosh ymetit tënd Kuranin sipas tre shkronjave.” Ai tha: “I kërkoj Allahut faljen dhe mëshirën e Tij, sepse ymeti im nuk e përballon dot këtë.” Pastaj i erdhi për herë të katërt dhe i tha: “Allahu të urdhëron t’ia lexosh ymetit tënd Kuranin sipas shtatë shkronjave (dialekteve), e me cilëndo shkronjë që të lexojnë, e kanë qëlluar (kanë vepruar drejt).”[6]

Dhe nga Umer ibn el-Hatabi përcillet se ka thënë: “E dëgjova Hisham ibn Hakimin duke kënduar suren el-Furkan në kohën e të Dërguarit të Allahut r dhe e dëgjova me vëmendje këndimin e tij, dhe ç’të shihja, ai po e këndonte atë me shumë shkronja, me të cilat nuk ma kishte kënduar i Dërguari i Allahut! Gati sa nuk e sulmova në namaz. E prita, derisa dha selam, pastaj e kapa fortë për rrobash në fyt dhe i thashë: “Kush ta këndoi ty këtë sure?” Ai tha: “Ma këndoi atë i Dërguari i Allahut r.” I thashë: “Gënjen! Pasha Allahun, i Dërguari i Allahut r ma ka kënduar mua këtë sure që të dëgjova ty duke e kënduar.” Nxitova duke e tërhequr te i Dërguari i Allahut r dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut, unë e dëgjova këtë duke lexuar suren el-Furkan me shkronja me të cilat nuk mi ke kënduar mua, kurse je ti që ma ke kënduar mua suren el-Furkan.” Atëherë i Dërguari i Allahut r tha: “Lëshoje, O Umer! Lexo, O Hisham.” Dhe ai e këndoi me atë këndim që e dëgjova unë duke kënduar. Atëherë i Dërguari i Allahut r tha: “Kështu është zbritur.” Pastaj i Dërguari i Allahut r tha: “Lexo, O Umer!” Dhe unë e këndova ashtu si ma kishte kënduar i Dërguari i Allahut r. Atëherë i Dërguari i Allahut r tha: “Kështu është zbritur.” Pastaj i Dërguari i Allahut tha: “Vërtet, ky Kuran ka zbritur në shtatë shkronja, ndaj lexoni atë që është më e lehtë prej tyre.”[7]

 

Së katërti. Vendet ku ndryshojnë leximet janë të kufizuara. Na duhet të përmendim se shumëllojshmëria e leximeve nuk përfshin të gjitha ajetet e Kuranit Fisnik, madje as të gjitha fjalët e këtyre ajeteve, por këto lexime kufizohen vetëm te disa fjalë në disa ajete. Dhe ka shumë ajete që janë krejtësisht të lira nga llojshmëria e leximeve. Më poshtë po japim një shembull, me të cilin sqarohet çështja e leximeve kuranore. Fjala e Allahut të Lartësuar ku thotë: “Sunduesi (Malik) i Ditës së Gjykimit.” (el-Fatiha: 4). Fokusi në këtë ajet është fjala (Malik), dhe për të ka dy lexime:

  1. Njëri lexim është “Maliki” (Sunduesi/Pronari): është emër veprues (ism fa’il) nga folja “meleke” (zotëroi/sundoi). Ky është leximi i Hafsit dhe të tjerë.
  2. Leximi tjetër është “Meliki” (Mbreti): është cilësim i emrit veprues. Ky është leximi i Nafiut dhe të tjerë.

Kuptimi i parë (Malik) është: Ai që gjykon dhe vepron në çështjet e Ditës së Gjykimit, që është Dita e Kiametit. Ndërsa kuptimi i dytë (Melik) është: Ai që në Dorën e Tij është urdhërimi dhe ndalimi, dhe çelësat e çdo gjëje, ajo që duket e nuk duket, dhe ky kuptim është më i përgjithshëm se kuptimi i fjalës “Malik”.

Të dy kuptimet i shkojnë për shtat Allahut të Lartësuar dhe të dyja janë lavdërim për Allahun Plotfuqishëm. Dhe, meqenëse kjo fjalë i përballon të dyja leximet, ajo është shkruar në këtë mënyrë: ﴿مَٰلِكِ﴾ me heqjen e shkronjës elif pas shkronjës mim, me vendosjen e një vize të vogël vertikale mes mim-it dhe lam-it, në mënyrë që vizatimi i saj të jetë i përshtatshëm për shqiptimin me të dyja leximet.[8]

Së pesti. Shumëllojshmëria e leximeve e pasuron (e thellon) kuptimin:

Vërtet, fjala që lexohet në dy trajta apo më shumë, për secilin lexim ka një kuptim të pranueshëm që e shton dhe e pasuron kuptimin, ndaj leximet kuranore nuk shpien në mangësi të ajeteve të Kuranit Fisnik. Dhe duhet ta dimë se leximet autentike janë dëgjuar (transmetuar gojarisht) prej Xhibrilit nga Muhamedi dhe më pas janë shkruar nga shkruesit e Shpalljes për të gjithë muslimanët, që në agun e hershëm të Islamit, pastaj janë përcjellë nga dijetarët (shejkhët) e Kuranit në brezat pasardhës, derisa Allahu ta trashëgojë Tokën dhe çka mbi të.

Duhet sqaruar se shkrimi i Kuranit në mus’hafe, edhe pse ai është shkruar që nga koha e Profetit, nuk është mënyra bazike e përcjelljes dhe ruajtjes së Kuranit, por ka qenë dytësore. Ndërkohë muslimanët e kanë marrë Kuranin përmes dëgjimit, ata kanë dëgjuar nga H. Muhamedi r të thotë “fetebejjenū” (verifikoni/sqaroni) dhe e kanë dëgjuar po ashtu të thotë “fetethebbetū” (sigurohuni/kërkoni vërtetim) në fjalën e Zotit të Lartësuar: “O ju që keni besuar! Nëse ju vjen ndonjë i prishur (fasik) me një lajm, atëherë verifikojeni…” (el-Huxhurat: 6). E kanë dëgjuar (fjalën “verifikojeni”) me shkronjën ba, ja dhe nun (فتبينوا), dhe e kanë dëgjuar “fetethebbetū” (sigurohuni/kërkoni vërtetim) me shkronjën ta, tha, ba dhe ta (فتثبتوا). Dhe të dyja leximet janë shpallje (vahj) nga Allahu.

Dhe mes dy kuptimeve të fjalëve në këto dy lexime ka një lidhje të ngushtë, sepse “et-tebejjun” (sqarimi/verifikimi) është kontrolli (ekzaminimi) dhe gjurmimi i lajmit që e përhap i prishuri (fasiku) mes njerëzve. Dhe ky verifikim (tebejjun) është rruga që shpie në vërtetim (tethebbut); kështu që vërtetimi (tethebbut) është fryt i verifikimit (tebejjun), dhe kush verifikon, ai vërteton, dhe kush vërteton, ai verifikon.

Pra, leximet e Kuranit janë një aspekt tejet i ndritshëm nga aspektet e Mrekullisë Hyjnore, edhe nëse këtë gjë e urrejnë njerëzit ziliqarë.

E përmbyllim fjalën tonë me përmendjen e dëshmive nga disa orientalistë që pohojnë autenticitetin e Kuranit. Sigurisht që ne si muslimanë nuk kemi nevojë për to, pasi e njohim shumë më mirë sesa ata origjinën dhe autenticitetin e Kuranit, megjithatë këto i citojmë për të tjerët, për të parë sesi edhe studiues perëndimor, jomyslimanë, shpesh tendencioz për të gjetur mangësi, janë detyruar të pohojnë atë që kanë parë përmes studimeve të tyre, se Kurani është ruajtur në mënyrë autentike.

Sir William Muir (1819-1905):

“Ndoshta nuk ka në botë asnjë vepër tjetër që ka mbetur dymbëdhjetë shekuj me një tekst kaq të pastër. Leximet e ndryshme janë çuditërisht të pakta në numër dhe kufizohen kryesisht në ndryshimet në pikat e zanoreve dhe shenjat diakritike.”[9]

Theodor Nöldeke (1836–1930):

“Çdo lexim i pranuar i Kuranit u transmetua i pandryshuar në tërësinë e tij.” Pavarësisht nga studimi i varianteve të leximeve, Nöldeke arriti në përfundimin se asnjë variant nuk e ndryshonte tekstin kryesor: recensioni Uthmanik (teksti standard që nga shekulli i VII-të) mbeti autoritar dhe i lirë nga korruptimet.[10]

Henri Lammens (1862–1937):

“Kurani, siç na ka ardhur, duhet të konsiderohet si vepër autentike dhe personale e Muhamedit. Ky atribuim nuk mund të vihet në dyshim seriozisht dhe pranohet praktikisht edhe nga ato sekte që e vënë në dyshim integritetin e tekstit; sepse të gjithë disidentët, pa përjashtim, përdorin vetëm tekstin e pranuar nga ortodoksët.”[11]

René Grousset (1885–1952):

Në një përmbledhje të vitit 1949 mbi letërsinë fetare ku Grousset qe bashkëredaktor, në hyrje ai thekson se ndryshe nga teksti i Biblës, teksti i Kuranit nuk iu nënshtrua ndërhyrjeve editoriale nga ithtarët e tij. Vepra vëren “boshllëkun e keqardhur” në transmetimin e shkrimeve të tjera të shenjta dhe nënkupton se Kurani dallohet duke u transmetuar në formën e tij origjinale.[12]

Arthur Jeffery (1892–1959):

“Recensioni i Uthmanit u bë mbi një koleksion të dorës së parë të materialeve nga burimet e [Profetit]” D.m.th. botimi zyrtar i kalifit Uthman u bazua drejtpërdrejt në dorëshkrimet nga vetë Muhamedi. Pasi analizoi kodikët varianteve të e vjetër, Jeffery zbuloi se ndryshimet ishin “relativisht të vogla dhe nuk përfshijnë ndryshime thelbësore në kuptimin e mirëfilltë të tekstit të shenjtë”.[13]

Nabia Abbott (1897–1981):

“Ajo çfarë na siguron se teksti i Kuranit është me të vërtetë i saktë është se ai nuk u mblodh si një libër i shkruar, por u mblodh në zemrat e muslimanëve [me memorizim]. Shkrimi ishte vetëm një mjet ndihmës.”[14]

Régis Blachère (1900–1973):

“Asnjë dorëshkrim i Kuranit nuk ka qenë në gjendje të tregojë ndryshime thelbësore nga i ashtuquajturi [tekst] i Othmanit, dhe ky është një fakt që ia vlen të theksohet.”[15]

William Montgomery Watt (1909–2006):

“Roli i Othmanit ishte kryesisht, të themi, të sanksiononte një nga leximet ekzistuese dhe ta impononte atë. Por ky rishikim ishte bërë aq me kujdes, saqë, përveç një variacioni shumë të vogël dhe të parëndësishëm, teksti i tij u pranua si autentik nga të gjithë studiuesit, përfshirë edhe studiuesit e Kuranit që ishin të interesuar për variante. Këtu mund të thuhet se ekziston një konsensus i përgjithshëm…”[16]

Kenneth Cragg (1913–2012):

“Të gjitha dëshmitë që kemi për Kuranin dëshmojnë se teksti që posedojmë është saktësisht i njëjti tekst i mbledhur në shekullin e parë (të Islamit). … Ky është një libër, siç shihet qartë, i cili ka qenë historikisht i paprekur.”[17]

John Burton (1929–2015):

“Kur’ani transmetohet në mënyrë komunale (mutavatir), duke garantuar autenticitetin; besimi i pakufizuar në [tradita të tjera] është i gabuar kur barazohet me Kuranin.”[18]

Përmbledhje:

Llojshmëria e leximeve të Kuranit nuk nënkupton mospajtime apo shtrembërim të tij. Iluzioni që kanë disa pretendues qëndron në faktin se ata nuk dinë asgjë rreth dijes së leximeve Kuranore (kiraeteve), prandaj pandehën se shumëllojshmëria e leximeve do të thotë mospajtim, gjë që nuk është e vërtetë. Këto janë vetëm shqiptimi i fjalëve të Kuranit, ashtu siç i ka shqiptuar ato vetë Profeti r në trajta të ndryshme të ndërtimit (tasrif), rasës gramatikore (i’rab) dhe cilësisë zanore, si dyfishimi (teshdid) dhe lehtësimi (takhfif), animi (imale), e të ngjashme.

Gjithashtu, llojshmëria e leximeve Kuranore ka urtësi, ndër to: lehtësimi për ymetin islam me dialekte të shumta dhe të folme të ndryshme, në mënyrë që të mos u bëhet e vështirë e të detyrohen të mbajnë vetëm një trajtë në lexim.

Llojshmëria e leximeve nuk ka sjellë asnjë mospajtim as në bazat (usul) e fesë dhe as në degëzimet (furu) e saj. Ato janë më së shumti mënyra të shqiptimit tingullor (të performancës zanore), sesa dallime gramatikore dhe morfologjike, dhe nuk kanë prodhuar asnjë mospajtim në kuptime dhe as në fjalë.

Llojshmëria e leximeve është shpallje (vahj) nga Allahu i Plotfuqishëm dhe nuk i takonte as Profetit r e as ymetit të tij pas tij, ta shpiknin vetë atë. Përkundrazi, ajo është lehtësim dhe mëshirë nga Allahu për robërit e Tij, dhe të gjitha këto janë përcjell nga Xhibrili për tek i Dërguari i Allahut dhe nga ai te besimtarët, e pastaj te dijetarët (shejkhët) e Kuranit në breza të njëpasnjëshëm, derisa Allahu ta trashëgojë Tokën dhe çka mbi të.

Vërtet, llojshmëria e leximeve Kuranore përfshin vetëm fjalë të kufizuara në disa ajete, të cilat i njohin ekspertët e kësaj fushe. Gjithashtu, fjalët që lexohen në dy trajta (mënyra) apo më shumë, për çdo lexim ka një kuptim të pranueshëm që e shton dhe e pasuron kuptimin.

 

Literatura:

  1. Haka’ik el-Islam fi muvaxhehet shubuhat el-mushakkikin (Realitetet e Islamit në Ballafaqim me Dyshimet e Skeptikëve), Dr. Mahmud Hamdi Zakzuk, Këshilli Suprem për Çështjet Islame, Kajro, botimi i 2-të, 1425 H / 2004 M.
  2. El-Islam fi tasavvurat el-Gharb (Islami në Këndvështrimet e Perëndimit), Mahmud Hamdi Zakzuk, Mektebet Vehbe, Kajro, 1987 M.
  3. Menahil el-Irfan fi ulum el-Kuran, Muhamed Abdul-Adhim ez-Zerkani, Mektebet Mustafa el-Baz, Meke, botimi i 1-rë, 1417 H / 1996 M.

Burimi: https://bayanelislam.net/Suspicion.aspx?id=01-01-0108#_ednref11

 

 

 

_________________

 

[1] Ahmedi në Musned (21215); Ebu Daudi në Sunen (1480); dhe e ka vlerësuar si të saktë Albani në Sahih ue Daif Sunen Ebi Daud (1478).

[2] Menahil el-Irfan fi ulum el-Kuran, Muhamed Abdul-Adhim ez-Zerkani, Mektebet Mustafa el-Baz, Meke, botimi i parë, 1417 H / 1996 M, Vëll. 1, f. 120-130 (me përshtatje).

[3] Buhariu 2419, Muslimi 818.

[4] Ahmedi në Musned (17853); Bejhekiu në Shuab el-Iman, (2266); dhe e ka vlerësuar si të saktë Albani në Silsile es-Sahiha (1522).

[5] Buhariu 4705, Muslimi 1939.

[6] Muslimi 1943.

[7] Buhariu 6537, Muslimi 1936.

[8] Haka’ik el-Islam fi muvaxhehet shubuhat el-mushakkikin, Dr. Mahmud Hamdi Zakzuk, Këshilli Suprem për Çështjet Islame, Kajro, botimi i 2-të, 1425 H. / 2004, f. 43, 42.

[9] The Life of Mahomet, vol. I, London: Smith, Elder & Co., 1858, Introduction, fq. 22.

[10] Nöldeke et al., Geschichte des Qorāns, 2nd ed., vol. 3, Leipzig: Dieterich, 1938, fq. 86

[11] Lammens, Islam: Beliefs and Institutions, trans. E. D. Ross, London: Methuen, 1929, fq. 38

[12] Chaîne & Grousset (eds.), Littérature religieuse: Bible, Coran, Religions de l’Inde et de la Chine, Paris: Armand Colin, 1949, fq. 12–15)

[13] Jeffery, Materials for the History of the Text of the Qur’ān: The Old Codices, Leiden: Brill, 1937,

[14] Studies in Arabic Literary Papyri: Qur’anic Commentary (1967).

[15] Introduction au Coran (1959), fq. 101.

[16] Bell’s Introduction to the Qur’an (Rishikuar nga W. Montgomery Watt, 1970), fq. 47.

[17] The Call of the Minaret (1956), fq. 27–28.

[18] The Collection of the Qur’an (1977), fq. 20.

0 Shares:
Postime të ngjashme