Pse Merjemja quhet “Motër e Harunit” dhe ai ishte Imran emri i atit të saj?

Dilema në këtë rast ka të bëjë me vargun Kuranor ku hebrenjtë i drejtohen Merjemes (nënës së Isait/Jezusit), pasi ajo shfaqet me fëmijën në krahë:

“O motra e Harunit! Babai yt nuk ishte njeri i keq, as nëna jote nuk ishte e shthurur!” (Kurani, 19:28)

Kritikë të krishterë pretendojnë se, Kurani ngatërron Merjemen nënën e Isait, me Mirjamin (motrën biologjike të Musait dhe Harunit), të cilët jetuan rreth 1200-1500 vjet para saj.

Përgjigjja:

Së pari: Pretendimi se Kurani bën një ngatërresë të tillë është i pavend, sepse Kurani e njeh dhe i trajton kaq shpesh, veç e veç, si Musain dhe Harunin, ashtu edhe Merjemen dhe Isain, sa bëhet më se e qartë se ai është në dijeni të plotë të diferencës mes tyre në kohë, dhe është tërësisht e pamundur që ai të bëjë një gabim të tillë, nisur nga një ngatërresë historike, duke ngatërruar epokat! Mjafton të lexosh Kuranin vetëm një herë, për të kuptuar se ai është tepër familjar me historinë dhe epokën e secilit prej tyre, ndaj një ngatërresë e tillë për shkak të mosnjohjes së epokave historike është tërësisht e përjashtuar.

Së dyti: Profeti Muhamed r e sqaroi këtë çështje qysh në kohën e tij, duke dhënë çelësin e kuptimit të kësaj shprehjeje si emërtimi honorifik.

Përcillet se kur Mugire ibn Shu’be u dërgua në Nexhran (zonë e krishterë), ata e pyetën: “Ju lexoni ‘O motër e Harunit’ në Kuran, ndërkohë që Musai ka lindur shumë kohë para Jezusit?!” Por kur Mugira u kthye dhe e pyeti Profetin, ai u përgjigj: “A nuk u tregove atyre se njerëzit e asaj kohe (hebrenjtë) e kishin zakon t’i quanin njerëzit e tyre me emrat e profetëve dhe njerëzve të devotshëm që kishin jetuar para tyre?” (Muslimi nr. 5326)

Profeti sqaroi se “Haruni” në këtë kontekst nuk është vëllai biologjik, por një referencë ndaj Harunit si figurë e devotshmërisë dhe priftërisë. Të quhesh “Motër e Harunit” do të thotë të jesh “pasuese e rrugës së Harunit” ose “e lidhur me shtëpinë e tij”.

Mënyra sesi Profeti u përgjigj, duke i thënë Mugires “A nuk u tregove atyre…” tregon se ai ishte kaq i qartë dhe i njohur me këtë fakt, sa ajo nuk përbënte asnjë habi apo mungesë njohurie për të, aq sa nga fjalët e tij ai gati sa nuk i thotë Mugires: “Çudi që nuk e di ti këtë gjë dhe nuk i je përgjigjur kësaj pyetje…”. Kjo do të thotë qartë se konteksti Kuranor, i cili i përmend në vende të ndryshme të gjithë këta njerëz të nderuar, e nënkupton dukshëm se emërtimi “Motra e Harunit” ishte titull honorifik dhe jo biologjik. Pra fakti që Kurani njeh distancën e madhe kohore mes Musait dhe Jezusit tregon se shprehja “Motër e Harunit” nuk është menduar kurrë si lidhje biologjike bashkëkohore mes tyre.

Së treti: Në gjuhët semite (hebraisht/arabisht), termat familjarë përdoren gjerësisht për të treguar përkatësi fisnore ose cilësi të përbashkëta dhe jo vetëm lidhje gjaku direkte.

P.sh. Vëlla përdoret edhe për nipin. Kështu, Abrahami e quan nipin e tij, Lotin, “vëlla”, megjithëse nuk ishin vëllezër biologjikë. “Posa Abrami e mori vesh se i ishte zënë rob Loti, i vëllai, i çoi në këmbë treqind e tetëmbëdhjetë njerëz të aftë për luftë…” (Zanafilla 14:14)

Ungjijtë quajnë si “bir” edhe një pasardhës i largët. Jezusi quhet “Bir i Davidit”, ndonëse Davidi jetoi 1000 vjet më parë. “Breznitë e Jezu Krishtit, të birit të Davidit, të birit të Abrahamit.” (Mateu 1:1) Këtu edhe Jezusi quhet biri i Davidit edhe Davidi i biri Abrahamit, edhe pse dihet që ata nuk ishin bijë të drejtpërdrejtë të tyre, por pasardhës të tyre shumë breza më pas.

Kështu që nëse Jezusi mund të quhet “Bir i Davidit” pa qenë djali i tij biologjik, atëherë edhe Merjemja mund të quhet “Motër e Harunit” (si pasardhëse ose e ngjashme me të në devotshmëri) pa qenë motra e tij biologjike.

Po kështu tek “Kantiku i Kantikëve” (4: 9-10) në Dhiatën e Vjetër përdoret shprehja “motra ime, nusja ime” si shprehje dashurie dhe afërsie, jo farefisnie. Edhe profeti Ezekiel (16:46) e përdor fjalën “motër” në kuptim figurativ për qytete apo popuj.

Arabët si popull semit, të ngjashëm me hebrenjtë, përdorin shprehje të tilla si “vëllai i Temimit’ ose “vëllai i Mudarit”, për të identifikuar dikë si pasardhës të këtyre fiseve, pa nënkuptuar aspak vëllazëri biologjike të drejtpërdrejtë.

Së katërti: Merjemja kishte lidhje gjaku me fisin priftëror të Harunit (Levitëve). Bibla e konfirmon këtë përmes kushërirës së saj, Elizabetës. Te Luka 1:5 pohohet:
“Në kohën e Herodit, mbretit të Judesë, ishte një prift me emrin Zakari, i rendit të Abisë. Gruaja e tij ishte prej bijave të Aronit dhe emrin e kishte Elizabetë.” Dhe ajo ishte e afërt me Marien “Dhe ja, Elizabeta, kushërira jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, pret t’i lindë djali.” (Luka 1:36)

Meqenëse kushërira e saj është “bijë e Aronit”, atëherë edhe Merjemja ka gjak priftëror të Aronit. Hebrenjtë e quanin “Motër e Harunit” për të theksuar pikërisht këtë prejardhje të lartë fisnike.

Së pesti: Pse Merjemja u identifikua pikërisht me Harunin dhe jo me Musain? Sepse Haruni ishte themeluesi i Priftërisë dhe Tempullit. Merjemja është unike sepse, ajo sipas Kuranit u rrit brenda Tempullit, një vend ky i rezervuar për pasardhësit e Harunit.

Sipas Kuranit nëna e saj e dedikoi atë në shërbim të Zotit (Kuran 3:35). Ndërkohë edhe sipas ‘Ungjillit të Jakobit’ (Protoevangelium of James), një tekst i shekullit të II-të (që të krishterët e mbajnë për apokrif), thuhet se, Maria u dërgua në Tempull që në moshën trevjeçare dhe u rrit aty si një “pëllumbeshë e dëlirë”. Duke jetuar në shtëpinë e Harunit (Tempullin) dhe duke bërë jetë adhurimi, ajo fitoi titullin “Motër e Harunit”, d.m.th., kolege në shërbim të Zotit me priftërinjtë aaronitë.

Kështu që për të kuptuar plotësisht vargun kuranor 19:28, duhet kuptuar psikologjia hebraike e kohës. Kur ata e panë Merjemen me fëmijë në krahë (pa qenë e martuar), ata donin ta bënin akuzën sa më të rëndë dhe i thanë: “O motra e Harunit! Babai yt nuk ishte njeri i keq…” Dhe ajo që nënkuptohej në këta rast ishte: “Ti vjen nga një linjë priftërore e shenjtë (Haruni)! Ti je rritur në Tempull si një ‘motër’ e shërbëtorëve të Zotit. Si mund ta ulësh veten në këtë mënyrë kur ke një prejardhje kaq të lartë?!” Ishte sikur t’i thoshin: “Ti që jeton në vendin e Harunit, ti që je si një priftëreshë (motër) e urdhrit të Harunit, si ka mundësi që kryen një akt të tillë…”

T’i thuash dikujt “O motra e [person i nderuar]” në momentin që po bën një mëkat, është një formë qortimi ironik për t’i kujtuar standardin e lartë që ka shkelur.

 

 

Emri i babait të Merjemes

Kurani e quan të atin e saj “Imran”, ndërsa tradita e krishterë si “Jehojakim”. Këtë disa të krishterë e kanë quajtur si një gabim Kuranor!

Së pari, emri “Jehojakim” nuk përmendet në Ungjijtë që Kisha e Krishterë i konsideron si kanonikë, por në Ungjillin e Jakobit, të cilin e kemi përmendur edhe më sipër dhe që të krishterët e konsiderojnë si apokrifë. Kështu që një libër me autenticitet të dyshimtë, sipas vetë të krishterëve, si mund të përdoret si argument për muslimanët, se emri i babait të Marisë nuk qe Imran, por Jehojakim?! Megjithatë katolikët dhe ortodoksët e konsiderojnë këtë libër si burim historik bazë për jetën e Marisë, prindërit e saj dhe fëmijërinë e saj,[1] ndërkohë që protestantët përgjithësisht i refuzojnë të tilla burime.

Së dyti, duhet ditur që Kurani nuk përkon në mjaft pika historike me Biblën, sepse burimi i tij është i pavarur, ai është burim hyjnor nga vetë Zoti, kështu që nuk është domosdoshmëri të përkojë plotësisht me Biblën. Kjo do të vlente nëse Bibla do të kishte mbetur plotësisht autentike dhe pa ndërhyrje njerëzore në të, por duke qenë se e vërteta është ndryshe, atëherë ajo duhet marrë me rezerva.

Së treti, praktika e dy emrave ishte diçka e njohur te hebrenjtë, që shpesh kishin dy emra P.sh. Dihet që Jakobi u quajt edhe Israel, po ashtu kemi rastin e Gideonit që u quajt Jerubbaal (Gjyqtarët 6:32, 7:1), Shimoni që u quajt Kefa/Pjetër (Ungjilli sipas Gjonit 1:42). Esteri që quhej edhe Hadasa (Esteri 2:7). Po kështu profeti Daniel, përveç emrit hebre mori edhe një emër babilonas Belteshazar (Danieli 1:7)

Së katërti, ka një lidhje semantike mes emrit Imran (Amram në hebraisht), që do të thotë “Popull i Lartësuar” ose “I Lartësuari i Popullit” dhe Jehojakim, që do të thotë “Zoti Lartëson”. Kuptimi është pothuajse identik. Tek Amram (Imran), theksi është te “Lartësimi” në kontekstin e popullit/fisit. Tek Jehojakimi, theksi është te “Lartësimi” nga Zoti. Në traditën semite, është shumë e mundur që një person të njihej me emrin që përshkruan statusin e tij fisnor (Imran – I lartësuari i fisit) dhe me emrin që përshkruan bekimin e tij fetar (Jehojakim – Zoti e lartësoi).

Konkluzioni

Shprehja “Motër e Harunit” në Kuran 19:28 nuk është gabim historik, por një saktësi e hollë që përfshin:

  1. Nderimin: Krahasimin e dëlirësisë së saj me atë të profetit Harun.
  2. Prejardhjen: Konfirmimin se ajo rridhte nga linja priftërore (Levite).
  3. Ironinë e Akuzuesve: Hebrenjtë po i thoshin: “Ti që vjen nga dera e shenjtë e Harunit, si munde të bësh këtë turp?”

Profeti Muhamed r e mbylli këtë debat 1400 vjet më parë duke sqaruar se është një idiomë gjuhësore e traditës hebraike për të nderuar njerëzit duke i thirrur me emrat e paraardhësve dhe të të devotshëm.

 

Redaksia: pergjigjet-islame.org

 

____________________________

[1] The Catholic Encyclopedia. Zëri: “St. Joachim” dhe “St. Anne”

0 Shares:
Postime të ngjashme