Përgjigje rreth akuzës se Profeti puthte në gojë nipin e tij Hasanin.

 

Akuza të ndryshme nga qarqe islamofobe apo misionarë të krishterë kundër Profetit Muhamed r nuk kanë munguar asnjëherë. Shumë prej tyre mundohen të akuzojnë duke u ndalur në detaje transmetimesh të cilat në shumicën e rasteve nuk janë të studiuara mirë, ose në raste të tjera duke i nxjerrë qëllimisht nga konteksti.

Një nga akuzat është dhe transmetimi i mëposhtëm, që sipas atyre që e citojnë aluduaka sikur Profeti r na paska qenë pedofil sepse ka puthur në buzë nipin e tij të vogël Hasanin!

Nga Ebu Hurejre përcillet se ka thënë: “Çdo herë që e shikoja Hasanin (nipin e Profetit) më mbusheshin sytë me lot, ngaqë Profeti r doli një ditë dhe më gjeti në xhami, më mori prej dore dhe nuk më foli, derisa arritëm në tregun Beni Kajnuka. Ai eci përreth dhe vështroi, pastaj u largua dhe bashkë me të shkuam në xhami ku u ul dhe u mbështoll me veshjen e tij, pastaj pyeti: “Ku është vogëlushi? Thirreni vogëlushin!” Pastaj Hasani erdhi duke vrapuar, ra në prehrin e tij dhe e kalonte dorën në mjekrën e tij. Pastaj Profeti r hapi gojën duke vendosur gojën në gojën e tij (Hasanit) dhe tha: “O Allah! Unë e dua atë (Hasanin), duaje dhe Ti dhe këdo që e do atë!” (Buhariu në ‘’el-Edeb el-Mufred” nr. 1183)

Në një version tjetër te Mustedreku i Hakimit (nr. 4855) përcillet se Ebu Hurejre thoshte: “Vazhdoj ta dua këtë njeri (Hasanin) që kur e pashë atë në prehrin e të Dërguarit r tek fuste gishtat në mjekrën Profetit, i cili fuste gjuhën e tij në gojën e Hasanit dhe thoshte: “O Allah! Unë e dua atë (Hasanin), andaj duaje dhe Ti!”.

Para se të futemi në detaje për të shpjeguar kulturalisht veprimin, nëse ishte kjo diçka e pranuar dhe normale tek arabët në atë kohë, a është akuzuar nga kundërshtarët e asaj kohe për diçka etike dhe morale ose jo, kur veprimet bëheshin publike, nëse veprimi ishte diçka e pranuar kur lidhet mes nënës dhe babait për fëmijën, ose mes gjyshit dhe gjyshes për nipërit dhe mbesat, apo analizë gjuhësore çfarë përfshin ajo shprehje tek arabët, etj., le të shikojmë më parë se a vërtetohet autenciteti i veprimit apo jo, sepse në bazë të analizës hadithore sipas rregullave të shkencës së hadithit, vëmë re se të dyja versionet nuk qëndrojnë dhe nuk janë të sakta në këtë formë.

Versionin e parë nuk e transmeton Buhariu në Sahihun e tij të njohur, por në një libër tjetër “el-Edeb el-Mufred”, libër në të cilin nuk kushtëzon që hadithet të jenë të sakta, sikur ka kushtëzuar në hadithet që transmeton në Sahihun e tij (el-Xhami’ el-Musned es-Sahih). Ndërkohë i njëjti hadith transmetohet ndryshe në Sahihun e Buhariut nga Ebu Hurejre i cili tregon:

“Isha me të Dërguarin e Allahut (alejhissalatu uesselam), në një nga tregjet e Medinës. Ai u kthye dhe unë bashkë me të. Pastaj tha: “Ku është vogëlushi?” Këtë e përsëriti tri herë, pastaj tha: “Thirreni Hasanin, të birin e Aliut!” Hasani u çua dhe nisi të ecë, ndërsa në qafë mbante një varëse. Profeti hapi krahët dhe Hasani gjithashtu dhe e përqafoi, pastaj tha: “O Allah! Unë e dua atë (Hasanin), duaje dhe Ti dhe këdo që e do atë!” (Buhariu në Sahihun e tij nr. 5884)

Hadithin gjithashtu e transmeton dhe Muslimi (në Sahihun e tij nr. 2421).

Në versionin e Muslimit thuhet:

“… Ata përqafuan njëri-tjetrin, pastaj Profeti (alejhissalatu uesselam) tha: “O Allah! Unë e dua atë (Hasanin), duaje dhe Ti dhe këdo që e do atë!”

Ndryshe nga transmetimi i parë në el-Edeb el-Mufred nga ku është bazuar akuza, në dy transmetimet e tjera te Sahihu i Buhariut dhe i Muslimit tregohet se ata përqafuan njëri-tjetrin (gjyshi me nipin e tij). Problemi i transmetimit të parë është se sjell një panoramë ndryshe dhe një shtojcë, mbi të cilën është ndërtuar akuza. Zinxhiri i transmetimit (senedi) ku sillet shtojca në el-Edeb el-Mufred ka probleme. Në zinxhirin e transmetuesve gjendet Hisham Ibn Sa’di, të cilin dijetarët nuk e pranojnë si transmetues të mirë dhe e konsiderojnë të dobët: Imam Ahmedi, Ibn Meini, Ali ibn Medini, Jahja el-Kattani, Nesaiu, Ibn Hibbani, Ibn Sa’di dhe të tjerë. (Tehdhib et-Tehdhib 4/271). Ndërsa fakti pse Buhariu përcjell hadithet e këtij personi në librin e tij “el-Edeb el-Mufred” nuk do të thotë se hadithi është i fortë dhe mund të argumentohesh me të. Pikërisht për këtë transmetues, Ebu Hatim er-Razi thotë: “Mund të përcjellësh transmetime prej tij, por nuk lejohet të argumentohesh me transmetimet e  tij. (el-Xherh vet-Ta’dil të Ibn Ebi Hatim 9/61). Në raste të tilla, kur transmetuesi është i dobët dhe kundërshton në përmbajtje transmetime të tjera të forta, sikur në rastin konkret transmetimin e saktë të Buhariut dhe Muslimit në dy Sahihët e tyre, atëherë ai konsiderohet i papranueshëm.

Edhe në versionin tjetër që e përcjell Hakimi (nr. 4855), që akuzuesit kanë dashur ta shfrytëzojnë gjithashtu për të ngritur akuzën e tyre, në zinxhirin e transmetimit (sened) gjendet Nuajm ibn Ebi Hindi, të cilin Imam Ebu Hatim er-Razi nuk e konsideron gënjeshtar si transmetues, mirëpo nuk ka siguri nga gabimet e tij gjatë transmetimit. (el-Xherh vet-ta’dil  8/460).  Përveç kësaj, Sufjan Theuriu, që në zinxhirin e transmetuesve paraqitet sikur e përcjell këtë hadith prej tij, në të vërtetë raportohet se ai nuk transmeton hadithe nga Nuajm ibn Ebi Hindi. Kur e kanë pyetur Sufjan Theuriun pse nuk përcjell transmetime nga Nuajmi? Ai u përgjigj: Sepse Nuajmi fliste keq për Aliun. (Tehdhib et-Tehdhib 4/238). Pra transmetime të tilla nuk mund të përbëjnë argument për të pasqyruar realitetin jetik se si vepronte dhe jetonte Profeti (alejhissalatu uesselam). Transmetimet e sakta që tregojnë si vepronte Profeti me nipin e tij Hasanin përcillen te Buhariu dhe Muslimi siç i përmendëm më lart, por me zinxhir transmetuesish (sened) të fortë transmetohen gjithashtu te Musnedi Imam Ahmedit (nr. 8380), Suneni ibn Mexhes (nr. 142), Suneni i madh i Nesaiut (nr. 8109), Musnedi i Ebu Ja’lës (nr. 6391), Sahihu Ibn Hibbanit (nr. 6963), etj., të cilat na japin panoramë krejtësisht ndryshe nga ajo që mundohen të paraqesin akuzuesit.

Ndërkohë, nëse të dy transmetimet e cituara nga akuzuesit, do ishin të sakta, një veprim i tillë nuk do kishte qenë një akuzë morale për Profetin, sepse një akuzë morale dhe etike kundër një personi ndërtohet duke njohur më parë kulturën e vendit dhe kohës kur jeton dhe ajo merr kuptim kur bëhet nga njerëz të të njëjtit vend me kulturë të përbashkët. Nëse nëna ose babai, gjyshi ose gjyshja, luajnë me fëmijën ose me nipin e tyre të vogël, e puthin atë, vendosin gojën apo gjuhën në gojën e tij duke luajtur, duke folur e duke u shprehur me gëzim dhe afrimitet prindëror, kjo nuk përbën asgjë të keqe, nëse ai veprim është pjesë e zakoneve dhe e kulturës së atij vendi. E njëjta gjë ndodh edhe me shumë prindër shqiptarë, madje disa shkojnë deri aty sa i puthin organet gjenitale fëmijës së vogël, zakonisht djemve, dhe nuk kemi parë që prindërit të akuzohen si pedofilë, apo njerëz që nuk kanë moral. Prandaj nuk hasim dikë të kohës së tij, nga kundërshtarët e tij arabë të asaj kohe, që të akuzojë Profetin Muhamed (alejhissalatu uesselam) për çështje morali dhe etike, në çfarë do formë qoftë ajo. Përkundrazi ai në këtë drejtim ishte njeri i respektuar aq sa për 23 vjet veprimtari profetike shumica e kundërshtarëve të tij e pranuan, e besuan dhe u lidhën ngushtë me të. Sidoqoftë dy transmetimet e cituara si provë morale kundër tij nuk qëndrojnë dhe akuzat ndaj tij në këtë drejtim nuk kanë asnjë saktësi.

Në përfundim citojmë ajetin Kuranor ku Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet (ti o Muhamed) qëndron në një shkallë të lartë të moralit.”  (el-Kalem: 4).

 

Mustafa Terniqi

0 Shares:
Postime të ngjashme