2 – Përfitimi material si motiv – Hamza Mustafa Njozi

Disa studiues argumentojnë se Muhamedi ﷺ ndoshta u motivua nga qëllimi material. Duke qenë se ndodhej para një loje të madhe ai ia atribuoi Kur’anin Zotit, me qëllim që të kishte më tepër përfitime materiale. Megjithatë kjo hipotezë nuk përputhet me faktet historike. Pozita financiare e Muhamedit ishte shumë më e mirë përpara, sesa pas profetësisë së tij. Në moshën 25 vjeç (15 vjet përpara se ai të shpallej Profet) ai u martua dhe jetoi në mes të rehatisë me Hadixhen, e cila ishte një tregtare e pasur. Pasi ai u bë profet standardi jetesës dhe gjendja e tij financiare nuk ishin më për t’u pasur zili.

Në një përmbledhje të Haditheve nga Buhariu, njëra nga gratë e Muhamedit, Aishja, tregon se zjarri në shtëpinë e tyre mund të rrinte një deri në dy muaj pa u ndezur, ngaqë nuk kishte asgjë për t’u gatuar. I vetmi mjet mbijetese ishin hurmat dhe uji. Nganjëherë kësaj diete i shtohej edhe qumështi i dhisë, të cilin ia dhuronte populli i Medinës. [1] Në librin e tij, Martin Lings thotë:

Profeti dhe familja e tij jetonin një jetë plot kursime. Aishja tregon se përpara (pushtimit të) Hajberit, ajo nuk kishte ngrënë kurrë hurma aq sa të ngopej. E tillë ishte varfëria e këtyre njerëzve, sa gratë e Profetit nuk i kërkuan kurrë atij ndonjë gjë, përveç atyre gjërave më të nevojshme për jetën. [2]

Kjo nuk ishte thjesht një sakrificë e përkohshme, por një mënyrë të jetuari. Kjo gjë ndodhte në një kohë, kur Muhamedi ﷺ po të donte mund të kishte jetuar si mbret. Në të vërtetë pati dhe një farë proteste nga gratë e tij, se përse duhej të vazhdonin të jetonin në varfëri, kur mund të notonin në luks. [3]

Profeti u shqetësua nga kjo pakënaqësi. Atij i erdhi një shpallje e cila e urdhëronte që t’u thoshte grave të zgjidhnin, ose Allahun dhe Lajmëtarin Tij, ose shkëlqimin e përkohshëm të kësaj bote:

O i Dërguar! Thuaju grave tuaja: “Nëse dëshironi jetën e kësaj bote dhe shkëlqimin e saj, ejani, unë do t’ju lë të kënaqeni për ca kohë dhe do t’ju lëshoj si është më mirë. Por, nëse dëshironi Allahun, të Dërguarin e Tij dhe botën tjetër, dijeni se Allahu ka përgatitur shpërblim të madh për ato prej jush që bëjnë vepra të mira.” [4]

Duke përshkruar dhomën e Profetit, Umeri (një nga kalifët dhe miqtë e Profetit) thotë:

Vura re se dhoma kishte gjithë-gjithë vetëm tri lëkurë të thara dhe një grusht elb të hedhur në qoshe. Hodha vështrimin përreth, por syri nuk më zuri asgjë tjetër. Nga sytë më rrodhën lot. Ai më tha: -Përse po qan?- Unë iu përgjigja: -O Profet i Allahut! E si mos të qaj, kur shoh se në ç’gjendje ndodhesh. Unë po t’i shoh shenjat e hasrave në trupin tënd dhe po e shoh se çfarë ke në këtë dhomë. O Profet i Allahut! Lutu që Allahu të na japë të ngrëna të bollshme. Si ka mundësi që persianët dhe romakët, të cilët nuk kanë fe të vërtetë dhe nuk adhurojnë Allahun, por mbretërit e tyre Çezarin dhe Kisran, të jetojnë në kopshte të lulëzuara e buzë shatërvanëve të pastër, ndërsa Profeti i zgjedhur dhe robi, i nënshtruari i Allahut, jeton në një varfëri të plotë?!…- Profeti i cili deri në atë kohë ish mbështetur mbi jastëk, kur më dëgjoi të flisja në këtë mënyrë u ngrit e tha: “O Umer vazhdon akoma të dyshosh për këtë gjë? Qetësia dhe rehatia në botën e përtejme janë shumë më të mira, se sa qetësia dhe rehatia në këtë jetë. Të pafetë po shijojnë shumë të mira në këtë botë, ndërsa për ne këto të mira janë rezervuar të tëra në jetën tjetër”.- Unë i kërkova ndjesë: “O Profet i Allahut! Të lutem më fal. Ishte me të vërtetë një gabim nga ana ime”. [5]

Dikush e pyeti Aishen, se si e kish krevatin Profeti në shtëpinë e tij. Përgjigja e saj ishte:

Ai është bërë me lëkurë të mbushur me gjethe palme. [6]

Dhe kur Hafsës iu drejtua një pyetje e ngjashme, ajo u përgjigj:

“Përbëhej nga një copë kanavacë, të cilën unë ia shtroja më dysh qysh para se ai të flinte. Njëherë duke dashur t’ia bëj më të rehatshme, unë ia shtrova më katërsh. Mëngjesin tjetër ai më pyeti: -Çfarë ishte ajo që më shtrove mbrëmë?- Unë iu përgjigja: -E njëjta copë vetëm se nuk e kisha palosur dysh, por katërsh”. Ai tha: “Lëre ashtu si qe më parë. Rehatia e madhe i zë udhën tahaxhudit”. (faljes gjatë natës) [7]

Privimet e Muhamedit ishin të vetë imponuara, sepse kurdoherë që merrte ndonjë dhuratë (si në rastin kur kryetari i Fidakut i dhuroi katër deve të ngarkuara me mall) ai ia shpërndante atë të varfërve dhe s’pranonte të merrte asgjë për vete. [8] Kur Muhamedi vdiq, ai nuk kishte kurrfarë parash. Pasuria e vetme ishin 7 dinarë, të cilat ai ua shpërndau të varfërve disa ditë përpara se të vdiste duke pasur frikë se mos i linte pas. [9] Gjithashtu thuhet se kur ai vdiq ndonëse kishte arritur mjaft fitore dhe bëma, Muhamedi ishte në borxh dhe se e kishte lënë peng mburojën e tij tek një çifut i Medinës! [10]

Ka gjithashtu edhe mjaft raste të tjera, të cilat tregojnë se jeta e Muhamedit nga fillimi i profetësisë deri në vdekje ishte një jetë vazhdimisht e kursyer dhe plot privime. [11] Ideja se qëllimi i tij ishte përfitimi material nuk përputhet me faktet historike. Siç vë re dhe Enciklopedia e Re Katolike:

“Thuhet se frymëzimi kryesor që e shtyu Muhamedin për të kryer revolucionin e tij fetar ishte thjesht përfitimi ekonomik. Kjo hipotezë nuk u përshtatet fakteve që ne njohim”. [12]


[1] Sahih el-Buhari nr. 2567.

[2] Martin Lings “Muhamedi: Jeta e tij bazuar mbi burimet më të hershme” (London: G. Allen Uniwin Ltd. 1983) faqe 276.

[3] Shih për shembull Martin Língs, shih cit. Kapitulli LXXI fq. 274- 279.

[4] Kur’ani 38:28-29.

[5] H. Nizamuddin “Mësimet e lslamit”(New Delhi: Idona Ishaat-e-Dinityat, pa datë) fq. 49-50. Ky episod përmendet edhe në librin e Martin Lingsit “Muhamedi”, fq. 279.

[6] H. Nizamuddin op. cit fq. 50.

[7] Po aty.

[8] Për një rrëfim të plotë, shih tregimin e Bilalit në librin e H. Nizamudinit, shih cit. fq. 55-57.

[9] Hafiz G. Sarvar “Muhamedi: Profeti i Shenjtë” (Lahore: Sh. Muhamaad Ashraf 1969) fq. 367.

[10] Xhemal Badawi “Profetësia e Muhamedit: Në vështrim analitik” (Minna I. E. T. 1981), fq. 8.

[11] Shih për shembull Abdur Rahman Shad (përkthim) shih cit. Hadith Nos 474, 475, 476, 477 dhe 478, fq. 315-317.

[12] Enciklopedia e Re Katolike Vol. IX, fq. 1001.

0 Shares:
Postime të ngjashme