5 – Logjika e kritikave për martesën e Profetit me Aishen – Waqar Akbar Cheema

Më parë diskutuam se si, në Arabinë e shekullit të VII, gjërat ishin dukshëm ndryshe sa i përket fillimit të pubertetit dhe koncepteve mbi moshën e martesës. Megjithatë, gjërat nuk kanë ndryshuar aq shumë sa mund të mendohet. Ajo që ka ndryshuar, përkundrazi, janë konceptet dhe perceptimet. Industrializimi dhe urbanizimi që e shoqëroi atë, kanë qenë arsyet kryesore për ndryshimin e perceptimit dhe qëndrimit ndaj martesës, ndonëse edhe këta faktorë kaq të fuqishëm morën shumë kohë për të ndikuar në këto ndryshime.

Deri në fund të shekullit të XIX, në shumë shtete të SHBA-së, mosha e pëlqimit (age of consent) ishte vetëm dhjetë vjeç dhe madje shtatë vjeç në Delaware. [1] Sipas një studimi nga UNESCO, në Indi, në vitet 1950, mbi 40% e popullsisë rurale e konsideronin “moshën 11-14 si kohën e duhur që vajzat të martoheshin,” ndërsa mbi 11% prej tyre e shihnin “moshën 8-10 vjeç si kohën e përshtatshme për martesën e një vajze,” dhe thuajse gjysma e këtyre përqindjeve u konstatua mes atyre që kishin migruar nga zonat rurale në ato urbane. [2]

Edhe në shoqëritë e ashtuquajtura të zhvilluara, ndonëse mosha e konsideruar e përshtatshme për martesë mund të jetë shtyrë më tej, puberteti nuk ka ndjekur këtë prirje. Nina Epton (vd. 2010), në veprën e saj English and the Love (1960), shprehet:

‘Zhuljeta e Shekspirit ishte katërmbëdhjetë vjeçe. Zhuljetat e sotme janë pranë së njëjtës moshë, megjithëse ka marrë goxha kohë që prindërit, mësuesit dhe punonjësit socialë të kuptojnë këtë fakt dhe gjithçka që ai nënkupton. Vajzat dhe djemtë po piqen më herët fizikisht – disa mjekë e përcaktojnë ndryshimin në dy vjet, në krahasim me fillimin e këtij shekulli …

Zhuljeta e sotme, sidoqoftë, nuk mund të martohet në moshën katërmbëdhjetë vjeçe. Për më tepër, trendi i kohës është që ajo të mbahet gjatë me bishtaleca, edhe pasi ajo ka pushuar së qeni adoleshente. Mosha e daljes nga shkolla është rritur, madje diskutohet ta rrisin ende. Zhuljeta ka ‘takime’ (njohjeje) shumë kohë përpara se të lerë shkollën.’ [3]

Për më tepër, duke iu referuar një raporti sipas të cilit një në pesëdhjetë vajza mund të pritet të mbesë shtatzënë para moshës shtatëmbëdhjetë vjeç, ajo vëren: “Ka pasur gjithashtu disa raste me vajza të vogla njëmbëdhjetë dhe dymbëdhjetë vjeçe që kanë lindur bebe.” [4] Ajo citon edhe fjalët e një drejtori shkolle, i cili thotë se “procesi i njohjes duket se fillon në shkollën time në moshën pesë vjeçe. Mund të dallosh, qysh atëherë, vajzat e vogla që janë ftuese.” [5] Pas kësaj ai pranon “faktin e marrëdhënieve të shthurura midis adoleshentëve që ‘e bëjnë nëpër shkurre’.” [6]

Si pasqyrim i kuptimit të këtyre faktorëve, shohim se asnjë autor perëndimor nuk e ka ngritur çështjen e moshës së re të Aishes deri në fillim të shekullit të XX. Duke shkruar, nga fundi i shekullit të XVII, Humphrey Prideaux (vd. 1724), në veprën e tij The True Nature of Imposture, Fully Displayed in the Life of Mahomet, përpiqet në fakt ta shpjegonte martesën, duke thënë:

‘Aishja ishte atëherë vetëm gjashtë vjeçe, dhe për këtë arsye ai nuk pati marrëdhënie bashkëshortore me të deri dy vjet më vonë, kur ajo i kishte plotësuar tetë vjeç. Sepse është e zakonshme në ato vise të nxehta, siç është e gjithë India që ndodhet në të njëjtën klimë me Arabinë, që gratë të jenë të gatshme për martesë në atë moshë, dhe gjithashtu të lindin fëmijë vitin pasues.” [7]

Këtë vëzhgim e konfirmoi E.W. Lane (vd. 1876), i cili jetoi në Egjipt gjatë gjysmës së parë të shekullit të XIX, [8] ndërsa Muhamed Asadi (vd. 1992) kujtoi raste të ngjashme nga qëndrimi i tij në Arabinë e fillimit të shekullit të XX. [9]

Kështu, gjejmë se Washington Irving (vd. 1859) dhe William Muir (vd. 1905), të cilët nuk ishin aspak dashamirës ndaj Profetit ﷺ, e kanë përmendur faktin se Aishja ishte shumë e re në kohën e martesës, por nuk i referohen asaj si diçka e dënueshme. [10]

John Davenport (vd. 1877), i cili në anën tjetër bëri “një përpjekje modeste dhe serioze për të çliruar historinë e Muhamedit nga akuzat e rreme dhe shpifjet dashakeqe,” nuk gjeti arsye të trajtonte këtë martesë duke u marrë me moshën e Aishes. D. S. Margoliouth (vd. 1940) duket se ishte i pari që përmendi në mënyrë nënçmuese këtë martesë dhe këtë madje vetëm në një shënim dytësor, duke synuar më shumë të nënvizonte varfërinë e Profetit ﷺ në sfondin e Betejës së Bedrit. Ai shkruan:

‘Sa i kursyer u detyrua të ishte Profeti tregojnë faktet se kur, shtatë muaj pas mbërritjes së tij, u martua me Aishen, nuk pati asnjë gosti dasme. Duke qenë se babai i saj, Ebu Bekri besnik, i siguroi dhëndrit dhuratën e domosdoshme për nusen, ndoshta kjo martesë e papërshtatshme (sepse të tillë duhet ta quajmë martesën e një burri pesëdhjetë e trevjeçar me një vajzë nëntëvjeçare, të larguar nga kolovajza dhe nga lodrat) u përshpejtua nga dëshira për të siguruar disa para të thata.’ [11]

Megjithëse jo të gjithë orientalistët pas Margoliouth-it e ngritën këtë çështje, [12] sot ajo është, në fakt, një temë e përhershme ndër kritikët e Islamit. [13]

Teksa ngritja e këtij problemi nuk është aspak bindës për një mendje kritike, po të kemi parasysh faktet e përmendura më lart, historia e Perëndimit të Krishterë, përveç zhvillimeve të fundit — ose “moszhvillimeve” të fundit — në fushën e filozofisë morale në Perëndim, vetëm sa vënë në pah standardet e dyfishta të rendit botëror modern shekullar, me karakter imperialist, në të cilin i Dërguari i Allahut ﷺ është sulmuar për këtë martesë. [14]

Jo vetëm që disa shtete të SHBA-së deri më sot nuk kanë ndonjë kufi minimal moshe për martesë, dhe “martesa e fëmijëve” në fakt praktikohet në shumë raste, [15] por, po përgatitet terreni për ta paraqitur pedofilinë si diçka “normale.” [16]

Meqë martesa tradicionale tashmë nuk ka shumë rëndësi në Perëndimin modern, duket qartë se shfrytëzimi edhe i foshnjave do të justifikohet së shpejti si një “orientim i natyrshëm seksual.” S’mbetet veçse të pyesim se si mund të përdoren idealet e një qytetërimi me një histori dhe trajektore të tillë mutacioni etik, si një kriter objektiv i ngurtë për të vlerësuar veprimet në një kontekst historik tërësisht tjetër?!


[1] Cocca, C.E., Jailbait: The Politics of Statutory Rape Laws in the United States (New York: State University of New York Press) 23-24.

[2] Textor, Robert B., et al., The Social Implications of Industrialization and Urbanization: Five Studies of Urban Populations of Recent Rural Origin in Cities of Southern Asia, (Culcutta: Unesco. Qendra Kërkimore mbi Implikimet Sociale të Industrializimit në Azinë Jugore, 1956) 92

[3] Epton, Nina, Love and the English, (Middlesex: Penguin Books, 1964) 353.

[4] Ibid., 354 (note 1)

[5] Ibid., 358-359.

[6] Ibid., 359.

[7] Prideaux, Humphrey, The True Nature of Imposture, Fully Displayed in the Life of Mahomet, 10th ed. (London: W. Baynes, 1808) 37.

[8] Lane, Edward William, An Account of the Manners and Customs of the Modern Egyptians, botimi i pestë (Londër: J.M. Dent & Sons, 1908) fq. 161; ai shkroi: “Femrat egjiptiane arrijnë pubertetin shumë më herët se banorët e vendeve më të ftohta.

Shumë prej tyre martohen në moshën dymbëdhjetë apo trembëdhjetë vjeç; madje disa vajza jashtëzakonisht të zhvilluara martohen në moshën dhjetë vjeç: por raste të tilla nuk janë të zakonshme. Pak mbeten të pamartuara pas moshës gjashtëmbëdhjetë vjeç. Një vajzë egjiptiane në moshën trembëdhjetë vjeç, ose edhe më herët, mund të bëhet nënë.”

[9] Asad, Muhammad, Sahih al-Bukhari: The Early Years of Islam, (Gjibraltar: Dar al-Andalus, 1981) f. 199; ai shkroi: “Për këdo, megjithatë, që di diçka rreth zhvillimit të shpejtë fizik të grave arabe, vështirë se ka ndonjë gjë befasuese në martesa të tilla. Gjatë qëndrimit tim të gjatë në Arabi, më ka ndodhur të has një ose dy raste kur një vajzë dymbëdhjetëvjeçare është bërë nënë; dhe më kanë thënë, nga burime mjaft të besueshme, se ndonjëherë edhe vajza më të reja kanë sjellë në jetë fëmijë të gjallë.”

[10] Irving, Washington, The Life of Mahomet, (London: Henry G. Bohn, 1850) 63; William Muir, The Life of Mohammad, (Edinburg: John Grant, 1923) 113.

[11] Margoliouth, D. S., Mohammed and the Rise of Islam, (Londër: G. P. Putnam’s Sons, 1905) fq. 234–235; këtë e theksoi edhe Dr. Jonathan Brown. Shih: Brown, Jonathan, Misquoting Muhammad, (Londër: OneWorld Publications, 2014) fq. 144; Dr. Brown gjithashtu diskuton (fq. 291–293) rrëfimin e martesës që jepet nga Lodovico Maracci (vd. 1700) dhe Simon Ockley (vd. 1720).

[12] Disa prej tyre, në fakt, arritën t’i jepnin kuptim kësaj. Shih: McDonald, M.V., The History of al-Tabari, Volume VII – The Foundation of the Community, (Albany: State University of New York Press, 1987) fq. xviii (Parathënia e përkthyesit); ai shkruan: “Sipas ideve të kohës, mosha nëntë vjeç duket se nuk ishte shumë e hershme për martesë.” Shih gjithashtu: Turner, C., Islam: the Basics, (New York: Routledge, 2006) fq. 34–35.

[13] Ndoshta ajo që i hodhi më shumë benzinë zjarrit ishte gatishmëria e disa myslimanëve për të kaluar në një qasje revizioniste duke mohuar krejtësisht se Aisha ishte nëntë vjeç kur Profeti ﷺ u martua me të. Një rishikim kritik i këtyre argumenteve do të paraqitet në një artikull të ardhshëm.

[14] Duke përshkruar pasojat e modernitetit hegjemon, të aplikuar në botën myslimane, përmes projektit kolonial, Wael B. Hallaq vëren: “Së bashku me ndryshimin e koncepteve të komunitetit dhe individualizmit ndodhi një tjetër transformim në vlerat shoqërore që përcaktojnë moshën e pjekurisë, një transformim që kryesisht ka qenë pasojë e ndryshimeve të mëdha në strukturat ekonomike dhe mënyrat e prodhimit.” Shih: Hallaq, Wael B., Shari’a: Theory, Practice, Transformations (New Delhi: Cambridge University Press, 2009) fq. 463.

[15] Ferguson, Sarah, What You Need To Know About Child Marriage In The U.S. (October 29, 2018).

[16] Gilligan, Andrew, ‘Paedophilia is natural and normal for males’ – How some university academics make the case for paedophiles at summer conferences, (July 5, 2014).

0 Shares:
Postime të ngjashme