1 – Martesa e Profetit Muhamed me Aishën 9 vjeçare – Waqar Akbar Cheema

Abstrakt

Ky artikull shqyrton debatet në lidhje me martesën e Profetit Muhamed ﷺ me Aishen, kur ajo ishte nëntë vjeç. Duke vënë në pah problematikat e studimit të historisë dhe faktorët e lidhur me pubertetin në përgjithësi, në këtë kuadër diskutohen edhe detajet e martesës. Për më tepër, këtu përfshihen raportet që tregojnë natyrën e marrëdhënies mes Profetit dhe Aishes, si pasqyrim i përshtypjeve të vetë Aishes mbi martesën. Gjithashtu, jepet një vështrim i shkurtër i qasjes orientaliste ndaj kësaj teme, si dhe arsyet dhe faktet që kanë ndikuar në ndryshimet e perceptimeve përkatëse.

  1. Hyrje

Raportohet se: Aishja rrëfen: se Profeti ﷺ u martua me të kur ajo ishte gjashtë vjeç dhe e konsumoi martesën kur ajo ishte nëntë vjeç. [1]

Çështja e martesës së Profetit Muhamed ﷺ me Aishen, e cila ishte nëntë vjeç, vazhdon të jetë në qendër të polemikave rreth Islamit. Ajo që e bën të vështirë si shpjegimin, ashtu edhe kuptimin e arsyes së kësaj martese, është numri i faktorëve sociologjikë dhe demografikë të përfshirë, si dhe ndjeshmëritë që janë zhvilluar veçanërisht gjatë shekullit të fundit — periudha e vetme kur kjo martesë ka qenë objekt polemikash dhe apologjish.

  1. Rëndësia e kuptimit të ndryshimeve demografike me kalimin e kohës

Ibn Khalduni (v. 808/1406), historiani më i shquar në fushat shoqërore dhe demografike, ka theksuar pasojat e rrezikshme të studimit të historisë duke injoruar ndryshimet që marrin formë me kalimin e kohës:

‘Një nga gabimet e pakapshme në historiografi, është mosrespektimi i faktit se gjendjet e popujve dhe brezave ndryshojnë me ndryshimin e periudhave dhe kalimin e ditëve… Arsyeja është se gjendja e botës dhe e popujve, zakonet dhe besimet e tyre, nuk mbeten në të njëjtën formë apo në një mënyrë të pandryshueshme; përkundrazi, ato ndryshojnë me kalimin e ditëve dhe periudhave kohore, duke kaluar nga një gjendje në tjetrën. Kështu ndodh me individët, kohërat dhe qytetet; dhe në të njëjtën mënyrë ndodh edhe me rajonet dhe krahinat, periudhat dhe dinastitë.’

Ai më tej theksonte:

‘Arsyetimi analogjik dhe krahasimi i ndodhive janë një prirje e njohur për njeriun, por asnjëherë nuk janë të mbrojtura nga gabimet. Ato mund ta largojnë njeriun nga synimi i tij nëse ai është i pavëmendshëm dhe i painteresuar, duke e devijuar atë prej qëllimit. Mund të ndodhë që dikush të dëgjojë shumë prej ngjarjeve të të parëve, pa e vënë re se si kanë ndryshuar dhe janë përmbysur rrethanat.

Si rrjedhojë, ai i aplikon menjëherë (standardet e së tashmes) mbi ato që ka dëgjuar, duke i krahasuar me ato që ka parë vetë me sytë e tij, edhe pse mes të dyjave mund të ketë dallime të thella, dhe për pasojë bie në një humnerë gabimesh.’ [2]

Prandaj, është e gabuar të përdoren konceptet bashkëkohore rreth moralit dhe ndërveprimit gjinor – të cilat, për më tepër, janë huazuar prej një qytetërimi që ka përjetuar një sërë krisjesh shoqërore përgjatë gjysmë mijëvjeçarit të fundit – për të analizuar një shoqëri krejtësisht tjetër, që i përket një periudhe para një mijë e pesëqind vjetësh.

  1. Fakte të veçanta për Arabinë e shekullit të shtatë

Prandaj, është e rëndësishme të kemi parasysh disa nga faktet themelore demografike lidhur me Arabinë e shekullit të VII, që ndikojnë drejtpërdrejt në çështjen në fjalë.

  • 3.1 Mosha e pubertetit

Mosha e pubertetit ndryshon nga një qytetërim në tjetrin për shumë arsye, nga gjeografia dhe kushtet klimatike, deri te faktorë kulturorë si ushqimi bazë dhe rolet gjinore. Një studim thekson:

‘Është e njohur se faktorët gjeografikë, etnikë dhe gjenetikë ndërveprojnë me statusin socioekonomik, shëndetin, ushqimin dhe emocionet për të përcaktuar moshën e saktë të fillimit të pubertetit për çdo individ të vetëm.’ [3]

Në Arabinë e shekullit të VII, nëntë vjeç nuk konsiderohej një moshë e parakohshme për pubertetin, të paktën për vajzat. Këtë e ka përmendur edhe vetë Aishja dhe kjo mbështetet edhe nga burime të tjera. Harb ibn Ismail el-Kirmani (v. 280/893) citon:

‘[Na rrëfen] Is’haku (ibn Rahauejh), i cili transmeton nga Zakarija ibn Adi, nga Ebu Melih (el-Rakij), nga Habib ibn Ebu Merzuk, se Aishja ka thënë: ‘Kur një vajzë arrin nëntë vjeç, ajo është grua.’’ [4]

Duke shpjeguar këtë transmetim, Bejhakiu (v. 458/1066) thotë:

‘Do të thotë se (në moshën nëntëvjeçare), ajo ka menstruacione dhe për këtë arsye është grua, – Allahu e di më mirë.’ [5]

I njëjti transmetim është përcjellë edhe si një thënie e Profetit, ndonëse me një zinxhir transmetimi të dobët. [6]

  • 3.2 Martesat e hershme

Ekzistojnë të dhëna të qarta mbi martesat që kanë ndodhur në fillim të pubertetit. Muavije ibn Ebu Sufjani e martoi vajzën e tij nëntëvjeçare, Hind, me Abdullah ibn Amir ibn Kuraiz. [7] Ebu el-Asim ed-Dahak rrëfen se e ëma e tij ishte vetëm dymbëdhjetë vjet më e madhe se ai. Ai lindi në vitin 122 h./740, ndërsa e ëma më 110 h./728–29. [8] Shkruesi i Lejth ibn Sadit, Ebu Salih (v. 223 h./837), tregon se dikush i kishte treguar për vajzën e tij dhjetëvjeçare, e cila kishte mbetur shtatzënë. [9]

Po i njëjti Ebu Salih përmendi se një vajzë në lagjen e tij kishte mbetur shtatzënë në moshën nëntë vjeç. [10] Imam Shafiu (v. 204 h./820) po ashtu përmend se gratë në Tihame (Arabia Perëndimore) e arrinin pubertetin që në moshën nëntë vjeç. Ai tregon gjithashtu se në Sana (Jemen) kishte parë një gjyshe njëzetenjëvjeçare. [11] Të njëjtën gjë e pohon edhe el-Hasan ibn Salih (v. 169 h./785–86). [12] Edhe meshkujt, herë pas here, martoheshin në moshë shumë të re; për shembull, Abdullah ibn Amr ibn el-As ishte vetëm dymbëdhjetë vjet më i ri se i ati, Amri. [13]

  • 3.3 Përbërja shoqërore dhe rolet gjinore

Ndryshe nga koha jonë, një mijë e pesëqind vjet më parë nuk ekzistonte koncepti i përfundimit të arsimit formal në kolegj ose universitet dhe as detyrimi për të ndjekur një karrierë në këtë apo atë fushë – sidomos për gratë, aq më tepër në shoqërinë fisnore të Mekës. Në mungesë të shkaqeve ‘detyruese’ për ta shtyrë martesën, faza natyrore e kurorëzimit nuk vonohej shumë pas fillimit të pubertetit dhe pasi vajza kishte arritur pjekuri të mjaftueshme fizike (krahaso më poshtë vëzhgimin e Nina Epton-it në lidhje me Britaninë e shekullit XX).


[1] El-Bukhari, al-Sahih, (Riyadh: Darussalam Publishers, 1997) Hadithi 5134 etj.; ky transmetim i përket një autoriteti të qëndrueshëm i përcjellë përmes një numri nxënësish të Aishes. Detajet do të jenë në një artikull të ardhshëm që do të vlerësojë argumentet revizioniste mbi këtë çështje.

[2] Ibn Khaldun, al-Tarikh (Diwan al-Mubtada’ wa al-Khabr …), (Bejrut: Dar al-Fekr, 1988) Vëll. 1, 37-39, përkthyer nga Franz Rosenthal, Muqaddimah – Një Hyrje në Historinë, e shkurtuar dhe e redaktuar nga N. J. Dawood (New Jersey: Princeton, 2005) 24-26.

[3] Nancy J. Hopwood, et al, “The Onset of Human Puberty: Biological and Environment Factors” në John Bancroft & June Machover Reinisch, Adolescence and Puberty, (New York: Oxford University Press, 1990) 40; shih gjithashtu Craig A. Hodges & Mark R. Palmert, “Genetic Regulation of the Variation in Pubertal Timing” në Ora H. Pescovitz & Emily C. Walvoord, When Puberty Is Precocious: Scientific and Clinical Aspects, (Totowa: Humana Press, 2007) 84

[4] el-Kirmani, Harb ibn Ismail, Masail (el-Taharah ue es-Salah), red. Muhamed ibn Abdullah Al-Sari‘ (Bejrut: Al-Rayan Publishers, 2013), f. 587, nr. 1289; shih gjithashtu et-Tirmidhi, el-Sunan / el-Jami‘ al-Kebir (Rijad: Maktaba Dar-us-Salam, 2007), vëll. 2, f. 480 (nën hadithin nr. 1109); el-Bejhaki, Ebu Bekr, Sunen el-Kubra (Bejrut: Dar al-Kutub el-‘Ilmije, 2003), vëll. 1, f. 476, ku përmendet pa isnad (zinxhir transmetuesish). Dijetarë të shquar hanbali kanë përmendur se Ahmed bin Hanbeli e ka përcjellë këtë thënie të Aishes me isnad. Shih, Al-Makdisi, Ibn Kudamah, el-Mughni (Kajro: Maktaba el-Kahira, 1968), vëll. 7, f. 42; Ibn Abd el-Hadi, Shems el-Din, Tankih el-Tahkik fi Ahadith et-Ta‘lik (Rijad: Adwa’ el-Selef, 2007), vëll. 4, f. 324.

Megjithatë, ajo nuk gjendet në Musned dhe në veprat e tjera të njohura të Ahmed ibn Hanbelit. Edhe Albani nuk e kishte të mundur të gjente një isnad për këtë, shih Irua’ el-Ghalil fi Takhrixh Ehadith el-Menar es-Sebil (Bejrut: Maktab el-Islami, 1985), 6/229. Vepra e el-Kirmanit, e cila, ashtu siç citohet këtu, përfshin një isnad për këtë transmetim — ndonëse jo nga Ahmed ibn Hanbeli — u botua për herë të parë në vitin 2013 dhe nuk ishte e arritshme për Albanin (v. 1999).

[5] el-Bejhaki, Ebu Bekr,  Sunen el-Kubra, 1/476.

[6] el-Asbahani, Abu Nuaim, Akhbar Asbahan, (Beirut: Dar al-Kutub al-Ilmijah, 1990) 2/243; Albani, Nasir el-Din, Irua’ al-Ghalil fi Takhrixh Ehadith el-Menar es-Sabil, 1/199.

[7] Ibn Asakir, Ebu el-Kasim, Tarikh al-Dimashk, (Beirut: Dar el-Fikr, 1995) 70/188.

[8] el-Kelabadhi, Ebu Nasr, el-Hidaja ue el-Irshad fi Ma’rifah Ehl ethl-Thika ua es-Sidad, (Beirut: Dar al-Ma‘rifa, 1407 AH) 1/370; Ibn Asakir, Ebu el-Kasim, Tarikh ed-Dimashk, 24/358, 361.

[9] Ibn Adij, Ebu Ahmed, el-Kamil fi al-Du‘afa er-Rixhal, 5/343.

[10] Po aty.

[11] El-Bajhaki, Ebu Bekr,  Sunen el-Kubra, 1/476.

[12] el-Dejnuari, Ibn Kutajbe, el-Ma‘arif, (Kajro: el-Ha’ijah el-Misrija, 1992) 287; el-Bajhaki, Sunen el-Kubra, 1/ 476.

[13] el-Kelabadhi, Ebu Nasr, al-Hidaja ua el-Irshad fi Ma‘rifah Ehl eth-Thika ua es-Sidad, 1/386; Ibn Asakir, Ebu el-Kasim, Tarikh ed-Dimashk, 31/244.

0 Shares:
Postime të ngjashme