9 – Nga burimet hebraike dhe të krishrera – Hamza Mustafa Njozi

Në librin e tij “Islami dhe Perëndimi- Një analizë historike” Philip K. Hiti shprehet: “Nuk ka dyshim mbi burimet e Kur’anit, ato janë: Kristiane, Çifute dhe nga paganizmi Arab. [1] Supozimin e tij ai e mbështet duke e vënë në dukje, se gjatë kohës kur jetoi Profeti në murin e brendshëm të Qabesë gjendeshin piktura të Jezusit dhe Marisë.

Po kështu ai vazhdon të thotë, se materiali i Kur’anit është grumbulluar nga tregimet gojore të njerëzve, gjë që e demonstron edhe ajo pjesë e Kur’anit ku thuhet se Jezusi i foli njerëzve akoma në djep dhe krijoi nga balta një zog të gjallë.

Ky pohim ka një paralele të tij në Ungjillin apokrifal të Fëmijërisë. Maria, nëna e Jezusit ngatërrohet me Marinë motrën e Aronit, dhe Hamani e parapëlqyera e Abu Suerusit (Esth. 3: 2) gabimisht bëhet ministër i Faraonit (sureja 40: 38). Dhe historia e Kur’anit mbi Aleksandrin e Madh me dy brirë duhet ta ketë origjinën nga tregimet romantike mbi Aleksandrin, që atëherë qenë mjaf të përhapura ndërmjet kristianëve sirianë. [2]

Megjithatë sipas Riçard Bellit, përveç faktit se në një nga shtyllat e Qabesë gjendet piktura e Jezusit, nuk ka asnjë provë të qëndrueshme mbi ndonjë bazë Kristiane në Hixhaz apo në rrethinat e Mekës, madje as në Medine. [3]

Argumenti i Hitit është, se ndonëse disa pasazhe të Kur’anit janë të ngjashëm me pasazhet biblike përsëri ato nuk janë garanci e mjaftueshme, se kemi të bëjmë me huazime apo citime. Ai jep gjatë shtjellimit të tij pjesë të krahasueshme, që përfshijnë Suren 21: 104 me Isain, Suren 63: 39-42 me Ezekielin 18: 20, Suren 53-45 me Samuelin 2: 6, Suren 1: 5 “Udhëzona për në rrugën e drejtë” me Psalmin 27:1 “dhe na udhëhiq në rrugë të qartë”, dhe që sipas tij mund të kenë edhe shpjegime të tjera veç ndërvarjes së drejtpërdrejtë. [4] Shpjegimi i tij është:

“ndryshe nga një imitues i nënshtruar, Muhamedi e islamizoi, e arabizoi dhe e kombëtarizoi këtë material. [5]

Mbi burimet e Kur’anit J. Curisty Wilson shkruan kështu në librin e tij “Duke Paraqitur Islamin”:

“Studiuesit thonë se një numër (tregimesh të Kur’anit) mund ta kenë zanafillën më tepër në burimet Çifute Talmudike dhe në Ungjijtë apokrifë, sesa në Dhiatën e Re dhe të Vjetër”. [6]

Po kështu Wilson përmend ngatërrimin e dukshëm të Hamanit dhe Marisë. Në librin e tij “Origjina e Islamit në Mjedisin e tij Kristian” Richard Belli argumenton se: “Një pjesë e madhe e Kur’anit varet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Bibla dhe nga histori që kanë lidhje me Biblën”. [7]

Njohuritë e Muhamedit mbi Biblën, sipas tij u fituan gradualisht:

Çelësi i një pjese të madhe të Kur’anit dhe i karrierës së Muhamedit gjendet… në përvetësimin gradual të njohurive mbi përmbajtjen e Biblës dhe i asaj çka besonin dhe Kristianët… Do ta shohim se si ai huazon plot ndërgjegje nga to-për këtë ai është mjaft i sinqertë. [8]

Referimet që i bën Kur’ani Njerëzve të Shpellës, Moisiut, Hidrit dhe Aleksandrit të Madh, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me Biblën, Belli i konsideron si provë të asaj, se Muhamedi nuk zotëronte në punën e tij ndonjë njohuri reale të Biblës, por shfrytëzonte për këtë qëllim burime gojore të dorës së tretë. Belli gjithashtu përmend edhe ngatërrimin e dukshëm që i bën Muhamedi Marisë së Jezusit me Miriamin, motrën e Moisiut.

Keneth Cragg në librin “Thirrja e Minaresë” thotë:

Tregimet Biblike të riprodhuara në Kur’an ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme dhe sugjerojnë se njohja e tyre ka qenë gojore dhe jo e drejtpërdrejtë. Kemi të bëjmë me një mungesë të plotë të asaj që mund të quhet një citim i drejtpërdrejtë nga secila Dhiatë. [9]

Cragg është i bindur, se moskonceptimi i dukshëm në Kur’an i Trinisë dhe Jezusit tregon, se hapësira dhe cilësia e kontakteve gojore të Muhamedit ishte e pamjaftueshme për t’i mundësuar atij një kuptim të plotë të Kristianizimit. [10] H.A.R. Gibb në librin e tij “Muhamedanizmi”: Një analizë historike” shton një mundësi tjetër për sa u përket burimeve të Kur’anit:

Duke pasur parasysh lidhjet e ngushta tregtare ndërmjet Mekës dhe Jemenit do të ishte mjaft e natyrshme të supozonim, se disa nga idetë e konceptet fetare u sollën në Mekë përmes karvanëve dhe erëzave dhe tekstileve, mandej në Kur’an gjejmë një fjalor të tillë, i cili e bën të plotë kuadrin e këtij supozimi. [11]

Lyndon P. Harris shkruan në librin e tij “Islami në Afrikën lindore”:

Vetë Muhamedi huazoi mjaft gjëra nga Bibla, edhe sot Myslimanët në mënyrë të ndërgjegjshme apo të pandërgjegjshme, huazojnë mjaft nga ideologjia e krishtere deri edhe në çështje, që nuk mbështeten në Kur’an. [12]

Sipas R. A. Nikolsonit Kur’ani e ka zanafillën nga burimet Hanife dhe Judeo-Kristiane:

Shumë kemi dëgjuar rreth atyre eremitëve kristianë dhe atyre pak njerëzve të njohur si Hanifë të cilët hodhën poshtë adhurimin e idhujve duke zgjedhur një besim të tyre, asketik dhe monoteist: Duket se Muhamedi ka pasur kontakte me disa prej tyre përpara se të lëshonte kushtrimin e tij… Udhëtimet e tij me karvanët tregtare të Mekës, i siguronin mundësinë për të bashkëbiseduar me shumë Çifutë e Kristianë, dhe rezultati i këtyre bisedimeve, ruhet në Kur’an. [13]

Nikolson vazhdon duke thënë:

Muhamedi e fitoi gjithë diturinë e tij përmes këtyre bisedimeve dhe ndërmori një sipërmarrje të fuqishme duke shfrytëzuar zbukurime të tilla të huazuara – që konsistonin më së shumti në legjenda të Hagjadës dhe Apokrifës. [14]

Për sa i përket influencës Çifute dhe Kristiane mbi Kur’anin, Enciklopedia e Re Katolike shkruan:

Studimet jo-myslimane janë shprehuar pothuajse gjithmonë, se influencat më të mëdha mbi Muhamedin kanë qenë kryesisht, por jo plotësisht Çifute dhe Kristiane, dhe se këto influenca ngjyrosen nga karakteri i vetë Muhamedit dhe u strukturuan konform aspekteve dhe nevojave të një mentaliteti arab para-islamik. [15]

Më poshtë kjo vazhdon me këto fjalë: “Ka shumë mundësi që Muhamedi të ketë dëgjuar përkthime të improvizuara të shkrimeve Kristiane apo Çifute.” [16]

Duhet të themi që në fillim se kjo teori është e mangët, pasi përmban të njëjtën hipotezë të teorisë së mëparshme dhe pikërisht të asaj, që Muhamedi kreu një mashtrim apo bëri një gabim të çmendur duke ia atribuuar Kur’anin një burimi hyjnor.

Më sipër trajtuam gjerësisht dobësinë e një hipoteze të tillë. Analfabetizmi që e shoqëroi Muhamedin gjatë tërë jetës së tij përbën një tjetër pengesë të rëndësishme. Pasi siç shprehet dhe Kur’ani n.q.s Muhamedi do të kishte ditur shkrim dhe këndim, shumë kritikë do ta vinin në dyshim vërtetësinë e pohimeve të tij. [17]

Por duke qenë se ai ishte analfabet, është e pamendueshme se si ai mund të mblidhte tërë atë material nga Hanifët, Çifutët, Kristianët dhe nga burimet e tjera pagane me qëllim që këtë material ta përpunonte dhe ta recitonte më pas për 23 vjet në gjuhën e madhërishme të Kur’anit pa ndihmën e një pene. Së treti Muhamedi u rrit në një mjedis i cili ishte në pjesën më të madhe idhujtar, ndërsa Kur’ani është plotësisht monoteist.

Është e vërtetë se në Mekë gjendej një grup jo paganësh të cilët vetëquheshin “Hanifinë” dhe që nuk merrnin pjesë në adhurimin e idhujve. Por ata nuk kishin as kishë e as Shkrime Hyjnore. Madje nuk ekziston as dhe ndonjë regjistrim i besimeve të tyre. Po kështu në Mekë mund të këtë ekzistuar dhe një numër Kristianësh, por ama ky numër ka qenë sigurisht i papërfillshëm.

Në të vërtetë kritikët e Muhamedit nuk menduan kurrë ta akuzonin atë, se ai e kishte mësuar atë nga një kovaç romak në rrethinat e Mekës. Muhamedi shpesh shkonte tek ai dhe e shihte tek punonte. Kur’ani e hodhi poshtë këtë akuzë, duke treguar se njeriu për të cilën ata flisnin, fliste një gjuhë të huaj, ndërsa Kur’ani ishte në arabishten e pastër:

Ne dimë shumë mirë se ata thonë: atë (Muhamedin) e mëson një njeri? Mirëpo gjuha e atij nga i cili anojnë (supozojnë) ata është jo arabe (e paqartë) e kjo (e Kur’anit) është gjuhë arabe e stilit të lartë e të qartë. [18]

Meqë ra fjala, cilit grup duhet t’ia atribuojmë vargun e mësipërm? Cilët po e mbrojnë Kur’anin në këtë rast, Çifutët apo Kristianët? Kontaktet e Muhamedit me shkollarë Çifut apo Kristianë ishin shumë të kufizuara. Ai u takua dy herë me Uaraka ibn Naufal. Uaraka ishte një plak që i kaloi vitet e fundit të jetës së tij në verbëri si një kushëri i afërt i Hadixhes, gruas së Profetit.

Ndonëse Uaraka kishte një prejardhje arabe, ai u bë kristian dhe kishte disa njohuri nga Dhjata e Re. Takimi i tyre i parë ndodhi në kohën kur Uaraka po vinte rrotull Ka’bes dhe aty pa Muhamedin. Plot dashuri ai e puthi atë në ballë. Takimi i tyre i dytë ndodhi pasi Muhamedit i ishte dërguar shenja e parë e Zotit. Uaraka vdiq 3 vjet më vonë ndërsa Shpallja Hyjnore vazhdoi për 23 vjet. [19]

Kristianët jetonin edhe në Nexhran në Jemen (Jugu i Mekës). Ndërsa në veri jetonin disa çifutë në zonën e Jethribit, e cila më vonë u njoh si Medina. Nuk ekziston asnjë lloj dëshmie që të vërtetojë se Muhamedi udhëtoi ndonjëherë për në Nexhran para apo pas profetësisë së tij. Muhamedi kishte shkuar në Medine vetëm për një herë para se të shpallej profet. Kjo ndodhi kur ai ishte 6 vjeç dhe shkoi atje së bashku me të ëmën për të vizituar një të afërm, nga fisi Beni Nexhar dhe për të vizituar varrin e babait, i cili kishte vdekur përpara se ai të lindte. [20]

Përsëri hipoteza është shumë fantastike, që ai mundi të mësojë në moshën 6 vjeç brenda 2 ditësh të 66 apo 73 librat e Biblës. Sido që të jetë, largësia ndërmjet Mekës dhe Medinës është qindra kilometra dhe si mjet transporti nuk ishin as aeroplanët e as makinat, por vetëm një deve që e kryente këtë rrugë për disa javë. Muhamedi nuk mund të kishte shkuar nga një qytet në tjetrin pa u vënë re nga të tjerët. Me sa duket ekzistenca e këtyre komuniteteve nuk mund të jetë burimi i Kur’anit.

Disa studiues gjithashtu përmendin faktin, se Muhamedi bashkëbisedonte me çifutë dhe kristianë, por pa thënë se kur u zhvilluan këto biseda, duke lënë kështu përshtypjen se Kur’ani është shkak dhe rezultat i këtyre diskutimeve. Është e vërtetë se këto biseda janë zhvilluar, por shumë kohë pasi Kur’ani kishte filluar të shpallej (predikohej).

Në të vërtetë këto biseda ai i bëri në Medinë, ndërsa Fjala Hyjnore kishte nisur t’i thuhej që 13 vjet më parë kur ai ishte në Mekë. Dhe përpara se të emigronte në Medinë atij i ishte thënë rreth 2/3 e Kur’anit. Vargjet 33-63 të kapitullit 3 të Kur’anit p.sh. iu thanë atij në vitin e nëntë të mërgimit në Medinë me rastin e vizitës të një delegacioni nga kristianët e Nexhranit.

Së dyti na duhet të themi se shpesh herë nuk përmendet konteksti i këtyre takimeve. Ai nuk i takon ata si nxënës, por si mësues dhe përdori këtë mundësi për të korrigjuar dogmat e tyre d.m.th. besimin e tyre në trinitetin.

Të gjithë dokumentet historike që ekzistojnë sot, tregojnë se Muhamedi ndërmori tre udhëtime jashtë Mekës përpara profetësisë së tij. Në moshën 6 vjeç ai shoqëroi të ëmën për në Medinë. Ndërmjet moshës 9-12 vjeç ai shoqëroi ungjin e tij Ebu-Talibin në një udhëtim tregtie për në Siri. Në udhëtimin e fundit Muhamedi ishte 26 vjeç dhe këtë radhë udhëhoqi po për në Siri karvanin e Hadixhes. [21]

Ashtu si thotë Xhemal Badawi:

Do të ishte një imagjinatë mjaft e ekzagjeruar po të thoshim se gjatë bisedave të rastësishme që pati me kristianë dhe çifutë gjatë kohës kur ishte i zënë me udhëheqjen e karvanit, Muhamedi mësoi aq shumë për njërin apo të dy besimet saqë të formulonte një besim të ri, të fuqishëm e plot jetë, detyrë kjo e cila për shekuj me radhë po sfidon përpjekjet e përbashkëta të studiuesve. [22]

Për më tepër pohimi i mësipërm ngre një numër pyetjesh. Xhemal  Badawi shtron më poshtë këto gjashtë pyetje:

  1. Përse me gjithë bollëkun e materialit historik mbi jetën e Muhamedit dhe me gjithë kërkimet që kryen për shekuj me radhë kritikët e tij më të egër, nuk u bë e mundur të zbulohej ai mësues misterioz përmes të cilit Muhamedi mësoi gjithçka?
  2. Është një fakt i njohur se për 13 vjet me radhë Muhamedi u kundërshtua, u vu në lojë dhe u persekutua nga bashkëkohësit e vet. Duke pasur kaq shumë armiq a nuk ishte e mundur që ata t’i provonin njerëzve, se thëniet e Muhamedit për Fjalën Hyjnore ishin thjesht trillime? A nuk ishte e mundur, që ata të tregonin dhe emërtonin burimin apo burimet njerëzore të mësimeve të tij? Edhe disa nga kundërshtarët e tij, të cilët në fillim e mbështesnin këtë hipotezë më vonë ndërruan mendje dhe e akuzuan si magjistar dhe i pushtuar nga e keqja.
  3. Muhamedi u rrit në mesin e popullit të tij, dhe atyre çdo aspekt i jetës së tij u ekspozua, veçanërisht nga hapja që karakterizon jetën fisnore në shkretëtirë. Si mund të besonin në vërtetësinë e tij tërë ata bashkëkohës, përfshi këtu edhe gjithë ata të afërm të cilët e njihnin mirë n.q.s. ata do të kishin ndonjë dyshim, se ai po kërkonte meritat për gjëra që i kishte mësuar nga disa mësues të tjerë?
  4. Cili mësues mund t’i mësonte Muhamedit një besim të plotë e koherent që ktheu faqen e historisë? Përse nuk u ngrit ai apo ata (n.q.s. ka pasur ndonjë) kundër të ashtuquajturit nxënës, i cili vazhdonte të mësonte prej tyre dhe t’i injoronte ata në të njëjtën kohë duke shpallur se mësimet e tij vinin nga një Burim Hyjnor, siç ishte vetë Allahu?
  5. E si mundet që disa nga bashkëkohësit e tij kristianë dhe çifutë u kthyen në myslimanë dhe besuan në vërtetësinë e tij, n.q.s. e dinin se ai po kopjonte shkrimet e tyre të shenjta, apo po mësonte nga priftërinjtë apo rabinët e tyre?
  6. Një fakt i njohur është se një pjesë e Shpalljes Hyjnore i erdhi Muhamedit në prani të njerëzve. Kur’ani iu shpall Muhamedit në një periudhë prej 23 vjetësh. Ku ishte pra ky mësues njerëzor kaq misterioz dhe i padukshëm? Si mundet ta ketë fshehur ai kaq gjatë? Apo si mundi Muhamedi, i cili ishte vazhdimisht i rrethuar nga pasues, si mundi ai të vizitonte fshehurazi këtë apo këta mësues misteriozë për 23 vjet pa u kapur as edhe një herë? [23]

[1] Philip K. Hiti shih cit. fq. 15.

[2] Philip K. Hiti shih cit. fq. 16-17.

[3] Richard Bell “Origjina e Islamit në Mjedisin e tij  Kristian.” Leksionet  Gurring në Universitetin e Edinburgut” 1925. (London: McMillan and Co. Ltd., 1926), fq. 41.

[4] Philip K. Hiti shih cit. fq. 17.

[5] Philip K. Hiti shih cit fq. 18.

[6] J. Christy Wilson “Duke paraqitur lslamin”(New York: Friend-ship Press, 1950), fq. 30-31.

[7] Richard Bell shih cit. fq. 100.

[8] Richard Bell shih cit. fq. 68-89.

[9] Keneth Cragg shih cit. fq. 74.

[10] Keneth Cragg shih cit. fq. 263.

[11] H. A. R. Gibb op. cit, fq. 263.

[12] Lyndon P. Harries “lsIami në Afrikën Lindore” (London Universities Mission of Central Africa 1954), fq. 57.

[13] R. A. Nikolson Parathënie në përkthimin e Kur’anit nga E. H. Palmer, fq. IX.

[14] R. A. Nikolson “Parathënia” fq. XVII.

[15] Enciklopedia e Re Katolike, Vol. VII, fq. 677.

[16] Ibid.

[17] Kur’ani 29: 48.

[18] Kur’ani 16:103.

[19] Shih Hafiz G. Sarwar cit.

[20] Shih S. A. A. Maududi cit, pjesa 2, fq. 207.

[21] Hafiz G. Sarwar shih cit. f. 51-59.

[22] Xhemal A. Badawi, fq. 17-19.

[23] Xhemal A. Badawi, ibid.

0 Shares:
Postime të ngjashme