Teoria e epilepsisë është ndoshta teoria, e cila paraqet më shumë probleme. Në “Enciklopedia e Re Britanike”, epilepsia përkufizohet me këto fjalë:
“Shqetësime të papritura e të vazhdueshme të funksioneve mendore, të gjendjes së vetëdijes, të veprimtarisë shqisore apo të lëvizjes trupore, të cilat shkaktohen nga një keqfunksionim paroksimal i qelizave nervore cerebrale.” [1]
Ndërsa në titullin “Llojet e krizave” jepen katër kategori grand mal, petit mal, psikomotore dhe spazma infatike. [2]
Tek “Grand Mal”, përfshihen konvulsione të përgjithshme, që shoqërohen me të fikët të papritur, rënie dhe dridhje e gjymtyrëve. Rënia në tokë në këto momente paraprihet nga një klithmë e mprehtë. Pasi trupi bie në tokë ai ngrin dhe pushon së marri frymë, kjo gjë shoqërohet me dridhje të parregullta në gjithë gjatësinë e këmbëve dhe duarve.
Nganjëherë gjatë këtyre krizave i sëmuri mund të kafshojë edhe gjuhën si rezultat i tkurrjeve të pavullnetshme të muskujve të nofullave. Përgjatë kësaj përvoje personi ndjehet i çorientuar, konfuz, përgjumshëm dhe me dhembje koke. Personi nuk mban mend aspak, se çfarë ka ngjarë. [3]
Është e dukshme pra se këto simptoma nuk janë të zbatueshme për Muhamedin. “Petit Mal”, përfshin kapërcime të çastit të vetëdijes dhe mbi 70% e pacientëve e kanë krizën e parë përpara moshës 20 vjeç. Në “Petit Mal” nuk ndodhin lëvizje të pavullnetshme ndaj edhe kjo mund të ndodhë disa herë në ditë pa u shkaktuar ndërprerje të vetëdijes.
Siç shihet është e vështirë ta barazosh “Petit mal” me Shfaqet Hyjnore të Muhamedit. Këto Shfaqje Hyjnore iu paraqitën atij në moshën dyzetvjeçare dhe vazhdonin disa minuta pra krejt ndryshe nga “Petit Mal”, e cila ka vetëm disa kapërcime momentale të vetëdijes. Për më tepër që revelata nuk mund të kalonte kurrë pa u vënë re.
Krizat “Psikomotore” dhe “fokale” mund të përfshijnë konvulsione të përgjithshme. Shpërthimet fokale (vatrore) mund të manifestohen nga lëvizje a ndijime të lokalizuara në një pjesë të caktuar të trupit ose nga paralajmërime të përjetuara subjektivisht që quhen auras [4] dhe që kanë një kohëzgjatje nga një fraksion sekonde në disa sekonda. Aurat që lindin nga zona të caktuara të trurit përfshijnë iluzionet, se mjedisi rrethues është i njohur, si halucinacionet vizuale apo auditive, gjëmimin e veshëve, dhe erëra apo shije të pakëndshme. [5]
Përsëri mund të themi se krizat psikomotore nuk kanë asgjë të përbashkët me Shpalljet Hyjnore të Muhamedit. Për më tepër Kur’ani vazhdon të ekzistojë edhe sot e kësaj dite. Po ta studiosh ai nuk ngjan fare me përçartjet dhe belbëzimet e një epileptiku.
Megjithatë mund të ekzistojnë forma të tjera të epilepsisë që janë të panjohura për mjekësinë shkencore. Edhe në këtë rast do të kishim të bënim me një sëmundje, e cila do të prekte funksionet e tij mendore, duke e bërë të paaftë për të kontrolluar mendimin. Fakti është se Muhamedit kur i shpallej Fjala Hyjnore vazhdonte ta kishte veten plotësisht në kontroll dhe ishte plotësisht i aftë për t’i mbajtur mend e për t’i regjistruar ato më vonë saktësisht.
Kaq i sigurtë ishte ai për këtë gjë, saqë kjo u shkrua edhe në Kur’an 75: 16-19. Në fakt Kur’ani është mjaft i lehtë për t’u mbajtur mend dhe në qoftë se do të grumbullonim një grup myslimanësh të sinqertë do të mund ta riprodhonin Kur’anin nga kujtesa e tyre e përbashkët. E njëjta gjë thuhet edhe në Kur’an 54:17. Kjo gjë ndodh, pavarësisht nëse njerëzit dinë arabisht apo jo.
[1] Enciklopedia Re Britanike (Chicago: The University of Chicago 1985) VoI. 4, fq. 525.
[2] Ibid.
[3] Për një përshkrim te hollësishëm shih: Enciklopedia Britanike (Chicago: The University of Chicago 1967), Vol. 8, nën titujt Epilepsia dhe krizat epileptike fq. 654.
[4] Aurë: ndjenjë subjektive përpara fillimit të një ataku paroksizmal, në rastin tonë p.sh. në epilepsi.
[5] Enciklopedia e Re Britanike, Vol. 4, fq. 525.