6 – Bekimet e martesës së Aishes për bashkësinë myslimane – Waqar Akbar Cheema

Aishja ishte jashtëzakonisht e mprehtë. E kombinuar me pozitën e saj pranë Profetit ﷺ, natyrën e saj kureshtare, aftësinë për të kuptuar thellësisht çështjet dhe kujtesën e saj të jashtëzakonshme, ajo u shndërrua në një dijetare të papërsëritshme. Ebu Musa el-Eshari, një sahab i njohur i Profetit ﷺ, dëshmoi:

‘Ne (shokët e Profetit) sa herë që patëm vështirësi, për zgjidhjen e së cilës iu drejtuam Aishes, gjithmonë morëm prej saj ndonjë një informatë të dobishme.’ [1]

Madje, transmetimet tregojnë se edhe sahabët më të vjetër të Profetit ﷺ i drejtoheshin Aishes për çështje aq komplekse si ndarja e trashëgimisë. [2] Po ashtu, Aishja korrigjoi një numër sahabësh  lidhur me transmetimin dhe kuptimin e fjalëve të Profetit ﷺ. Zerkeshi rendit shtatëdhjetë e katër raste të tilla. [3]

Janë të njohura një sërë transmetimesh të cilat u kuptuan në një mënyrë që i ulte gratë ose u vendoste atyre ndonjë normë të padrejtë ligjore, por ishte pikërisht Aishja ajo që sqaroi kuptimet e tyre të vërteta; duke përfshirë çështjen gruas që kalon para burrit gjatë faljes, çështjen e ogurit keq të grave, si dhe çështjen e zgjidhjes së gërshetave gjatë banjës (gusul).

Dhe kjo, sepse ajo dinte më shumë rreth fjalëve të Profetit ﷺ se shumica e shokëve të tij. Mahmud b. Labid (vd. 97 h./715) ka thënë:

‘Gratë e Profetit ﷺ mbanin mend një numër të madh hadithesh, por askush (nuk i kujtonte ato) si Aishja dhe Umu Seleme. Aishja jepte fetva (opinione ligjore) gjatë kohës së Umerit dhe Uthmanit, deri sa ajo vdiq; Allahu e mëshiroftë. Pas Profetit ﷺ, shokët e shquar, Umeri dhe Uthmani, e pyesnin atë për shembullin profetik mbi çështje të ndryshme.’ [4]

Ibn Hazmi (vd. 456 h./1063) tregon se transmetimet e haditheve nga Aishja arrijnë në 2210. [5] Për më tepër, natyra e saj kureshtare dhe sinqeriteti me të cilin ajo i drejtohej Profetit ﷺ i mundësonin asaj të kërkonte sqarime si askush tjetër. [6]

Të gjitha këto detaje nuk na flasin për një vajzë të vogël e të shtypur, por për një Aishe të guximshme e fisnike, e cila dha një kontribut të paprecedent si në predikimin ashtu edhe në pastrimin e mesazhit universal të Islamit.

 

Përmbledhje dhe konkluzione

Martesa e Aishes ishte plotësisht në harmoni me normat e kohës kur ajo u bë dhe nuk binte ndesh as me arsyen dhe as me ligjin. Jeta dhe veprimtaria e Aishes vlejnë shumë më tepër sesa debatet për numrin e viteve që ajo kishte ose supozohet se duhet të kishte pasur.

Më shumë se çdo gjë tjetër, ajo bëri të qartë se si Islami, përmes modelit të tij përfundimtar dhe të përhershëm personifikuar te Profeti Muhamed ﷺ, revolucionarizoi jetën e një gruaje; jo vetëm si bashkëshorte, por edhe duke i krijuar mundësinë asaj të vendoste themelet e një qytetërimi botëror që ka qëndruar i patundur përballë të gjitha sfidave kulturore dhe politike përgjatë shekujve.

Rëndësia e figurës së Aishes, si në përcjelljen ashtu edhe në zhvillimin e ligjit islam dhe ngadhënjimin pasues të mënyrës islame të jetesës, është aq e madhe saqë nuk është e vështirë të çmohet fakti se kjo martesë u drejtua me kujdes nën shpalljen e dukshme hyjnore, ashtu siç do të tregonte më vonë edhe vetë Profeti ﷺ kur i tha Aishes:

‘Dy herë m’u tregove në ëndrrat e mia. Të shihja të vizatuar në një copë mëndafshi dhe dikush më thoshte, ‘Kjo është gruaja jote.’ Kur e hoqa mbulesën, pashë se ishe ti. Thashë, ‘Nëse kjo është nga Allahu, atëherë do të bëhet.’ [7]

Vlen të theksojmë se dy martesat ndaj të cilave kritikët e Profetit ﷺ janë përqendruar më me pasion, qenë të dyja të urdhëruara përmes shpalljes së regjistruar. Ndërkohë që martesa me Zejneb bint Xhahsh, ka qenë objekt i të gjitha llojeve të diskutimeve qysh në fillim, martesa me Aishen, ashtu siç pamë, është bërë temë e zakonshme e kritikave vetëm kohët e fundit, duke e bërë edhe më domethënës faktin e shpalljes në ëndërr.


[1] et-Tirmidhi, es-Sunen/ el-Xhaami’ el-Kebir, Hadith 3883; et-Tirmidhi e ka vlerësuar atë si hasan sahih, ndërsa Albani e ka vlerësuar si sahih.

[2] Ibn Abi Shaibah, al-Musannaf, red. Muhammad ‘Awwamah (Beirut: Dar Qurtaba, 2006), Hadith 31684;
al-Darimi, Abu Muhammad, al-Musnad/ al-Sunan (Rijad: Dar al-Mughni, 2000), Hadith 2901.

[3] Al-Zarkashi, Badr al-Din, Al-Ijāba li-Īrād mā Istadrakathu ‘Āisha ‘alā al-Sahaba, red. Sa‘id al-Afghani (Bejrut: Maktab al-Islami, 1970).

[4] Ibn Sa‘d, el-Tabakat el-Kubra, 2/286.

[5] el-Andalusi, Ibn Hazm, Esma’ es-Sahaba  ua ma li-Kulli wahid minhum min al-‘Adad, Ed. Mus‘ad ‘Abdul Hamid al-Sa‘dani (Cairo: Maktabah El-Kur’an, n.d.) 32.

[6] Shih për shembull, el-Bukhari, el-Sahih, Hadithi 4939 etj.

[7] Al-Bukhari, al-Sahih, Hadith 3895, 5078, 5125, 7011.

0 Shares:
Postime të ngjashme