5 – Reformimi moral – Hamza Mustafa Njozi

Duke pasur parasysh vështirësitë e mësipërme, mjaft studiues kanë parashtruar reformimin si motivin më të mundshëm që e shtyu Muhamedin për të krijuar Kur’anin. Nga ana e saj kjo teori paraqet disa probleme. Reformimi moral është një objektiv fisnik, i cili mund të arrihet pa përdorur mjete imorale, si mashtrimi dhe gënjeshtra. Arsyeja përse ai zgjodhi mjete jo morale për të mbajtur një shoqëri me moral të pastër, nuk është as e qartë, e as nuk thuhet nga parashtruesit e kësaj teorie.

Problemi i dytë eshtë se Kur’ani e konsideron gënjeshtrën ndaj Zotit, si një nga mëkatet më të pështira.

“E kush është më gabimtar i madh se sa ai që trillon rrenë ndaj Zotit ose thotë: Mua po më shpallet e nuk i është shpallur asgjë, ose se sa ai që thotë “Do të thur diçka të ngjashme me atë që ka zbritur Allahu”. [1]

Vargjet e mësipërme vazhdojnë më pas të përshkruajnë dënimin më poshtërues, që i jepet gënjeshtarëve të tillë. Duke e ditur se ai është vetë autor i Kur’anit dhe duke e ditur gjithashtu se ai po mashtronte, duke ia atribuuar Zotit, a është e mundshme që Muhamedi ta përshkruante veten si njeri të djallëzuar?

Duke ditur se një fabrikim i tillë mund të zbulohej një ditë ai do t’i kishte përpunuar versetet e mësipërme në një diçka të tillë: “Nuk mund t’u vihet faj atyre, të cilët, në qoftë se lind nevoja, gënjejnë për hir të Perëndisë”. Aktualisht Shën Pali thotë këtë në letra dërguar Bashkësisë së Romës 3: 7:

“E në qoftë se me anë të pabesisë sonë vihet në dukje besnikëria e Perëndisë dhe kështu lartësohet lavdia e Tij a mund Ai atëherë të na dënojë sepse jemi mëkatarë?”

Së treti Muhamedi nuk e shkroi të tërë Kur’anin me një të ulur. Ai e recitoi atë pjesë-pjesë për një periudhë 23 vjetësh, periudhë gjatë të cilës Kur’ani bëri një premtim të hapur e të qartë për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje që kishte për çdo gjë.

“O ju që besuat mos pyetni për sende që, nëse u thuhet ajo (pyetja) haptazi, ju vjen keq juve, e nëse pyetni për ta gjatë kohës kur zbritej Kur’ani, do t’ju dalë në shesh (dhe do ta ngarkoni veten pa nevojë).” [2]

Njerëzit e shfrytëzuan këtë mundësi për të bërë një varg të gjatë pyetjesh, që kishin të bënin për shembull, me verën, kumarin, menstruacionet, plaçkën e luftës, shpirtin, madje edhe figurave të tilla historike si ajo e Dhulkarnejnit. Ndaj pothuajse në 15 vende të Kur’anit gjejmë shprehje të  tilla si: Ata të pyesin ty, o Muhamed, për gjëra që kanë të bëjnë me këtë apo atë çështje. Thuaju: “Është kështu e kështu” [3]

Vështirësia që lind këtu është se Muhamedi nuk mund ta dinte paraprakisht se pyetjet që do të bëheshin do të përputheshin apo jo me qëllimet e tij reformuese, të cilat e kishin shtyrë të shkruante Kur’anin! Do të ishte pak e rekomandueshme që një President, i cili dëshiron të flasë mbi situatën ushqimore të thërrasë një konferencë shtypi e t’u thotë gazetarëve që, t’i drejtojnë çdo lloj pyetje. Ndoshta gazetarët në këtë rast mund të kërkojnë të dinë rreth të burgosurve politikë!

Një problem tjetër i cili flet kundër teorisë së reformimit moral është fakti, se vetë Muhamedi korrigjohet në veprimet e tij nga Kur’ani në disa vende. Për këtë do të mjaftonte të përmendej rasti kur Hamzai, ungji i profetit u vra në betejën e Uhudit. Me nxitjen e Hindit, gruas se Ebu Sufjanit trupi i tij u dërrmua dhe u sakatua keq. Kur Profeti pa se çfarë kishte ngjarë ai tha:

Kurrë nuk kam ndjerë në shpirt zemërim si ky që po provoj në këto çaste; kur Allahu të më ndihmojë herën tjetër që të fitoj mbi Kureishët betohem se do të dërrmoj tridhjetë nga të vdekurit e tyre.

Por menjëherë pas kësaj atij i erdhi verseti Hyjnor:

Në qoftë se doni të merrni hak, atëherë ndëshkoni në atë masë sa jeni ndëshkuar ju, e nëse duroni pa dyshim ai është më i mirë për ata që durojnë. [4]

Dhe jo vetëm që është e vërtetë, se ai nuk e përmbushi kërcënimin e tij, përkundrazi ai e ndaloi sakatimin e kufomave pas betejës. [5]

I pasaktë është edhe supozimi se reforma morale është objekti themelor i Kur’anit. Porositë morale janë vetëm një pjesë e mesazhit të tij. Në Kur’an gjejmë shumë e shumë vargje, të cilat na ftojnë të studiojmë universin:

Thuaj: “Udhëtoni nëpër tokë e shikoni se si filloi krijimi, pastaj Allahu e fillon krijesën tjetër (ringjalljen). Është e vërtetë se Allahu ka mundësi për çdo send. [6]

Është mjaft kuptimplotë fakti, që në Kur’an ka rreth 150 ajete mbi besimet dhe porositë fetare dhe mbi 756 ajete mbi fenomenet natyrore. [7]

Së fundmi mendimi se Kur’ani ishte një trillim bërë me ndërgjegje nga Muhamedi nuk përputhet me provat që kemi mbi karakterin e tij. Edhe përpara se ta shpallte profetësinë e tij, Muhamedi njihej si i Vërteti, i Besuari. [8] Ai nuk dihet të ketë gënjyer ndonjëherë, fakt ky i pranuar edhe nga armiqtë e tij.

Në fillimet e misionit të tij për shembull, ai thirri të tërë Kureishët për t’i mbledhur te kodra Safa: Populli u mblodh dhe pyeti: “Çfarë ka ndodhur?” Ai u përgjigj “Çfarë do të thoshit sikur unë tani t’ju tregoja se në faqen tjetër të kësaj kodre është mbledhur një ushtri armike, a do më besonit?”- Ata i thanë: “Ti je i panjollosur dhe nuk dimë të na kesh gënjyer ndonjëherë”. [9]

Ndershmëria e tij del qartë, në rastin kur atij iu desh të largohej për në Medinë, pasi shtëpinë ia kishin rrethuar komplotuesit. Përpara se të largohej ai e porositi Aliun, që t’ju kthente jomyslimanëve sendet që ata i kishin besuar për t’i ruajtur. Kjo tregon, se ndonëse me gojë ata e fajësonin Profetin, në zemër për ta ai ishte një njeri i ndershëm, të cilit mund t’i besonin sendet e tyre me vlerë. [10]

Duke pasur parasysh faktet e mësipërme veçanërisht sinqeritetin e tij të pacenueshëm disa studiues e hedhin poshtë se Kur’ani është një trillim i ndërgjegjshëm i Muhamedit dhe në vend të saj servirin idenë e një trillimi të pandërgjegjshëm.


[1] Kur’ani 6: 93, referenca të tjera përfshijnë 69: 44-45, i cili thotë: “Sikur të trillonte ai (Muhamedi) për Ne ndonjë fjalë! Ne do ta kapnim atë me fuqinë Tonë”. Shih gjithashtu 42: 24 dhe 16: 105.

[2] Kur’ani 5:101 ose 5:104 n.q.se. përdoret përkthimi i shmangur nga numërimi standard.

[3] Disa nga vendet ku përdoret shprehja “Ata të pyesin për… Thuaj:” Përfshin 2: 109, 2: 215, 2: 217, 2: 219, 2: 220, 2: 222, 5: 4, 7: 187. 8: 1, 17: 85, 18: 83, 20: 105 dhe 79: 42. Duhet pasur parasysh se: Disa prej këtyre pyetjeve Kur’ani u përgjigjet pa e thënë shprehjen e mësipërme. Një shembull i tillë është historia rreth njerëzve të shpellës që gjendet në 18: 9-26.

[4] Kur`ani 60:126. Në mënyrë të ngjashme kur Profeti u plagos ne betejën e Uhudit, ai i mallkoi armiqtë duke u thënë: “Si mund të begatoje ai popull që plagos profetin e Allahu?” Si përgjigje ndaj këtij mallkimi, Allahu ¡ dërgoi keto vargje 3:128-129. Shih A. A. Maududi “Kuptimi i Kur` anit’ (Nairobi).

[5] Martin Lings shih cit. fq. 191. Për detaje se si u dëmua trupi i Hamzait dhe se si Hindi e  hengri mëlçinë e tij, shih fq. 189. Ajo po merrte hak për të atin Utban dhe vëllezërit Welid dhe Sheibeh, të cilët u vranë në betejën e Bedrit. Shih Hafiz. 6. Sarwar shih cit. fq. 192.

[6] Kur’ani 29:20. Referenca të tjera janë 12:105, 229, 38:37,7:185.

[7] Shih shtojcën e librit të Ali Musa Raza Muuhairit: “Islami në jetën praktike” (Lahore Sh. Muhamed Ashraf 1968).

[8] Në incidentin e rindërtimit të Kabes, Abu Umeje Bin-Mughira tha: “Bëjmë që ai që do të hyjë i pari ne Bab-Us-Safa të jetë gjyqtari ynë”. “Kur panë se Muhamedi hyn i pari, filluan të thërrisnin: “Ai është i besuari, (El-Emín), ne do t`i bindemi gjykimit të tij”. Atëherë Muhamedi ishte 23 vjeç. Shih Hafiz. G. Sarwar. cit, fq. 56-57.

[9] Hafiz G. Sarwar cit. fq. 80. Kur Ebu Sufjani, një armik i betuar i Muhamedit, u pyet nga Herakliu: “A ka thënë ai të tjera trillime përpara këtij (qenies profet)”,- përgjigja ishte negative. Herakliu vazhdoi ta pyeste: “Çfarë ju urdhëron të bësh?”,- Abu Sufjani u përgjigj: “Ai na thotë t`i lutemi Allahut dhe vetëm Allahut dhe të mos adhurojmë asgjë tjetër veç Tij, na thotë të heqim dorë nga tërë ato-çkanë thënë paraardhësit tanë. Ai na urdhëron të lutemi, të themi vërtetën, të jemi të përmbajtur dhe të kemi marrëdhënie të mira me të afërmit tanë”. Për bisedën e plotë, shih Muhamed Muhsin Khan (përkthim) cit, arabisht-anglisht (Lahore: Kazi, Publications 1979), Vol. 1, Hadith nr. 6, fq. 7-14.

[10] Hafiz G. Sarwar op. cit, fq. 147. Abdullah Bin Abial-Hamza citohet duke thënë: Përpara se Muhamedi të shpallte misionin e tij, unë kisha bërë disa marrëveshje me të. Marrëveshja nuk u përfundua kur unë i thashë se do të vija më vonë dhe më pas e harrova fare këtë çështje. Tri ditë më pas, kur unë kalova pranë vendit ku ndodhej ai, pashë se ai po më priste. Nuk u zemërua aspak për moskokëçarjen time. Ai tha vetëm këto fjalë: Më bëre të pres këtu për tri ditë”. Shih Hafiz G. Sarwar “Muhamedi Profeti i Shenjtë”, fq. 55-56.

0 Shares:
Postime të ngjashme