Ne kemi parë dëshmitë se Aishja në fakt e kishte arritur pubertetin kur u konsumua martesa dhe se Profeti ﷺ, duke marrë parasysh moshën e saj relativisht të re, ia lejonte asaj dhe shoqeve të saj të luanin me kukulla dhe i mundësonte asaj forma të tjera argëtimi. Sidoqoftë, luajtja e saj me kukulla ka lidhje me normat islame lidhur me paraqitjen e figurave.
Si rrjedhojë, Ibn Haxher el-Askelani (vd. 852 h./1449), në komentarin e tij të famshëm mbi koleksionin e haditheve të Buhariut, e diskuton këtë çështje, të cilën Muhsin Khan, përkthyesi i Sahih Bukharit, e zgjodhi për ta përmendur shkurtimisht krahas përkthimit të hadithit të lojës së Aishes me kukulla. Ai shkruan:
‘Loja me kukulla dhe paraqitje të ngjashme janë të ndaluara, por ishte e lejuar për Aishen në atë kohë, pasi ajo ishte një vajzë e vogël, që ende nuk kishte arritur moshën e pubertetit.’ (Feth-ul-Bari, faqja 143, Vëll.13) [1]
Së pari, le të shohim citimin e plotë të Ibn Haxherit:
Khatabi ka thënë: “Ky hadith tregon se loja me kukulla nuk është si argëtimi me figura të tjera, kundër të cilave ka paralajmërime. Aishja u lejua ta bënte këtë, sepse ajo nuk e kishte arritur pubertetin (ghaire baligh).” Por unë mendoj se ta thuash këtë me bindje të plotë është e diskutueshme, megjithatë mbetet e mundshme, sepse në kohën e Betejës së Khajberit, Aishja ishte ose fiks në moshën katërmbëdhjetëvjeçare ose pak mbi apo poshtë saj.
Në kohën e Betejës së Tebukut, megjithatë, ajo pa dyshim e kishte arritur pubertetin. Prandaj, transmetimi i atyre që thonë se kjo ndodhi në kohën e Khajberit është më i preferuar dhe me këtë pajtohet ajo që thotë Khattabi, sepse kjo është më e pranueshme sesa një kundërshtim i hapur. [2]
Disa pika duhen vënë re këtu: së pari, thelbi i diskutimit nuk ishte Aishja, as mosha e saj e as martesa e saj, përkundrazi tema lidhet me një kundërshtim të mundshëm mes implikimeve ligjore të hadithit që flet për lojën e Aishes me kukulla në praninë e Profetit ﷺ dhe disa transmetimeve të tjera që ndalojnë paraqitjet figurative të qenieve të gjalla. Edhe pse në fund Ibn Haxher anoi nga pikëpamja e Khattabit (vd. 388 h./988), këtë e bëri më tepër për një arsye “pajtimi” sesa si rezultat i një argumentimi të thelluar.
Së dyti, transmetimi që përdori Ibn Haxher për të datuar hadithin e lojës së Aishes me kukulla, përfshirë një kalë me krahë, gjendet në veprat e Ebu Daudit, [3] Nesaiut, [4] Ibn Hibbanit, [5] dhe Bejhakiut. [6] Ndërkohë që versioni i Nesaiut përmend se Profeti ﷺ ishte kthyer nga “një fushatë luftarake,” versioni i Ebu Daudit përfshin dyshimin e një nën-përcjellësi nëse Profeti ﷺ ishte kthyer nga “Tebuku apo Khajberi,” dhe transmetimi i Bejhakiut përmend vetëm Tebukun. Ndërsa në transmetimin e Ibn Hibbanit nuk përmendet fare nëse Profeti ﷺ ishte kthyer nga ndonjë udhëtim. Rrjedhimisht, nuk kishte arsye që Ibn Haxher të preferonte Khajberin para Tebukut si kontekst të hadithit.
Kjo e konfirmon hamendësimin tonë se, në këtë rast të rrallë, Ibn Haxheri është ngutur në përkrahjen e përmendjes së Khajberit para Tebukut, vetëm që të arrinte një lloj përafrimi me pikëpamjen e Khattabit, të cilën ai e kishte cituar, sepse, siç vetë tha: “pajtimi është më i mirë se kundërshtimi.” Në nxitimin e tij, ai duket se nuk i mori parasysh detajet rreth martesës së Aishes dhe nuk e vuri re implikimin e përpjekjes jo bindëse të Khattabit për pajtim në këtë aspekt.
Më interesantja është se, ndërkohë që në citimin në fjalë Ibn Haxheri mbështet sugjerimin se Aishja nuk e kishte arritur pubertetin rreth kohës së Khajberit—që ndodhi në vitin 7 të Hixhrit, [7] gjetkë, në Fet’hul Bari, ai e daton ngjarjen e shikimit të lojës së abisinasve në xhami nga Aishja po në të njëjtin vit (7 Hixhri) dhe shprehimisht thotë se deri atëherë Aishja e kishte arritur pubertetin. Ai shkruan:
‘Me gjasë kjo ndodhi pasi Aisha e kishte arritur pubertetin (bad bulughiha) dhe është përmendur tashmë se sipas një transmetimi të Ibn Hibanit kjo ndodhi kur mbërriti delegacioni nga Abisinia. Dihet se ata erdhën në vitin e shtatë të Hixhrit, prandaj Aishja ishte atëherë pesëmbëdhjetë vjeçe.’ [8]
Në fakt, Ibn Haxher e përdori këtë për të vënë në pikëpyetje sugjerimin se Aisha mund të mos kishte arritur moshën deri atëherë, dhe e përsërit këtë edhe në një vend tjetër. [9] Për më tepër, në veprën e tij të quajtur “el-Talkhis el-Habir,” teksa diskuton një hadith ku përmendet një perde me figurën e një kali me krahë, ai shprehet:
‘Fjalia e Aishes “kali me krahë” haset në një hadith tjetër gjithashtu, [në të cilin thuhet se]: ajo, si një e re (shābeh), po luante me të kur i Dërguari i Allahut ﷺ hyri tek ajo pasi ishte kthyer nga një betejë. Këtë hadith e kanë përcjellë Ebu Daudi, Nesai dhe Bejhakiu.’ [10]
Pra, është e qartë se si Khattabi ashtu edhe Ibn Haxher gabuan në citimin që po diskutojmë. Sigurisht, edhe më të mëdhenjtë e mendjes rrëshqasin ndonjëherë.
Së fundmi, lidhur me çështjen e ndalimit të paraqitjeve si figura të qenieve të gjalla dhe hadithin që Aishes që luante me kukulla, dijetarët ose e mbështesin idenë se ndalimi u bë më vonë, ose se kukullat etj. bëjnë përjashtim nga ndalimi i përgjithshëm; ky i fundit është qëndrimi i shumicës. [11]
[1] Sipas Hadithit 6130 të Sahih Buhariut; Shih, Khan, Muhsin, The Translation and Meanings of Sahih Al-Bukhari, (Riyadh: Maktaba Dar us Salam, 1997) 8/88-89.
[2] el-‘Askelani, Fet’h el-Bari, 10/527.
[3] es-Sixhistani, Ebu Daud, es-Sunan, Hadith 4932.
[4] el-Busti, Ibn Hibban, es-Sahih, (Beirut: Resalah Publishers, 1988) Hadith 5864.
[5] el-Baihaki, Ebu Bekr, es-Sunen el-Kubra, kontrolluar nga Dr. ‘Abdullah al-Turki (Cairo: Markaz Hijr, 2011) Hadith 21023.
[6] el-‘Askalani, Fet’h el-Bari, 7/464-465 (Ibn Haxheri analizon në mënyrë kritike raportet mbi datimin e Hajberit), 192; 6/ 87, 193.
[7] el-‘Askalani, Feth el-Bari, Vëll.2, 445; shih gjithashtu, Shih, El-Busti, Ibn Hibban, el-Sahih, Hadithi 5876; Këta njerëz kishin ardhur nga Abisinia së bashku me Xha’fer et-Tajjar, i cili ne e dimë se arriti tek Profeti ﷺ pikërisht në kohën e Hajberit. Shih, El-Buhari, el-Sahih, Hadithi 3136 dhe, Ibn Hadida, Xhemal el-Din, El–Misbah El-Mudi fi Kitab El-Nabi El-Ummi ve Rusilihi ila Muluk El-Ard min ‘Arabi ue ‘Ajami, (Bejrut: ‘Alam el-4,4,4.)
[8] Ndërkohë që, sipas Ibn Haxherit, fakti që Aishja ishte pesëmbëdhjetë vjeçe lidhet me arritjen e pubertetit, Muhsin Khan, në përkthimin e tij të Sahih al-Bukhari, bën gabime të sikletshme në këtë pikë. Në një hadith (nr. 5190) që flet për Aishen duke parë abisinët teksa luanin në xhami, ai shton një shënim ku thotë se “Aishja ishte pesëmbëdhjetë vjeçe atëherë”; ndërsa në përkthimin e një hadithi tjetër rreth të njëjtës ngjarje, ai shton në kllapa një shënim duke e përshkruar Aishen si një vajzë “që nuk e kishte arritur pubertetin” (Hadith 5236). Shih: Khan, Muhsin, The Translation and Meanings of Sahih Al-Bukhari, vëll. 7, f. 85, 109.
[9] el-‘Askalani, Feth el-Bari, Vëll.9, 336-337;
[10] El-‘Askalani, Ibn Haxher, el-Tamjiz fi Talkhis Takhrixh Ahadith Sharh el-Uxhiiz (=Talkhis el-Habir), (Riyad: Dar ‘Adwa’ el-Salaf, 2007) v.5, 2400;
Ndërsa Ibn Haxheri e përfundoi draftin e parë të Talkhis el-Habir në Sheval 813/shkurt 1411 dhe filloi me versionin më të plotë dhe ekzistues të Fet’h el-Bari në vitin 817/1414, ai vetë na tregon se ai përfundoi një plotësim të el-Talkhis el-Habir në 820/Jul11-Xhumda/714-Jumda. (Vol.6, 3295) Për datat mbi Feth al-Bari shih, al-‘Askalani, Ibn Hajar, Intikad al-I‘tirad fi el-Radd ‘ala al- ‘Ajni fi Sharh al-Bukhari (Riyad: Maktaba al-Rushd, 1993) Vol.1.
Ka dëshmi se ai vazhdoi të shtonte material në al-Talkhis edhe vite më vonë. Në një vend në al-Talkhis, Ibn Haxher i referohet diskutimit përkatës në Fath al-Bari (Vëll. 3, f. 1051), ndërsa në një rast tjetër jep një referencë për të cilën thotë se kishte hasur në vitin 840/1436-37 (Vëll. 2, f. 739). Megjithëse nuk ka prova kategorike, përmendja e këtij shënimi të cituar duket të jetë një shtesë e bërë pasi ishte përfunduar drafti i parë, sepse ai shfaqet nën një titull “paralajmërim” (tanbih) që e ndërpret rrjedhën e tekstit.
[11] El-Jahsubi, Kadi ‘Ijad, Ikmal el-Mu‘lim bi Fawa’id el-Muslim, (Kairo: Dar al-Wafa’, 1998) Vol.7, 447-448.