Për të vendosur të gjithë këtë në perspektivë – duke shpresuar pa shfajësime të kota – gjëja e parë që duhet të dihet është se Aishja ishte gruaja e tretë e Profetit (paqja e Zotit qoftë mbi të) e jo e para. Para kësaj, gruaja e parë dhe e vetme e Profetit (paqja e Zotit qoftë mbi të) për 24 vjet ishte Hadixhja e bija e Huvejlidit, e cila ishte rreth 19 vjet më e madhe se Profeti (paqja e Zotit qoftë mbi të). Profeti (paqja e Zotit qoftë mbi të) u martua me Hadixhen kur ajo ishte 40 vjeç e ai ishte 21 vjeç [1] – që mund të quhen vitet e “pranverës seksuale” të mashkullit – dhe qëndroi i martuar vetëm me të, derisa ajo vdiq. Pas vdekjes së Hadixhes, kur ai ishte rreth 46 vjeç, Profeti u martua me gruan e tij të dytë Seuda, e bija e Zem’ahut.
Pas kësaj martese Profeti (paqja e Zotit qoftë mbi të) u fejua me Aishen (radijallahu anha). Ajo ishte vajza e Ebu Bekrit, një prej shokëve më të afërt dhe pasuesve të tij më të mirë. Ebu Bekr (radijallahu anhu) ishte një prej të parëve të konvertuar në Islam dhe shpresonte që të forconte dashurinë e thellë që ekzistonte midis atij dhe Profetit (paqja e Zotit qoftë mbi të) duke bashkuar familjet e tyre në krushqi.
Fejesa e vajzës së Ebu Bekrit, Aishes, me Muhamedin (paqja e Zotit qoftë mbi të) ndodhi në vitin e 11 pas shpalljes, që ishte rreth një vit pasi ai ishte martuar me Seudan të bijën e Zem’ahut dhe para se ai të emigronte në Medine (Jethrib). Martesa me Aishen bijën e Ebu Bekrit u konsumua në muajin Sheual, që do të thotë shtatë muaj pas migrimit (hixhretit) të Profetit (paqja e Zotit qoftë mbi të) nga Meka në Medine. Në kohën e martesës së tij me Aishen, Profeti ishte mbi 50 vjeç.
Duhet të vërehet se martesa e Profetit (paqja e Zotit qoftë mbi të) me Aishen ishte një martesë tejet e lumtur për të dyja palët, siç e provon këtë literatura e hadithit. Aishja (radijallahu anha) ishte gruaja e tij e preferuar dhe e vetmja e virgjër që u martua me të. Pas emigrimit në Medine Muhamedi (paqja e Zotit qoftë mbi të) u martua me disa gra të tjera, gjithsej 15 gjatë gjithë jetës.
Megjithëse nuk do të shkojmë në detaje për secilën nga këto martesa duhet të përmendim se çdonjëra prej këtyre ishte bërë ose për arsye politike, për të forcuar lidhjet e miqësisë, ose për të ndihmuar gratë në hall. Një pjesë prej grave ishin të veja, të vjetra ose ishin braktisur e kështu kishin nevojë për familje. Gjithashtu duhet përmendur se e njëjta përmbledhje e literaturës së hadithit ajo e Muslimit na tregon se Aisha ishte 9 vjeç në kohën e martesës dhe se kjo martesë ishte urdhër Hyjnor:
“Aisha (radijallahu anha) tregon se i Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi të) (më) tha: “Ti më ke dalë në ëndërr dy herë. Një burrë po të mbarte ty në një rrobë mëndafshi dhe më tha: “Kjo është gruaja jote”. Unë ngrita rrobën dhe vura re, ishe ti. I thashë vetes, “Nëse kjo ëndërr është prej Zotit, Ai do të bëjë që ajo të bëhet e vërtetë”.” (Sahih Muslim, v. 7, l. 62, n. 15) Kështu si çdo gjë që Profeti (paqja e Zotit qoftë mbi të) bëri, ka urtësi pas kësaj dhe mësime për të nxjerrë. Urtësia pas ngjarjeve të tilla na siguron udhëzim në moralin njerëzor, ekspozon standardin e dyfishtë të hipokritëve prej feve të tjera që kritikojnë Islamin etj. Më shumë për këtë gjë do të flasim në vazhdim…
[1] Kjo sipas disa prej transmetimeve. Transmetime të tjera japin mosha të ndryshme me një diference vitesh më të vogël në mes Profetit dhe Aishes. (sh. Recensentit).