3 – Dëshira për pushtet dhe lavdi – Hamza Mustafa Njozi

Po kaq e vështirë për ta mbrojtur, për ata që e shpikën, është edhe hipoteza e cila mundohet të argumentojë, se Muhamedi ﷺ u shty për krijimin e Kur’anit nga dëshira për pushtet dhe lavdi. Si fillim duhet ditur, se Muhamedi ﷺ njihet botërisht, si një nga udhëheqësit më të suksesshëm në historinë njerëzore. Një njeri me cilësi të tilla nuk do ta kishte të vështirë për t’u bërë udhëheqës, dhe për të fituar pushtet edhe pa u shpallur profet.

Në fakt, kjo do të ishte një mënyrë më e lehtë për t’i fituar ato. Së dyti, Kur’ani e shpreh qartë se askush përfshi edhe vetë Muhamedin nuk mund të krijojë diçka të ngjashme me Kur’anin. Në qoftë se ai do të synonte pushtetin dhe lavdinë, atëherë ai do të ishte shpallur autor i një libri si Kur’ani, i cili për nga bukuria dhe madhështia i eklipsonte të gjithë librat e tjerë.

Për më tepër karakteri i tij tregon qartë, se ai nuk ishte i etur, as për pushtet, e as për lavdi personale. Dëshira për lavdi shpesh e gjen shprehjen e vet në banesat e mrekullueshme, në rrobat e çmuara, në automobilat e shtrenjtë, në dehjen nga lëvdatat e paprera, në kënaqësitë e shtira e kështu me radhë. Muhamedi ﷺ ishte një shembull i mahnitshëm përuljeje.

Me gjithë rangun e tij shoqëror si Profet që ishte, e me gjithë përgjegjësitë e mëdha si burrë shteti, Muhamedi ﷺ angazhohej edhe në punë shtëpie. Ai kujdesej për veshjet, riparonte këpucët dhe milte dhinë e tij. [1] Ai fliste dhe dëgjonte plot durim këdo që donte të fliste me të. Kjo i bënte ziliqarët të ankoheshin duke thënë:

“Ai dëgjon çdo gjë që i thuhet” [2]

Erdhi një kohë kur myslimanët filluan në shenjë respekti të çoheshin në këmbë përpara tij, por ai i ndaloi duke iu thënë “Mos u ngrini në këmbë si persianët, që një pjesë e njerëzve nderojnë pjesën tjetër.” [3]

Shembuj të tjerë të përulësisë së tij janë ato që përmend Xhemal Badawi, i cili shkruan:

Një herë ai së bashku me disa shokë po udhëtonin. Ata filluan ta ndanin punën e gatimit të disa ushqimeve. Muhamedi dëshironte të merrej me grumbullimin e druve. Shokët i thanë, se nuk mund t’ia lejonin vetes që ai të bënte një punë të tillë. Ai u përgjigj: E di që doni të më bëni një nder, por nuk do ta desha kurrë që të isha më i privilegjuar nga ju”.

Badawi vazhdon:

“Atij njëherë iu afrua një i huaj, i cili pothuaj dridhej nga nderimi që kishte për të. Muhamedi i tha që të afrohej e pastaj plot ngrohtësi i hodhi dorën në qafë duke i thënë: “Qetësohu vëlla, unë jam vetëm biri i një gruaje, e cila e hante bukën thatë.” [4]

Thuhet se njëherë tek Profeti vajtën disa njerëz, të cilët iu drejtuan me këto fjalë: “O Lajmëtari Allahut, më i miri ndër ne, dhe biri i më të mirit ndër ne, udhëheqësi ynë dhe biri i udhëheqësit tonë.” Përgjigja e tij ishte:

O njerëz, ruajeni atë çka thatë më parë apo pjesë të saj, por mos lini që shejtani (djalli) t’ju çorodisë mendjet. Unë jam Muhamedi, rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij. Nuk dua të më jepni ofiq më të lartë se ofiqi që më ka dhënë vetë Allahu i Fuqishëm e Lavdiplotë. [5]

Vdekja e djalit të dashur të Muhamedit, Ibrahimit përkoi me eklipsin e diellit dhe njerëzit e konsideruan këtë si një mrekulli, që kreu Zoti për të treguar që për vdekjen e Ibrahimit po mbante zi qielli dhe toka. Muhamedi u zemërua me ta dhe u tha:

“Dielli dhe Hëna janë dy shenja të Allahut. Ato nuk eklipsohen për shkak të vdekjes apo lindjes së një njeriu”. [6]

Shkalla e mahnitshme e përvuajtjes mund të shihet edhe në mënyrën se si ai e ushtronte autoritetin e tij. Pasuesit e tij ishin gjithmonë të gatshëm të bindeshin, por ai gjithmonë ngulte këmbë se bindja duhej treguar ndaj Zotit e jo ndaj tij personalisht. Ai bëri një dallim të qartë midis fjalëve të ardhura nga Allahu dhe atyre që vinin nga fusha të tjera, që i nënshtroheshin gjykimit njerëzor. Për ato çështje të cilat kishin të bënin me kategorinë e dytë Muhamedi konsultohej dhe e respektonte mendimin e të tjerëve.

Për shembull, në betejën e Bedrit Profeti hoqi dorë nga vendimi i tij dhe ndoqi këshillën e Habab ibn el-Mudhirit. [7] Po kështu në betejën e Uhudit, plani fillestar i Muhamedit ishte, që të mos dalin nga qyteti, por të qëndrojnë të mbrojtur brenda mureve të tij… Ai bisedoi me mjaft luftëtarë, nëse duhej dalë jashtë me sulm apo jo. Mendimi i shumicës ishte kundër qëndrimit brenda mureve të qytetit dhe ai e pranoi propozimin e tyre. [8] Në betejën e Hendekut ai pranoi propozimin e Selmanit për të gërmuar një llogore si pengesë për mbrojtje të qytetit të Medinës. [9]

Muhamedi ﷺ ia ndaloi popullit të tij, që ta kthente varrin e tij në një vend adhurimi duke iu thënë:

Mos e ktheni varrin tim në një vend adhurimi”,- duke iu lutur Zotit me këto fjalë: “O Zoti im, mos lër që varri im të kthehet në një idhull që adhurohet”.

Ai i paralajmëroi kategorikisht myslimanët, që të mos e mburrnin së tepërmi:

Mos më lëvdoni mua ashtu siç lëvdojnë të krishterët Jezusin, birin e Merjemes, por thoni: “Ai ishte një rob i Allahut dhe Lajmëtar i Tij”. [10]

Në të vërtetë një paralajmërim i tillë kundër mburrjes së njëri-tjetrit jepet dhe nga Kur’ani. [11]

Më tej ka edhe arsye të tjera, të cilat e ndërlikojnë më tepër teorinë, sipas së cilës Muhamedi e shkroi vetë Kur’anin, me qëllim që të kënaqte ambiciet e tij për pushtet dhe vetë-glorifikim. Së pari, Muhamedi natyrisht që do kish hequr nga Kur’ani ato vargje të cilat mund të binin ndesh me ambiciet e tij. Por ai nuk e bëri këtë. E përse duhej ta shkruante ai një libër, i cili e detyronte t’i thoshte popullit se ai ishte i pafuqishëm dhe nuk dinte asgjë mbi forcat e mistershme, që njerëzit nuk mund t’i shihnin, po të kishte shpallur të kundërtën ai do të kishte vetëm të mira dhe asnjë të keqe?! [12]

Përse duhej të shkruante ai një libër i cili e detyronte të thoshte se ai nuk kishte sjellë asnjë doktrinë të re dhe se ky libër nuk ishte fjalë e tij, gjë që i shpallte popullit se ai nuk ishte gjë tjetër, vetëm se një njeri si të gjithë njerëzit?! [13] Po të jetë se Muhamedi ka pasur për motiv gjatë shkrimit të Kur’anit, dëshirën e marrë për pushtet, atëherë është mjaft e vështirë të shpjegohet ekzistenca e këtyre vargjeve.

Së dyti reagimi i Muhamedit mbas shfaqjes së parë hyjnore ishte i tillë, që tregon se ai nuk kishte aspirata të fshehta për pushtet.

Pas atyre përjetimeve në Shpellën e Hirasë ai nxitoi të kthehej tek e shoqja, i mbushur tërë frikë, ai po dridhej si ndër ethe dhe i tha së shoqes ta mbulonte me një velenxë. Pasi i kaloi frika ai filloi t’i tregonte asaj gjithë ç’kishte ngjarë duke i thënë: “O Hadixhe, si është puna me mua?” [14]

Në qoftë se shpallja do të ishte pjesë e planit sekret të Muhamedit për të fituar fuqi, ai nuk duhet të kishte frikë nga asgjë. Dhe bile në qoftë se nuk kishte parashikuar shpalljen, por vetëm kishte ushqyer një dëshirë të zjarrtë për profeci, provat e tij të para të shpalljes do ta kishin mbushur me gëzim zemrën e tij, sepse në atë rast ai do të realizonte atë që ai gjithmonë kishte dashur. Dëshmi të qarta tregojnë se ai nuk kishte parashikuar dhe nuk priste shpallje. Kjo ishte për të një surprizë. Për këtë Kur’ani thotë:

“Ti as nuk ke shpresuar se do të shpallet ty libri, por kjo është mëshirë e Zotit tënd.” [15]

Së treti, në shumë raste Muhamedi e mori shpalljen në prani të miqve të vet dhe ata vunë re ndryshime të dukshme në shprehjen e fytyrës së tij. Bile në një ditë shumë të ftohtë ai u djersit shumë dhe gjymtyrët e tij ishin shumë të tendosura. Në qoftë se Muhamedi do të ishte një kërkues fuqie, që po e përdorte Kur’anin thjesht për të plotësuar ambiciet e tij, ai do të përpiqej të dukej se i zotëronte plotësisht të gjitha dhuntitë e tij. Të tregosh se je i tensionuar përpara njerëzve, normalisht konsiderohet si dobësi.

Për më tepër në momente kritike të karrierës së tyre, politikanë të shquar sforcohen shumë për t’u dukur të qetë, ose të paktën të krijojnë një ide qetësie. Së katërti, gjatë periudhës më të vështirë të torturës, vuajtjes dhe persekutimit në karrierën profetike të Muhamedit një kërkesë joshëse iu bë atij nga krerët e Mekës, si shpërblim për të cilën ai do të ndalonte çfarë ata e konsideronin si përçarje të njerëzve dhe të ndërpriste thirrjen, se kishte vetëm Një Zot të Gjithësisë. Ishte Utbeh ibn Rabiah, që ia paraqiti këtë ofertë me fjalët e mëposhtme:

“Biri i vëllait tim… megjithëse je ashtu siç e di dhe vetë, nuk je njeri  i paditur i fisit dhe familja jote të ka siguruar një vend nderi. Dhe tani ti i ke sjellë popullit tënd një çështje të një rëndësie të veçantë, me të cilën ti ke futur në grindje të gjithë njerëzit, duke e konsideruar mënyrën e tyre të jetesës të kotë, ke turpëruar zotat dhe besimet e tyre dhe i ke quajtur të parët e tyre të pabesë. Kështu më dëgjo se çfarë të propozoj dhe të shohësh në qoftë se kërkon pasuri, ne do të vendosim pjesë nga pasuritë tona dhe ti mund të jesh njeriu më i pasur midis nesh. Në qoftë se kërkon nder ne mund të bëjmë kryezotërinë tonë dhe nuk do të marrim asnjë vendim pa miratimin tënd; dhe në qoftë se kërkon mbretërimin; ne do të bëjmë mbretin tonë; dhe në qoftë se nuk mund të shkëputesh nga ky xhind që të ka pushtuar ne do të gjejmë për ty një mjek dhe do ta harxhojmë pasurinë tonë deri sa ti të shërohesh plotësisht” [16]

Është interesante të vë në dukje, se nga oferta e mësipërme është e qartë, se Kurejshët gjithashtu kishin spekuluar në të gjitha vetitë, të cilat njerëzit e kohës ia atribuojnë Muhamedit. Në përgjigje të kësaj oferte Muhamedi lexon rreshtat 1-38 të kapitullit 41, i cili i ishte shpallur atij kohët e fundit:

Ha, Mimë! Zbritje prej Mëshiruesit, Mëshirëbërësit! Libër që ajetet e tij janë të shkoqitura, duke qenë Kur’an arabisht për një popull që di ta kuptojë. Është përgëzues dhe qortues, por shumica e tyre ia kthen shpinën, andaj ata nuk e dëgjojnë … Nga faktet e madhështisë së Tij janë nata, dita, dielli e hëna. Mos i bëni sexhde as diellit, as hënës! Sexhde bëni vetëm Allahut, i Cili i krijoi ato, nëse adhuroi vetëm Atë! Po nëse ato (jobesimtarët) janë kryeneçë (e nuk bëjnë sexhde) atëherë ata që janë pranë Zotit tënd (engjëjt më të lartë). Atij e madhërojnë natën e ditën dhe ata nuk mërziten prej adhurimit. [17]

Utbah ishte bindur se Muhamedi ishte Profet i Zotit. Shokët e tij të pabesë talleshin me të (Utbah), se ai ishte i magjepsur nga ligjërata e Muhamedit. Çështja është: në qoftë se Muhamedi e kishte krijuar Kur’anin për ta pasur si mjet për të fituar pasuri ose fuqi, nuk do mund të kishte ofertë më të mirë. Pse ai e hodhi poshtë atë?


[1] Ismail Kashmiri “Profeti i Islamit , Muhamedi dhe disa nga Traditat e tij. Kajro, Këshilli i Lartë i Çështjeve Islame.

[2] Sure 9: 61.

[3] Jusuf Al-Karadawi (përkthim) “E Ligjshmja dhe e Ndaluara në Islam” (Liban: 11FSO, 1984), fq. 103. Për të mos përmendur praktikën e imponimit të njerëzve për t’u çuar në këmbë e për të duartrokitur duke thirrur emrin e VIP-it.

[4] Xhemal A. Badavi, shih cit. fq. 9-10

[5] Jusuf AI-Karadawi (përkthim) op. cit. fq. 103. Në përmbledhjen e Haditheve bërë nga Buhariu, thuhet se një ditë Profeti kaloi pranë një grupi me vajza të reja, të cilat po këndonin. Njëra prej tyre krijoi një poezi që thoshte: “Ndërmjet nesh është një profet, i cili e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.” Profeti e kundërshtoi vajzën, duke i thënë: Bëj një poezi tjetër dhe mos thuaj të tilla gjëra për mua.

[6] Hafiz. 6. Sarwar. shih cit. fq. 337.

[7] Për detaje të tjera shih kap. XLII të Martin Lingsit, shih cit. veçanërisht fq. 143.

[8] Martin Lings shih cit fq. 174, shih po ashtu cit. të Hafiz, 6. Sarwar. fq. 201.

[9] Martin Lings shih cit. fq. 217. Këtu ai aktualisht po përmbushte porosinë kur’anore, se myslimanët duhet të konsultohen me njëri-tjetrin për drejtimin e punëve tyre

[10] Të dy Hadithet janë cituar ne op. cit. të Jusuf Al-Karadawit, fq. 103

[11] Kur’ani 53: 32.

[12] Kur’ani 7: 188.

[13] Kur’ani 46: 9, 28: 86. 18: 110, 6: 50.

[14] Historia e shfaqjes së parë hyjnore që iu bë Muhametit është e pranishme në gati gjithë biografit e tij. Shih, p.sh. Martin Lings cit. kapitulli XV, fq. 43-44 ose H. Sarwar shih cit. fq. 65-67.

[15] Kur’ani 28: 86.

[16] Martin Lings shih cit. fq. 60-61 dhe në Hafiz Sarwar shih cit. fq. 91. Kur Kurejshët e kishin kërcënuar më parë me persekutim dhe vdekje, n.q.se. nuk do të hiqte dorë nga besimi i tij i ri, Muhamedi iu përgjigj kështu ungjit të tij Abu-TaIib: “O ungji im! Për Allah sikur të më vini në dorën e djathtë Diellin dhe në majtën Hënën me qëllim që të më detyronim, të heq dorë nga punë ime, unë përsëri nuk do të tërhiqesha. Unë do të vazhdoj të punoj derisa të më lejojë Zoti, ose do të pranoj të vdes duke kryer punën time”. Shih. Sarwar cit. fq. 88.

[17] Kur’ani 41:1-4, 37-38.

0 Shares:
Postime të ngjashme