Kemi vënë re edhe më parë thënien e Kur’anit që shprehet, se edhe të gjithë përpjekjet e bashkuara të njerëzimit e kanë të pamundur të krijojnë një të ngjashëm me të. Një shqyrtim më i thellë i përmbajtjes së Kur’anit nën dritën e shkencës moderne duket se e mbështet këtë thënie. Kjo demonstrohet nga dr. Maurice Bucaile, një studiues katolik francez në veprën e tij “Bibla, Kur’ani dhe Shkenca”. Kjo thënie përforcohet më tej nga formati i habitshëm i Kur’anit, ashtu si G. Miler thotë:
Për sa i përket numrit të mrekullive dhe aspekteve të habitshme, që gjejmë në ndërtimin e Kur’anit, ato janë të shumta dhe çka është më e rëndësishmja ato janë të nevojshme. Me një fjalë vendosja e fjalëve në Kur’an është e domosdoshme dhe nuk ka asgjë të tepërt, që mund të bënte të mundur praninë e gabimeve. [1]
Duke krahasuar Kur’anin dhe Biblën nën dritën e shkencës moderne do të përmendim krijimin e botës dhe stadet e këtij krijimi, datën e krijimit të botës dhe datën e shfaqjes së njeriut mbi tokë, përshkrimin e përmbysjes dhe të ikjes.
- Në Bibël, Gjeneza (Zanafilla) 1: 3-5 thuhet se nata dhe dita u krijuan në ditën e parë. Drita që qarkullon në Univers është rezultat i reaksioneve komplekse që zhvillohen në yje, të cilët sipas Biblës u krijuan në ditën e katërt. Është e palogjikshme të thuash se pasoja (drita) u krijua në ditën e parë dhe shkaku i kësaj drite u krijua 3 ditë më vonë?! (Për më tepër) prania e mbrëmjes dhe e mëngjesit si element i një dite të vetme është e pamendueshme pa krijimin e Tokës dhe rrotullimin e saj përreth Diellit. [2]
Kur’ani nuk na e jep një sekuencë të tillë.
2) Në librin e Gjenezës (Zanafilla) 1:9-13 mësojmë se të gjithë bimët, pemët e farërat u krijuan ditën e tretë. Ajo çka është plotësisht e pabazuar është fakti se si mund të shfaqej përpara ekzistencës së Diellit (në Zanafillë Dielli shfaqet vetëm në ditën e katërt), një bimësi e organizuar në shkallën më të lartë, që e kryente riprodhimin përmes farërave, si mund të egzistonte një bimësi e tillë pa vendosjen e natës dhe ditës?! [3]
Përsëri Kur’ani nuk bën një përshkrim të tillë.
3) Në Gjenezë (Zanafilla) 1: 14-19 thuhet, se në ditën e katërt u krijua Dielli, Hëna dhe yjet. Siç e dimë Toka dhe Hëna lindën nga ylli i tyre përkatës, nga Dielli. Të thuash se Dielli dhe Hëna lindën pas krijimit të Tokës do të thotë të kundërshtosh idetë më të qëndrueshme mbi krijimin e sistemit diellor. [4] Bucaile numëron edhe një varg mospërputhjesh të tjera. Sipas Biblës, krijimi i Universit ndodhi në 6 ditë. Duket se gjatësia e një dite ishte 24 orë pasi Perëndia e bëri të shtunën pushim.
Kur’ani gjithashtu ka përmendur gjashtë ditë, por fjala arabe e përdorur është “Ajamu” shumësi i “Jeum”. Kjo fjalë mund të nënkuptojë ditën 24-orëshe, ose për një periudhë më të gjatë kohore. Kur’ani thotë në kreun 32, vargu 4, se Zoti i krijoi qiejt dhe tokën në gjashtë ditë, dhe në vargun pasues thuhet se masa e asaj dite është e barabartë me një mijë vjet sipas llogaritjeve tona. Kur’ani e hedh poshtë (50: 38) idenë se Zoti ka pushuar në Sabath. [5]
Në Kur’an vargjet që përfshijnë krijimin e qiellit dhe Tokës janë 79: 27-33, 21: 11, 2: 29, 23: 17, 71: 15-16, 78: 12-13, 32: 4, 50: 38 dhe 25: 59. Kur’ani p.sh. thotë mbi krijimin e Universit, këto fjalë 21: 30…
A nuk e dinë ata, të cilët nuk besuan se qiejt dhe toka ishin të ngjitura e Ne i ndamë ato të dyja dhe ujin e bëmë bazë të jetës së çdo sendi; a nuk besojnë?
Në Suren 41, vargu 11 Kur’ani thotë:
Mandej e mësyn qiellin (krijimin e qiellit) e ai ishte tym (mjegullinë që ishte si materie e parë) dhe atij e edhe tokës i tha…
[1] G. Miler shih cit. fq. 30.
[2] Maurice Bucaille “Bibla, Kur’ani dhe Shkenca” Shkrimet e Shenjta Shqyrtuar në Dritën e Diturisë Moderne” (Paris: Seghens, 1981) fq. 43 Të gjithë referencat e tjera të kësaj faqeje janë nga ky botim.
[3] Maurice Bucaille op. cit. fq. 44.
[4] Maurice Bucaille ibid.
[5] Sabathi në hebraisht do të thotë pushim Shih Kur’anin 50:38.