10 – Problemi i paralelizmave – Hamza Mustafa Njozi

Duke u përpjekur të tregojnë influencën e traditave Judeo – Kristiane mbi Kur`anin, disa studiues kanë nënvizuar një numër paralelesh ndërmjet Biblës dhe Kur`anit. Domethënia është se Muhamedi i kishte studiuar që më parë shkrimet e shenjta dhe kishte zgjedhur apo “huazuar” ato pjesë, të cilat i dukeshin atij si më të qëndrueshme. Argumentet e mëposhtme e dobësojnë tepër këtë teori.

Së pari, Muhamedi tha se Kur`ani i ka ardhur nga Zoti dhe ne tashmë jemi munduar të tregojmë, se për arsye logjike, psikologjike dhe historike Muhamedi nuk mund të ketë trilluar Kur`anin.

Së dyti, Muhamedi ishte analfabet. Ai nuk mund t`i ketë studiuar dhe zgjedhur ato pjesë nga shkrimet e mëparshme pa ditur shkrim e këndim?

Së treti, version i parë arab i Dhiatës së Vjetër doli 200 vjet pas vdekjes së Muhamedit dhe version më i vjetër arabisht i Dhiatës së Re doli 1000 vjet pasi Muhamedi ishte larguar nga kjo botë. [1]

Së katërti, ngjashmëria ndërmjet dy ngjarjeve apo librave nuk përbën një provë të mjaftueshme, që të tregojë se njeri është kopjuar nga tjetri apo më i voni nga ai më i hershmi. Që të dy mund të jenë bazuar mbi një burim të tretë, i cili është i njëjtë. Është pikërisht ky argument që jepet edhe nga Kur`ani. Në Bibël ka pjesë që mund të kenë mbetur të pacenuara dhe n.q.s. burimi i këtyre dy shkrimeve është Zoti, atëherë kjo do të shpjegonte edhe ekzistencën e paraleleve ndërmjet tyre.

Së pesti, një shqyrtim i kujdesshëm i të dy teksteve do të tregonte se ideja e huazimeve është në rastin më te mirë e pathemeltë.

Le të fillojmë me disa dallime themelore midis dy librave. Bibla nuk është një libër, por një përmbledhje e të paktën 66 librave sipas versionit Protestant, apo 73 librave sipas versionit Roman-Katolik, shkruar nga të paktën 40 autorë. Së dyti, Bibla është një përzierje e Thënieve Hyjnore edhe komenteve njerëzore të atyre që erdhën më pas. Shih p.sh. Jeremian 8:8 Lukën 1:1-4, dhe L. Korintasve 7:25. Kur`ani nuk përmban komente të tilla madje dhe fjalët e Profetit Muhamed nuk janë pjesë e Kur`anit. Së treti në Dhiatën e Re të katër Ungjijtë japin jetën dhe misionin e Jezusit, Kur`ani nuk është një biografi e Muhamedit shkruar nga pasuesit e tij. Së katërti, në Bibël gjenden disa libra të shkruar shumë vjet pasi këta profetë kishin vdekur dhe jo në gjuhën e këtyre profetëve, duke krijuar kështu një numër vështirësish në analizimin e tyre. I tërë Kur`ani u shkrua gjatë jetës së Profetit dhe u mësua përmendësh nga qindra njerëz në gjuhën origjinale. Së pesti, të katër Ungjijtë Kanonikë nuk ishin Ungjijtë e vetëm. Vendimi se çfarë duhet të jetë në Bibël dhe çfarë jo iu la gjykimit njerëzor. Në Islam nuk u mbajt asnjë konferencë, që të përcaktonte se cila Sure duhet të jetë e cila të mos jetë në Kur`an.

Ideja se Kur’ani ka huazuar nga Bibla kundërshtohet më tej edhe nga ekzistenca e dallimeve themelore në besim, që i gjejmë në dy tekstet. Ngjashmëritë janë sipërfaqësore. Këto dallime janë:

Koncepti Biblik i Zotit është krejt i ndryshëm nga ai i Kur`anit. Në Bibël Zoti përshkruhet në një formë njerëzore (antropomorfe). [2] Ai jepet si një person i cili lodhet dhe ka nevojë për pushim. [3] Zoti ecën në kopsht dhe një njeri mund të fshihet prej Tij dhe për ta gjetur, Zotit i duhet ta kërkojë. [4] Ashtu si një njeri Zoti jepet në Bibël sikur i vjen keq për disa nga vendimet e Tij.

Domethënia e kësaj është se ose ai nuk mund t`i parashikonte pasojat, ose Ai është tekanjoz. [5] Ai jo vetëm që është xheloz, por shpesh jepet si Perëndia e Izraelit. [6] Ashtu si një njeri, Zoti ka hundë, dhe jeton në errësirë të plotë. [7] Madje nganjëherë ai ka nevojë edhe për udhëheqjen e njeriut. [8] Gjithashtu ai ka frikë nga fuqia dhe uniteti i njeriut. [9] Përshkrime të tilla jo vetëm nuk gjenden në Kur`an, por konsiderohen si sakrilegj ndaj madhështisë së Zotit.

Koncepti Biblik i profetësisë është gjithashtu i ndryshëm nga ai i paraqitur në Kur’an. Ndërsa Kur’ani i paraqet Profetët si model të devotshmërisë ndaj Zotit dhe të drejtësisë morale; shih për këtë Kur’anin 21:27 dhe 22:52, në versionin Biblik pothuajse të gjithë Profetët dalin si mëkatarët më të dalluar në fushën e besimit dhe qëndrimit moral.

Disa nga këto akte të turpshme që iu vishen Profetëve përfshijnë adhurimin nga ana e Aaronit të idhujve, [10] prirjen e Solomonit drejt idhujtarisë [11] dhe kurthet dinake që Jakobi i ngrinte të atit, Isakut. [12] Ose Abrahami pranoi të bënte një martesë inçest me Sarën, ose ai qe thjesht një gënjeshtar i pafytyrë. [13] Profeti pijanec Lot kreu incest me bijat e tij dhe madje thuhet se ai ua dorëzoi ato epsheve të burrave të Gomorrës dhe i ftoi të bënin me to ç’të donin. [14]

Profeti David jo vetëm gjente kënaqësi tek shihte të tjerët kur bënin dashuri, por gjithashtu e tradhtoi të shoqen me gruan e Uriahut, të cilës i vrau edhe të shoqin. [15] Juda kreu incest me nusen e të birit. Ferezi dhe Zerahu të cilët janë rezultat i këtij incesti nderohen si stërgjyshërit dhe stërgjyshet e Jezusit. [16] Duket se Perëndia e bekon kështu Judën për krimin e tij incestual.

Jezusi jepet sikur i drejtohet së ëmës me këto fjalë “Grua çfarë të duhet ty se ç’bëj dhe nuk bëj unë”. [17] Kur’ani nuk akuzon asnjë Profet me akuzat e mësipërme. Dallime thelbësore gjejmë edhe për sa i përket besimit në jetën e tanishme dhe të përtejme, në konceptin e shpëtimit dhe drejtimit në jetë. [18]

Përveç dallimeve doktrinore kemi gjithashtu edhe dallime kryesore në histori të njëjta, si për Kur’anin ashtu dhe për Biblën. Si shembull po marrim historinë e Adamit dhe Evës. Ngjashmëritë ndërmjet dy versioneve janë, se të dy Librat thonë që Adami dhe Eva ishin njerëzit e parë që u krijuan, se ata jetonin në një kopsht dhe u lejohej të hanin fryte nga çdo pemë përveç njërës. Ata ranë nën tundimin e shejtanit (Satanait) dhe hëngrën nga kjo pemë, pas kësaj ata u dërguan për të jetuar në tokë.

Më poshtë janë dallimet kryesore ndërmjet këtyre dy rrëfimeve:

  1. Bibla thotë se kjo ishte pema e diturisë, Kur’ani nuk e përmend diçka të tillë. Sipas Kur’anit njeriu është frymëzuar së brendshmi për të njohur të mirën dhe të keqen dhe Adami ishte mësuar rreth natyrës së sendeve përpara mosbindjes së tij. [19]
  2. Në rrëfimin biblik peshën e fajit e mban gruaja dhe Perëndia si dënim ia shtoi agoninë e lindjes së fëmijës. Në Kur’an nuk gjendet asnjë varg i cili të sugjerojë apo nënkuptojë, se përgjegjësinë kryesore për këtë faj e mban gruaja. Shtatzania përshkruhet në Kur’an, si diçka fisnike dhe e lavdëruar. [20]
  3. Në Bibël Eva tundohet nga Satanai, i cili kishte marrë formën e një gjarpri. Në Kur’an thuhet se Satanai i tundoi të dy dhe nuk përmendet që ai të ketë marrë formën e ndonjë gjarpri, nepërke apo çfarë. [21]
  4. Pas mosbindjes së tyre Bibla nuk e përmend fare pendimin e Adamit dhe Evës, ndërsa në Kur’an kjo pikë theksohet shumë. Sipas Kur’anit ata u penduan dhe Zoti i fali. [22]
  5. Bibla nënkupton se ardhja e tyre për të jetuar mbi Tokë ishte një farë dënimi ndërsa Kur’ani thotë se ky ishte plani i Allahut, qysh përpara se Ai t’i krijonte ata. [23]

Dallimet e mësipërme kanë një domethënie mjaft serioze nga ana doktrinore. Pema biblike e diturisë nënkupton se përpara ngrënies nga ajo pemë njeriu ishte i përkryer, por pas kryerjes së atij akti natyra e tij ndryshoi. Sipas Kur’anit, njeriu duke qenë një përzierje e baltës (që është burimi i dobësisë së tij) me shpirtin ka qenë gjithmonë një qënie e papërkryer.

Ndërsa për të krishterin problemi është se si ta fitojë përsosmërinë e humbur, me qëllim që të shpëtohet dhe të kthehet në Parajsë, Kur’ani e kupton se njeriu mund të gabojë, por ajo që ka rëndësi është që njeriu të mundohet sinqerisht për të përmbushur urdhrat e Zotit. Ndërsa besimi kristian mund ta pranojë doktrinën e natyrës mëkatare, Kur’ani thotë se çdo fëmijë lind i pastër dhe është përgjegjës vetëm për veprat e tij më pas.

Për shkak të natyrës mëkatare të njeriut bashkimi me Zotin do të kërkojë gjakderdhje, Kur’ani thotë se Zoti nuk kërkon gjakderdhje për të falur. Edhe ideja se përgjegjëse për rënien e njeriut është gruaja, ka influencuar mbi pozitën e statusin e gruas në shoqëri. Dallime kryesore gjejmë dhe në historitë e Abrahamit (Ibrahimit), Ishmaelit (Ismailit), Isakut, Lotit (Lutit), Moisiut (Musait) dhe Jezusit (Isait). [24]

Ideja se Kur’ani ka huazuar shumë pjesë nga Bibla është pa dyshim e gabuar. Në të vërtetë edhe ata studiues, të cilët shpallin teorinë e huazimeve siç është Filip Hiti, nxitojnë të shtojnë se ngjasimet nuk janë garanci për të nxjerrë konkluzionin e huazimit apo të citimit, apo se ai nuk ishte një imitues i thjeshtë. [25] Domethënia e kësaj është se Muhamedi e kishte kuptuar plotësisht Biblën e kishte bërë atë të tijën, më pas ai e redaktoi së tepërmi dhe e rikrijoi me fjalët e tij.

Riçard Belli i cili mundohet aq shumë që të provojë ndërvarjen e drejtpërdrejtë të Muhamedit nga Bibla insiston, gjithashtu se ai nuk kishte një njohje të vërtetë me vetë BibIën. [26] Keneth Kreg gjithashtu thotë se Muhamedi nuk pati asnjë kontakt personal me shkrimet e shenjta paraardhëse… Kemi pothuajse një mungesë absolute të asaj që mund të quhej citim i drejtpërdrejtë nga secila Dhiatë. [27]

Teoria e huazimeve dobësohet më tej nga prania në Kur’an e historive dhe detajeve, të cilat mungojnë në Bibël. Rrëfimet mbi popullin e Ad-it dhe Themud-it dhe mbi Profetët e tyre Hudin dhe Salihun nuk përmenden në Bibël. Disa detaje të Kur’anit të cilat nuk i gjejmë në Bibël përfshijnë bisedën që profeti Nuh (Noe) pati me të birin e tij përpara përmbytjes, bisedën ndërmjet Abrahamit dhe atit të tij dhe ndërmjet Abrahamit e sundimtarit tiran (Nemrudit), arratisjen e mrekullueshme të Abrahamit nga zjarri dhe mrekullinë e ringjalljes që i dërgoi Allahu kur ktheu në jetë zogjtë e ngordhur, therjen e lopës nga Moisiu me qëllim që të ringjallte të vrarin, i cili përmendi emrin e vrasësit.

Të gjitha këto mungojnë në Bibël dhe po kështu mungon edhe biseda ndërmjet Moisiut dhe izraelitëve, se cila kafshë duhej bërë fli. Nuk gjejmë në Bibël as fjalën e mrekullueshme të Jezusit në djep, zogun që ai krijoi nga balta dhe ushqimin e mrekullueshëm që Allahu i dha (Merjemes). [28]

Në qoftë se Kur’ani ishte kryesisht, por jo plotësisht i ndërvarur nga tradita Çifutë dhe Kristiane, atëherë nga i mori Muhamedi kaq shumë detaje që nuk i gjejmë në Bibël?! Nën titullin “Kristianizmi në Arabi”, Enciklopedia e Re Katolike thotë, se gjatë kohës kur jetoi Profeti Hixhazi nuk ishte prekur nga predikimet Kristiane. Ndaj nuk mund të presim që në këtë kohë të gjemë aty një kishë kristiane të organizuar. [29]

Disa studiues sygjerojnë se ndoshta Muhamedi u mbështet në burime gojore dhe për këtë japin si dëshmi ngatërresën në Kur’an, ndërmjet Merjemes (Marisë), nënës së Isait (Jezusit) dhe Miriamit, motrës së Harunit (Aaronit). Baza e kësaj akuze është vargu, i cili shprehet me këto fjalë drejtuar Merjemes (Marisë), nënës së Isait (Jezusit).

Oj motra e Harunit, babai yt nuk ishte njeri i prishur e as nëna jote nuk ka qenë e pamoralshme. [30]

Ky pretendim është i gabuar, pasi nuk merr parasysh veçoritë gjuhësore të arabishtes dhe kontekstin e vargut. Në arabisht fjala “ekhun” apo “ukhtun” ka dy kuptime: 1) vëlla apo motër në gjak dhe 2) vëllazëri fisnore apo besimi. Vargu i mësipërm ka përdorur fjalën ukhtun në kuptimin e dytë. Kjo nuk është e pazakontë për Kur`anin, i cili edhe më parë përdor shprehje të njëjta idiomatike. Në kapitullin 11 është vargu profetik, ku Luti (Loti) iu drejtohet grave të fisit të tij si “bijat e mija”.

Në kapitullin 7 vargjet 65, 73 dhe 85 Profetët Hud, Salih dhe Shuaib quhen vëllezër të fiseve të tyre përkatëse. Populli i Lutit përmendet në kapitullin 50 vargu 13, si vëllazëria e Lutit (Lotit). Përveç fjalës “benatii”, që do të thote “bijat e mija”në 11: 78 të gjitha rastet e tjera përdorin, fjalën”ekhun”, që do të thotë “vëlla”. Fjalët “o motër e Harunit (Aronit)” janë përdorur gjithashtu idiomatikisht në sensin e lidhjeve farefisnore dhe jo familjare.

Në Ungjillin e Lukës p.sh. Elisabeta, gruaja e Zakarisë quhet si një nga “bijat e Aaronit” [31] me po këtë kuptim farefisnor. Së dyti, konteksti i vargut i heq të gjitha dyshimet mbi kuptimin e fjalëve “O motër e Harunit (Aronit)”. Kjo thirrje u bë kur Merjemja (Maria) shkoi tek njerëzit e saj duke mbajtur në krah Isain (Jezusin) foshnjë.

Habia e njerëzve nuk njihte kufi. Megjithatë ata ishin të përgatitur të mendonin më të keqen për të, pasi ajo kishte disa kohë që ishte larguar nga të afërmit e saj. Po ja tani kthehej, duke mbajtur paturpësisht në krah një foshnjë. Ajo e kishte turpëruar shtëpinë e Harunit (Aronit) burimin e devotshmërisë ndaj Zotit! Motër e Harunit (Aronit): Merjemes (Marisë) i kujtojnë prejardhjen e saj të lartë dhe moralin e jashtëzakonshëm të ëmës dhe të atit. Si ka mundësi thanë ata që ajo u rrëzua dhe e turpëroi emrin e prindërve të saj? [32]

Këto arsye tregojnë se thirrja “O motër e Harunit” nuk mund të merret si provë e mjaftueshme që Kur’ani rrjedh nga burime gojore. E po kështu s’mund të pranohet e ashtuquajtura ngatërresë për emrin e Hamanit. [33]

Së treti, Kur’ani e mbron vetë vetveten. Burimet Çifute, Kristiane apo pagane “mund të jenë të kujtdo, por jo të Zotit”. Kur’ani thotë në 4: 82, se në të nuk gjenden kurrfarë kontradiktash. Meqë nuk provohet e kundërta e kësaj që thuhet në Kur’an të gjitha insinuatat e këtij lloji nuk kanë asnjë vlerë. Sepse në analizën e fundit nuk do të ketë rëndësi, se çfarë akuzash u ngritën ose jo mbi personin, karakterin dhe qëllimet e Profetit.

Sepse vërtetësia dhe autenticiteti i kushtrimit të tij mund të mohohet vetëm në qoftë se provohet si i gënjeshtërt mesazhi që ai solli me vete. Sfida që lëshon ky mesazh është e hapur dhe e përjetshme. Çdo sulm mbi personin e lajmëtarit është anësor dhe anashkalon thelbin e çështjes. Çdo kritik serioz i Kur’anit duhet të shtrojë gabimin dhe më pas të japë arsyet përse ky është një gabim. Çdo metodë tjetër do ishte vetëm hipotezë mbi mundësinë e një gabimi.

Deri tani kemi studiuar dy mundësitë e para logjike përsa i përket autorësisë së Kur’anit. Jemi munduar të tregojmë vështirësitë që paraqet mohimi i asaj, se Kur’ani është një Fjalë Hyjnore. Këto vështirësi në vetvete, nuk citojnë se Kur’ani është Fjalë e Zotit, ato tregojnë se Muhamedi nuk ishte autor i Kur’anit dhe se Kur’ani nuk u krijua mbi bazën e burimeve gojore Judeo-Kristiane. Le të shqyrtojmë tani thënien se Kur’ani është një Fjalë Hyjnore e Allahut.


[1] Në kapitullin “Burimet e Kur’anit”, Thomas Patrick Huges shkruan nën cit: Nuk kemi asnjë provë se Muhamedi pati mundësi t’i njihte shkrimet e shenjta… Duhet gjithashtu të kemi parasysh se nuk kemi asnjë gjurmë për ekzistencën e teksteve arabisht të Dhiatës së Vjetër e të Re përpara ardhjes së Muhamedit. Versioni më i hershëm arabisht i Dhiatës së Vjetër që kemi është ai i R. Saadias Gaon, viti 900 e.s., ndërsa versioni më i vjetër arabisht i Dhiatës së Re është ai i botuar nga Erpeniusi më 1616. fq. 515-516.

[2] Zanafilla 1:26. “Atëherë Zoti tha: “Le ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë të ngjashëm me ne” apo Zanafilla 9:6 “Se Zoti e bëri njeriun sipas shëmbëlltyrës së tij”. Krahasoji këto rreshta me vargun e Kur’anit i ciii thotë: ‘Thuaj: Ai, Allahu është Një! Allahu është Ai që çdo krijesë i drejtohet (mbështetet për çdo nevoje. As s’ka lindur, as nuk është i lindur. Dhe aty askush nuk ,është i barabartë. Kur’ani 112:1-4 ose “Asnjë send nuk është si Ai”42: 11.

[3] Zanafilla 2:2. Zanafilla 2:3, 20:11. Për tendencën e Tij për të harruar, shih Zanafilla 8:1 dhe Eksodi 2:24. Krahaso me Kur’anin 2:255.

[4] Zanafilla 3:8-11. Krahasoje me Kur’anin 2:115, 6:3.

[5] Zanafilla 6:6, Gjykatësit 2:18 dhe Eksodi 32:14. Krahasoje Kur’anin 2:255 dhe 6:59.

[6] Eksodi 34: 14 dhe Eksodi 205. Askund në Kur’an nuk përshkruhet Zoti, si Zoti i Kurejshitëve, Zoti i Arabëve apo i Myslimanëve. Shih Kur’anin 1: 1, 4: 79.

[7] 2 Samuelit 22: 9-15, libri i parë i Mbretërve 8: 12 dhe Numrat 11: 25. Krahaso me Kur’anin 42: 11.

[8] Eksodi 12: 13.

[9] Zanafilla 11: 5-9, Zanafilla 3: 22-24. Në fakt sipas Biblës, Jakobi e kishte fituar ndeshjen e mundjes. Shih Zanafilla 32: 24-29.

[10] Shih Eksodi 32: 1-20.

[11] Shih Librin e parë të Mbretërve 11: 4.

[12] Shih Zanafilla 27: 16.

[13] Shih Zanafilla 12: 10-20 dhe 20: 2-18.

[14] Shih Zanafilla 19: 30-38 dhe Zanafilla 19: 8.

[15] Shih Librin e dytë të Samuelit 11: 2-5, 11: 15-18

[16] Shih Zanafilla 38: 16-18 dhe Mateun 1: 3.

[17] Gjoni 2: 4.

[18] Për një diskutim të detajuar rreth këtyre çështjeve referohuni Iibrit të G. Milerit “Kristianizmi Misionar” (vendi, data dhe botuesi nuk janë dhënë), fq. 1-38.

[19] Shih Zanafilla 2: 16-17’. Krahaso me Kur’anin 91: 7-8, 2: 31-33.

[20] Shih Zanafilla 3: 12-17. Krahaso me Kur’anin 29: 8, 46: 15.

[21] Shih Zanafilla 3: 1-7. Krahaso me Kur’anin 2: 36, 7: 20.

[22] Shih Kur’anin 2: 37, 7: 23.

[23] Shih Zanafilla 3:17-19. Krahaso, me Kur’anin 2:30.

[24] Për një përshkrim të hollësishëm të ngjashmërive dhe dallimeve të këtyre versioneve shih Ali M.R.Muhajir “Mësime nga Tregimet e Kur’anit” (Lahore: Sh. Muhamad Ashraf 1968).

[25] Filip K.Hiti shih cit. fq. 17,18.

[26] Richard Bell shih cit. fq. 112.

[27] Keneth Cragg shih cit. fq. 74.

[28] Shih Kur’aní 11:32, 42:19, 21:57, 2:258, 21:69, 2:260, 3:46, 3:49 dhe 3:37.

[29] Enciklopedia e Re KatoIike, Vol 1, fq. 721-722.

[30] Kur’ani 19:28. Luka 1:5.

[31] Luka 1:5.

[32] Abdullah J. Ali “Kur’ani i Shenjtë” shpjegimet nr. 2480,- 2481. Shih po ashtu Kur’anin 19: 27-30.

[33] Shih Abdullah Ali “Kur’ani i Shenjtë” shpjegimet nr. 3331, Për një përgënjeshtrim më të hollësishëm mbi Al-Khidrin dhe Zul Karnejnin shih S. A. A. Maududin “Kuptimi i Kur’anit” pjesa, 7, fq. 35-49 .

0 Shares:
Postime të ngjashme