Po e fillojmë këtë studim duke shqyrtuar së pari argumentet e atyre studiuesve, të cilët e konsiderojnë Muhamedin ﷺ si autor (të Shkrimit Hyjnor). Për të vlerësuar pozicionin e tyre është e rëndësishme të mbajmë parasysh, se çfarë thotë vetë Kur’ani mbi burimin e tij. Kur’ani e shpreh qartë:
“ky është vërtet një Kur’an i nderuar” [1]
“Ai është Shpallje prej Zotit të botëve.” [2]
E njëjta gjë shprehet edhe në vende të tjera në Kur’an. [3] Për më tepër mënyra se si kjo thuhet, të jep përshtypje se fjalët burojnë nga Krijuesi për tek krijesat. Duke lënë mënjanë kapitullin 9, të tërë kapitujt e tjerë fillojnë me formulën: Me emrin e Zotit të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit.
Fjalët thuhen në Vetën e Parë dhe në mjaft vende Zoti mjaft qartë e urdhëron Muhamedin të thotë: KuI. d.m.th. thuaj. Në fakt një urdhër i tillë shfaqet 332 herë në Kur’an. [4] Po kështu janë përdorur edhe fjalë të tjera urdhëruese, si “shpall” ose “kumto”, “lavdëro Zotin tënd”, “përulu në lutje”, e mjaft të tjera. [5] Meqenëse Kur’ani është një Fjalë Hyjnore nënkupton mohimin e autorësisë njerëzore, megjithatë ai e mohon në mënyrë kategorike, se mund të jetë krijuar nga ndonjë njeri apo xhind:
“Thuaj: “Sikur të tuboheshin të gjithë njerëzit dhe xhindet për të hartuar një Kur’an të tillë, ata nuk do të mund të hartonin një të ngjashëm me të, madje, edhe sikur ta ndihmonin njëri – tjetrin.” [6]
Përveç se ai është një Shpallje Hyjnore dhe mohimit të theksuar që i bëhet autorësisë njerëzore, Kur’ani gjithashtu jep edhe mënyrën se si mund të binden ata që besojnë të kundërtën:
“Nëse ju dyshoni në atë që ia kemi zbritur robit tonë (Muhamedit a.s.), atëherë hartoni një sure të ngjashme me atë që ia kemi shpallur atij! Thirrni në ndihmë edhe dëshmitarët tuaj (që i adhuroni) në vend të Allahut, nëse jeni të sinqertë. Nëse nuk mundeni, dhe kurrsesi nuk do të mundeni, atëherë ruajuni zjarrit, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët dhe që është përgatitur për t’i ndëshkuar mohuesit.” [7]
Duke iu përgjigjur akuzës, se Muhamedi ishte autori, Kur’ani përgjigjet:
“…Thuaj (o Muhamed): “Është e pamundur ta ndryshoj unë atë nga ana ime. Unë shkoj vetëm pas asaj që më është shpallur. Unë druaj, nëse e kundërshtoj Zotin tim, dënimin e Ditës së Madhe.” Thuaj: “Sikur të kishte dashur Allahu, unë nuk do t’jua kisha lexuar dhe as nuk do të kishit mësuar gjë për të. Unë kam jetuar një kohë (të gjatë) në mesin tuaj (para profetësisë), a nuk po mendoni?” [8]
Kritikëve të Muhamedit ﷺ iu është vënë në dukje fakti, se ai ka jetuar mes popullit të tij për dyzet vjet pa treguar as edhe një herë shenjë diturie të madhe apo ndonjë dell poeti; në fakt ai nuk dinte të shkruante dhe lexonte. Si mundet atëherë ta shpjegonin ata faktin, që ai e recitonte Kur’anin, madhështia e të cilit ishte dhe është e pakrahasueshme? Në të vërtetë Kur’ani i drejtohet vetë Muhamedit me këto fjalë:
“Para këtij, ti (Muhamed) nuk kishe lexuar kurrfarë libri e as që kishe shkruar gjë me dorën tënde; përndryshe, ndjekësit e së pavërtetës do të dyshonin.” [9]
Fakti që ai nuk dinte të shkruante dhe të lexonte është përmendur edhe në Kur’an (7: 157 dhe 158).
Përveç këtyre thënieve nga Kur’ani, vetë Muhamedi ﷺ, e ka mohuar disa herë duke shpallur, se ai nuk është autor i Kur’anit. Një shembull i mirë në këtë çështje është ngjarja e famshme e shpalljes së tij për herë të parë në guvën Hira’. [10]
Ndonëse Muhamedi e hodhi poshtë autorësinë e Kur’anit një numër studiuesish janë të bindur, se ai është në të vërtetë autor i tij. Nënteksti është se ai ka gënjyer me qëllim, kur ia atribuoi Kur’anin Zotit. Studiuesit këtij “mashtrimi” i kanë veshur motive të ndryshme:
Carls Hamilton, përkthyes i: Hedaja: Një Koment mbi Ligjet Islame shkruan në parathënien e përkthimit:
Se kush ishte autori i kësaj përzierje të jashtëzakonshme deklamimi dhe porosish morale do të mbetet gjithmonë e pasigurt, pasi mbi këtë pikë vazhdon të ketë një mospërputhje, gjë që ka ekzistuar edhe ndërmjet kundërshtarëve të parë të Muhamedit dhe misionit të pretenduar të tij. Megjithatë është e padiskutueshme se ky person i jashtëzakonshëm ishte projektuesi kryesor i kësaj vepre, ndonëse nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë përfituar edhe nga ndihma e mjaft të tjerëve në krijimin e librit. [11]
Hamiltoni vazhdon duke thënë se Muhamedi ishte një mashtrues, por nuk jep ndonjë motiv të qartë që ta mbështesë këtë trillim. Të njëjtin pozicion mban edhe Richard Bell, i cili shkruan në parathënien e përkthimit të tij, ‘Kur’ani: I përkthyer me një Rivendosje kritike të Sureve,’ se Kur’anin e shkroi vetë Muhamedi ﷺ [12]
Në librin e tij, “Veberi dhe Islami: Një studim kritik” Bryan S. Turner thotë se Maks Veberi e konsideronte Muhamedin ﷺ një oportunist dhe se pasuesit e tij ishin të motivuar vetëm nga shpresa e përfitimeve ekonomike. [13] Sipas Veberit, Muhamedi ﷺ e kuptoi se apeli që ai i bëri devocionit dhe drejtësisë morale nuk e ndihmonte që të arrinte ambiciet e tij për fuqi politike, lavdi personale dhe përfitim ekonomik. Ndaj për të arritur qëllimet e tij ai mobilizoi luftëtarët që kishte me vete.
Për më tepër Veberi na jep të kuptojë, se Profeti fillojë ta kuptojë gjithnjë e më shumë, se pozicioni i tij varej nga mobilizimi i suksesshëm i luftëtarëve, të cilët Veberi i identifikon si grupi përçues i fesë së re. Në argumentet e Veberit spikasin një numër tiparesh.
Duke qenë se Muhamedi dështoi në përpjekjet e tij për të zënë rrënjë në Mekë, në bazat e “kuvendeve fetare”, atij iu desh t’i drejtohej luftëtarëve, dhe në mënyrë të paevitueshme mesazhi i tij monoteist u dha në bazë të dinamizmit ushtarak, që i përgjigjej një kaste luftëtarësh, dhe doktrina sociale e Muhamedit u “orientua gati plotësisht drejt përgatitjes psikologjike të besnikëve për betejë, me synimin që të ruante numrin maksimal të luftëtarëve të fesë”.
Këta luftëtarë motivoheshin jo nga devocioni i pastër ndaj karizmës së Profetit, por nga perspektiva për të fituar tokë dhe fuqi. Për rrjedhim, lufta fetare në Islam ishte thelbësisht një ndërmarrje që drejtohej për grumbullimin e pasurive të mëdha të patundshme, duke u orientuar kryesisht nga interesat feudale mbi tokën. [14]
Kenneth Cragg në librin e tij “Thirrja e Minares” thotë, se teksti i Kur’anit ndoshta bazohet mbi traditat gojore, por Muhamedi ia atribuoi Zotit duke dashur të shpëtojë popullin e tij nga krimi i adhurimit të idhujve. Sipas tij Kur’ani është një shprehje e vëzhgimit të ndërgjegjshëm të botës përreth nga ana e Muhamedit:
E tillë ishte baza dhe kuptimi i kushtrimit të Muhamedit, në përsiatjet e një përjetimi “shkretinor”, ku faktet e mbledhura nga vëzhgimi i ndërgjegjshëm i skenës bashkëkohore u artikuluan në një kushtrim personal, i cili u bë thirrje dhe paralajmërim për qytetin. [15]
Artur J. Arbery në parathënien e librit “Kur’ani i Interpretuar” ka pikëpamje të ngjashme:
Faktet tregojnë se të gjithë shkrimet dhe bëmat e Muhamedit u nxitën nga një dëshirë e sinqertë për t’i çliruar bashkatdhetarët e tij nga pesha e madhe e besëtytnive të kota -se ai u nxit nga një dëshirë jashtëzakonisht e fortë për të shpallur atë të vërtetë të madhe të Njëshmërisë së Qenies Hyjnore, e cila e kishte përpirë plotësisht shpirtin e tij -se qëllimi që duhej arritur, justifikonte sipas tij mjetet që ai përdorte në krijimin e Sureve – sa ai arriti të besonte edhe vetë që kishte marrë një shpallje hyjnore – dhe se ai eci përpara nga forca e rrethanave, e duke arritur gradualisht sukseset në rritje, filloi ta besonte vetveten si lajmëtar i Zotit. [16]
Sidoqoftë Arberi në “Parathënien” e botimit të 1983 të përkthimit të tij të Kur’anit, “Kur’ani i Interpretuar” nuk shihet të vërë në diskutim autenticitetin e tij.
Sipas M. M. Mulokozit, Muhamedi e pranoi profetësinë si mjet për të bashkuar popullin e tij në luftë kundër shtypësve, si një shprehje e asaj dëshire të madhe për të çliruar atdheun e tij, Arabinë, nga dominimi imperialist:
Politikisht Islami u shfaq nga një situatë e rëndë shtypjeje dhe kolonializmi. Lëvizja Islame ishte në një farë mase një përpjekje e arabëve për t’u shkëputur nga kthetrat e tre fuqive imperialiste… Ndaj roli historik i Islamit ishte kalitja e shpirtit nacionalist ndër ta dhe drejtimi në luftën kundër shtypësve të tyre. Mjetet që u përdorën për arritjen e këtij uniteti ishte ai i Profecisë, një mjet që i përshtatej nevojës shumëshekullore e të qëndrueshme të popujve të Lindjes së Mesme. [17]
Enciklopedia e Re Katolike gjithashtu sugjeron, se profecia e Muhamedit ishte thjesht një mjet për bashkimin e arabëve:
“Rreth moshës dyzetvjeçare ai mori “shpalljen e tij profetike” për t’i bashkuar arabët në një monoteizëm.” [18]
Me pak fjalë, sipas këtyre teorive Muhamedi ﷺ supozohet t’ia ketë atribuuar Kur’anin një burimi hyjnor, duke qenë i motivuar, ose nga përfitimi ekonomik, ose të zotëronte fuqi të madhe, ose reformimi moral dhe çlirimi politik i popullit të tij. Të gjitha këto teori paraqesin një numër vështirësish në argumentet që japin.
[1] Kur’ani 56:77. Gjatë gjithë studimit është përdorur përkthimi në shqip i H. Hasan Nahi,botim i A.I.I.T.C përveç atyre rasteve kur eshte thënë e kundërta.
[2] Kur’ani 56: 80.
[3] Kur’ani përshembull thotë në 26: 192-193 Nuk ka dyshim se ky (Kur’an) është Shpallja e Zotit të botëve. Atë e zbriti Shpirti i besueshëm (Xhebraili). Referenca të tjera mund të jenë 25: 1, 3: 3, 4: 105, 16: 44 dhe 15: 9.
[4] Rëndësinë e këtij numri do ta diskutojmë më vonë.
[5] Shih, p.sh. Kur’ani 15: 49, 76: 24-26, 18: 27,28.
[6] Kur’ani 17: 88. Një sfidë e ngjashme del edhe në 2: 23, 10: 38 dhe 11: 13.
[7] Kur’ani 2: 23-24.
[8] Kur’ani 10: 15-16
[9] Kur’ani 29:48. Analfabetizmi i tij përmendet edhe në 7: 158.
[10] Shih Muhammad Muhsin Khan, (përkth.) The Translation of Meaning of Sahih al-Bukhari, (Arabic-English), Lahore: Kazi Publications, 1979, Vol. 1 nr. 3, fq. 2-4.
[11] Charles Hamilton (përkthim) The Hedaya: Commentary on the Islamic Laws” (New Delhi: Kitab Bhavan, 1985) Vol. 1, fq. VIII. Kjo vepër monumentale u përkthye me urdhër të Guvernatorit të Përgjithshëm Anglez dhe të Këshillit të Bengalit, Warren Hastings, Esq.
[12] Richard Bell (përkthim) ”Kur’ani i Përkthyer me një Rivendosje Kritike të Sureve” (Edinburgh: T&T Clark 1960) Vol. 1, fq. vi.
[13] Bryan S. Turner “Veberi dhe Islami: Një Studim Kritik” (Londër: Routhege and Kegan Paul 1974) fq. 23.
[14] Bryan S. Turner, Shih citimin fq. 34.
[15] Keneth Cragg “Thirrja e Minaresë” (New York: Oxford University Press. 1964) fq. 76-77.
[16] Arthur J. Arberry “Kur’ani i Interpretuar” (Londër: George Allen – Unwin Ltd., 1955) Vol. 1, fq. 15.
[17] M. M. Mukolozi “Utenzi wa Rasi L’Ghuli”mimeo. Fjalim i mbajtur në seminarin e TUKI-t 25 shkurt 1988, fq. 4.
[18] Enciklopedia e Re Katolike (Washington: The Catolic University of America, 1981) Vol. 1, fq. 715.